Kush i fshehu margaritarët e çmuar të dijeve antike?
Dr. Vlora Obertinca
“Në verë dehet mendja dhe lirohet shpirti që flet të vërtetën më të sinqertë, që nuk e ka thënë kurrë. Egoja është mendja jonë dhe, kur ajo mbizotëron një jetë të tërë, në qenien tonë mblidhet helmi dhe shpirti vuan nga fshehja e të vërtetës. Në një moment, shpirti nuk duron më, trazohet dhe e deh Egon, duke shpërthyer si vullkan për nxjerrjen e helmit dhe thënien e të vërtetës“, Dr. Vlora Obertinca.
Të jetuarit në një shoqëri, kudo në botë, ka rregulla dhe kufizime, se çka bën dhe çka nuk bën për të rrëfyer nga jeta jonë, meqë mund të paragjykohemi dhe të etiketohemi nga shoqëria. Kjo mund të na dëmtojë autoritetin tonë dhe familjet tona. Po çka është autoriteti, përveçse një dozë e tepruar e Egos, prapa të cilës fshihen dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve, për të mos mundur të shprehin lirshëm atë që kanë në shpirt dhe në zemër.
Kështu, duke i fshehur përvojat e hidhura, kjo fasadë fals sa shkon e trashet, shumë e më shumë dhe këtë e vuajnë gjeneratat ndër shekuj, duke kaluar një jetë të tërë në kërkim të gjetjes së përgjigjeve të thjeshta, përgjigje këto që do të kishte mundur t’i rrëfejë dikush më herët, sepse planeti i tokës nuk erdhi me ardhjen time në këtë jetë. Tokën e gjetëm këtu dhe dituritë e fshehura antike kanë qenë këtu. Por, vallë kush i fshehu margaritarët e çmuar të dijeve antike? Njeriu është qenia më inteligjente në planet, por që, në vetvete, është edhe qenia më djallëzore që mund të ekzistojë, gjë që e ka bërë njerëzimin të vetëshkatërrohet deri në themelet e tij, më pas të rilindë e të rimëkëmbet përsëri nga zeroja.
Fragment i shkëputur nga libri “Vera e shpirtit” i Dr. Vlora Obertinca