Bledar Koçi: Ikje
Nata kodrat i përgjum,
Pelerinë u hedh mbi kokë
Me frymë ere i përkund
Ninullë yjesh ëmbël shkund
Në një ëndërr bashkë, tok,
Sjellë e shkuar me një zog.
*
Zëth i bulkthit kuturu,
(Më pushton melankoli)
Në një drizë a në një dru,
Fshehur, strukur, s’di se ku.
Si e vjetër melodi…
Zëth i etërve të mi.
*
Nata muresh terrin shemb,
Përgjon strehës kukuvajkë
Malli gjoksin shpon si gjemb
Aty thellë, nis e dhemb
Shtriqet hëna rreze ajkë
Më rrëmben e më çon larg…
*
Ja, këtu, kësaj korije
Buzëdridhur po i flas,
Vij e shkoj me shpirt fëmije
Rrëshqet nata si një hije
Derdh me të dhe unë maraz
Pelerinës që hedh pas.