Albspirit

Media/News/Publishing

Artan XH. Duka: Shkopi “magjik” i mazhoritarit

Të “fortët” ishin preteksi kryesor që dyshja Rama-Berisha sajoi për të zëvëndësuar në 2008 sistemin zgjedhor mazhoritar (plotësuar me proporcional kombëtar) me atë të listave të emëruara që na mbeti në derë duke degraduar votë e Kuvënd.

Llogjeve të dyshes BeRama për gjoja nxitje nga ana e mazhoritarit të pranisë së të “fortëve” në Kuvënd ka kohë që iu ka dalë boja. Të “fortët” nuk u mënjanuan; ata janë sot grupet, klanet, individët etj nën logot partiake që kujdes bëjnë vetëm për vijimësinë e zullumit dhe imunitetit ndaj tij. Nga ana tjetër de-kriminalizimi nuk do t’a lejonte këtë gjë në parim sikundër saga Beleri tregoi. Shteti po të dojë “kafshon” edhe të “fortët” e parasë e korrupsionit zgjedhor i vihet hendek.

Ligji “spanjoll” i 2008 degradoi në lista aforfe të BeRamës me votën qytetare thjesht formalitet. Kjo shpërfytyroi shtyllat e demokracisë e shtetit ligjor nga prona, vota, reformat, pavarësia e barazpesha mes pushteteve etj, rrjedhoja të pushtetit infinit.

Afro 2 dekada dalin e mjaftojnë për t’i dhënë fund këtij eksperimenti të mbrapshtë që në emër të stabilitetit qeverisës krijoi “ligatinë” që nuk thahet abuzimi e karshillëku ndaj interesit qytetar me rrjedhojë humbjen e besimit tek sistemi – prona, vota, drejtësia, tek vetë e ardhmja me emigracionin masiv që nuk do koment.  

Sot duhet që urgjentisht ligji zgjedhor të rikthejë dinjitetin e votës e votuesit dhe bashkë me të edhe të politikës dhe mundësia më e mirë për të mbetet rikthimi i sistemit mazhoritar për të cilën kemi eksperiencë por edhe mbetet i përzgjedhur në perëndim, sidomos elitën e tij anglo-saksone. Ka edhe sisteme të tjera efektive e dinjitoze sikurse STV (Single Transferable Vote) por ai presupozon maturim demokratik.   

Mazhoritar sa më parë!

Mazhoritari mbetet sistemi më i qartë, më i thjeshtë, më efektiv dhe më inkurajues për pjesmarrjen qytetare në proçesin demokratik. Ai mbetet i vetmi “shkop” magjik që edhe kur nuk garanton zgjedhjen më të mirë të rradhës lë gjithnjë të hapur mundësinë për reflektim më tej. Mbi të gjitha ai garanton mundësinë për largimin e së keqes që e ka mbushur kupën duke ia lënë gjithshka në dorë votuesit që pastaj nuk ka më kë fajëson, përveçse vetes, për syresh që futen nga “dritarja” në Kuvënd. 

Mazhoritari rikthen meritën e votës dhe interesin tek ajo, dinjitetin e votuesit, besimin tek vota, sistemi dhe e ardhmja sepse gjithshka është realisht në duart e votuesit dhe nuk diktohet nga kulisat lart politik. Ai garanton zëdhënie të vërtetë të votuesit në Kuvënd sepse deputeti kur ngre kartonin nuk hedh më sytë nga kryetari i partisë apo kryeministri në podium por mendon votuesin që do të takojë të nesërmen aty ku edhe banon dhe jo si sot kur caktohet deputet i një zone që e sheh vetëm për fushatë. 

Trishtueshëm, pavarësisht bujës së partive të reja në politikë, asnjëra nuk ngulmon në rikthimin e mazhoritarit teksa bërtasin për reformë në ligjin zgjedhor. Me sa duket duan edhe ata lista, ndonse të hapura, e një zonë të vetme kombëtare si e si të futen në Kuvënd e të shijojnë lumin e privilegjeve paçka se kështu “përfaqësojnë” të gjithë dhe… asnjërin njëkohësisht. Nuk ka varësi të drejtëpërdrejtë deputet-votues ndaj dhe nuk u bëhet vonë për ta.

Mazhoritari nuk është risi. Nga 1991 e deri 2005 zgjedhjet janë zhvilluar me të sikurse edhe zgjedhjet për bashkitë ende bazohen tek ai. Ky sistem nuk ka prodhuar probleme por supriza kur mendon se edhe vetë Alia dikur humbi përballë një të panjohuri që u bë i njohur për këtë gjë dhe kjo e bën atë akoma më tërheqës për votuesin e pritshmëritë e tij. Mazhoritari është votë për kokë, sfidë “ja sheshi ja mejdani” dhe si i tillë i jep deputetit dinjitet e autoritet ndaj partikracisë dhe përulësi ndaj votuesit njëkohësisht. 

Rama, sikurse Berisha dje, tenton të bëjë “epokë” por se sa për mandatet rrjesht, ai do të mbahet mënd si kryeministri më jetëgjatë i “tavolinës” për faktin se nuk u mandatua prej 2009 asnjëherë si kryeministër me votë të drejtëpërdrejtë. Krejt ndryshe nga garat dinjitoze në Bashkinë e Tiranës ku Rama konkurroi e fitoi mbi bazën e mazhoritarit, në karriken e kryeministrit ai zuri vënd duke hyrë vetëm nga “dritarja”.  

Afërmëndsh partitë nuk do i bëjnë gropën vetvetes duke rikthyer mazhoritarin ku çdo “berr varet nga këmbët e tij”. Ndaj dhe e vetmja mënyrë për të shmangur këtë konflikt interesi të politikës me ligjin zgjedhor është inisiativa qytetare për referendum. Deri tani e kemi patur si ujët e pakët ndërkohë që ai duhet të jetë rutinë për reforma kyçe si ajo zgjedhore, penale, administrative, territoriale etj. Nëse nuk bëhet për to, për çfarë duhet të bëhet e pse e mbajmë në Kushtetutë!  

Mazhoritari e pastron politikën nga zullumqarët që vegjetojnë për dekada atje sepse votuesi, herët a vonë, reflekton dhe di kë shpie në Kuvënd. Ai është garanci edhe për funksionimin e pushteteve të pavarura sepse Kuvëndi që përfaqëson realisht qytetarin ndërmerr reforma reale dhe ushtron kontroll real duke garantuar mirëfunksionim e harmonizim të pushteteve në shtetin ligjor. E kundërta, një Kuvënd klientelist, nën maskën e ligjeve e reformave, bën vetëm pazar.

Mazhoritar… Plus

Mazhoritari mund të shfaqet në disa forma. I pastër me votim të vetëm me fitues atë që merr shumicën – mund të privojë përfaqësimin real sepse fituesi del edhe me nën 50 përqind të votave, i pastër me dy raunde – garanton përfaqësim më real e nxit bashkëpunimin por merr kohë e shpenzime shtesë dhe mazhoritar i kombinuar me proporcional kombëtar – sikurse e kishim që ofron përfaqësim akoma më real dhe mundësi për partitë e vogla e kandidatët e pavarur që janë thesar për politikën e demokracinë.

Cilido qoftë, është ku e ku më mirë se ai aktuali që ul në Kuvënd shumicë të emëruar e të pazgjedhur duke bërë që shoqëria të mbetet peng i vullnetit e dëshirës së mirë të një njeriu që sado i zoti, i shënjtë, i gjatë e largpamës qoftë ai, nuk ka garanci e bie ndesh me thelbin e demokracisë.

Demokracia nuk rrotullohet rreth individit por sistemit dhe moto e saj duhet të jetë… “Beso, kontrollo e largo” dhe mazhoritari është një garanci më tej. Por që ai të jetë efektiv, duhet që kuadri ligjor të garantojë garë të barabartë qysh në start e më pas, pavarësisht nëse parti e madhe, e vogël, individ i pavarur etj.

Së pari, duhet që me ligj partitë të mos marrin më mbështetje nga buxheti. Boll i kanë kuotat e partive nëse janë aq të mëdha sa hiqen. Jemi vënd i varfër dhe nuk shkon që votuesit t’i shplahen trutë me paratë e tij në fushata gala e 4 vite në vijim. Nuk duhen lejuar as donacione nga privati se nëse duan të bëjnë karitas, aty i kanë kisha, xhami, jetimore etj. Janë biznesmenë dhe nuk japin pa marrë më pas.

Së dyti, media duhet të garantojë barazi mes subjekteve në garë dhe kurrsesi, sikurse ndodh me kohën mediatike e shpenzimet nga buxheti, të favorizojë partitë e mëdha me preteksin se janë forcë e madhe. Kampioni nuk e fillon kampionatin e ri me pikë plus, as sprinteri kampion garën e rradhës me metra para në start etj, ndryshe vetëm garë nuk është. Nga ana tjetër duhet që aktivitetet zgjedhore të mos zaptojnë hapësirat publike. Boll i kanë sallat brënda sepse mitingjet nuk janë bashkëbisedim por batare sokëllimash e retorikash që nxisin koka të nxehta e ndasi mes nesh. 

Së treti, kandidati për Kuvënd duhet të garojë atje ku banon; Rama në Surrel e Berisha pas Piramidës. Jo ku kanë bastionin partiak, vetëm nëse shpërngulen të jetojnë aty.

Politika, njëlloj si feja, duhet të jetë mision dhe kjo duhet reflektuar nga rrogat, privilegjet e bonuset pafund, pensionet, strehimi etj tertipe që stonojnë me varfërinë sheshit. Ndryshe, çfarë prisni nga të pazgjedhurit që i futen politikës për t’u pasuruar dhe jo për të lënë emër të mirë dhe Kuvëndin e shndërrojnë në “faltore” të kryetarit që me ligj e mbush sallën me lakej që gjoja përbetohen për Sovran.

Këta e vranë Sovranin ndaj le të shpresojmë se ca drejtësia, ca nongratat e botës por ca dhe vota mazhoritare, të gjitha sëbashku, mbase bëjnë që ky takëm të largohen nga politika përpara se të jetë larguar shqiptari i fundit nga ky vënd.