Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Fabulat ngashënjyese të Vangjush Saros

Miku im i hershëm, shkrimtari Vangjush Saro, mbetet një artist zemërdhembshur dhe sarkastik. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me të, kur drejtoja gazetat “Republika” dhe “Ballkan” dhe kur Vango i shtriu synimet e tij edhe në gazetari, duke shpalosur të gjitha mënyrat e mundshme të ligjërimit. Lindur në vitin 1952 në Korcë, diplomuar në fakultetin Histori -Filologji, pas një karriere të gjatë letrare dhe publistike në Tiranë, prej disa vitesh jeton në Vankuver, provinca British Columbia (Kanada).

Ai mban dy çmime kombëtare: Për librin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe për novelën “Polic Këmbëvogli”. Disa nga krijimet e tij letrare e publicistike janë publikuar edhe në gjuhë të huaja. Shkrimtar me disa romane të sukseshëm si: “Kurora e Ballkanit”, “Misioni”, “Misioni i z. Ndrio”, “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit”, etj.

Ai është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar gjithashtu skenarë për filma dokumentarë dhe vizatimorë, si dhe pjesë teatrale. Pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij artistike, është gjithashtu proza për të vegjëlit, tregimet dhe novelat gazmore. Në këtë fushë, janë të njohur sidomos librat “Një ditë pa mamin”, “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”. Vangjushi ai ka preferuar t’i qëndrojë besnik gjinisë së fabulës, duke mbetur një ndër të fundmit e fabulistëve shqiptarë. Mbaj mend që dikur më ka thënë: “Fabula nuk bëhet me, ide por me fjalë. V. Saro është një emër i fismë i fjalës dhe i trillimësisë së kulluar. Krijimtaria e tij mbetet një manifestim i lirisë, një mësim autenticiteti dhe vërtetësie. Në këtë kuptim ai mbetet sa klasik, aq dhe modern; një alkimist i hollë i realitetit të dhimbshëm, i ndjeshëm ndaj kohës së tij, ngulmues, kritik, satirik, dramatik, me mendje të kthjellët, sipas një doktrine të vërtetë estetike, të pasur e koherente, që ka si bosht nocionin e modernitetit, duke u shkëputur nga “kanunet” e mëparshme letarare, pa e bërë “tabula rasa” të kaluarën.

Fabulat e Saros janë ngashënjyese, duke ngacmuar ndjeshmërinë tonë në misteret e ekzistencës dhe mosekzistencës, duke përfshirë hapësirën ku kryqëzohen botët e kundërta, të vjetra e të reja. Krijimtaria e tij fabulistike, ashtu si ajo në prozë, është voluminoze, përmbledhur në libra të sukseshëm si: “Gomar apo Kaproll?”, “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?”, “E dashur Dhelpër!”, “Drenusha që humbi rrugën”, “Dear Fox!” (në anglisht) dhe “L’Âne et le Chevreuil” (në frëngjisht), e shumë të tjera, që vijnë me mesazhe dhe dritshmëri të papërsëritshme. Në këtë album veprash V. Saro ka vënë tërë dhembshurinë, tërë dashurinë dhe urrejtjen, duke e vënë veten në zemër të modernitetit në lëvizje dhe duke mos rënë viktimë e mistifikimit të progresit. Saro ka ditur të thyejë kallëpin e vjetëruar të imazheve tradicionale dhe ta lidhë poezinë e tij me realitetin që evoluon, tharm i përvojave që përtërihen vazhdimisht. I hodha një sy fabulave të kohëve të fundit, publikuar në faqen e tij në fb.

Në fabula si” Dallga”, “Njeriu dhe hija”, “Krimb”, “Hiena”, etj. autori ka pranuar konceptimin kristian për universin dhe fatin e njeriut, kundërvënien midis së Mirës dhe së Keqes. Fabulat shquhen gjithashtu për pasurinë e fjalorit, trajtat e sakta sintaksore, elegancën, ritmin dhe magjinë e muzikalitteit. Një origjinalitet i veçantë, që ndërton një model estetik modern, ku imazhet kanë një fluiditet pothuaj muzikor dhe alegoria e metafora plotësojnë njëra tjetrën.

DALLGA

Një Dallgë ndiqte shoqen në detin e vjetër…

Dhe befas iu shkrep ta arrinte patjetër.

Filloi të përhidhej e shkumëzohej fort,

‘garoi’ gjithë ditën, por nuk e kapi dot.

Së fundi (e ngrata) e lodhur, u shua

në Bregun që bënte gjumë të trazuar…

NJERIU dhe HIJA

Hija në muzg është e gjatë

edhe njeriu,

që s’e ha thatë,

i flet asaj kinse me ton:

“Se mos merr kot moj,

më dëgjon?

Jam unë pa je ti. Tutkune!”

“Vërtet, ia pret ajo, por ti s’je unë!”

Tash tjetri kërkon fjalën për më tej;

por dita është ngrysur me gjithsej…

KRIMB

Krimbi zvarritet në panik

i ndjekur nga një sqep armik,

që hije bën mbi bar e plis

edhe ndërkohë e qesëndis:

“Për nga kështu, o budalla?

Kudo të futesh, do të të ha.

S’e vlen mundimi as një grosh.

I ke mendtë?

Botën do ndryshosh?”

HIENA

Trishtimin bie muzgu mbi savanë,

se atje tutje shpirt po jep Luani…

Dhe tufa po e qan me lot e vaje;

vrerosur dhe Hiena, këng’ e saj:

“Oiii, po pse na le, o yll, o dritë?!

Të mjerët ne, si do t’i ngrysim ditët…”

Por me të perënduar sytë ‘i madhi’,

(e dita s’ishte ngrysur)

ndërroi avazi:

“O plehrë, o katil, na nxive jetën;

pas teje veç rrëmonin ç’kishte mbetur.

Kujtoje se të donim, kjo ish lojë…”

Ç’ Hienë ‘kurajoze’! S’e mbyll gojën…