Odise Kote: Të shohësh yjet në janar…
Të shohësh yjet në janar është si të udhëtosh në kohë,
nga fobi e fluturimit me aroplan, ti ende s’je shëruar.
Muzika që bie, si e bërë me numra fetash të prera hëne,
Kitarë duhet të jetë ose era e detit që vjen prej larg.
Eja të bëjmë një vizatim të bukur me ato shenjat tona,
me histori dhimbjesh, se gjërat mësohen duke gabuar.
Flutura kujtimesh fluturojnë, s’rrinë dot pa fluturuar,
Me frikën e zbulimit të asaj që ende rri fshehur…
Çmimi i heshtjes, është si të fërkosh sytë e mendjes,
Të jesh gati dhe t’i vërtetosh vetes se ti mjafton.
Ajo vija ndarëse ku mendimet mbërrijnë të qarta,
si gëzim i ngrohtë kur marinari shkel tokën…
Të shohësh yjet në janar është si të udhëtosh në kohë,
Ajo është grua, e kupton o pemë yllësore e qumështit.
Rikthehet sa herë ndihet fillikate, me dënesa e qeshje,
se dashuria e vërtetë është përllogaritje e ndërlikuar…