Cikël poetik nga Nexhat Halimi
KTHIMI
Tak, tak troket dikush lehtë në derë
Kopshtit bredh ëndrra me fenerë
Lëviz syri gjak i agut me pranverë
Ngjitem për shkallë guri lart
E dal ke korridori i kullës së vjetër
Kaq vjet më vonë i tërë i zjarrtë
Do të arrij te vetvetja pa tjetër
Ja kulla e harqet me pamje në jug
hija e fëmijërisë te lisi me cung
oborrit e hetoj lëviz një buallicë
e udha ik veten prapë në dumnicë
kjo përmallje shpërthen tashmë vonë
ndërmjet ëndrrës vjen në kolonë
vetmisë së strukur yllit në kasollë.
PAS RRUFESË
Rrufeja gjuan në gur
babai me mëngjes në sy sharton bimë
në pemishte
unë
lumin e egër shkel
nga fillimi
digjet flakë syri i zi
ditë e tretë e daljes
në kokë e bisht të gjarprit të vogël të shtëpisë
zgjon stuhi
takohemi në prag
në barin e fjetur buzë uji
lejlekët me kokën time
drunjtë përballë rrufesë
gjakun e ashtin e kthejnë në lule
zjarri të kaltër
thirrje në emër të babait.
VDEKJA NË VERË
Shprishet e diela ndërmjet teje
e meje
fle e fjetur në breg të lumit pa kokë e zog
e zënë nga gjarpri në ëndrrën e këputur
e prekur në lëkurë nga nimfa
shtëpia kërkon kokën e trëndafilin e kaltër
shkëputur rrejshëm një natë nga buka
ngjitet nëpër hi prekja e ftohtë
unë pi çaj në divanhane mjeshtëroj ndonjë dre
me mollë të artë në brirë
e në katër krahë atje kalldrëmës së vjetër
e bartin një dashuri të gjallë
një shkëputje nga degë e fundit
në kopshtin tim
e zbresin kripës
zota e vasha aq të harruara buzë një lumi
pa kokë
në katër krahë poshtë kalldrëmës e bartin një fjalë
shtëpia buzë ujit kërkon kokën time
në një stinë të braktisur pa zot
në trëndafilin e agut në dhomë pa prejardhje
qiriri digjet në tryezë.