Artan Xh. Duka: Pax Europa
Muri i Madh europian me Rusinë!
Vija e kontaktit të Rusisë me pjesën tjetër të Europës mendohet të jetë mbi 1000 km dhe kështu siç po shkojnë punët, po aq do të jetë edhe “Muri” i ri i Luftës Ftohtë në kontinent gjë që do të ishte dramatike e tragjike kur mendon se 1989 e rënies së Murit të Berlinit nuk është dhe aq kujtim i largët. E nëse historia përsëritet, ajo që dihet me siguri është që të humbur janë të gjithë.
Një luftë e re e Ftohtë me Rusinë do e marrë mbarë kontinentin peng duke cënuar zhvillimin ekonomik, frymën e besimit, mirëkuptimit e bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme, paqen në kontinent e botë, vëmëndjen ndaj planetit etj dhe pasojat do i vuajnë breza të tërë. Rënia e Murit të Berlinit do të humbte kuptim dhe do i ulte pikë politikës së pas viteve 90 ndaj që ajo ngjarje të ketë vlerë duhet që në kontinent të mos ngrihen më mure por ura mes nesh.
Mjerisht lufta në Ukrainë, më parë në gadishullin Ilirik etj, po dëshmojnë se rënia e Murit të Berlinit, se sa një ngjarje historike për reflektim të dyanshëm e hapje pa mëdyshje në kontinent, paska qënë ngjarje për bujë, retorikë, propagandë e karshillëk që nuk shpie kund.
Kontinenti ka ato vënde që ka dhe e mira e përgjithshme dhe e nesërmja e përbashkët e kërkon që palët të ulen e bisedojnë pavarësisht dallimeve nga e kaluara. “Mali” i dallimeve vetëm lartësohet më tej dhe kur gjërat shkojnë aq larg sa kërcet pushka, përplasja futet në rreth vicioz hakmarrjeje pafund që ndërlikon tryezën e bisedimeve më tej.
Kontinenti, në rradhë të parë Perëndimi, dështoi tre herë në këtë kontekst. Ishte i pazoti t’a parandalonte këtë luftë, është i pazoti t’a ndalojë këtë luftë dhe, drejtëpërdrejtë apo jo, po ndikon me qasjet e tij në tejzgjatjen e kësaj gjëme njerëzore, ekonomike, sociale, ekologjike për Ukrainën në rradhë të parë, Rusinë dhe mbarë kontinentin. Armatimi, izolimi, sanksionet etj rrezikojnë të zgjasin agoninë e luftës e ndërlikojnë atë që vjen pas saj sepse as Ukraina e as Rusia nuk pranojnë të dalin të humbur dhe aq sa Rusia nuk ia del dot Ukrainës, po aq edhe bota nuk ia del dot Rusisë ndaj dhe tryeza mbetet e vetmja zgjidhje.
E keqja nuk duhej të ndodhte por e keqja nuk ka fund dhe çdo ditë që kalon është tragjedi e rradhës në Ukrainë. Sa më gjatë vazhdon ajo, po aq më e pabesueshme, më e “pamoralshme” e më e dhimbshme bëhet tryeza e paqes dhe mundësia për mirëbesim mes palëve, jo thjesht për t’i dhënë fund kësaj lufte por për të garantuar paqe pakthim, zbehet e rrezikon të zhbëhet për më shumë se një brez.
Testi i kohës
Rrënoja e Murit të Berlinit nuk duhet të katandiset në “medalje” nacionaliste e ideologjike apo destinacion turistik për selfie për syresh që për luftën kanë dëgjuar vetëm nga filmat apo dokumentarë. Ai vënd duhet të jetë një “faltore” nderimi e kujtese që luftrat e muret duhen lënë pas ndaj dhe në respekt të ngjarjes historike të rënies së Murit të Berlinit dhe tragjedisë në Ukrainë, Perëndimi duhet të bëjë çmos që jo vetëm kjo luftë të ndalet sa më parë por edhe të zhbëjë çdo atavizëm nacionalist të së shkuarës që tensionon e nxit përplasje e luftra në kontinent.
BE ishte dhe mbetet një preçedent fatlum e unik historik për nxitjen e ruajtjen e paqes në kontinent. “Zhbërja” e kufijve e shtysa për identitet europian provoi të ishte një hop cilësor e përparimtar për civilizimin perëndimor që sfidoi e përgënjeshtroi mëdyshje, sarkazma, paragjykime e kritika për naivitet e utopi që merrnin shkas nga e shkuara e përgjakshme në kontinent me breza të tërë sot në perëndim që e marrin paqen e lirinë të mirëqënë.
Ironikisht “paqja” ka qënë historikisht derivat i perandorive (Pax Romana) teksa bashkë liria e lëvizjes e zbehja e kufijve (siç ishin ato dikur), zbehnin deri diku edhe disa nga shkaqet që kanë kacafytur njerëzit historikisht. BE, njëlloj si SHBA, janë po “perandori” por që ndryshe nga ato historike që ishin “paqe” përmes dhunës, këto ngrihen në emër të hapjes e lirisë dhe mbijetojnë falë tyre. Dhe kjo kur ndryshe nga lashtësia, kufinjtë nga Mesjeta e këtej janë shndërruar në “tabu” të dokumentuara, të ratifikuara etj, me ndikim në identitetin kombëtar e inercinë e dallimit prej tjetrit.
SHBA e BE janë “perandori” ku, pas të drejtës së jetës që u jep jetë gjithë të drejtave më pas, e drejta e liria e lëvizjes dhe e ndërtimit të jetës atje ku dëshiron shihet si jetike për harmoninë, mirëkuptimin e besimin e ndërsjelltë mes njerëzve, premisë kjo më pas për paqe e bashkëpunim pafund. Koha punon për këto “perandori” të krijuara në emër të paqes e bashkëpunimit ndaj dhe ajo që kontinenti i vjetër ka nevojë është shtrirja zyrtare e BE dhe e frymës së saj të lirisë së tij në çdo cep të kontinentit pa dallim.
Mur frike apo ura besimi!
Rusia, Turqia etj, janë në Europë dhe hapja vetëm inkurajon bashkëpunim e mirëbesim reciprok duke zbehur dallim e përplasje. Nuk është as utopi e as naivitet sepse në perëndim ka plot 80 vjet që nuk ndjehet më era e barotit falë bashkëpunimit fillestar franko-gjerman si gjenezë e BE sot.
Hapja e integrimi është sot refren në Bruksel kur vjen puna tek fati i gadishullit Ilirik të mbajtur peng gjatë nga fantazmat e së shkuarës. Koha ka treguar se hapja e bashkëpunimi i fut palët në një “varkë” dhe e ardhmja shihet e përbashkët sikundër është BE por dhe ideja dikur e Ballkanit të Hapur që të dy në parim bazohen tek hapja ndaj tjetrit. Sërbia, si me Ballkanin e Hapur apo BE, prapë do të jetë aty e nëse hiqen kufinjtë, do të hiqen për të vetmin komb të ndarë në Ilirik që është ai shqiptar ndaj të jesh pro BE e kundër BH njëkohësisht, ha diskutim.
E nëse hapja e integrimi janë stërprovuar kaq herë brënda BE e me shumë gjasa do futin edhe gadishullin Ilirik në hulli, ajo është një qasje që duhet ndjekur edhe ndaj Rusisë trashëgimia e së cilës historike, kulturore, shkencore etj, vetëm plotëson më tej identitetin e BE si gjithëpërfshirës europian.
Tragjedia në Ukrainë ka nevojë për drejtësi e shpagim që tryeza e paqes një ditë do i shterrojë. Por ajo ka nevojë edhe për reflektim solemn që të mbahet mënd ndër breza si lufta e fundit në kontinent. Muri i Berlinit e Ukraina duhet të jenë rikujtesa e madhe e paqes për qytetërimin europian dhe drejtësia e respekti më madh ndaj tragjedisë në Ukrainë do të ishte fjala e vepra që zhbën çdo sebep për të ngritur mure më pas në kontinent.
BE i bën nder vetes duke u shtrirë drejt lindjes por ndërkohë era e paqes e “muret” nuk shkojnë bashkë. Një “Mur i madh kinez” në terren e mëndjen qytetare stonon në mijëvjeçarin e tretë. Popujt nuk duhen ndarë me “mure”, pavarësisht politikave e politikanëve të ditës dhe ftesa, edhe me datë të hapur ndaj Rusisë për integrim në BE, do të nxiste vetvetiu mendimin e veprimin demokratik atje. Boll të postohet!