Shefqet Meko: “ENIGMA” E VËLLAZËRISË SHQIPTARE
-Mërmëritje për “botën e trazuar”. Mërmëritje pa përgjigje-
Isha i vogël. Imvëlla më dukej një diell që më ngrohte dhe më rrëfente i pari rrugët e fshatit. Më vonë bashkë do shkonim më këmbë deri në Korçë në festat e 1 majit, ku imvëlla do më blinte akullore që unë e shijoja si një borë që tretej tek naiviteti im… Nuk i harroj kurrë ato kohë, kur vëllai ishte gjëja më e shtrenjtë që kisha. Ai do me merrte për herë të parë në Elbasan kur do bëhej “mbrëmja e maturës” dhe unë do të jetoja momente ëndërrimtare. Kur do punonte si mësues në Rrajcë-Skënderbe, me të do ngjitesha atje ku dikur Skënderbeu ecte me kalë dhe një vend quhej “Sofra e Skënderbeut”… Nuk ngopesha dot me frymë. Atje mesmalesh provova per herë të parë “peshkimin me dinamit” që mbetet frika dhe befasia e fëmijërisë sime… Imvëlla do më jepte leksionet e para të rinisë kur do shkoja në shkollë të mesme. “Kujdes… Shiko mësimet. Mos u merr me femra, ato do t’i kesh rreth teje tërë jetën… Lexo, shkruaj, kërko nga vetja… Dashuria në shkollë të mesme është vetvrasje”. Ndihesha me fat të kisha një “Vëlla-mësues”, që nuk më la kurrë të gaboja…
Adoleshenca ime ka “vulën” e timvëllai. Pa dashamirësinë e tij, do kisha ngelur një “bujk i mirë” në fshatin tim. Pa “Diellin” vëlla, nuk do kisha mundur kurrë të shkruaja, madje as Amerika nuk do mund të ishte “fati që kam”. Ne ishim dy vëllezër të papërsëritshëm në vendlindjen tonë. Ne shëtisnim rrugëve të fshatit si shokë e miq që nuk besonim se do na ndante kush. Babait tonë i thoshin “Sa mirë o Feim, ke djem shumë të mirë. Duhen shumë…”. Babai, me qetësinë e “xhandarit të Zogut” do përgjigjej: “Për vete janë, jo për mua… Për vete…”. Kurrë nuk e kuptova tim atë që nuk shprehu krenari për “djemtë e tij të mirë”. “Për vete janë…”, më tingëllojnë ende fjalët e tim eti. A kishte të drejtë, apo gabonte duke mos u prononcuar me atë “paqe vëllezërish”?… Ai kishte dy vëllezër më të mëdhenj se vetja, që tashmë ishin “diku në lagje” me familjet e tyre… Im atë nuk sillte ndonjë kujtim si kujtimet e mia. Ai ishte i kursyer në fjalë dhe shpesh më dukej si një “polic i mbretërisë” që kishte perënduar…
Kur muajt e verës na bashkonin në vendlindje, ne ishim përsëri bashkë dhe nuk di se si nuk pushonim duke folur për ëndrra, për shkrimtarë të shquar, për të ardhme, për suksese dhe lavdi… Kur herë pas here, dy vëllezër që ishin komshinjtë dhe kushërinjtë tanë, shpesh do i klithnin njëri tjetrit për “një vijë uji”, për një “pëllëmbë tokë”, madje sherret disa herë arrinin aq shumë acarim saqë dukje se ata po vrisnin njëri tjetrin me lopata e hunj në duar, ishin gratë e tyre që i qetsonin dhe “ndanin sherrin”. Ata binin befas në heshtje dhe shkonin tek “jastëkët” e tyre, ku nuk u ndihej më zëri… Ne mbeteshim të shokuar se sa shpejt “ndizej sherri” dhe po aq shpejt shuhej nga “zëri i grave” diku pas dritareve të vogla…
“Ne nuk do jemi kurrë vëllezër të tillë”- do i thosha timvëllai.
Ai i tmerruar nga skena që kishim përjetuar, me zë të dridhur do pohonte: “Kurrë mes nesh…Kurrë…”.
Ne të dy kishim të drejtë në ato që i pohuam njëri-tjetrit. Ne kurrë nuk i bërtitëm njëri-tjetrit si vëllezërit, kushërinjtë tanë. Ne kurrë nuk i treguam njëri-tjetrit hunj e lopata… Por një ditë edhe ne ndryshuam. Ishte një përmbysje e habitshme, që erdhi avash-avash, që zbriti mes nesh si një “re e ngarkuar” gati për të shpërthyer stuhinë e radhë… Ishte një ditë prilli 1979 kur imvëlla do më telefononte në Pogradec ku isha në konferencën e rinisë së rrethit dhe do më thoshte: “Duhet të vish… E kemi bërë partizançe…”. Vëllai kishte rrëmbyer nusen e ardhshme. Do të bënim dasmë “guerile”… Ashtu e bëmë: “Dasmë guerrile” por plot dashuri e hare.
Ne u gëzuam të gjithë. Të martosh vëllain, është një kulm shpirtëror ku ndihet gëzimi, por edhe frika se vëllai nuk do jetë kurrë “vëllai që ka qënë…”. Vjen dikush nga diku, nga kurrkund dhe ta “rrëmben” vëllain… A thua këtë kapërcim kishin përjetuar të gjithë në fisin tim?… Nëna do na tregonte se im at nuk do shkonte mirë me vëllezërit kur ishte kthyer nga Shkodra ku shërbente si ushtarak. Kunatat ishin kthyer si “nata e errët” duke ndryshuar edhe vëllezërit. Dy dajat e mi, njëri në Korçë dhe tjetri në Leminot, kishin kaluar në të njëjtën “memtamorfozë” biologjiko-shoqërore. Edhe burri i hallës sime, kishte një vëlla, që “nuk shkonin”…Edhe motra ime ishte martuar në një fis ku “vëllëzërit nuk flisnin”… Përballë kësaj i kisha hedhur një sy vëllazërisë në fshat: Për çudinë time gati të gjitha kishin kaluar përmes “cikloneve vëllazërore”… Madje dy vëllezër, që jetonin veçmas në fund të fshatit, edhe pse ishin “bij belerësh” nuk e deshën njëri-tjetrin dhe ishin thjesht “komshinj të akullt”. Sa më shumë gërmoja, aq më shumë ndeshesha me “histori të njëjta” të vëllezërve që njihja… Mos vallë edhe unë po futesha në një “rreth cikloni” me timvëlla? Cila mund të ishte arsyeja? Pse duhet të shkonim përmes të njëjtit “rickilim konfliktesh”?… “Kurrë mes nesh…Kurrë…”, do më vinin fjalët e timvëllai që unë e besoja verbërisht…
Imvëlla do jetonte vetëm 6 muaj nën një çati me nënën dhe babain. Ai u nda kur çifti ishte në pritje të fëmijës së parë. Unë do vija nga Tirana duke ndeshur për herë të parë një hije të rëndë në shtëpi. Familja ishte ndarë. Prindërit ishin të nxirë në fytyrë dhe nuk mund të flisnin. Ishte një lloj “xhenazeje” e padukshme mes shtëpisë që për aq vite ishte plot gëzim, hare dhe humor, por që atë çast ngjallte trishtim, dhimbje dhe herë hërë dukej si një lloj humnere e frikshme. Vëllai i vetëm ishte ndarë nga nëna e babai, nga unë dhe motra, nga të gjithë ne dhe nuk do ishim kurrë “Një familje”… Një dhomë në lindje të shtëpisë që mezi e kishim ndërtuar, tashmë ishte bërë “shtëpia e vëllait” nga ajo që ishte “shtëpia jonë”. “Të kishin pritur edhe ca, sa të bëheshin prindër vetë”, do mërmëriste mes lotësh nëna që e ndiente thershëm atë moment shkëputje shpirti. Unë kapërdia lotë në heshtje. Deri në atë çast nuk e kisha njohur “ndarjen në familje”. Më dukje se nuk do ta përjetoja kurrë. Duke përpëlitur sytë pashë nga imvëlla. I përlotur edhe ai, do më shtrëgonte fort dorën deri në dhimbje dhe do më thoshte “Nuk mundem, e pamundur, por unë prap ju dua… Unë prap jam këtu me ju, pranë nënës e babait tonë… Nuk desha, por nuk e di se si ndodhi”.
Kisha filluar ta humbja “vëllain që kisha”… Ishte një dhimbje që duhet ta kapërdija. Ne përsëri do shëtisnim së bashku nëpër fshat, ne kurrë nuk i bërtitëm njëri-tjetrit, por ne e kuptonim: nuk ishim ata që kishim qënë. Edhe unë, edhe ai e dallonim ndryshimin. Imvëlla po ndërtonte “folenë e vet” e cila sado e ngrohtë që të ishte, nuk do kishte kurrë “ngrohtësinë e kaluar”. Ne ishim përsëri vëllezër që kuptonim dialektikën familjare dhe kurrë nuk u grindëm sepse “kështu grinden vëllezërit”… Koha po vinte pamëshirëshëm me një ndryshim të madh, që ose duhej ta kapërdinim ose duhet të bërtismim si të marrë njëri-tjetrit… Ne të dy ishim “ngopur” me të çjerrat e vëllezërve në mëhallën dhe fisin tonë. Vitet e shkollës na kishin dhënë një edukatë paqeje mes njëri tjetrit, edhe pse kishim filluar të mos pajtoheshim në shumë gjëra… Unë përballë realitetit që po jetoja, shpesh hidhja një sy rreth e qark fisit.
“Kështjellat” familjare po rrënoheshin njëra pas tjetrës. Dajua im në Korçë kishte 4 djem dhe 3 goca. Ata kishin një vilë të madhe në qytet, por djali i madh me mjeshtëri “kartash” mori gati 65 % të saj duke bërë me “xhaxhain e babait”. Dajua im do jetonte në një “copëz” të vilës bashkë me tre djem të tjerë e dy vajza ende beqare. Ajo familja ku unë kisha festuar sa e sa mbrëmje të ndërrimviteve, po binte siç “pat rënë Kruja”. Ajo plasaritje dukej edhe tek daja tjetër në Leminot, ku ishte futur “nusja e parë”; edhe nga halla ku ishin 7 vëllezër, i njëjti fat. Vëllai i madh “vendoste” dhe unë vështroja një padrejtësi të habitshme që binte përherë mbi më të voglin… Më i madhi kishte të drejtë. Të vegjlit jo. Shkurt ishte një postulat shqiptar “Të gjitha gjynahet i ka vëllai i vogël…”. Prindërit duhet të pleqërojnë me të voglin. I vogli duhet t’i bindet vëllait të madh. “Vëllai i madh, është i madh… Ai ka të drejtë… Të vegjlit duhet të binden”…
I shkëputur nga përjetimet e mia personale me vëllain e vetëm, që ndodhi të ishte edhe djali i madh në familje, këtu më lindin shumë pyetje: A është familja shqiptare e ndërtuar mbi parime barazie dhe respekti? A respektohen secili dhe kushdo si “pjese e familjes”, apo është vetë familja shqiptare që manifeston defektet më të mëdha të ekzistencës së vet? Ne të gjithë e njohim “trikën” vëllazërore në Legjendën ‘Rozafa’, por realisht ajo legjendë, sado e largët duket, jo rrallë ajo është një realitet shqiptar gati në shumë familje. Unë përmenda pak më sipër dajat dhe xhaxhallarët e mi. Nëse do zbresim në një rrafsh të realitetit shqiptar, për fat të keq do të mësojmë shumë drama dhe qejfmbetje vëllazërore. Janë zhgënjimet më të dhimbëshme që mund të përjetojë dikush, por janë të vërteta që nuk mohohen. Pse është kaq e paqëndrueshme familja shqiptare veçmas kur në familje futen “nuset e reja”?…
Unë kam ndryshuar shumë qysh nga martesa ime. Edhe ju keni ndryshuar, edhe ata, edhe ato, të gjithë ndryshojmë kur fillojmë dhe jetojmë me “dikë tjetër”, që nuk është as fis, as gjak, është diçka krejt e huaj prej çdo lloj lidhje të përparshme, por befas merr “pushtetin nga brenda” dhe na ndryshon. A mos vallë kjo është “fuqia e verbër” e dashurisë që bëhet e papërballueshme? Martesa për shumë burra është një lloj “stuhie” që më së shumti fshin dhe zhduk shumë tipare burrërore. Me këtë mund të shpjegohet edhe “pushteti dominues” i vëllait të madh në familjen shqiptare. Mos më thoni që nuk ka ndodhur me ju, mos thoni që “nuk ka ndodhur në fisin tim”… Një gjë e tillë ndodh kudo, në çdo “formacion familjar” deri edhe tek Mbretëritë dhe “Fiset e mëdha”. Unë nuk do ta quaja një fenomen thjesht shqiptar. Në kulturën dhe traditën shqiptare “diktatura” e të madhit, përcillet si normalitet dhe “detyrim për t’u bindur”. Unë do të thosha se është pikërisht ky “shtrat” socio-psikologjik, nga ku janë kurërozuar pushtetet e dhunshme shqiptare. Ne të gjithë e dimë se pushteti do të thotë fuqi, lavdi dhe dhunë. Ndaj atë e lakmojnë të gjithë dhe kudo. Ndaj edhe në lëvizjet e mëdha shoqërore shqiptarët i kanë sytë “tek i madhi”. Ata që janë në pushtet “sytë tek i madhi” edhe ata pa pushtet ose pushtet të humbur përsëri “sytë tek i madhi” që shpresojnë t’i sjellë në pushtet. Kështu “i madhi” bëhet si “vëllai i madh” në familje: Ai nuk gabon, ai ka të drejtë përherë dhe atij “nuk i kthehet fjala”…
Vëllazëria shqiptare ka një “enigmë” më të madhe se nënshtrimi dhe bindja. Ajo është frikë dhe “përdhunim” i heshtur ku “vëllai i madh” kthehet në një absolut. Në të vërtetë “vëllai i madh” në gjithë historinë e familjeve shqiptare është “piramida e parë” shfrytëzuese ku të gjithë punojnë për “vëllain e madh” dhe ai në fund të fundit del më i fortë nga çdo “betejë” brenda familjes. Të gjithë të tjerët, binden heshtur dhe kur kuptojnë të padrejtën dhe pabarazinë, është shumë vonë për ta koprrigjuar. Çdo përpjekeje për të vendosur sadopak drejtësi dhe barazi brenda familjes, bëhet e pamundur… Jeta bëhet si një “shfaqe televizive” ku të gjithë vrapojnë të bëjnë sehir. Ndodh saktësisht si ato mbushjet e shëmtuara të ekraneve me “idiotësi dashurie” kur turma-popull le gati përgjysëm çdo gjë për të parë “shëmtinë e vetvetes”… E pamundur ta ndalosh turmën që mua më kujton dy vëllezërit “me lopata dhe hunj” në duar gati për të shqyer njëri-tjetrin. Vetëm “zëri i zanave” mund të ndalojë çmendurinë shqiptare. Në gjithë këto shfaqje të shëmtuara “Vëllezërit e mëdhenj” dalin më të fuqishëm, më të pushtetshëm dhe me më shumë para. “Të vegjlit”, motra apo vëllezër qofshin, të ngjasojnë me milingona që bëjnë ecejaket e përdtishme për “pushtetin e vëllait të madh”.
Si mund të ç’montohet kulti i “Të madhit”?… Si ta bëjmë “milingonë” si shumica e njerëzimit?… “Të mëdhenjtë”, në familje, shoqëri dhe politikë , në çdo vend dhe kudo janë jo rrallë “mutacion” i frikshëm e dëshirës hyjnorë njerëzore. Pse? Kjo mbetet një enigmë që pritet të vdesë bashkë me mua. Brezat që do vijnë do fillojnë nga e para ta “lakojnë” enigmën që unë nuk munda të kuptoja…
Minneapolis, 28 Shkurt 2023.
Please follow and like us: