Cikël poetik nga Ruzhdi Gole
Zemrekë
Bisku… një nga zemrekët e pyllit
dhe gjethja pëshpërimë pafikur
flladi fluturak… fat fatlumi.
Pyll rrezesh, kurrë ngjethur
Gjithësie vetull dhe sy
zgjim i ri zemreku…
Verë komete
Çdo ëngjëlli të ri i besoj vlim voreje, vese –
Djall i dashur, bashkë ne tërheqim tratat
në brigje faji rrëkëllejmë verë komete.
Duke besuar tek ju, tek vesa e vera juaj
shkoqitemi engjëj t’prishur, hare beteje
paftuar djaj t’lodhur, çil qose, çel qelë,
…në brigje faji, feje… pijmë hokat helm…
Shegnaja vese
Symbyll, mund të vrapojnë vetëm shpejtësitë –
Ca më shpejt, mund të drobitet fjala e verbër,
verbanët shohin, mirëkeq i shohin zoologjitë.
Një roje
përherë na pret tinëz
t’na qëllojë pjellëzë ploje.
Nga turpi, më rrallë skuqemi, më shpesh
skuqen shushurimat dhe shegnajat e vesës –
Ndër ne, Ai i cili nuk dëgjon, përherë është
më i dëgjueshmi dhe nga koka e kokrrat
aspak shurdhmemec, aspak i egjërt.
Çuçurimthi
Jeta, ngadalë, po mbyll qepallat
diku e penduar, diku çuçurimthi,
Gjithçka herët, lart po ngjitet
tek të falurat e të përfalurat
fitimtarë dhe të tradhëtuar
lart, më poshtë se Krishti.
Jeta, ngadalë sot, vetëtimthi
gjithçka të re ngazëlleu ndihu
jo më thellë se Krishti
çdo abe, anatemë
po aq njerëzor
sa Ati, bariu.
Humbalaq
Jeta po spërkatet nga t’qeshura,
nga gajasje, thellë, të frikshme,
Era, plot thembra …Embetha
pandeh thirrma përndritje.
I fikuri, aty, brohoret humbalaq,
thellë, krusmës sime hilja plas.
Jeta, ëmbëlt, frikëra: “Embetha”!
Hoka zane
Maj kur më duhesh th’rras ca pendesa
krahë shtërgu e shenjti, habi vedrash,
me sytë baritje m’yll qepallat egjëra
ngjallen zbulimet prej flore e faune
prej reje dhe veje ku plasja platit
Era shpraz t’qeshurat – hoka zane
duaj rr’fenje harlisen habitë.
Maj thërras, tharm nëpër të,
asgjë kremtuar, kremtuar
më pas ndoj’ partiturë
pandehmë, pipëzë.
Maj, ca pendesa
shtërg vedrash.