Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Xheni Krypi

Jeta është e shkurtër

Jeta është e shkurtër — o zemër, mos u ftoh,
Mos mbill veç ligësi, se shpirtin ta mbyll në kohë.
Dëgjoni, o njerëz — një thirrje nga thellësia,
Mos e humbni shpirtin në errësirë e ligësia!

Reflektoni sonte, kur heshtja ju flet,
Se çdo e keqe që jepni, një ditë kthehet vetë.
Falni, falni dashuri — mos mbani mëri në gji,
Se urrejtja të verbon shpirtin… dhe të humb si njeri.

O zemër, bëhu dritë — ndriço në çdo errësirë,
Dhuro paqe pa masë, dhuro vetëm mirësi të mirë.
Mos kurseni buzëqeshjen, mos kurseni një fjalë,
Se një shpirt i lënduar shpëtohet me një ngrohtësi të rrallë.

Ndihmoni ata që qajnë në heshtje çdo natë,
Që e mbajnë dhimbjen brenda, pa zë, pa fat.
Zgjatni dorën sot — mos pritni një ditë tjetër,
Se dashuria që jep sot… është drita që mbetet përjetë në zemër.

Ti ike i dashur

Ti ike i dashur, më le në vetmi,
Zemra më qan natë e ditë për ty,
Pa lamtumirë, pa një fjalë,
Veç lotë më mbetën, veç mall.

Ike si era pa gjurmë në shpirt,
Më le në errësirë, më le në një pritë,
Zëri yt humbi si ëndërr në natë,
Dhe unë mbeta vetëm me dhimbjen që s’ndal.

Çdo hap më kujton, çdo vend ka kujtim,
Çdo frymë që marr më duket mallkim,
Të thërras në heshtje, por s’më përgjigjesh më,
Veç zemra më thyhet çdo ditë nga pak.

Pse ike pa fjalë, pse më le kështu,
Me shpirt të copëtuar që endet si erë,
Nëse më dëgjon, kthehu qoftë në ëndërr,
Se pa ty kjo jetë s’ka më asnjë vlerë.

Ti ike i dashur, më le në vetmi,
Zemra më qan natë e ditë për ty,
Do të të dua gjithmonë në çdo përjetësi,
Edhe pse s’je këtu, je brenda meje ti.

Nën maskë

Fytyrë e qetë, por sy që s’ndjejnë,
nën buzëqeshje fshihet helm që vjen.
Afrohesh ngadalë, si hije pa zë,
dhe merr gjithçka pa dhënë asgjë.

Fjalët i hedh si gur mbi plagë,
të ul, të thyen, të lë pa krahë.
Të prish imazhin, të vjedh nderin,
e quan lojë shkatërrimin e tjetrit.

Turpi që s’është i yti, mbi ty bie,
ai rri në hije dhe qesh me hije.
Të shtyn të dyshosh në veten tënde,
të humbësh zërin, të mbetesh në mendje.

Të bën të vuash, pa lënë shenjë,
si plagë që digjet, por s’duket në lëkurë e s’fle.
Të prish ditët, të vjedh qetësinë,
e mbjell errësirë në çdo kujtim.

Nuk ka pendesë, nuk ka kufi,
veç zbrazëti që kërkon të të pijë.
S’është demon që vjen nga ferri,
por njeri i lig që ecën mbi nerva e mbi terr.

E ti qëndron, duke kërkuar dritë,
duke shpresuar se do ndryshojë një ditë.
Por errësira nuk mëson të ndjejë—
ajo vetëm merr… dhe kurrë s’kthehet.

Prandaj largohu, pa kthyer kokën pas,
mos lër shpirtin të bëhet rast.
Se drita jote vlen më shumë se kjo hije,
dhe jeta nuk është për t’u djegur në të tilla grije.

Më bëre të vuaj

Ti vjen me fytyrë të pastër,
por unë e njoh errësirën që mban.
Fjalët e tua duken si kujdes,
por janë thika që presin ngadalë.

Ti ma prish imazhin pa zë,
hedh baltë dhe largohesh si i pafaj.
Më turpëron aty ku duhet respekt,
dhe qesh kur unë mundohem të qëndroj drejt.

Ti s’di çfarë është ndjenja,
veç përdor njerëz si mjete në rrugë.
Më bën të dyshoj në veten time,
derisa heshtja më bëhet burg.

Më bëre të vuaj, pa arsye,
më more pa dhënë asnjë grimë.
Luajte me shpirtin tim si lodër,
dhe e quajte këtë “jetë” e “fitim”.

Por dëgjo mirë këtë herë—
nuk je demon, je zgjedhje e ligë.
Dhe unë nuk jam më viktima jote,
as hija që ti e shkel çdo ditë.

Po dal nga errësira jote,
po marr frymë pa ty më në fund.
Ti mbetesh bosh, siç ke qenë,
ndërsa unë po bëhem më i fortë se kurrë.

Më vrasin në heshtje

Unë jam njeri i mirë, po bota më ka vrarë,
dhurova veç dashuri, mora plagë pa u ndarë,
më buzëqeshën rrejshëm, më lanë në errësirë,
dhe shpirti im sot digjet nga dhimbja pa mëshirë.

Më vrasin në heshtje, në çdo cep të shpirtit tim,
çdo besim u thye, u bë plagë pa shërim,
prapë s’di të urrej, as të bëhem i lig,
se edhe i copëtuar, mbetem njeri i mirë në shpirt.