Cikël poetik nga Petraq Risto
Shi vere
Ajo qeshte befasisht: shi vere
Dhe pas shiut gjithçka shkëlqente
Jo vetëm lulet, por edhe sytë
Jo vetëm pendët e zogjve, po edhe zhurët e dhëmbëve
Poshtë lumit që rrjedh padukshëm në shtratin e buzëve.
Ajo qeshte befasisht.
Gjithçka shkëlqente si pas një shiu të pastër
Fytyra, krelat e verdha, vija e gjirit
Kopshti, bari, madje dhe gjembi i trëndafilit.
Ajo qeshte befasisht.
Shi vere ish.
Ajo qeshte befasisht
Dhe rrotull saj të gjithë qeshnin
Buiste gëzimi i brendshëm që çdo gjë e harlis
Ajo: cicërimë bilbili mbi varrin e trishtë.
Shi vere ish.
Ajo qeshte befasisht: shi vere ish
Gurgullonte në të gjitha ndjesitë
Habitshëmi zbriste nga qiejt perënditë
Nga hijerore engjëjsh zbriste mirësitë
Hijeroret: re me shi magjish…
Shi vere ish.
Newark, New Jersey, 18 gusht 2020.
Revan me Fjalën
Tani po mësohemti vë Fjalës mëgojzë, ti vë Fjalës një fré
Në barkun e bardhë me mamuze ta shpoj,
Mbi kalin e Fjalës të rend si rrufe… po s’diku të shkoj.
Një zë më thotë: shko në Olimp, atje ku presin kaq shumë korifej
Po Fjala tërhiqet me dridhje në shpirt… mos veten gënjej?…
Eh, ç’kalë i bukur me hije dhe dritë!…Tërheq frerin dhe… kthej.
Kam kohë që ngas kalin në fushë të minuar: të shkoj në bregun përtej
Po Fjala ka shpirt, i duhet të vuaj: sepse çdo cast diçka do shpërthej
Beteja patjetër duhet fituar… me kalin e Fjalës pas s’mundem të kthej…
Newark, New Jersey, 13 dhjetor 2018.
Lojërat me luftë
Pas luftës filluam lojërat me luftë dhe lexonim romanet e Brezit të Humbur
Paqja na përgjonte në llogoret e vjetra, si infermiere spitali duke u lutur.
Pas luftës ne quheshim fitimtarë dhe ‘të padukshmit’ qenë të mundur
Infermierja Paqe numëronte të vrarët dhe të plagosurit hiqeshin të lumtur.
Tani në Botë janë shtuar lojërat me luftë, luftëra me përgjakje virtuale
Të plagosurit e djeshëm shohin bijtë dhe u luten plagëve të mos ringjallen.
Eshtëm plakur Paqja, disa thonë: vuan prej sklerozës
Me sytë ngulur në ekrane sheh si luajnë luftëtarët e rinj të Botës…
Branch Brook Park, 9 prill, 2001
***
Si të vijmë atje kur jemi të rrethuar dhe Vdekja na arnon plagët
Kur heshtja thyhet në një mijë lot e një mijë klithma
Si të vijmë atje duke kërkuar veten te të tjerët
Si të vijmë atje ku dyshimim preh tehun në vetëtima?
Si të vijmë?
Branch Brook Park, New Jersey, 9 shkurt 2018.
***
Shoh një çupë: ia ngre era fustanin
Po më shumë se djemtë tërbohen pleqtë
I pari lëvdon erën: Ç’erë jarani!
Tjetri ndez cigare, e thith lehtë
I treti plak zë flet me jargavanin,
Përgjigjet jargavani: rrëzon fletë…
Bar “Jim Dandy’s”, 20 nëntor 2019.
Pjesë e lojës…
Përgjimi i vetes gjer në limite është shenjë vetvrasjeje
Çasti kur zemra kthehet në kambanës argjendi,
Kraharori – në kishë
Dhe dymbëdhjetë brinjët – apostuj lexojnë psallme.
Kur përgjimi i vetes kapërcen kufijtë e paranojës
Ti ndjen se rreth teje ka shumë rrathë
Si rreth një guri të sapohedhur në suprinën e liqenit të zi
Nga dikush që ka fshehur dorën. Pjesë e lojës.
Nëse ti je pjesë e lojës, ku janë rrathët rreth teje
Apo janë kthyer në hallka të tejdukshme?
Një kishë e mbushur me rrathë, kambana prej argjendi
Dhe nga kryqi vjen një e qeshur e hidhur: thyerje kristali.
Branch Brook Park, 9 shkurt 2018.
Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër
Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër kur s’duan ta dinë shkakun e pasojës…
Vrasësit me pagesë s’kanë kujtesë: ruletë ruse mbi kryqin e gëzhojës.
Kujtesa ime është e kthjellët: kthetër skifteri mbi shtegtimin e plojës…
Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër: i ikin vdekjes, i kthehen lojës…
Pse tre, po sa?…
-Fragment-
Kam një lot ta ndaj në tre pjesë
Pse tre?… Po sa?…
Unë them në pesë
Se loti i njelmët s’kthehet dot në vesë.
Pse pesë? Po sa?…
Unë them në katër
Një lot dhe pse lëng, di zjarrin ta ndezë
Dhe zemrën ta kthejë në vatër…
Pse katër, po sa…
Unë them në dy,
Një zjarr për mua, një zjarr për ty.
Pse dy? Po sa?…
Unë them në gjashtë
Shiko sa sy na presin jashtë
Loti na ndan, loti na bën bashkë
E magjeps natën, e kthen nusepashkë.
Pse gjashtë? Po sa?!…
Unë them në tre
Gjithnjë brenda lotit fle një rrufe
Dhe kur jemi dy
Gjithnjë ka një tre…
O Zot, brenda lotit zgjove një rrufe!
Pse tre? Po sa?…
Unë them vetëm dy
I treti të tretet si ylli në sy
Rrokulliset loti… bëhet Perëndi…
Pse dy? Po sa?…
Unë them në tetë
Vetëm tetë dallgë mund ta bëjnë një det
Pse tetë po sa?
Unë them tetë mijë
Pret një fshat i tërë
Që dasma të vijë…
Vetëm një pikë loti
Ortekun ta shkrijë.
Jo tetë mijë, po sa?!…
Unë them një milion
Një qytet i tërë
Lotin ka ikonë..
Dhe dy dhe tre dhe katër dhe pesë
Dhe gjashtë dhe tetë
Rrokulliset loti e na sjellë tërmet
Tetë dallgë shpirti s’e bëjnë dot një det
Veç një pikëz loti s’e shkrin një ortek
Ah, gisht i unazës kthehet në direk
Velloja e artë: velëz në breg
Dhe loti në faqe: busull e vërtetë…
Marrë nga libri “Ankimi i Luciferrit” të Petraq Ristos.