Avdulla Kënaçi: DHURATA E ÇUDITSHME
Tregim
Të gjithë e kemi provuar atë pritjen e ëmbël befasuese se cilat dhurata do na sjellë Babagjyshi i Vitit të Ri, më saktë çfarë do marrim e ç’do të këmbejmë me njerëzit tanë të zemrës. Për mendimin tim bukuria e kësaj pritjeje befasuese qëndron tek enigma, e panjohura; cilat do të jenë peshqeshet dhe kush janë personat që na kanë më për zemër. Familjarisht ne jetojmë në Kanada, domosdo që jemi përshtatur me shumë sjellje e zakone tradicionale të këtij vendi. Statusin si qytetarë të këtushëm e kemi marrë prej më shumë se dy dekadash. Gjithsesi në kurriz e kemi të stampuar “emigrantë shqiptarë”, jo vetëm unë e ime shoqe, por edhe fëmijët tanë të cilët kanë ardhur këtu më herët se ne. Mua kjo nuk më shqetëson aspak. Jam krenar për origjinën time dhe nuk e këmbej me asgjë në botë, sikur të më falin edhe Groenlandën. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt; personalisht shumë zakone dhe sjellje amerikano-kanadeze nuk i honeps fare. Fëmijët e mi më thonë se jam kokëfortë, kapriçioz dhe e bëj qëllimisht këtë kundërvënie. Lëvdohem e krekosem me zakonet e vendit ku linda dhe u rrita, Shqipërisë. Asesi nuk dua të natyralizohem, me një fjalë të adaptohem me sjelljet dhe zakonet e këtij kontinenti. Do të thoni ju se druri i vjetër nuk drejtohet kollaj, por nuk është kjo arsyeja pse refuzova me këmbëngulje robotin, një pajisje elektronike e viteve të fundit që ndihmon në punët e shtëpisë. E kishim dhuratë për Vitin e Ri 2026.
– Mos harxhoni partë kot – u thashë djalit e vajzës sime, – po e sollët do ta flak nga kati i njëzetë e pestë i pallatit. Dhe ata ma njohin mirë kokën prej labi, kur e them, e bëj realitet, e vë menjëherë në zbatim.
Kohët e fundit, kam arsye familjare që disa nga punët e shtëpisë i bëj vetë. Eh, në një farë mënyre jam i detyruar prej rrethanave. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, midis nesh, tri herë jam xhungosur në kokë e nja dy herë kam dalë me brazda gjaku në ballë. Këto “incidente”, edhe pse jam munduar për t’i fshehur e mbajtur sekret, e para që i kishte mësuar, ishte ime bijë. Kuptohet kush ishte informatorja e të fshehtave tona familjare jashtë shtëpisë. Përse? – do pyesni ju. E po duke ngritur kryet me vrull nga kontributi për pastrimin e pluhurave dhe pushit të rrobave që poshtë krevatit, e pësova. Sidoqoftë, lëndime të lehta, të shkuara, të harruara. Kohë moderne, i kanë bërë aq të ulët shtretërit sa zvarritem barkas nën ta për t’i pastruar. Apo nuk jam unë alergjik prej pluhurave! Tani që ime shoqe vuan nga presioni i lartë i gjakut, nuk futet dot nën krevate për të marrë e fshirë pluhurat, më saktë atë pushin e hollë e gati të padukshëm që lëshojnë rrobat sintetike. Kështu, pastrimi i nënkrevateve (ne flemë secili në dhomën e vet) tani më ka rënë mua në pjesë. Dashur pa dashur, këtë mision e kam marrë vetë përsipër. Kur grindemi me gruan, ajo gjen rastin pikërisht kur jam nën krevat dhe thërret gjithë kënaqësi: “Aty të pafsha tërë jetën”! Kuptohet, për jetën që më ka mbetur. Nuk bëzaj, mund të jem shkak t’i rritet tensioni, le të flasë si të dojë. I kam dhënë liri shprehje pa kursim. Tani i ka ardhur koha të hakmerret për të gjitha vitet që kam “kënduar” vetëm unë mbi turrën e druve. Nuk thonë kot “bota është me rrota”. Ku ta dija se do të vinte kjo ditë kaq qesharake, barkas, zvarrë, nën krevat, sidmos tani që më kërcasin kokallat nga lart-poshtë.
Tri ditë përpara Vitit të Ri 2026, si zakonisht, kisha dalë për kafe. Pas nja dy orësh mbërrita tek dera e hyrjes sonë dhe u bëra gati të hap bravën. Nga brenda apartamentit vinte një zhurmë sikur ishin hapur të gjitha çesmat. Më hyri paniku. Ankth. Rrotullova çelësin me vrull dhe mpreha veshin të dëgjoj. Nuk orientohesha dot se nga cili drejtim vinte ajo zhurmë e panjohur për mua. Më ngjau sikur dilte nga poshtë krevatit. Zhurma vazhdonte zhësh-vëzh, zhësh-vësh. Unë mbeta edhe më i habitur, kërcu në këmbë. Kthehem në sallon dhe vë re time bijë, mbesën dhe domosdo bashkëshorten time të shtrenjtë. Të tria qeshnin me habinë time, sodomos, mbesa, Julia.
– Mos u çudit, – më thotë ime bijë – ule kokën dhe shih poshtë krevatit tënd, shih kush po pastron e t’i fshin pluhurat e dyshemesë.
Ashtu bëra, më shumë i shtyrë nga kureshtja se sa nga habia. U ula në gjunjë, shtrembërova qafën dhe zgjata kryet për të shquar më qartë. Një palë mustaqe më fshikën hundë e buzë. Kërceva përpjetë. Pas kurrizit tim shpërthyen si në kor të qeshurat.
– Çfarë është ai malukat, m’u duk si minë kundratank me mustaqe, rrotullohej nën krevatin tim sikur vallëzonte?! – pyeta “publikun”.
– Gjyshi, është robot që po të fshin shtëpinë. Ua ka blerë Mami dhuratë për Vitin e Ri, mos e flak nga dritarja, të lutem. Dyshemenë e bën xixë, nuk do të kesh nevojë të futesh vetë poshtë krevat.
– Po ato mustaqe përse i kishte, moj bijë?
– Ato janë furça, ngrejnë pluhurat lart dhe vakumi i thith. Ka memorje si të njeriut, fillimisht regjistron tërë sipërfaqen e shtëpisë, ecën duke u rrotulluar. Ka këta dy butonët, njeri për t’u futur në punë pastrimi dhe kjo shenja tjetër në formë shtëpie e shtyp për tri sekonda dhe të flet me zë: “Po kthehem tek shtëpia ime për t’u karikuar”. Ja shihe… Dhe mbesa e vuri në punë, i dha komandën “pastrim”. Roboti u vu në lëvizje.
Mbesa, Julia, me një lehtësi të jashtëzakonshme shtypi butonin e ndriçuar në formë shtëpie dhe roboti e gjeti vetë rrugën me saktësi për të shkuar tek priza e karikimit, në aneks. Habi se si i kaloi tërë ato pengesa, sikur të kishte sy në ballë. Aty ndali për t’u rikarikuar përsëri.
– Ky të pastron shtëpinë brenda një ore dhe ti nuk ke nevojë të futesh nën krevat, madje ai e bën punën më mirë se shtupat dhe leckat e tua. Kujdes, nuk duhet të lini në tokë letra ose lapsa, se e bllokojnë. Gjithashtu disa objekte të vogla si këto lulet orkide ose plastika të lehta nuk duhet t’i lini në dysheme, por duhet t’i ngrini mbi tavolina, se i rrëzon e thyehen, – më këshilloi ime bijë. Mbeta me gojë hapur nga habia, por nuk e dhashë veten. Shpikje e kohëve moderne.
Ne vazhduam bisedën në sallon, kur për një moment nuk e dëgjuam më zhurmën e robotit, U ngritëm të alarmuar. Ishte zhdukur sikur ta kishte përpirë dheu. Vura re derën e jashtme të hapur. Dikush nga ne e kishte harrur të çelur dhe roboti kishte dalë në korridor. Dolëm për ta kërkuar, i ramë cep më cep korridorit të jashtëm. Pyetëm edhe nja dy fqinj, por ata nuk kuptonin se çfarë kishim humbur. Nuk e merrnin vesh sesi ishte larguar nga apartamenti ynë një tip kompjuteri. Me sa duket ishin banorë të rinj në Kanada.
– Na e kanë vjedhur, – tha ime shoqe e pikëlluar – edhe këtu të vjedhin.
– E pamundur, – thashë unë – hyni brenda, do vazhdoj unë me hulumtimet.
Ashu bëmë. Gruaja, mbesa dhe ime bijë, pa folë, të trishtuara u kthyen brenda, ndërsa unë vazhdova kërkimet. Të kishte zbritur nga shkallët e emergjencës? Jo, ato janë shumë të pjerrta dhe ai duhe të ishte rrokullisur, por nuk kishte asnjë gjurmë, asnjë shenjë të tij. U solla për disa minuta vërdallë. Pasi humba shpresat për ta gjetur, u mata të kthehesha brenda hyrjes sonë, kur dëgjoj pas krahëve zhurmën karakteristike të robotit, zhësh-vëzh. Dukej sikur më ndiqte mua mbrapa, si një qingj manar. Po kjo?! Roboti po kthehej nga depua e plehrave dhe ishte drejtuar drejt hyrjes sonë duke përsëritur: “Po kthehem të karikohem”. Si nuk më shkoi mendja të kontrolloja në depon e plehrave në fund të korridorit?!
Unë përpara dhe roboti pas meje. Më pritën me duartrokitje. Unë e ime shoqe u gëzuam sikur bija jonë na e kishte falur për herë të dytë.
– Hallalli nuk bëhet haram, – tha bashkëshortja ime me sytë që i shkëlqenin nga lumturia.
– Mua desh më ngriu buzëqeshja në buzë, – thashë i pezmatuar. Pastaj pyeta:
– A ka një libër udhëzues që e shoqëron aparaturën me emrin robot, këtë mysafir të paftuar? Unë nuk para ia them nga elektronika, ku ta dija që do vinte kjo ditë?
– Posi jo, ka dhe janë goxha faqe, por ty nuk të duhen tërë ato hollësi.
– Do studjoj këshillat dhe mënyrën si funksionon, pastaj do marr guximin ta vë në punë, me një fjalë, po është i komplikuar, do t’ua kthej, – u përgjigja shumë seriozisht.
– Jam e sigurt se do të dashurohesh me të. Ta gëzoni, e keni dhuratë nga unë për Vitin e ri 2026! Për shumë vjet gëzuar! – tha vajza jonë e vetme, e lumtur që nuk kundërshtova këshillat e saj si zakonisht.
Ime bijë dhe mbesa, Julia, nxënëse e shkëlqyer në shkollën e mesme, sidomos në shkencat ekzakte, e para m’u drejtua me atë zërin e ëmbël, gjithë muzikalitet:
– Gjysh, të lutem, mos e hidh nga dritaraja, është shumë i mirë roboti. Tani së bashku me Gjyshen, keni një shërbëtor në shtëpi që nuk kërkon shpërblim, – vazhdoi të flasë ajo edhe nga jashtë derës, në korridor, duke pritur ashensorin.
– Në radhë të parë do të mësoj si funksionon, pastaj do t’u tregoj se çfarë do të bëj me të. Është krej i panjohur për mua, – u përgjigja sikur të isha në provim mbi shkencat ekzakte.
– Mos ia vini veshin se çfarë thotë, – ndërhyri gruaja ime në bisedë duke zgjatur kokën jashtë derës – se ky kështu e ka zakon, i vë në dyshim e i refuzon gjërat e reja, por pastaj ëmbëlsohet dhe nuk i lëshon nga dora.
U ktheva brenda shtëpisë dhe i hodha një sy më vëzhgues dhuratës së Vitit të Ri. Isha profan në shkencën e robotikës. Mbeta si i shushatur me gruan dhe robotin “Dreame” (Ëndërr), dhuratë për vitin e Ri. Po tani? Ec e mëso në moshën e tretë shkencën elektronike. Letërsia nuk më hyn fare në punë. Nisa të shfletoj manualin. Robotin e kisha përpara syve. Rrinte para meje i mbështjellë kutullaç, pa lëvizur, si një nxënës i bindur e kokëulur. Priste komandën time. Siç ju tregova, ishte i markës “Dreame” (ËNDËRRA), nga këto shpikjet e fundit të Perëndimit. Nuk do ta prekja me dorë pa e mësuar mirë si funksiononte. Pastaj do ta zbërtheja fije-fije, siç e kam zakon të bëj me çdo lloj aparature të re që hyn në shtëpinë time. Disa fjalë teknike nuk i kuptoja fare, por i kërkova ndihmë IA-së dhe ajo m’i shpjegonte në gjuhën shqipe fare të pastër. M’u kujtua shkencëtarja jonë vlonjate Mira Murati, specialiste e kësaj fushe dhe kontribuese e shquar ndërkombëtare. Nuk e besoja që kisha arritur në këtë ditë dhe moshë që unë të konsultohesha me inteligjencën artificiale, por çfarë nuk bën nevoja.
Dy ditë para Vitit të Ri i hyra studimit të robotëve në përgjithësi dhe veçanërisht këtë markën time «Ëndërra» që realisht nuk e kam ëndërruar kurrë.
– Po dil, mor burrë në dyaqne, të kam vënë në xhep një listë me artikuj ushqimorë dhe disa dhurata. U mbylle brenda dhomës sikur po bën studime për të marrë titull shkencor, – tingëllonte zëri ankues i bashkëshortes.
– Asnjë punë nuk marr përsipër të bëj, nuk dal pa e mësuar në themel si funksionon kjo gjëja. Është njëlloj sikur na ka ardhur nuse e re në shtëpi, por pa e njohur mirë, nuk mund ta futim në punë sepse dashur pa dashur e shkatërrojmë e pastaj na mbetet pilaf në derë.
– Po kaq i ngatërruar është?! – pyeti ime shoqe e merakosur.
– Po nuk është tenxhere me presion, është elektonikë. Ja ta zëmë se duam të dimë si do të pastrohet kur i mbushet kutia me mbeturina. Gjithashtu shkruan se ky nuk thith vetëm pluhurat, por ti i mbush depozitën me ujë dhe mund të lajë shtëpinë, plus që për mua është shpëtim, më vuri dinjitetin në vend. Nuk kam nevojë të hyj unë e ti nën krevat. Futet ky dhe i bie cep më cep dhomës e gjithë shtëpisë, centimetër më centimetër. Nuk çan dot nga njera anë, del nga tjetër, kërkon shteg të ri, eksploron. Rrugën ia tregojnë sensorët.
– Çudi, si e bën? Si nuk përplaset?!
– Ka sensorë, të thashë dhe memorie, sensorët janë si sytë e njeriut, kontrollon syri rrugën, pastaj hidhet hapi.
– Sa me fat që je, mor burrë, tani që nuk mundem unë, të erdhi fati tek dera. Nuk të kam lënë kurrë të bësh punë shtëpie dhe gatime. Por u dorëzova, ah ky tensioni. Rroftë ajo vajzë që e bleu këtë vegël dhe i vajti mendja për të na nxjerrë nga sikleti.
– Jo, i shkoi të parit mendja djalit tonë, ishte ide e tij. Por vajza ia vodhi idenë dhe shpejtoi ta blejë e para këtë gjënë si sferë jashtëtokësore. Ka ardhur nga Amerika. Ta dish njëherë e mirë, shpikjet e mëdha vijnë gjithnjë nga Amerika.
– Meritat i merr kush paguan, – tha ajo duke u krekosur. Si gjithmonë bashkëshortja ime mbron vajzën, edhe sikur ta ketë gabim. E ka këtë huq. Nuk ke çfarë i thua, e ka zakon të vjetër, ndoshta të trashëguar.
Dy ditë e dy netë u mbylla në shtëpi si Oso Kuka, pa dalë fare jashtë pallatitit ku banoj. M’u kthye vullneti i kohës së rinisë për të studjuar. Rrëmo, lexo, dysho, mbaj shënime, përsërit, provo. Robotin e mbaja njëherë nga krahu i djathtë, pastaj përballë e më tej majtas. Nganjëherë gruaja fuste kryet në dhomën time dhe me zë të ulët pëshpëriste:
– Po e pëson si ai që donte të shpikte aeroplanin në Gjirokastër, po thirr djalin apo vajzën ta vënë në punë, çfarë të duhen ty gjithë këto njohuri për robotikën. Shpikjen e kanë bërë të tjerët, ti mëso vetëm si vihet në punë.
– Me këtë vegël nuk duhen bërë gabime, sakën se ti e kap me duar! Po të lajmëroj se po e prishe, ke për ta paguar nga kursimet e tua. Për kuriozitet, e di që nga manuali mësova se ky nuk hidhet nga shkallët ose lartësitë, shkon deri në buzë, por sensorët i thonë “kthehu, andej nuk ka rrugë kalimi”.
– Ba-ba, nuk e prek me dorë sikur të bëhet kiameti, me këtë vegël merru ti, ku kam unë durim të mësoj si funksionon ky, shumë i ndërlikuar duhet të jetë.
– Jo vetëm kaq, por ky tregon se kush e preku për herë të fundit.
– Tallesh. Pse bën edhe fotografi?
– Të gjitha i bën, – thashë unë duke mbajtur me zor të qeshurën.
Pasi e karikova robotin për herë të fundit, mora guximin ta vë në punë duke i dhënë komandën “Pastro!”. Nisi duke ecur rrëzës së murit, “zhësh-vësh”. Pastaj u kthye duke shmangur rrugën që kishte pastruar, kaloi në një trase të re duke zvogëluar gjithnjë e më shumë sipërfaqen e papastruar. Për pesëmbëdhjetë minuta e mbaroi së fshiri sallonin dhe vetë e gjeti rrugën për në dhomën time. Pika ime e dobët, nënkrevati. Hyri aty dhe i ra sipërfaqes pëllëmbë për pëllëmbë. Pas disa minutash doli triumfator nga nënkrevati duke marrë rrugën drejt kuzhinës. U përkula poshtë krevatit tim për kontroll. Gjithçka e kishte bërë xixë, asnjë fije pluhuri, llams, themi në Gjirokastër. U ktheva tek roboti. Eca pas tij në kuzhinë dhe i lehtësoja rrugën duke ngritur karriget lart. Duke e parë si vallëzonte në kuzhinë ia nisa kënëgës i lumtur duke menduar se për këtë vit të ri më ra bingoja:
Po, le të kthehemi përsëri, koha e kthesave ka ardhur,
Rrotull e rrotull dhe lart e poshtë vallzojmë përsëri,
Oh shpirt, ma provo ta di që më do kaq shumë, roboti im…
– E zeza, – thirri gruaja pas shpinës sime, – roboti më çmendi burrin, po këndon këngët e rinisë!
Janar 2026.