Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta Sadiku: “Ura mbi lumë” e Preng Macës

“Njeri, të lutem shpëtoje veten”
Ajo që e dallon këtë poemë si një poemë bashkëkohore është se kjo poemë është i hapur, është e ndikuar thellësisht nga zhvillimi shoqëror i sotëm, nga politika, nga gjinia dhe identiteti. Poema “Ura mbi lumë” ka në brendësi ngjarje aktuale, provokon dialog dhe reflektim. Si një poemë e artit bashkëkohor nuk ndjek vetëm bukurinë e ndërtimit, por hedh dritë mbi çështje sociale, eksploron dhe diskuton kuptimin e temave e koncepteve së të tashmes.
Bukuria e kësaj poeme të përbërë nga njëmbëdhjetë nëntituj edhe pse nga më populloret, është një frymëzim nga veprat e mëparshme për Urën. Poema kombinon natyrën dhe njeriun, në një mënyrë unike, ku imazhi i urës ka fuqinë të flasë për gjendjen njerëzore dhe ndërveprimin e saj me mjedisin natyror dhe atë shoqëror. “Ura mbi lumë” e Preng Macës është simbol i mbijetesës mes dy brigjeve të lumit, simbol i përpjekjeve njerëzore për t`u përballur me vështirësitë e jetës, me intrigat dhe ndjesitë e botës së njeriut në shekullin e ri, një përvojë që lexuesi e merr përmes poemës. Brenda bukurisë së kësaj poeme egziston një e vërtetë jetësore. Shprehja e pastër dhe e saktë, ndërtimi i poemës, forma dhe esenca e poemës, renditja e nëntitujve, zbulimi i ndjeshmërisë njerëzore, pastrimi estetik, ulja dhe ngritja shpirtërore ndikojnë moralisht në shpirtin e lexuesit dhe krijojnë etos. Pikërisht tek kjo bukuri qëndron etosi i cili mishërohet saktësisht në përformancën e kësaj poeme. Lidhur me fuqinë e artit për të krijuar etosin [Etosi sipas Aristotelit është zakoni i njerëzve] ia vlen të përmendim këtu poetin anglez Shelley i cili pohonte se “poetët janë ligjëvënësit e panjohur të botës”.
Poema “Ura mbi Lumë” si krijim artistik i ofron lexuesit modele jete, modele të perceptimit të botës sipas perspektivës dhe vullnetit të autorit. Ngjarjet dhe mesazhet kalojnë nga realiteti në art dhe anasjelltas, nga arti në realitet. Ura, nga një vend ku mbart gjuhën e historisë, tek Preng Maca funksioni i saj ndryshon. Në mënyrë figurative Ura mbi lumë është shtegu që hap Preng Maca për të kapërcyer pengesat e vështirësitë, është lidhja ndërmjet kundërtive, dashurisë, miqësisë, është urë pajtimi.
Ura si figurë moderne – nga politika te filozofia.
Në filozofi, ura shfaqet si simbol i kalimit nga një gjendje në tjetrën – një kalim ekzistencial. Heidegger flet për urën si vend ku bashkohen “të katërtat”: toka, qielli, hyjnitë dhe të vdekshmit. Në këtë poemë, ura është jo thjesht mjet, por hapësirë e shenjtë ku ndërthuret jeta dhe kuptimi I jetës. Në vargjet, që janë dhe mbyllja e poemës Preng Maca operon me vlerat e ndërgjegjes së tij. Faktet, jeta reale, bota që na rrethon ka hyrë tashmë në ndërgjegjen e tij dhe përplaset me ndërgjegjen e tij. Ai nuk hesht, gjen mënyrën e vet për të reflektuar. Në këtë mënyrë ai ka tërhequr vëmendjen e lexuesit për të bërë pyetjen, cila është Ura mbi Ibër, çpo ndodh atje. Duke stimuluar lexuesit për një lexim aktiv, Preng Maca provokon qasje ndaj realitetit, duke mundësuar lexuesin të aktualizojë poemën.

Njeri… të lutem shpëtoje veten ngrije atë urë mbi… Ibër!
Në përdorimin bashkëkohor, fjala “urë” ruan dimensionin e ndërmjetësimit. Në politikë, shpesh flitet për ura komunikimi, ura bashkëpunimi, ura pajtimi. Këtu funksioni figurativ nuk lidhet më me flijimin, por me idenë e ndërmjetësit neutral që garanton dialog dhe tranzicion. Autori është I vetëdijshëm, ndaj i bën thirrje njeriut të ngrejë urën që jo vetëm bashkon [Ura që kalon mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila u bë simbol], por ura bëhet shpëtimtare e jetës së njeriut bashkëkohor. Në këtë poemë Preng Maca është një luftëtar i paqes.
Ura si koncept në jetën e përditshme
Në gjuhën e përditshme, fjala urë përdoret si kategori etike dhe sociale: “ura e mirëkuptimit”, “ura e dashurisë”, “ura e komunikimit”. Ky përdorim shënon një evolucion të figurës: nga struktura materiale e sakrificës në një simbol abstrakt që mishëron kapërcimin e ndarjes. Pra, fjala ka kaluar nga trupi i ndërtuar prej guri në trupin metaforik të marrëdhënieve njerëzore.
Dhe këtu lind pyetja: Deri në ç`masë vetë autorët e veprave ndikojnë në shoqëri.
A arrijnë vlerat morale që përqafon estetika e tyre të përthithen, të ndiqen e të ndikojnë si modele të sjelljes politike e shoqërore nga lexuesit.


Preng Maca: “Ura mbi Lumë”


Ura
Jam ajo
epja,
kur mbi mua kalon jeta.
Linda nga dashuria.
mbahem në këmbë nga dashuria,
do të jem gjithnjë nga dashuria!
Artitekja ime,
kur… nuk isha.


Nëna
Mbi shpinën time djepi,
unë mbi urë,
me djep mbi shpinë.
(mbi shpinën time të lodhur… kurrë!)
A je ngritur ti këtu për mua,
apo unë për ty jam ndodhur këtu?
Më thuaj, o urë!


Lumi
Nën harkun e kësaj ure,
si nën një mbrojtje
kam rrjedhur,
here me vrull e herë me ndrojtje.
I thellë, i thellë
i vrullshëm gjer në çudi.
urën poshtë së cilës kaloj
e kam pasë zili!
Atë që e kërcënoj
ajo e vë mbi shpinë
dhe vdekja në çast
merr arratinë!


E dashura
A të kujtohet dashuria jonë e zjarrtë
e vrullshme, delikate?
dashuria mes nesh,
si… një urë.
Ura e dashurisë sime
ura e dashurisë sate
mos u shembtë kurrë!

Va
Bash aty ku harron lumi
jam unë…Hajde pa frikë!
Njëherë isha unë,
pastaj u ngrit kjo urë
me hapësirë jete plot dritë!

Kështjella
U lodha mes luftrash!
Luftrat bien erë plagë e gjak
vuajtje,britma e trishtim!…
At’botë i nisa do gurë prej meje
për një urë,
për ta kaluar at’ lumë
që rridhte me tërbim.

Britma
Kam mbetur në mes urës,
në mes…
I rrezikuar jam ,
të kaloj nga sejcila anë!…
Kam mbetur në mes të urës
në… mes.
Nuk mundem të kaloj,
nuk dua… të vdes!

Miku
Nuk e di,
se si erdhën ato ditë!
Mbaruan marrëveshjet,
dielli i miqësisë u fsheh.
Tash shihemi rrallë e më rrallë!
(Ti e shembe urën mes nesh.)

I mbyturi
Për pak do të kisha shpëtuar
tani po iki,
ose më e kuptueshme është shprehja,
Po vdes u burrë!
Do të kisha jetuar ndoshta!
Në ëndrrën e fundit shoh një… urë

Në krizë
Nuk dua të jetoj më!
Tani e shoh këtë lumë,
turfullon egër,
më sheh inat tërbuar.
Do të hidhem nga kjo urë.
Nuk më duhet kjo jetë pa dashuri!
Më mirë në valët e këtij lumi, i harruar
se mbi një urë,
kur nuk ke askënd e askund,
për të… shkuar.


Lutje
Të dëshiroj o Njeri!
Të dua o Njeri!
kudo që të jesh,
kushdo që të jesh
në arë,në fabrikë
mbi kompjuter dhe libër
të lutem shpëtoje veten
ngrije atë urë mbi… Ibër!

    ——–

    Teuta Sadiku ka studjuar në fakultetin e Filologjisë dega Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Është autore e tre përmbledhjeve me poezi ‘’Kronikë e qytetit tim’’ [Dituria 2013], ‘’Ditët e javës së emigrantes’’ [ada 2014] dhe Vëllimit me tregime ‘’Pragu‘’ [Nacional 2015]. Të shumta janë shkrimet letrare, esetë dhe kritikat nëpër gazeta dhe revista shqiptare dhe ato të huaja.