Ndue Ukaj: Viti i mbrapshtë i Kosovës
Errësira ka mbështjellë gjithçka
e ata që mbajnë shandanë drite, janë rralluar.
Dikush e lexon “Vitin e mbrapshtë” të Kadaresë
dhe shfleton shtresat e dhimbjeve nëpër histori.
Flet me Shestan Verdhën, pi një gotë raki rrushi,
në heshtje numëron humbjet
dhe dëgjon si troket dëshpërimi,
në një vend ku dëshirat për të luftuar errësirën,
janë tkurrë,
e ku derrat e lumtur flenë në shtrate të buta,
këtu, ku bandat kryqëzojnë lirinë.
*
Larg në qiell, hëna është tkurrë
dhe i ngjan një guace të lënduar.
*
“Më ndjell zemra, vendi ynë po prishet”-ofshan njëri.
“Jo, duam babën”- ulërin tjetri.
*
Rrugët janë të shtruara me mjegull.
Njerëzit ia ngulin sytë mjegullës
dhe befasohen se nuk shohin.
*
Se këtu njerëzit pikturojnë fatin,
brenda kornizave të zeza të urrejtjes.
*
Shqiptarët janë çmësuar me shtetin,
thotë me lot në sy famullitari,
në banketin e dëshpërimit.
Lexuesit i mbushen sytë me lot
dhe e sheh si marshojnë idiotët
drejt altarit të lirisë.
*
Se këtu njerëzit grinden
se cila errësirë është më e zezë.
*
Ata që kanë shikim më të kthjellët,
shohin si iu gërryhet liria dhe nuk bëzajnë.
Se këtu, shtresat e mashtrimit kanë ndërtuar
një tempull ku luten njerëzit e
ku konsakrohet jeta e atyre që gërryejnë lirinë.
Ndaj, mëngjeset pikojnë si këngë vaji.
Mbrëmjet kanë pamje sterrë dëshpërimi.
*
Se këtu, nëse e pështyn idiotin,
ai nxjerr gungën e pushtetit,
shikon qiellin dhe thotë se po bie shi.