Zana Tako: GËNJESHTRA
…E ndërsa rritet brenda njeriut, i gjori nuk e kupton sesi ky ves ia ka kaluar shtatin. E rrisim brenda vetes pa e kuptuar sa tinëzisht është futur dhe sa shumë vend kërkon ajo për t’u rehatuar brenda qenies njerëzore, sepse vendimet i ka të mëdha, sa vetë manipulimi, joshjen edhe më të madhe, si vetë goja e saj që nuk ngopet së ndukuri mendimet, vyrtytin, vlerën njerëzore.
Kafshimet e saj dhembin, por njeriu këtë lloj dhimbje e mpin duke u dehur me marrëzinë, se gënjeshtra është e padukshme brenda qenies së tij, dhe harron, se ajo ndihet nëpërmjet fjalës së rreme, nëpërmjet buzëqeshjes së rreme, nëpërmjet përqafimit të rremë, dhe e gjithë kjo gënjeshtër e madhe, të ka zëvëndësuar në formim, në sjellje, në dukje.
Njeriu ka lindur nga dashuria, por gënjeshtra nuk ka lindur nga dashuria! Por si u formëzua në vesin e njeriut, dhe përse përdoret prej tij? Përse njeriu nuk e largon dot prej vetes kur e di të keqen që i vjen prej saj? Sepse njeriu kërkoi më shumë nga çfarë i duhej, e kjo lakmi e la aq të varfër, sa ende nuk po e kupton humbjen e madhe që ka pësuar, duke i besuar gënjeshtrës e duke i lënë në dorë fatin e tij. Njeriu gjithë jetën e tij e ka tërhequr gënjeshtrën pas vetes, deri sa plaket me të, e merr me vete ngado shkon, edhe se ngarkesa e saj është tepër e rëndë dhe i kalon fuqitë e tij. Kjo ngarkesë e tërheq pas vetes deri në gremisje, e përsëri njeriu nuk e lëshon, gjakoset, vritet, e nuk shkëputet dot prej saj.
Roli i gënjeshtrës në shoqërinë e ditëve të sotme është sinjifikativ, i pandërprerë, i ftohtë, joshës, tendencioz, alarmant, duke bërë që njeriu të luhatet në gjëndjen e tij shpirtërore sipas diktatit të saj, i cili frenon ndjenjën njerëzore drejt mirësisë, tërheq me vrazhdësinë e saj mendimet njerëzore drejt mohimit të besës, lëkund mirënjohjen, barazon vlerë dhe antivlerë shoqërore, minon respektin, konsideratën ndaj mikut, shokut, familjes, shpie në degjenerim shpirtëror cilindo që molepset prej saj, dhe tërhiqet nga tentakulat vdekjeprurëse të manipulimit të saj.
Brenda botës së gënjeshtrës nuk ndjen rehati shpirtërore, pasi zhurma që ajo shkakton nuk i lejon hapësirë meditimi mendimit njerëzor, pasi është ajo që sundon, që dikton, që tërheq, që sforcon, e njeriu gjëndet i pashpresë për të gjetur atë dritëz që nuk fshihet prej tij, por qëndron aty, e qënësishme për ta ndihmuar të përshkojë tunelin e errësirës ku e ka mbërthyer gënjeshtra, kjo manipulatore djallëzore.
Gënjeshtra shfrytëzon dhe përfiton. Vërtet gënjeshtra di se ku të zbret me varkën e saj, por vendi ku të ka zbritur është fushë e shkretë ku nuk ke me se të ushqehesh, të vishesh e të mbathesh, je i pashpresë për të mbijetuar, pasi njeriu ka nevojë të jetojë i rrethuar me të mirat që i ka ofruar jeta, dashuria, mirëbesimi, forca, siguria, mirëqenia shpirtërore, gjithçka që ofron dashuria, por dashuria nuk është e gënjeshtërt, e ky është dallimi i madh të cilin njeriu duhet ta kuptojë për të mos hipur në varkën e gënjeshtrës, për të shëtitur në toka të shkreta dhe shterpë, e për të zbarkuar në shkretëtirën shpirtërore.
Ftohtësia nuk prodhohet nga dashuria por nga gënjeshtra. Largimi nuk prodhohet nga dashuria, por nga gënjeshtra, e nëse duam në të vërtetë për të qënë njerëzorë dhe të dashur, duhet të dimë të mësojmë, se si ta largojmë gënjeshtrën brenda nesh, për të lindur dhe rilindur denjësinë, për të qënë të denjë dhe të dashur për njeri-tjetrin!
25 Maj 2024.
Please follow and like us: