Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: MBRETI? KU ËSHTË AI?

Ese

Interesi im për pikturat e Velazquesit ka qënë interesi i natyrshëm i një njeriut që ka patur adhurimin për njërin nga piktorët më të mëdhenj të njerëzimit. E megjithatë, është vizita ime e parë në Madrid, në vitin 1997, që më dha dhe rastin që të vizitojë Prado Museum dhe të shoh nga afër gjashtë piktura origjinale të Velazquez. Mes tyre dhe ‘Las Meninas’. Këto ditë, kur shtypi anglez flet i entuziamuar për ekspozimin për herë të parë të ‘Las Meninas’ në ‘National Gallery of Art’ të Londrës, në pjesën veriore të Trafalgar Square, kujtimi i vizitës sime të parë në Madrid më vjen vetvetiu. Për mua, Madridi është ‘Las Meninas’ i Velazquezit.

‘Las Meninas’ është njëra nga pikturat më enigmatike, por dhe më të thella, më të fuqishme e më intigruese të Artit Botëror. Është një vepër që, për ca arsye jo shumë të qarta, më krijon një asosacion të mistershëm me ‘Melankolia’ të Albert Dürer dhe pikturat e Boschit. Edhe pse të tre këta piktorë janë aq të pangjashëm me njëri-tjetrin. ‘Las Meninas’ mbetet dhe piktura më e interpretuar deri më sot nga të gjithë veprat e Artit, jo vetëm se është dhe përfaqësuesja më e madhe e artit piktoral në kulturën Perëndimore, por njëkohësisht se është vepra më shumëplanëshe dhe më enigmatikja. ‘Las Meninas’, në mënyrën më paradoksale, duke qenë më e interpretura,mbetet më pak e njohur nga të gjitha veprat e tjera të artit. Michel Foucault i ka kushtuar njërin ndër studimet e veta më serioze filozofike dhe strukturale veprës së Velazquez, duke aplikuar në studimin e ‘Las Meninas’ atë që ai e quan ‘Arkeologji të dijes’. E prapë as studimi i Foucault- dhe mijëra studime të tjera nuk kanë qenë as shteruese dhe as të kënaqshme. Piktura e Diego Velazquez mbetet shembulli i veprës së hapur, që pranon me mijëra interpretime, interpretime të cilat sa më tepër i afrohen kuptimit të vërtetë të Pikturës ,aq më shumë i largohen asaj.

Le t’i afrohemi vizualisht veprës ‘Las Meninas’. Nga pikëpamja kompozicionale, piktura ka tri vatra përqendrimi (fokale) brenda kompozimit- Figura e Infantes Margarita e rrethuar nga La Meninas, figura e Vezaquezit në studion e tij (në sfond duken të ekspozuar dy piktura të Rubensit) dhe figurat e Mbretit dhe Mbretëreshes. Piktura, e cila duhej të ishte një portret i Mbretit dhe i Mbretereshës, në fakt është një pikturë paradoksale-Mbreti dhe Mbretëresha shfaqen vetëm të reflektuar në një pasqyrë në cakun e errët fundor të një dhome me tavane të lartë. Ne, shikuesit e tabllosë, shohim atë që shohin Mbreti dhe Mbretëresha: alarmin e las Meninas dhe të Infantes Margarita që vënë re praninë e Monarkëve. Mbreti dhe Mbreteresha supozohen të jenë jashtë tabllosë, por reflektimi i tyre në pasqyrë i vendos ato brenda tabllosë. Vështrimi i Infantes dhe i shërbyesve të saj janë drejtuar nga vendi ku janë Monarkët. Realisht vetë Mbreti është duke pozuar para Velazquez-it, piktorit mbretëror, i cili shfaqet i zymtë, dhe dinjitar tek na vështron që pas telajos. Velazquez duket sikur na thotë se ai është duke parë atë që shohin Monarkët: një botë të vogël dhe të ankthshme. Infanta ndjehet nervoze dhe e shqetësuar nën vështrimin e Las Meninas (Damave të Veshjes). Dy xhuxhët dhe qeni janë atje që të krijojnë skena gazmore. Por prapë skena nuk është gazmore, edhe kur njëri nga xhuxhët shkelmon qenin. Është bota e vogël dhe e pasigurtë e Oborrit dhe e Oborrtarëve. Është një botë që reflektohet në pasqyrë dhe po nga pasqyra ne e kuptojmë se është bota e vëzhguar nga Monarkët. Skena është thellësisht teatrale, e shtirë, të gjithë duken sikur nxitojnë të aktrojnë sa më mirë rolet e veta: të gjithë, veç Velazquez. Në derën e largët të sfondit fundor duket një burrë që sapo hyn duke sjellë lajmet më të fundit të Perandorisë së pafundme.Por edhe ky është jashtë fokusit të Piktorit, dhe ekziston në tabllo vetëm e vetëm nga reflektimi në pasqyrë. Vetë tablloja kthehet në një lojë pasqyrash. Piktura është kështu një meditim për natyrën e përfqaësimit dhe realitetit, artit dhe natyrës. Teoria e Artit në Renesans e vendos intelektin në qendër të krjimtarisë artistike. Në ‘Las Meninas” iluzioni i realitetit të përditshëm ka prioritet. Është piktura e pikturës iluzionistike. Velazquez shfrytëzon mjeshtërisht kontrastin e ngjyrave, duke ndriçuar pamjen ballore, njerëzit në figura solide në poza nga më të ndryshme dhe hapësiren e gjerë, të hijshme që i rrethon këto figura. Gjashtë figurat ballore reagojnë nga hyrja e mbretit në mënyra të ndryshme. Luka Giordano, jo shumë kohë pas vdekjes së Velazquez, e ka quajtur “Las Meninan” Një Teologji të Artit të Pikturës… Realiteti, ajo që ekziston, vihet në rrezik nga iluzioni i identiteteve. Piktura kthehet kështu në një pasqyrë magjike… I vetmi realitet duket se është portreti i Velazquezit, i cili, me praninë e vet të fuqishme,duket sikur thotë- Monarku i vetëm jam unë, Mbreti i vetëm është Artisti, është Shpirti njerëzor, është Intelekti, është Dija dhe vetëm këto mund të krijojnë realitete mbi realitetet ekzistuese dhe iluzive, Mbretëri mbi Mbretëritë…

Por, ndryshe nga ç’mund të mendojnë mendjet sekmatike, e gjitha kjo nuk ka të bëj me ndonjë pakënaqësi të Velazquezit ndaj Monarkut të vet, Filipit të Katërt, i cili ishte një njohës i shkëlqyer i Artit dhe i cili qe mbrojtësi, përkrahësi dhe dashamirësi më i madh i Velazquez dhe i shumë piktorëve të tjerë gjenialë. Çështja është se vetë Monarku, po aq sa dhe piktori gjenial, e kishte pranuar rolin suprem të Artit, avantazhin e mbretërimit të përjetshëm të Artit në raport me Mbretërimin e përkoshëm politik. Është vetëdija se Krijuesi i Madh, edhe kur jeton në Oborrin e një Mbreti, është ai Monarku i vërtetë, se në të vërtetë janë të tjerët, duke përfshirë dhe vetë Mbretin, ata që janë oborrtarët, ata që jetojnë në të vërtetë në Oborrin e Piktorit a Poetit të Madh… Velazquez i qe bashkuar Oborrit Mbretëror që në moshën 24 vjeçare dhe vetë Mbreti, sipas një bashkëkohësi, ishte ftuar nga piktori i madh gjatë seancave kur krijonte ‘Las Meninas’, duke ia zgjatur atij furçën, që të shtonte në iabllo dhe ai diçka nga vetja e vet. Pa harruar dhe atë britmën e Mbretit pasi dëgjoi për vdekjen e Velazquezit: ‘Vdekja e tij është rrënimi im,,. Është koha kur Monarkët dhe udhëheqësit e pranojnë Artin, Dijen, Intelektin si vlerat sublime të Njeriut. Është Koha e Artë kur Arti pranohet si e kundërta e banalitetit, vulgaritetit, dhunës, idiotësisë, baltës, vagabondazhit, kobures në pushtet dhe në politikë!

Vendosja e Vetë-Portretit të Velazquezit në ‘Las Meninas’ i ngjan rastit të Fidiasit, skulptorit dhe piktorit të famshëm të Greqisë i cili e pat vendosur portretin e vet në mburojën e Perendeshës Minerva, në atë mënyrë, që, po qe se portreti i Fidiasit do të hiqej, do prishej e gjithë skulptura e Minervës. Perëndesha Minerva nuk do të mund të qëndronte pa portretin e Krijuesit, po ashtu si dhe piktura e Velazquez pa portretin e vet. Edhe Velazques dhe vetë Monarku tashmë e kishin shpallur dhe pranuar të vërtetën se Minerva, Zotat tokësorë, Perandorët dhe Mbretërit nuk mund ta shkatërronin Artin, Intelektin, Dijen, sepse, në çastin kur do të pranonin ta hiqnin figurën e krijuesit, ato do të mohonin vetveten.

Miqtë e mi që jetojnë, në Tiranë, do më kuptojnë më mire për këtë shkrim modest për Velazquez. /exlibris.al