Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: AVIONËT DHE PLUMBAT…

Tregim

 

Në një nga lajmet e bujshme pas fillimit të mësymjes ushtarake ruse mbi Ukrainë ishte edhe ai se tashmë edhe avionët e linjave civile ajrore mund të fërkoheshin apo të goditeshin në rastin më të keq nga avionët ushtarakë rus. Thuhej në këto “lajme” se ata e kishin bërë si të modës t’u qëndronin afër ndonjeherë edhe avionëve të këtyre linjave.

Po udhëtoja në kthimin nga Miami përtej Atlantikut, pas një periudhe një vjeçare para fillimit të konfliktit ushtarak. Linja e avionit kishte qëndresën tranzit në Stamboll. Kur po i afroheshim kryeqytetit turk, çuditërisht qielli ishte i mbushur me re të bardha dhe ato ishin poshtë këmbëve tona. Imagjinata keqndjellëse më krijoi panikun që e kishte burimin pikërisht në ato retë e bardha, që në ato momente mbështillte me misteriozitetin e fshehjes së hapësires qiellore dhe kaltërsisë, mundësinë apo jo, të çmendurisë njerzore të veshur me uniformën ushtarake. Altoparlanti i avionit më shkëputi nga këto mendime ogurzeza.

“Udhëtarë, ju njoftojmë se avioni do të bëj uljen drejt aeroportit të Stambollit. Të gjithë duhet të ulen në sedilje dhe të vendosin rripin e sigurisë”-  u tha në anglisht në formë emergjente.

Në fakt ishte porosia rutinë e drejtuesve të Turkish Air Line. Nuk kaloi shumë dhe avioni  Boeing  bëri një tronditje të lehtë dhe pas pak nga dritaret nuk shikoja më bardhësinë e reve, as qiellin e kaltërt sipër, por një tym pa fund që sillte vetëm ndjenjën e çoroditjes dhe panikut. Humbja e vizionit dimensional të objekteve dhe krahu i stërgjatur i avionit dukej sikur çante gjithë atë masë tymi e amullie, duke të dërguar vëmendjen kudo dhe askund. Çuditërisht midis tymnajës m’u ravijëzua portreti i një piloti ushtarak dëshmor të aviacionit shqiptar, Niko Hoxhës. Në arkivin e ushtrisë, vite më parë në përgatitjen e videove e hasja portretin e tij në çdo përvjetor të aviacionit. Po ç’ne avionët shqiptarë ushtarakë të viteve 70-80 m’u kujtuan tani? Mendja ishte e turbullt ashtu si edhe hapësira qiellore që po çante me shpejtësi Boingu i ardhur nga Amerika. Jo… ndoshta një portret piloti rus nuk do të shikoja kurrë nga dritarja. Turqia nuk ishte shumë larg nga Ukraina…

Në sallonin e madh të tranzitit ndërkombëtar të aeroportit të Stambollit kishte mjaft lëvizje njerëzish. Turma në formë grupesh ecnin me nxitim për të kapur avionët, të cilët shkonin në drejtime në të gjithë planetin. Aty mund të shikoje racat e gjithë rruzullit me veshjet e tyre karakeristike. Të ndalur për të pritur informacionin mbi portën ku do të niseshim për Shqipëri zura vend në poltronet ku përballë ndodheshin tabelat e mëdha elektronike të orarit të nisjeve të avionëve.

Nga xhami i madh drejt sheshit të aerodromit dukeshin avionët që lëviznin pambarim. Diku dukej një avion që ngrihej duke palosur rrotat brenda trupit të tij, të tjerë që i lëshonin këto ato duke u ulur me rrëmbim në pistat e pafund.

Diku më tej dallova bishtin e kuq të një avioni që po afrohej pranë nesh. Ai ishte avioni AIR ALBANIA. Ndjeva mornica në trup, buzëqesha dhe ndjeva një çlirim të gjymtyrëve në trup që ishin mpirë nga qëndrimi palëvizur në kolltukët e pasagjerëve. Ndjeva krahun e Meritës që preku supin tim dhe më tërhoqi pranë. Hodha sytë në fytyrën e saj të bukur dhe dallova lodhjen e udhëtimit që dhe për pak do të tretej…

Një portë e madhe xhami u hap dhe njerzit filluan të lëvizin ashtu ngadalë e të përgjumur. Udhëtoja për herë të parë me AIR ALBANIA avionin shqiptar, që menaxhohej nga personel shqiptar. Kujtova në çast kronikën e parë telvizive, kur u njoftua që aviacioni shqiptar do të kishte eskluzivitetin e vet me avionë që do të mbartinin  në trupin e tij mbishkrimin AIR ALBANIA. Shumë vite kisha udhëtuar me mjaft kompani të njohura në botë si Alitalia,Swisair, , Delta US, British Airways, Lufthansa etj, por me një kompani shqiptare po shkelja për herë të parë. Isha jo vetëm kurioz, por ndjeva edhe një krenari të fshehur që për këdo që vinte nga larg drejt vendlindjes, pas një kohë të gjatë do të shoqërohej nga një grup njerzish, që flisnin shqip në një avion, që mbante në shpinë emrin e vendit tënd, malli për të cilin kishte lindur larg shumë larg tij në një mjedis të panjohur.

– Mirësevini në bordin tonë, – tha në shqip duke buzëqeshur stjuardesa, e cila shoqërohej nga një koleg, burrë i pashëm.

Udhëtimi shkoi lehtë pa asnjë shqetësim ndërkohë që fjalët shqip po dëgjoheshin më shpesh të bashkëshoqeruara edhe me anglishten. Burri simpatik dhe stjuardesa bjonde me kapelen e kuqe në kokë kishte shpeguar në shqip dhe anglisht udhëzimet për rastet e emergjencave. Ato ishin veprime rutine që shumica e njerzëve nuk tregonin interes dhe vemëndje.

Nga dritarja e avionit, pas një orë udhëtimi të qetë e me ushqimin e servirur, vura re malet varg njeri pas tjetrit. Ata qëndronin të lidhur fort duke krijuar një fortesë të vërtetë natyrore. Ja mali i Skënderbeut, i Krujës, Dajti. Ata ishin krenaria jonë e lidhur fort me historinë e qëndresës sonë. Sytë kishin kohë pa i vështruar ashtu të heshtur dhe madhështor siç dukeshin nga lartësia ku AIR ALBANIA po ulej mbi Rinas. Ndonëse ngjyra gri dhe e zymtë dominonte ndjeva ngrohtësinë e të qënit në vendin ku kisha kaluar jetën time.

Shiu ishte gjëja e parë që dominoi tek unë kur dolëm nga avioni. I qetë, i butë dhe i ftohtë në atë fundmarsi më ndolli një shqetesim të pakuptueshëm. Në dalje të portës ku me dhjetra njerëz prisnin të njohurit apo të afërmit e tyre dallova se me ne pasagjerët ishte pas e veshur si një qytetare e zakonshme stjuardesa bjonde që na priti në hyrje të avionit në Stamboll. Ajo kishte ndrruar rrobat, kishte  veshur një pardesy ngjyre ulliri dhe në krah mbante një çante të zezë që shkëlqente nga ndriçimi i neoneve. Ajo mbaroi punën për sot, – thash me vete.

Zgjatëm kokën në drejtim të parkimit të makinave për të parë nëse kishte mbrritur Ertiola. Po nuk dukej gjë akoma. Stjuardesa bjonde u rishfaq në parkim duke hypur në një makine të bukur në ngjyrë të kuqe. Ne kthyem kokën nga krahu i kafesë së madhe. Por edhe andej nuk dalluam siluetën e Ertiolës.

– Ajo vetë kërkoi që të na priste. – tha e shqetësuar Merita!

– Ndoshta i ka dal ndonjë problem rrugëes,- ia ktheva

Telefonat nuk na punonin me kartat amerikane as per internet. Sa u bëmë gati të futeshim në kafe, ku një dorë të bukur vajze pash mbi supin e gruas sime, Meritës. Ishte Ertiola, e cila iu hodh në qafë duke e puthur fort Meritën.

– Keni shume që prisni?!

– Jo, pak sapo mbritëm, – tha Merita.

– Trafiku dhe shiu…. – foli me nxitim ajo, – më vonoi.

Pas pak u ndodhëm në benxin e saj të bukur. Aty gjetëm një ngrohtësi që buronte edhe nga të qeshurat e Erioles. Ajo mezi e priste kthimin tonë. Filloi të çmallej me Meritën për kohën e munguar bashkë. Në sytë e saj pamë nje shkëlqim të veçantë. Zëri i qetë dhe siguria në timon largoi stresin që m’u krijua në çastet e para. Hidhja sytë në rrugët e lagura njerzit që nxitonin për të mos u lagur dhe autobuzët e mbushur plotë me njerez. Vargu i gjatë i makinave në hyrje të Tiranës më solli në kujtesë këtë moment të veshtirë bezdie. Prandaj iu ktheva papritur Ertiolës duke e pyetur:

– Po ç’bëhet këndej?! Ka filluar beteja politike për bashkitë?!

– Të them të drejtën unë nuk i ndjek fare këto lajmet- tha ajo! Po sot i kam ndjekur sepse ka ndodhur një ngjarje… – ndaloi së foluri ajo dhe i ra borisë fort!

Një kalimtar donte të kalonte para makinës megjithëse nuk ishte vendi i vijave të bardha!

– Po!…- e nxita unë që të vazhdonte.

– Po mbrëmë vonë kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi Top Channel. Dhe thonë se do ta mbyllin Big Brother.

– Po pse e kanë qëlluar, u mor vesh gjë?! – pyeta unë.

– Jo akoma nuk dihet.

Në krye të rrugës së Durrësit një godinë e lartë shumëkatëshe kishte marre formë kubizmi që vetëm hijeshi nuk të sillte. Diçka si jashtë normales më vrau sytë dhe mendova për një çast se nga ajo pike, kur isha më i ri pash se si e rrëzuan bustin e diktatorit. Dhe kjo godinë, që ishte ndërtuar pas kaq vjetësh  pas shpinës së  bustit dukej sikur do të binte nga çasti në cast. Ndoshta do të kishte të njejtin fat?

Makina rrëshqiti diku pranë Bankës Qendrore Shqiptare dhe ajo frenoi fort. Një motoçiklist picash devijoi për të mos u përplasur me benxin. Edhe ai frenoi fort. Djaloshi hoqi kokoren dhe pa nga makina jonë! Ertiola uli xhamin e makinës dhe e qetë iu drejtua djaloshit.

– Kur do të më dërgosh një picë? Djaloshi i inatosur po e vështronte vrëngët, por kur dëgjoi fjalen picë, mblodhi buzët dhe i tha i nervozuar:

– Të ka marrë uria prandaj nuk di të drejtosh makinën?!

Ertjola i buzëqeshi dhe i tregoi me gisht rrugën që ishte me vaj makinash të derdhur dhe shiu që kishte krijuar këtë problem.

– Ok, – tha djaloshi, – tek kutia e picave ke të shkruar numërin e telefonit. Kur të doni njoftoni.

Gjërat ndodhën si papritur njëra pas tjetrës dhe biseda jonë për breshërinë e kallashnikovit gati u harrua.

Diku tek Akademia e Arteve nga pas, ku ndodhej shtëpia zbritëm. U ndam me Ertjolën, e cila iku duke na lënë pas buzëqeshjen e saj dhe përqafimet e ëmbla.

Shiu fatmirësisht kishte pushuar. Retë ishin çarë. Dielli lëshoi rrezet e para disi të dobta, por që na ngrohën sadopak shpirtin. Kishim gati një vit pa ngjitur shkallët e pallatit, por gjërat s’kishin ndryshuar shumë. Plehrat ishin kudo të shpërndara në rrugicën poshtë. Po ç’ne?- u ngatrrova, fushata zgjedhore nuk kishte filluar akoma, mendova.

Befas duke hapur derën e shtëpisë se si më buçitën breshëritë e kallashnikovit. Ishim viti 2023, apo 1997, i cili mund të përsëritej vallë?!…

 

Tiranë, 31 mars 2023. 

 

Please follow and like us: