Sadik Bejko: Krishti kryqëzohet vetëm në tokë
Prekëm
në kufirin e dritës,
fërfëllimën që ndan hapësirat,
në teh të fluturimit të paprekshëm.
E kishim ditur, disi pandehur këtë vis
Hapësire po fare, fare të largët:
vend më përtej, se diku aty pak nën Hënë,
vend që nuk zbret kurrë tek ne të gjallët.
Por ndodhi. Koha u ndal. Ja si
karrocë me flatra ra te këmbët tona:
– Ejani të fluturojmë.
(Barëra të shpresës qenkeshit kaq të forta
lopët tona si s’u patën ngrënë)!
Ejani fluturojmë, të ngjitemi lart
gjer aty… pak, fare pak nën Hënë.
Ç’mund të ndodhë
e nuk mund të ndodhë
kur në të puthur fluture
zbret në kufirin fërfëllues
që i ndan më dysh hemisferat?
Bota bëhet krejt tjetër,
madje në ujë perlash mund të na zhgrryhen edhe derrat.
Por shpejt… ramë në tokë.
Ramë… me kokë, me hundë në shesh.
S’paskësh qenë gjë, ai vendi i nën-Hënës.
Të fitojmë rënien,
Të fitojmë hallin, vuajtjen, ankthin tonë,
Të fitojmë
hedhjen në tokë si nga barku i nënës.
Të fitojmë tokën!
Ku Krishti përsëri në kryq e mund.
Njerëzore, tepër njerëzore…
…s’është më, nuk do të jetë
ai vendi pak, pak nën Hënë
s’është më askund.
“Letër Hamurabit”, 1997.