Albspirit

Media/News/Publishing

Kuvendi i Kosovës nderon kongresistin Eliot Engel

Prishtinë, 24 prill 2026 – Kuvendi i Kosovës e nderoi sot mikun e madh të shqiptarëve, kongresistin amerikan Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill, në moshën 79-vjeçare.

Në seancën përkujtimore të Kuvendit, udhëheqësit shtetërorë dhe grupet parlamentare shprehën mirënjohjet më të thella të popullit të Kosovës për konkresistin Engel, i cili ishte një ndër zërat më të fuqishëm të shqiptarëve, sidomos të Kosovës, në Uashington.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, tha se kongresisti Engel ka një vend nderi në historinë e Kosovës. 

“Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bëshkë edhe me shumë kongresistë e senatorë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit, dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, tha ajo.

Haxhiu tha se Engel u bër zëri i popullit të Kosovës në ditët më të vështira.

“Në vitet e errëta kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Emgel ngriti zërin”, tha ajo. 

“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e [ish-liderit serb Sllobodan] Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, theksoi Haxhiu.

Edhe kryeministri Albin Kurti tha se kongresisti Engel i dha zë Kosovës në çdo kohë.

“Ai nuk hezitoi asnjëherë të ngre zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë”, tha Kurti.

“Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë, që kur u njoh për së afërmi me të”, shtoi ai.

Kurti tha se Engel zë vend të veçantë në mesin e miqve dhe aleatëve të Kosovës.

“Ai donte atë që ne e duam për vete. Në kohët më të vështira për shqiptarët Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë. Interesi i sinqertë për të ardhmen e Kosovës për të cilin punoi aq shumë ishte në qendër të takimeve tona. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe aleatëve tanë perëndimorë ku një vend të veçantë zë Eliot Engel”, tha Kurti.

Ai e citoi një pjesë të fjalës së kongresistit Engel në seancën solemnte të Kuvenditt ë Kosovës në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2018. “Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara’”, kishte thënë Engel.

Liza Gashi, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Eliot Engel bashkëjetoi e bashkëndjeu me shqiptarët e Kosovës.

“Për Kosovën Eliot Engel nuk ishte vetëm një mik i madh në Kongresin amerikan. Ai e kuptoi drejt dhimbjen tonë, e mbrojti të drejtën tonë për liri dhe qëndroi pranë nesh kur rruga drejt shtetësisë dukej shumë e gjatë dhe e vështirë”, tha Gashi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Vlora Çitaku, tha se Engel ka ndërtuar ura të forta lidhjesh mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo tha se gjatë kohës që ka shërbyer si ambasadore e Kosovës në Uashington e kishte kuptuar se sa shumë kishte bërë Engel për Kosovën.

“Eliot Engel e kishte bërë atë që pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë: kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Atëherë e kuptova që misioni im ishte shumë më i lehtë, nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Engel i kishte krijuar për ne”, tha Çitaku,

“Engel ishte zëri që mbështeti Kosovën në ditët më të errëta të okupimit. Ai ishte zëri që mbështeti luftën tonë çlirimtare, pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e reja”, shtoi ajo.

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Eliot Engel ishte natë e ditë në shërbim të Kosovës.

“Kur gjenocidi serb po e sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Kongresin amerikan në Uashington: ishte drita e kongresistit Eliot Engel”, tha Lushaku.

“Për Engelin liria e Kosovës nuk ishte çështje gjeopolitike, ishte çështje morale, ishte lufta e tij personale mes të mirës dhe të keqes”, theksoi ajo.

Artan Asllani nga grupi parlamentar multietnik tha se akterët politikë sot duhet të përmbushin udhëzimet e kongresistit Engel për një Kosovë të lirë e demokratike.

“Ai ishte mik i kosovarëve sepse mbrojti Kosovën dhe nuk mbrojti vetëm kauzën kombëtare, por mbrojti dinjitetin e njerëzve që jetojnë këtu pavarësisht përkatësisë së tyre”, tha ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmëtrinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se Eliot Engel ishte më shumë se aleat politik i shqiptarëve.

“Që nga vitet e represionit ai ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke ngritur vazhdimisht çështjen e të drejtave shqiptare. Ai mbështeti fuqishëm lirinë, ai mbështeti fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s duke kontribuar në ndaljen e tragjedisë dhe në hapjen e rrugës së vendit tonë drejt lirisë. Pas luftës ai vazhdoi të jetë përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit”, tha ai.

“Engel nuk ishte vetëm aleat politik, ishte mik i sinqertë i shqiptarëve dhe zë i fuqishëm i lirisë”, theksoi Tahiri.

 tha se kongresisti Eliot Engel u njoh me shqiptarët dhe me Kosovën përmes komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për afirmimin e çështjes së Kosovës në Uashington. Ai tha se mirënjohje të veçantë meritojnë edhe aktivistët e komunitetit shqiptar në Amerikë, në krye të të cilëve e veçoi emrin e Xhim Xhemës.

Tahiri propozoi që Kuvendi i Kosovës ta themelojë çmimin “Eliot Engel” që t’u ndahet personaliteteve botërore që kanë dhënë kontribut të veçantë për lirinë, pavarësinë e shtetndërtimin e Kosovës. Po ashtu, propozoi që në hapësirën e Kuvendit të Kosovës të vendoset një memorial për kongresmenin Engel.