Zanë Mali: Kush e mban përgjegjësinë për Thethin?
Thethi është një nga mrekullitë e natyrës dhe shpirtit shqiptar. Aty ku mikpritja është më e vjetër se shteti, banorët kanë ndërtuar jo për të grabitur, por për të jetuar dhe për të pritur të tjerët me nder.
Ndërtimet pa leje janë problem real, por zgjidhja nuk vjen me fadroma në kulmin e korrikut, kur fshati është plot turistë dhe as pa paralajmërim. Askush nuk u tha ndal në kohë. Askush nuk ofroi mundësi legalizimi. Dhe tani, shteti vjen me forcë, si të ishin pushtues e jo shërbyes.
Kush i kompenson dëmet e atyre që ndërtuan në pronën e tyre? Kush mban përgjegjësi për humbjen e investimeve, sezonit turistik dhe përçmimit që u është bërë qytetarëve të thjeshtë?
Ligji duhet zbatuar, por jo si hakmarrje ndaj të pambrojturve. Ndryshe, nuk kemi shtet ligjor, por shtet spektakli. Dhe në fund, ata që mbeten pa shtëpi, pa të ardhura e pa shpresë, nuk janë kriminelë janë bij malësie që shteti i harroi dhe tani i shemb.
Nëse duam ta ruajmë Thethin, duhet të fillojmë me respekt. Për vendin, për njerëzit dhe për drejtësinë.