Cikël poetik nga Jorida Satka
Harrova të fle
Harrova të fle, nuk më la mallkimi.
Gjithë bota u tall me mua.
Edhe pse ushqehem me eshtrat e saj,
ajo çlodhet me mëkatet e mia.
Orakull
Nënē
Memoria po zbehet.
Urat po shemben në frymëmarrje.
Nëna rrethon kokën me duar
dhe shtron lumenjtë e lotit.
Aeroportet, stacionet oshëtijnë zbrazëti.
Toka merr rrënjët me vete.
Mitra po thahet në mjerim.
Nënë…
Statujë e errët
Ti do që të kthehesh në statujë.
Dëshiron të bëhesh profete e dashurive.
Do që të jesh hyjnore.
Do që të jesh e dashura e të gjithëve.
Përbindësh i përdhunuar deri në kockë.
Ti dëshiron të bëhesh piktura më e çmuar në muret e Izraelit,
ku meshkujt mbështesin kokat e çmendura.
Netëve do jesh shtëpi me drita të kuqe ushtarësh.
Do jesh hyjnore.
Ku unë do ju shfrytëzoj të gjithave,
duke ju shkruar
poezi biblike
dhe duke pirë duhan do ju shoh si lëpini lëvozhgën e trupit tuaj.
Unë do jem ferri juaj më i dashur.
Prill…
Prill…
Ftohtë, shi…
Quhet pranverë, por e egër.
Kohë e uritur që s’të ngop.
Në sofër shtroj një pjatë “ego”.
Ajo më ha e unë e përtyp.
Ego, vakt i së martës.
Të ushqesh karakterin, se duan ta shesin lirë.
Më mirë ego,
se të ushqehesh me delir.