Andrea Gudha: Mjekësia-mozaik kulturor
Pjesa e parë
Redaktor: Çerçiz Loloçi.
Albspirit, Tiranë 2026.
“Unë nuk jam mënjanuar nga shoqëria por, nga punët e saj të rëndomta e, para së gjithash, nga ato të miat… Po mbledh përvoja, që do të mund t’u shërbejnë të tjerëve… ose, në qoftë se do ta themi në mënyrë të figurshme, po përgatitem t’u dërgoj ilaçe të dobishme, që i kam provuar më parë në plagët e mia, disa, prej të cilave m’i kanë shëruar plagët plotësisht, kurse disa të tjerave u kanë vënë kore”.
Letra VIII e Senekës, drejtuar Lucilit, dy mijë vjet më parë.
PËRMBAJTJA
I. MJEKËSIA
1. Në kujtesën e një mjeku
2. Mjekësia
3. Mjekësia dhe mjeku
4. Mjekësia dhe mjeshtëria e Artit
5. Tempujt e mjekësisë moderne (shek.XIX – XX-të)
6. Ndodh edhe kështu…
II. NË LABIRINTHET E MJEKËSISË
7. Pandemitë dhe Njerëzimi. Covid-19
8. Një sëmundje si, asnjë tjetër sëmundje
9. Mjekësia në epokën dixhitale
III. NJERIU, MJEKËSIA, MUZIKA
10. Njeriu dhe muzika
11. Muzikoterapia
12. Energjia muzikore
13. Apologjia e Çajupit në mëmëdhe
I. MJEKËSIA
- Në kujtesën e mjekut
(Kazuistikë pediatrike)
Trokitje
15 Qershor 2001. Ishte një ditë e zakonshme pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Një nga kolegët e mi të punës më thotë se dikush kërkonte të më takonte, por nuk lejohej të hynte te porta. I telefonoj punonjësit të shërbimit që ta lejojë.
Në zyrë hyn një burrë dhe më thotë:
– Doktor a më mbani mend?
U mundova që t’i thërrisja kujtesës, por nuk po më ofronte fytyra e tij të njohur.
Në çast ai më thotë:
– Doktor, jam nga Memaliaj, babai i S.T, që ka qenë shtruar në Pediatrinë e Gjirokastrës, me Tetanos në vitin 1986. Nuk kam asnjë hall, erdha vetëm për t’ju takuar, për tu shprehur mirënjohje…
Menjëherë rasti m’u kujtua shumë mirë, megjithse kishte kaluar një kohë e gjatë, 15 vjet.
Mu kujtua në çast gjendja tepër e rëndë e fëmijës, manipulimet e shumta mjekësore që ju bënë, ndaj me ndrojtje e pyes:
– Si e ke vajzën me shëndet?
– Vajzën e kam shumë mirë me shëndet. Tani është nxënëse në shkollën e mesme “Harry T. Fultz” në Tiranë dhe shkon shumë mirë me mësime. Do të vi një ditë, sëbashku me vajzën që, t’iu takoj – më thotë i gëzuar.
– Ju pres me kënaqësi – i thashë.
Atë ditë, nga rutina e punës së përditshme në zyrë, kujtesa mu ngacmua…!
Më dolën para imazhet e punës sime në vite më parë, si mjek pediatër – reanimator dhe si shef pavioni në spitalin e Gjirokastrës, si nëpër një film bardh e zi, ku personazhet ishin jeta dhe vdekja dhe, ku luftohej çdo ditë në emër të jetës…
Bluza e bardhë e stetoskopi, “Mirëmëngjes, doktor!”, ngritja e Reanimacionit të Pediatrisë (fëmijë në gjëndje të rëndë nga Gjirokastra, Përmeti, Tepelena), fëmijë të shëruar, fëmijë të vdekur, ankth, urgjencat, netë pa gjumë, falenderime prindërish, prindër të hidhëruar, mjek roje, konsultat, marrëdhëniet me kolegët e me infermieret, diagnoza të rralla, morgu i spitalit, laboratori klinik e bakteriologjik, punksionet e lamat për përcaktimin e diagnozës, farmacia, konferencat anatomo-klinike, diskordancat klinike minore e majore dhe anatomo-klinike, vdekje të papritura, raste mjeko-ligjore, disertacioni Kandidat i Shkencave, sesionet shkencore, simpoziumet, Konferenca Kombëtare e Shoqatës Mjekësore – Tiranë.
Librat e pediatrisë për konsultim si: Traktati Robert Debre (dhuratë nga kushërinjtë e mi nga Athina, viti 1977), biblioteka e qytetit (revista mjekësore e përmuajshme Archives de Pédiatrie), konsultat telefonike me mjekët e Spitalit të Pediatrisë – Tiranë, Shoqata mjekësore – Gjirokastër, marrëdhëniet me Shoqatën e Mjekëve – Janinë.
Vizitat mjekësore në Q.SH. Picar, shkëputja nga spitali, puna si mjek pediatër privat… (1992-1994).
Ardhja në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 1995, me Ministër Maksim Cikuli.
Në shtëpi, me pa durim, kërkoj në bibliotekën time. Gjej përshkrimin e rastit me makinë shkrimi të bebit 3 ditësh të shtruar në reanimacionin e pediatrisë me diagnozën Tetanos neonator (rasti 64), të sjellë me urgjencë nga Memaliaj. Përshkrimi i rastit shoqërohej me 2 fotografi të bebit dhe një fotografi tjetër, të cilën ma dërgonte i ati i fëmijës, duke më uruar për Vitin e Ri, kur fëmija ishte 3 vjeç.
Duke i ruajtur si një pasuri të rrallë të arkivit tim personal, shfletova dhe një sërë rastesh të tjera, në të cilat, unë kam qenë mjek kurues apo konsulent. Sejcili rast ka të veçantën e tij. (Një pjesë e tyre janë botuar në revistat mjekësore dhe janë referuar në sesione shkencore të asaj kohe).
Më ngacmoi idea që t’i bëj një “supervizion” periudhës time si mjek pediatër e njëherësh të çmallesha me profesionin e mjekut, me fëmijët pacientë e me ish kolegët e mi të punës. Këtë “pasuri” mendova ta ndaj me shumë dashamirësi me miqtë e mi e, sidomos, me kolegët pediatër.
I seleksionova rastet, duke u nisur nga e veçanta në përzgjedhjen e rasteve të rralla në përvojën shumëvjeçare të kolegëve të mi pediatër, si, dhe, me një shpeshtësi të rrallë të përshkruar në literaturën mjekësore të autorëve të huaj.
Janë 80 raste: fëmijë të shëruar si dhe fëmijë të vdekur në pavionin e pediatrisë, të diagnostikuar dhe të mjekuar në mundësitë shkencore dhe në rrethanat e mundshme të komunikimit profesional gjatë periudhës kohore 1980-1992 në Shqipëri.
Shënim: Rastet janë të konsultuara me mjekët e spitalit Gjirokastër dhe me mjekët në spitalin e Pediatrisë -Tiranë.
Vetëm, në vitin 1992, me ndryshimet demokratike, që ndodhën në Shqipëri (me hapjen e kufirit greko-shqiptar), fëmija I.B. (rasti 44)dërgohet për konsultë në spitalin e Janinës- Greqi.
Fillimi i Shek. XXI, fal zhvillimeve në imazheri, në Bio-teknologjinë mjekësore, po favorizon plejadën e mjekëve pediatër, duke i informuar dhe trajnuar vazhdimisht drejt një profesionalizmi të vërtetë në shërbim të fëmijës së sëmurë.
Duke u ndodhur para këtij hopi cilësor në mjekësi, sinqerisht isha i lëkundur për botimin e këtij libri. Në këtë mëdyshje pata një mbështetje morale, si dhe një ndihmesë të çmueshme, fillimisht nga dy reçesentët e këtij libri: Doc. Afërdita Gusho dhe Dr. Teuta Jovani, me vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, të cilat i falenderoj përzemërsisht.
Për të qenë më i saktë shkencërisht dhe, më i qetë shpirtërisht në marrëdhëniet e mia nëpërmjet librit me komunitetin mjekësor, librin e përfunduar, para botimit, me shumë kënaqësi, por dhe me ndrojtje, ja u dhashë për vlerësim tri personaliteteve të shquara të pediatrisë shqiptare: Prof. Dr. Selaudin Bekteshi, Prof. Dr. Thoma Kristo, si dhe shokut e mikut tim të veçantë Prof. Dr. Maksim Cikuli.
Angazhimi i tyre serioz dhe shënimet për librin më inkurajuan për botimin e librit, por njëherazi më obligojnë për të ardhmen.
* * *
Duke lexuar librin “Në kujtesën e një mjeku” (Kazuistikë pediatrike)
Parathënie.
Vjen një kohë që materialin e akumuluar t’ua komunikosh të tjerëve
Prof. Dr. Maksim Cikuli, Janar 2003
Kësaj here, Andrea GUDHA, vesh përsëri bluzën e bardhë të mjekut. Herë të tjera e kemi hasur si muzikant, si kompozitor, si letrar, si historian (histori mjekësie), etj. Ka botuar monografi e punime të tjera me vlerë për pediatrit; ka kompozuar këngë që kanë mbetur në kujtesën tonë, ka botuar libra mbi historinë e Mjekësisë sonë, drejton me dinjitet Shoqatën “Mjekësia, Letërsia, Arti”.
E pra, duket qartë se kemi të bëjmë me një figurë shumë-planëshe.
Por, ç’i lidh gjithë këto plane të shumta të këtij njeriu? Ç’kanë të përbashkëta këto aktivitete, që ndokush mund t’i shohë të shkëputura?
Mendoj, se, ajo që i lidh, emëruesi i përbashkët i gjithë ç’përmendëm, është nevoja e autorit për të eksteriorizuar ato që ndjen. Kështu, ai hedh frymëzimin në pentagram a në letër, kështu kthen dijet e përvojën në monografi apo botime për mjekët, etj. Pra në psikologjinë e tij, nga njera anë vjen frymëzimi apo akumulohen dijet, e nga ana tjetër, vjen një kohë kur ai ndjen “detyrimin”, që materialin e akumuluar t’ua komunikojë të tjerëve… E, në përgjithësi ia ka arritur qëllimit.
Kësaj rradhe ai sjell për mjekët praktikë përvojën e tij si pediatër, kërkon të ndajë me ta, apo të përjetojë edhe një herë raste të vështira, që vite më parë e kanë lenë pa gjumë, raste që edhe për vetë atë, do të ishin më të thjeshta, nëse ndonjë koleg paraardhës i tij do t’i kishte hedhur në letër.
Ndonjë akademik skeptik mund të mendojë se, mjekut praktik s’ka ç’i duhet një përvojë e tillë, ose se atë e merr të gatëshme nga “text-book”-etj.
Mirë, po a më thoni se cili “text-book” tregon se si mund të zgjidhen këto raste në kushtet e një spitali modest province?
A nuk është mirë që dijet e fituara në shkollë t’i shohësh të realizuara në praktikë, ku jo ç’do gjë shkon “sipas librit”?
Ndaj, për këto arësye, mendoj se libri “Në kujtesën e një mjeku” i Andrea GUDHA, nuk do t’u mungojë lexuesve të shumtë!
***
Një libër i ri për pediatrinë
Prof. Dr. Selaudin Bekteshi (Akademik), 4.02.2003
Mjeku pediatër As. Prof. Andrea GUDHA del para publikut mjekësor shqiptar me një botim të ri të titulluar “Në kujtesën e një mjeku”.
Në këtë libër autori bën një paraqitje analitike të 80 rasteve me patologji të ndryshme pediatrike të ndjekura prej tij në spitalin e Gjirokastrës gjatë një periudhe 12 vjeçare. Rastet e përshkruara u përkasin periudhave të ndryshme të moshës fëminore. Rastet kanë qenë problematike dhe relativisht të rënda, duke bërë të nevojshme ndihmën e mjeteve paraklinike, të konsultimeve specialistike dhe në rastet më fatkeqe: anatomo-patologjike.
Me këtë mënyrë veprimi autori paraqet në mënyrë të gjallë klinikën e të sëmurit, ashtu si shfaqet para mjekut me: dekursin, mjekimin, të dhënat laboratorike dhe përfundimin.
Siç shihet këtu nuk kemi përshkrim sistematik të patologjive si në tekstet e traktatet pediatrike, por një individualizim të vërtetë, duke e vënë lexuesin përpara një rasti të caktuar, që kërkon diagnostikimin e mjekimin.
Pra mund të themi se në këtë mënyrë i jepet mundësi mjekut të përvetësojë drejtpërdrejt ato të dhëna e njohuri që i gjen të përshkruara sistematikisht në tekstet e zakonëshme.
Për arësyet e mësipërme autorin Andrea GUDHA mund ta quajmë pionier në plotësimin e literaturës pediatrike shqiptare.
Mendoj se, libri i tij i ri do të jetë i vlefshëm si për pediatrit dhe për specializantët, ashtu, edhe në një farë shkalle, për studentët e mjekun e përgjithshëm.
Nuk dua të lë pa përmendur kujdesin që tregon A. GUDHA për të kujtuar dhe vlerësuar ato mjekë të Gjirokastrës, që janë edhe vlerë e mjekësisë shqiptare.
***
Klinicist me formim klasik dhe me një prakticitet modern
Prof. Dr. Thoma Kristo, Tiranë më 8.01.2003
Kam lexuar shumicën e traktateve kryesore të pediatrisë si edhe tekste të tjera të pediatrisë. Ato kanë vlerën e tyre botërore – me përshkrimin klasik për formimin e studentëve dhe të mjekëve në fushën e pediatrisë.
Në librin e shkruar nga Ass. Prof. Andrea GUDHA “Në kujtesën e një mjeku” gjejmë një element të ri – të paraqitjes së përvojës së një mjeku pediatër edhe pse ka punuar në kushtet e një spitali me një infrastrukturë të mangët të bazës materiale.
Duke lexuar këtë libër, mu kujtua një tekst pediatrie, që e kam lexuar në rininë time studenteske. Ishte i përkthyer nga gjermanishtja.
Më bëri përshtypje se autori e fillonte përshkrimin:
“Hyra në pavion dhe më paraqiten fëmijë me këto apo ato simptoma etj…”.
Autori, në këtë tekst, paraqiste më tepër gabimet diagnostike në jetën e tij, sidomos në rastet atipike.
Në përshkrimin e 80 rasteve të së sëmurëve që paraqet A. Gudha gjejmë një përshkrim origjinal, që nuk e ndeshim në literaturën tonë.
Ai paraqet me modesti sukseset, jo sukseset dhe shfrytëzon të gjitha mundësitë, duke u konsultuar edhe me mjekë të tjerë specialistë, për të arritur qëllimin final – të shpëtojë jetën e fëmijës së sëmurë.
Në këtë libër, autori bën një analizë të sëmurëve me një logjikë të saktë diagnostike, me kompetencën e një klinicisti të formuar dhe me kulturë profesionale. Pra, ai prezantohet në këtë libër si një mjek me tiparet e një klinicisti me formim klasik dhe me një prakticitet modern.
Prof. Andrea GUDHA me këtë libër jep një kontribut të veçantë në ndihmë të formimit të pediatrit në vendin tonë, duke e udhëzuar se si duhet të punohet edhe në kushtet spitalore me infrastrukturë të mangët.
Nuk e tepëroj të jap vlerësimin dhe konsideratën më të mirë për kolegun dhe mikun tim.
Ai ishte nga pediatrit e parë e të pakët, që punonin në rrethe dhe, që, u paraqit në katedër me një disertacion dinjitoz.
Që nga ajo kohë e në vazhdim ai me një punë të admirueshme e ka pasuruar bibliografinë pediatrike në vendin tonë edhe me mjaft botime të tjera në fushën e pediatrisë, letërsisë dhe historisë mjekësore.
***
Referencë për zgjidhje rastesh të vështira
Doc. Afërdita Gusho, Shtator 2002
Libri i Dr. Andrea GUDHA “Në kujtesën e një mjeku” është sa i veçantë për letërsinë dhe praktikën pediatrike, aq edhe i dobishëm për një mjek.
Autori paraqet jo raste të zakonëshme, por raste të ndërlikuara, ku duhej të mendoheshe, të shfletoje literaturë, të veçoje, të ndiqje e të konsultoheshe me kolegët, për t’i ardhur sa më shpejt e sa më mirë në ndihmë fëmijës së sëmurë.
Eshtë një punim që përshkruan raste konkrete, duke e gërshetuar përshkrimin e tyre me anën teorike.
Vlera profesionale e punimit rritet shumë nga përshkrimi i bërë aty edhe i rasteve kur nuk ka patur sukses.
Përshkrimet gërshetohen edhe me paraqitjen e ndërgjegjes së lartë të mjekut e të personelit tjetër spitalor, si edhe të komunikimit të duhur me prindërit e fëmijës.
Të gjitha këto e bëjnë librin shumë tërheqës.
Dua të theksoj, si një nga anët e mësimdhënëse të librit: punën e autorit për t’i sqaruar rastet jo vetëm me kolegët që ka pasur përreth, por edhe me ata që kanë qenë larg tij, kur ka gjykuar se kjo ishte e dobishme.
Për vlerat që paraqet libri theksoj se libri “Në kujtesën e një mjeku” i dr. Andreas është i pari dhe i vetmi i këtij lloji në literaturën mjekësore në vendin tonë, duke qenë kështu, punim shumë i vlefshëm për të gjithë pediatrit, veçanërisht për ata që punojnë në spitale.
***
Jeta e vërtetë e një mjeku të përkushtuar, që observon dhe përjeton gjithçka
Dr. Teuta Jovani, Shtator 2002
Duke përfunduar së lexuari librin e mjekut Andrea Gudha “Në kujtesën e një mjeku” mbetej i entuziasmuar me cilësinë e tij si mjek dhe letrar, jo vetëm për të mjekuar, por edhe për të paraqitur me hollësi e elegancë atë ç’ka përjetuar gjatë punës së tij si mjek pediatër pranë shtratit të fëmijës së sëmurë, në spitalin e Gjirokastrës.
Pikërisht, në këtë libër, janë paraqitur 80 raste të nozologjive dhe të diagnozave nga më të ndryshmet të moshës fëminore, që kanë përfunduar: të shëruar dhe të vdekur, vdekje të papritura dhe raste mediko – ligjore.
Krijon një ndjesi të veçantë shpirtërore dhe respekt për punën sa të vështirë dhe humanitare të mjekut, e cila i shpërblehet atij me ndjenja të pashlyeshme nga kujtesa, përpjekjet e bëra për të shpëtuar këto krijesa të pafajëshme dhe për t’i kthyer të shëruar, në gjirin e familjes.
Ky moment është gjëja më e bukur shpirtërore për atë ç’ka ai arrin, por fatkeqësisht, mjeku ka edhe momente traumatike me efekte të forta emocionale, megjithë përpjekjet dhe mundësitë që ai bën.
Pra, kjo është jeta e vërtetë e një mjeku të përkushtuar, që observon dhe përjeton gjithçka.
Njëherësh, ky libër është një Kujtesë për të gjithë mjekët pediatër, veçanërisht për mjekët e rinj, që nuk kanë punuar në periudhën e mëparëshme, sepse, tani, pas viteve ‘90-të, hallkat e zinxhirit mjekësor, kanë ndryshuar, duke bërë të mundur uljen e frekuencës së këtyre sëmundjeve.
Por, aktualisht, në praktikën e përditëshme, herë pas here, ne ndeshemi me rishfaqjen e tyre dhe është momenti, që seicili të sjellë në kujtesë detyrën e mjekut, për t’i prevenuar, diagnostikuar dhe mjekuar këto sëmundje në kohën e duhur.
Libri “Në kujtesën e një mjeku” i mjekut Andrea Gudha shpresoj të jetë një “Mikro – Vademekum mjekësor, praktik”, që do të zerë një vend të rendësishëm në bibliotekën e mjekëve pediatër, ku do të gjejnë elementet e: Profesionalizmit, të Metodikës, të Kolegjialitetit, të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë
…Në zhvillimin e Pediatrisë në Shqipëri kanë dhënë ndihmesë edhe H. Sulçebe, S. Bekteshi, R. Buda, Xh. Basha, Th. Kristo, Xh. Gjylbegu, Afërdita Gusho, Kostandin Kauri, Teuta Jovani, Polikron Celo, Kimete Nikshiqi, Andrea Gudha etj.
Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Vëllimi i tretë, 2009. Pediatria.
***
Homazh nderimi dhe mirënjohje figurave të shquara të Mjekësisë shqiptare:
Dr. Vasil Jorgji (pediatër), profesori tim i parë në Pediatri në spitalin- Gjirokastër.
Dr. Vasil Laboviti, (kirurg) figura emblematike e qytetit dhe e Mjekësisë Shqiptare.
Prof. Dr. Selaudin Bekteshi. Akademik. Hodhi bazat shkencore dhe tekniko- organizative të shërbimit pediatrik në nivel kombëtar. Drejtor i spitalit pediatrik, Tiranë (1960-1969), shef i katedrës së pediatrisë (1959-1988). Autor i shumë teksteve pediatrike, ndër to, veçohet Traktati i Pediatrisë I-II, viti 1974.
Doc. Afërdita Gusho: Shefe reparti, shefe klinike, Drejtore e spitalit pediatrik, Tiranë (1969-1975).
Prof. Dr. Thoma Kristo: Themelues i shërbimit të kardiologjisë për pediatrinë në nivel kombëtar. Shef reparti (1960-1970), shef klinike (1970-1992), shef i katedrës së pediatrisë (1988-1992). Autor i shumë teksteve pediatrike, në veçanti për kardiologjinë pediatrike.
Dr. Teuta Jovani: Themeluese dhe Shefe e reanimacionit pediatrik. Shefe e klinikës së pneumologji-alergologjisë në spitalin e pediatrisë, Tiranë.
Prof. Dr. Maksim Cikuli lindi në Korçë në vitin 1952. Mbaroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë UT, me “Medalje të artë” në vitin 1974.
Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm në Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979 -1981 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë.
Në Paris studioi Gjenetikë në Spitalin Necker. Hodhi bazat e Gjenetikës shqiptare, duke qenë pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1994 mbron titullin Profesor.
Gjatë periudhës 1992 – 1994 shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe Shef i Departamenti të Pediatrisë.
Në vitin 1993 – 1994 drejtor i QSUT “Nënë Tereza”.
Ministër i Shëndetësisë gjatë viteve 1993-1997 dhe 2005-2006. Deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Njohës dhe lëvrues i letërsisë artistike (përkthyes).

2. Mjekësia
Mjekësia është një “Dramë” e shkruar nga njerëzimi ndër shekuj. Mjeku duhet të luaj gjithmonë rolin kryesor gjatë gjithë jetës së tij në këtë dramë.
Jo, rrallë herë, “Drama” ka përfundim tragjik…!
Hyrje
Mjekësia ose Medicina (lat. ars medicina = arti i shërimit) merret me shëndetin dhe parandalimin, njohjen edhe shërimin e sëmundjeve dhe lëndimeve.
“Mos bëj dëm” titullohet libri bestseller i neurokirurgut anglez i ditëve të sotme Henry Marsh, i përkthyer dhe i shqipëruar në mënyrë të përsosur nga eminenca e neurokirurgjisë shqiptare Prof. Mentor Petrelae Dr. Florian Dashi.
Vetë titulli i librit është intrigues. Eshtë një libër histori njerëzore (mjek-pacient) i shkruar në formë novele, ku autori dhe përkthyesi, nëpërmjet ndjenjave të tyre profesionale e jetësore, flasin me një gjuhë të përbashkët për pacientët e për mjekësinë.
Henry Marsh citon: “Mjekësia është propabilitet.Ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen e pacientit me siguri. Ne shpesh bëjmë gabime, jemi të njëanshëm dhe gjykimi ynë nuk është i mirë. Ne nuk e kurojmë pacientin, por ne e ndihmojmë që të jetojë edhe ca vite më shumë” dhe vazhdon: “Në një botë ideale mjekësia është një mision, ku mjeku bën më të mirën për pacientët e tij. Jo për të bërë para! Në kushte ideale duhet të jetë shteti ai që duhet të paguajë shëndetin e popullit për hir të barazisë shoqërore”.
***
Mjekësia e shek. 21-të ka venë në pikpyetje sistemet shëndetësore të trashëguara nga shek. 20-të.
Në Shekullin e 21-të, pas vitit 2010, kemi një progres të jashtzakonshëm të shkencës së mjekësisë, fal Teknologjisë mjekësore dhe Industrisë farmaceutike.
Por, Shkenca e Mjekësisë dhe Mjeku, sot, duken se janë nën ”pushtetin” e tyre!
Problem sa shkencor e etiko-moral dhe, po aq i shtrirë në rrafshin psiko-social!
Europa, sot po përballet me një sërë sfidash të rëndësishme në fushën e shëndetësisë.
Ajo përballet, nga njera anë me:krizën ekonomike, plakjen e popullatës e progresin teknologjik- virtual dhe, nga ana tjetër me: shëndetin e njeriut, që jeton në një botë globaliste e të ekonomisë së tregut dhe, që, është në vartësi financiare të progresit të teknologjisë mjekësore dhe të industrisë farmaceutike.
Në ditët e sotme, Sistemet Shëndetësore gjënden nën presionin e katër faktorëve revolucionarizues, që imponojnë, por edhe mundësojnë ndryshime substanciale për funksionimin sa më efikas të tyre:
1.Faktori social, lidhet me evolucionin dhe demokratizimin shumëplanësh shoqëror, si përparësi e prioritet duhet të jenë të drejtat e individit lidhur me kujdesin shëndetësor.
2.Revolucioni teknologjik i lidhur me novacionet e mjeteve, aparaturave, barnave, metodave e procedurave të reja shëndetësore në përputhje me etikën mjekësore.
3.Revolucioni informatik, lidhur me progresin e sistemeve shëndetësore drejt modernizimit, ku një rol të rëndësishëm ka ndikuar kompjuterizimi (dixhitalizimi)i të gjithë hallkave të sistemit shëndetësor.
4.Revolucioni menaxherial. Koncepti i trajtimit të shëndetit të njeriut si produkt i një institucioni shëndetësor dhe, kostua e lartë e teknologjisë mjekësore e asaj farmaceutike, sollën në krye të sistemeve shëndetësore, konceptin e menaxhimit shëndetësor, si faktor përcaktues të përballimit të kostos financiare të shërbimeve shëndetësore (kosto-efikasitet), që ofrohen në raport me burimet e disponueshme të çdo vëndi, sado i zhvilluar qoftë…
Të katër faktorët e mësipërm treguan nivelin dhe fuqinë e tyre vepruese gjatë situatës emergjence në përballje me Pendeminë e Covid-19 në shtete të ndryshme, sa do të fuqishme që ishin, qoftë në SHBA, apo në kontinentin evropian!
***
Sistemi shëndetësor i një vendi është “pasqyrë” e Qeverisë së vendit përkatës.
Shërbimi mjekësor është “pasqyrë” e Sistemit Shëndetësor.
Mjeku është “pasqyrë” e shefit të Shërbimit.
Kryeinfermierja është “pasqyrë” e shefit të shërbimit apo klinikës!
Baron de La Brède et de Montesquieu, (shkrimtar, filozof francez, shek. XVIII), shkruante: “Nuk janë mjekët që na mungojnë, por është mjekësia, që na mungon”.
Në ditët e sotme kemi frikë se mos është e kundërta dhe, mund të thuhet: “Nuk është mjekësia, që na mungon, por na mungojnë mjekët e vërtetë”.
Evropa, po kërkon për të gjetur mënyra të reja për mundësitë e punësimit në Sistemin shëndetësor. Kjo ka të bëjë me evolucionin e profesionit të mjekut në drejtim të edukimit dhe formimit profesional.
Në këtë mjedis mjaft të brishtë, Bashkimi Europian, si gjetje rrugëzgjidhjeje ndaj kësaj përballjeje, është i përqëndruar tek: Arsimi, Mësimdhënia dhe Formimi profesional i detyrueshëm gjatë gjithë jetës.
Këto probleme, sot janë të përbashkëta për vendet e zhvilluara, ndaj shtrohet një problem madhor para tyre që, Sistemet Shëndetësore të Komunitetit Evropian duhet “të harmonizohen dhe jo të njësohen”!
Bota sot kërkon jo vetëm specialistë të aftë nga pikëpamja profesionale, por edhe njerëz të mësuar, të aftë të vendosin analogji, të jenë kreativë, mbartës të krijimtarisë, gjë për të cilën kërkohet zotërimi i njohurive të përgjithshme profesionale e kulturore.
Që në vitin 1937, Rene Leriche (kirurg, fiziolog francez) në leksionet e tij në Kolegjin e Francës, deklaronte:
“Mjekësia, e tërhequr nga një vorbull zbulimesh, është si e trullosur. E dehur nga analizat dhe nga gjërat e reja, ajo aspiron për një minutë sintezë. Pa e pranuar, ajo ka frikë, ndien rrezikun, të cilit, nuk do të mund t’i rezistojë. Ky rrezik është harrimi i njeriut, që është objekti i saj, NJERIU, si një qenie njerëzore në një organizëm të vetëm prej “mishi dhe ndjenje”.
Dija, përvoja, gjykimi i shëndoshë i mjekut luajnë gjithnjë një rol kryesor në marrëdhëniet me pacientin. Kjo punë komplekse, sa profesionale e humane, nuk mund të kryhet asnjëherë nga një makinë elektronike, sepse ajo nuk mund të ketë asnjëherë “ndjeshmërinë, nuhatjen dhe syrin klinik”.
Mjekësia është në kërkim të përhershëm të arsyeve dhe të shkaqeve, që shpjegojnë pasojat në organizmin e njeriut.
Vet shkenca e mjekësisë nuk është shkencë ekzakte. Mjekësia është shkencë e integruar me të gjitha shkencat e tjera dhe ecën paralel me progresin e tyre. Kjo kërkon, që, dhe mjeku si profesionist i shkencës së mjekësisë, duhet të ketë një formim profesional integral dhe të plotësuar me kulturën e përgjithshme në praktikën profesionale.
Një dallim thelbësor duhet të bëhet midis kulturës së përgjithshme profesionale dhe kulturës të specializuar në një fushë të caktuar të mjekësisë.
Mendja e kultivuar e një mjeku me kulturë të përgjithshme, pas observimit, anamnezës dhe vizitës mjekësore tek pacienti, ai, në njësinë e kohës, e grupon informacionin, e zgjedh dhe e përzgjedh, e analizon, e gjykon, e racionalizon, e përpunon dhe, krijon planin strategjik, që duhet të ndërmarrë tek pacienti.
Specializimi në Mjekësi është një pasojë e detyrueshme dhe kusht i progresit të shkencës së Mjekësisë në përgjithësi. Sa më i ngushtë të jetë një specialitet, aq i domosdoshëm është zotërimi i tij, ashtu siç duhet. Thuhet se specialisti di shumë në një fushë të ngushtë dhe ai mund të mos dijë atë çka nuk bën pjesë në specialitetin e tij.
Edgar Morin (filozof dhe sociolog francez, shek.XX-të) citon: “Specializimi është një sakatim i mendimit”.
Disiplinat e specializuara në të vërtetë kanë prirjen ta copëzojnë organizmin e njeriut. Por, qeliza, indi, organi janë pjesë e së tërës, që përbëjnë në tërësi, nga ana organike dhe funksionale, organizmin e njeriut.
Në mjekësi, vuajtja e një organi duhet vlerësuar si pjesë e gjithë organizmit të njeriut. Kjo kërkon sot kujdesin holistik ndaj organizmit të sëmurit dhe, jo, vetëm në aspektin biologjik.
***
Fakultetet e Mjekësisë janë shkolla profesionale
Misioni i Shkollës mjekësore apo i Fakultetit të Mjekësisëështë të plotësojë dy kërkesa të domosdoshme për studentët:
Formimin profesional dhe formimin e mendjeve me kulturë të përgjithshme, pa neglizhuar as njerën e as tjetrën.
Ato mësojnë jo vetëm “një dije” për shëndetin e njeriut por, gjithashtu, edhe njohuri të përgjithshme për mënyrën e të jetuarit, që luan një rol shumë të madh në artin e marrjes së anamnezës së të sëmurit: të pyeturit, observimi, reflektimi me gjykimin e shëndoshë dhe shpirtin kritik, me dhembshuri, me ndërgjegje dhe me respekt ndaj dinjitetit human.
Programet mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, metodologjia, pedagogjia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies, infrastruktura didaktiko-pedagogjike, praktikat paraklinike dhe klinike, si dhe formimi i pedagogëve në Fakultetet e Mjekësisë, duhet të jenë gjithmonë në lëvizje, në vartësi të progresit shkencor dhe të kërkesave të kohës.
Sot, në Evropë, modeli i formimit arsimor e profesional është i standardizuar me Kartën e Bolonjës. Por, Karta e Bolonjës jep vetëm orientimet dhe udhëzimet e aplikimit, por jo modelin. Kjo dobësi ndjehet veçanërisht në shkencat mjekësore…
Më poshtë, shkurtimisht, le të shohim evolucionin historik të kritereve të studentit për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Deri në shekullin XIX, për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, kërkohej matura me formim të përgjithshëm klasik. Mësimi klasik, analiza gramatikore e shpjegimi i teksteve (llogjika) janë në gjendje t’i japin studentit mprehtësinë dhe zhdërvjellësinë e mëndjes, të nevojshme për të ushtruar mjekësinë.
Mjekët e mëdhenj të shekullit të XIX kanë mbetur të famshëm në saje të gjuhës të qartë dhe të përpunuar të veprave të tyre.
Të huajt kur shkonin në Francë dhe, ishin të interesuar për mjekësinë, shkruanin:
“Është kurioze të vihet re se, këtu, në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e drejtësisë dhe as në Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e Mjekësisë”.
R. Dumik citonte:
“Më të mëdhenjtë: Louis Paster dhe Klod Bernardqë, përpara autoritetit të tyre ne duhet të përkulemi, shikonin te letërsia idetë e përgjithshme dhe pranonin se edukimi i lartë i mëndjes, që i detyrohet kulturës klasike, ishte i nevojshëm për vazhdimin e punëve të tyre”.
Shënim: Luis Paster dhe Klod Bernard bënin pjesë në Akademinë Franceze dhe në Akademinë e Shkencave Franceze.
Në gjysmën e parë të shekullit XX, për të vazhduar studimet në Mjekësi, merreshin nxënësit nga maturat e filozofisë ose të shkencave natyrore, sepse një mjek, në radhë të parë, duhet të ishte i informuar për shkencat biologjike dhe për aspektet e ndryshme të jetës humane.
Shënim: Përveç intervistës gojore dhe rekomandimeve me shkrim, tek mjeku i ardhshëm i kushtonin rendësi pamjes së jashtme fizike, mënyrës së komunikimit, tonalitetit të zërit dhe, pasioneve artistike apo sportive.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, formimi mjekësor ka marrë një orientim tjetër. Konkursi për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë është kryesisht shkencor, që bazohet tek shkencat e natyrës: Biologjia, Kimia.
Në shekullin e XXI-të kemi të bëjmë me një mjekësi moderne të sofistikuar, që punon në kushte tekniko-shkencore dhe etiko-morale krejtësisht të ndryshme në marrëdhëniet me pacientin.
***
Morali
Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin!
Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në figurën e mjekut në ditët e sotme!
“Betimi i Hipokratit” në rradhët e mjekësisë gjeti aplikim në të gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në shek.XIX-të. Më vonë, erdhi duke u sfumuar…aq sa, në ditët e sotme është si “antikuar” në terrenin ku punon mjekësia e ku dominon materializimi i shpirtit njerëzor.
Sipas një gojëdhëne thuhet:
“Hipokrati kërkoi të pranohej në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit për të vëzhguar se çfarë përparimesh ishin bërë në këtë profesion, që nga koha e tij. Kur u pyet nga komisioni se “çfarë konsideronte si parimin themelor të mjekësisë?”, Hipokrati citoi vetveten me ndjenjë besimi të tepruar: “Të paktën, mos bëj dëm”! Me këtë përgjigje Hipokrati nuk u pranua në Shkollën mjekësore…?! U bë goxha debat kolegësh mjekë rreth asaj se, çfarë duhej të kishte thënë Hipokrati.Parimi themelor i mjekësisë së kohëve moderne është të zbulojë nëse pacienti ka siguracion shëndetësor…?!(E. Segal).
Episod
Në vitin 1991 kisha një problem shëndetësor. Më duhej të bëja disa analiza biokimike. Në pamundësi për t’i realizuar në spitalin e Gjirokastrës, ku unë punoja si mjek pediatër, kontaktova në telefon me mjekun laborant (grek) Dr. Mihal Pandeliu,i cili kishte laboratorin e tij privat në Janinë. Me sasinë e gjakut në epruvetë shkova në laboratorin e tij në Janinë. Në përfundim të analizave Dr. Mihali më dha rezultatin e tyre. Unë ju drejtova duke e falenderuar dhe, i afrova një sasi dhrahmish për punën e bërë e, aq më shumë, në laboratorin e tij privat.
Dr. Mihali, me moshë rreth të 60 viteve, i skuqur në fytyrë, më përqafoi dhe me shumë dashamirësi më tha:
“Midis mjekëve ne kemi një ligj të pashkruar, që duhet të ndihmojmë njeri tjetrin… Me profesionin e mjekut nuk mund të bëhesh kurrë i pasur, por e jeton jetën mirë”!
***
Në ditët e sotme, në një Mjekësi të sofistikuar shtrohen pyetjet:
1. Shkollat Mjekësore apoFakultetet e Mjekësisë, me programet mësimore dhe kurrikulat, a janë në gjëndje të formojnë studentë me njohuritë e duhura teoriko-praktike në përballje me ushtrimin e profesionit të mjekut në shek. e XXI-të?
2.A i gjen mjekët të përgatitur nga ana profesionale dhe etiko-morale, që të përballojnë sfidat e mjekësisë së këtij shekulli?
3. Sistemet shëndetësore të një vendi, a i përgjigjen kërkesave të këtij progresi teknologjik me zhvillim galopant?
4. Robotika dhe Inteligjenca artificiale a mund të ketë ndjeshmëri dhe dinjitet human ndaj pacientit!??
5. AI a ka besueshmëri, transparenë dhe siguri 100% për diagnozën dhe trajtimin e pacientit?
Sot inxhinjerët gjenerikë dhe AI po u zenë vendin mjekëve?!
Bio-teknologjia, robotika dhe Inteligjenca artificial janë prioritare në Mjekësi.
Mjekësia po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, duke qenë se po futen teknologji të reja.
Por, edhe jetëgjatësia e njerëzve po rritet: 80, 90, 100 vjeç…
Në epokën e re, që po jetojmë, objektivi i shëndetësisë moderne është Cilësia e Jetës dhe Dinjiteti human.
Mjekët, në ditët e sotme, duke qenë të varur nga teknologjia mjekësore, të kufizuar në kryerjen e procedurave mjekësore vetëm të specialitetit të ngushtë dhe, të angazhuar gjithmonë e më tepër me detyra administrative, veçanërisht me dokumentacionin e sigurimeve shëndetësore,i lënë pak kohë dialogut, kontaktit afektiv me pacientin dhe, aq më pak, kohës së studimit.
Shënim etik
“MJEK/E” është rrënjë emërore e fjalës “MJEKËSI”
Bazuar në terminologjinë mjekësore botërore dhe në fjalorin e gjuhës shqipe, kur studenti/ja ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë por, dhe kur ushtron profesionin me të sëmurët, si rregull duhet të quhet dhe të përdor fjalën verbale dhe të shkruar: “MJEK/E” dhe Jo, “DOKTOR” (Dr.)!
Fjala “DOKTOR” (Dr.) quhet personi/ja, që në studime pasuniversitare ka marrë “Diplomën e Doktoraturës” në mjekësi ose në degë të tjera si në: inxhinjeri, agronomi, filozofi, etj.
Informacion plus
Andrea GUDHA “Historia e Mjekësisë e ilustruar” 2013
YouTube: Andrea GUDHA “ADN” e Historisë së Mjekësisë
Andrea GUDHA: L’ADN de l’histoire de la medicine
3. Mjekësia dhe mjeku
Imazhi publik i mjekut
Imazhi i mjekut, historikisht, ka qenë figurë “hyjnore”, e nderuar dhe e respektuar në popull. Mbretërit në lashtësi, një ndër misionet e tyre ishte ajo e mjekut, p.sh. mbreti ilir Genti, etj. “Po nuk u bëre mbret, bëhu mjek”! Në Amerikë sot ekzistojnë të gjitha llojet e feve, por, të tërë bien dakort në një pikë: “Zoti dhe Mjeku ose, anasjelltas, Mjeku dhe Zoti”.
Në Greqinë fqinje ekziston shprehja: “Ta kesh mirë me Perëndinë, me mjekun dhe me komshinë”.
Në Pandeminë Covid 19, mjekët u quajtën “Heronj”.
***
Historikisht, ndër shekuj, shkencëtarët (mjekë dhe filozofë) i ka preokupuar enigma për të përcaktuar sëmundjentek njeriu. Ky përcaktim është dhënë në mënyra të ndryshme. Sigurisht, kjo ka qenë e ndërvarur nga niveli i shkencave në përgjithësi dhe nga botkuptimi filozofik, që ka dominuar tek shkencëtarët në epoka të ndryshme të zhvillimit shoqëror.
Mjekësia, dhe në ditët e sotme nuk është e sigurt dhe është e “dorëzuar” para emërtesës të saktë të diagnozës së sëmundjes.
Në Mjekësi, për emërtimin e sëmundjes, shpesh, përdoret fjala “SINDROME” (grup i shenjave dhe simptomave mjekësore). Mjeku, kur nuk është në gjëndje të përcaktojë diagnozën e sëmundjes tek pacienti, si “dalje nga situata” ai përdorë mbiemrin e çmuar “IDIOPATIKE”(e pa njohur).
Aulus Cornelius Celsus (mjek i famshëm latin c. 25 BC – c. 50 AD,) ka shkruar:
“Medicina lindi jo nga teoria, por teoria u gjend pas lindjes së mjekësisë praktike”.
“Klinika duhet të jetë pika nisëse për mjekësinë si shkencë”, ka thënëIvan Petric Pavllov, një nga fiziologët më të shquar të kohës te shek. XX-të.
Lui Pastër citon: “Në fushën e vrojtimit shkencor, fati i ndrit mëndjeve të përgatitura”.
Diploma në Mjekësi, de juro të bën mjek por, de facto është përvoja, që të bën mjek!
Në Fakultetin e Mjekësisë, studentëve, me përgatitjen e tyre teorike u hapet një dritare për t’u orientuar në rrugën e bukur e të vështirë të profesionit të mjekut.
Mjeku dhe shkrimtari i talentuar rus Vikenti Vikentjeviç Smidoviçi(shek. XX-të), me pseudonimin Veresajev, në librin e tij “Kujtimet e një mjeku” shkruan:
“Dita ditës më shtrohej sa më i gjallë ky problem: ç’gabime të mëdha fshihen në një diplomë mjeku? A kam vallë të drejtë ta quaj veten mjek në bazë të kësaj diplome? Dhe kurdoherë jeta më detyronte të përgjigjesha me bindjen më të madhe “Jo, Jo! S’e kam këtë të drejtë”!
Teodor Bilrot, (kirurg i famshëm gjerman, shek.XIX-të) thotë:
“Vetëm një mjek i paskrupullt fare mund të pranojë të përdorë të drejtat që i jep diploma për të ushtruar profesionin, pa kaluar më parë spitalet.”
Dhe, Veresajevi dialogon:
“Mirëpo, kush e ka fajin? Ne, jo! Le të jenë përgjegjës ata që e kanë organizuar punën aq keq sa të mos ketë zgjidhje tjetër”.
Zhvillimi intelektual i mjekëve të rinj zhvillohet jashtë shkollës, duke mësuar nga të sëmurët.
Kirurgu i dëgjuar gjerman Langenbek ka shkruar, duke ju drejtuar shoqërisë:
“Jemi të detyruar të mësojmë mbi ju dhe e fitojmë përvojën tonë vetëm me çmimin e jetës dhe të shëndetit tuaj”.
***
Tjetër është teoria në mjekësi dhe tjetër ndodh në praktikë. Mungesa e përgatitjes praktike nuk është aq e dëmshme në asnjë degë tjetër, sa është në mjekësi.
Organizmi njeriut është një “Mikrounivers”, ku, çdo individ ka individualitetin e tij ndaj sëmundjes.
Një nga rregullat e artë të mjekësisë është që: i sëmuri duhet ekzaminuar nga koka tek këmbë për çdo gjë që, ai ankohet.
Në praktikë, shpesh mjekët e nënvlerësojnë këtë rregull dhe u duket qesharake, apo kohë e humbur që, kur pacienti paraqitet për vizitë mjekësore, ta vizitojnë të zhveshur dhe, me shumë kujdes të ekzaminojnë të gjitha sistemet, pavarësisht se pacienti p.sh. paraqet vetëm të vjella.
Si mund të dëgjohen ralet e mushkërisë, kur mjeku vendos stetoskopin mbi teshat e pacientit…?!
Vetëm përvoja e gjatë në punë dhe jo, vetëm teoria e mësuar në libra, tregon dobinë e metodikës dhe të ekzaminimit të mësipërm.
Përvoja, gjatë ushtrimit të profesionit, duke mbajtur me kujdes evidenca shënimesh për çdo të sëmurë, e pasuron dijen dhe e konsolidon “syrin klinik” të mjekut.
Eshtë në eksperiencën e vendeve të përparuara që, çdo recetë dhe çdo diagnozë e vendosur nga mjekët e porsambaruar, të jenë të kontrolluara rreptësisht nga shefi i pavionit, më së pakti, për tre vitet e para të punës.
Mjekët e rinj bëhen të pavarur vetëm kur fitojnë besimin me rezultatet e punës së tyre dhe me fakte se, janë në gjendje për të kryer punë të pavarur dhe jo vetëm në bazë të diplomës së Fakultetit.
***
Shkenca e mjekësisë është e ndërthurur me shkencat e tjera dhe përparon njëherazi me avancimin e tyre dhe, mbi të gjitha, krahas me zbulimin e ligjeve të natyrës.
Detyra e mjekësisë sot është “të fitojë mbi natyrën”, duke i njohur ligjet e saj. Kjo gjë arrihet kur mjeku me shkencën e tij është aktiv e kreativ, dominues mbi natyrën.
“Kur do të mund të depërtohen të gjitha ligjet e natyrës, njeriu do të mund ta zotërojë krejt atë. Atëhere do të zhduken edhe të metat e terapisë së sotme, edhe prevenimi artificial i sëmundjeve; njeriu do të mësohet të zhvillojë fuqitë shëronjëse të organizmit, duke i bërë të pamposhtura” (Veresajev).
Kërkimet e mëvonëshme i detyruan shkencëtarët që “forcën” lëvizëse të natyrës ta zëvendësojnë me aktivitetin e sistemit nervor, duke e paraqitur këtë si një faktor kryesor në procesin e realizimit të sëmundjes (Psikologjia, shek, XIX-të).
Mësimi i mjekësisë, një nga shkencat më humanitare, nuk është i mundur të përparojë pa prekur ndjenjën njerëzore më të thjeshtë të pacientit dhe të afërme të tij: gjëndjen shpirtërore dhe psiko-sociale të tij, veçanërisht për shtresat e varfëra të popullatës.
Mjeku duhet të jetë i sinqertë me pacientin dhe i sinqertë me veten!
Një mjek i mirë nuk mund të formohet pa marrë pjesë në autopsi, siç nuk mund të shkojë përpara dhe të zhvillohet edhe mjekësia vetë pa këtë shërbim.
Autopsia edhe, sikur i sëmuri të ketë vdekur nga sëmundja më e zakonshme ka rëndësi shumë të madhe për një mjek.
Autopsia është “pasqyra” e punës së tij, ajo i tregon atij gabimet për të mos u përsëritur më. Nëpërmjet autopsisë dhe, në bazë të ekzaminimit klinik e laboratorik, mjeku gjykon dhe reflekton shkencërisht mbi sëmundjen, që ka trajtuar te pacienti i tij. Kualifikon veten e tij! Prandaj, jo më kot të vjetërit shkruanin për autopsinë:
“Hic locus est, ubi mors vitae succurrere gaudet”. (Këtu është vendi ku vdekja ndihmon për të kënaqur jetën).
Bilroti ka shkruar:
“Sukseset tona kalojnë mbi male kufomash”.
Mendimi i autopsisë për prindërit është një paragjykim.
Shpesh, për arsye subjektive dhe objektive, personeli mjekësor neglizhon për kryerjen e autopsisë, duke përfituar dhe nga mendimi i prindërve për autopsinë.
Autopsia e fëmijës së vdekur s’e pakëson dhimbjen e një nëne përkundrazi, e qetëson nënën kur do të mësojë sëmundjen e vërtetë (të lindur apo të fituar), që shkaktoi vdekjen e fëmijës së saj dhe, nëna do të jetë e parapërgatitur për ardhmërinë e saj.
Nga frika e autopsisë, shpesh herë prindërit apo familjarët ngulin këmbë që, të mos t’i shtrojnë fëmijët në gjendje të rëndë në spital ose, kur janë të shtruar në spital dhe janë në çaste agonie, kërkojnë që t’i nxjerrin nga spitali dhe të vdesin në shtëpi.
Para fëmijës së vdekur në spital, prindërit i luten personelit mjekësor:
“Ju tashmë e dini çfarë sëmundje ka patur fëmija. Përse ta torturoni edhe pas vdekjes?!”
Nuk harrohet vaji i Timofejevnës, shkruan Veresajevi, njerës nga heroinat e Nekrasovit mbi trupin e Diomushkës:
Nuk qahem / Që Zoti më mori djalin,
Po më vjen keq pse ata / U tallën me të?
Pse vallë si korba sterrë / Ja bënë copë-copë
Trupin e bardhë?…/ Si është e mundur
Që as Zoti, as Cari s’e mbrojtën dot ?
Në praktikën e përditëshme të mjekut, në momente të caktuar ai ndeshet me “vdekjet e papritura”, të cilat mjekun e ngarkojnë me një përgjegjësi shkencore, ligjore, morale e sociale. Do të jetë bërja e autopsisë së kufomës dhe rezulati anatomo-patologjik, që do të sqarojnë shkakun e vdekjes dhe, do t’u japin përgjigje pyetjeve të shtruara nga komuniteti mjekësor, juridik apo publik dhe, vetëm kështu, mjeku kurues do të dijë të pozicionohet shkencërisht e moralisht ndaj tyre.
***
Formimi profesional kërkon gjithmonë që, një mjek i mirë të karakterizohet në rradhë të parë nga vlerat më të mira njerëzore në përballje me sfidat e moralit të shoqërisë në tranzicion që, po kalon vendi ynë.
Një mjek i mirë, përveç formimit të tij teoriko-praktik, duhet të zotërojë artin e punës me të sëmurin dhe me skuadrën ndërdisiplinore (kolegët, infermieret, familjarët e pacientit etj), në saje të një formimi të plotë mbi sjelljet dhe rregullat e shkruara e të pashkruara të Deontologjisë dhe Kodit të Etikës.
Në themel të një kodi etik është parimi: mjeku, sëbashku me personelin tjetër mjekësor, që në kontaktin e parë me pacientin, duhet të justifikojnë besimin dhe sigurinë shëndetësore me sjelljet dhe veprimet e tyre.
Buzëqeshja, fjala e “ëmbël” dhe prekja me dorën e “ngrohtë” të mjekut, transmetojnë energji pozitive tek pacienti.
Një pikë kyçe e kodit është respektimi i dinjitetit njerëzor pa u ndikuar nga besimi, raca, ngjyra, seksi, bindjet politike apo shoqërore.
Eshtë e vërtetë që, çdo mjek ka zakonet e tij dhe sistemin e tij të vlerave, shpesh të bazuara mbi eksperiencën personale, traditën familjare dhe të mjedisit për rreth.
Pavarësisht nga kjo, një mjek i porsadiplomuar në praktikë duhet të përvehtësojë mbi të gjitha:
Normat etike, që bazohen në arësyetimin moral dhe, që reflektojnë gjykimin e vlerave. Vlerat janë ide ose besime, që mjeku i konsideron të rëndësishme dhe ndjehet i sigurt në punë.
Vlerat rrënjosen në përvojën individuale të çdo mjeku dhe avancojnë duke u bazuar në traditën e krijuar nga kolegët, mjekë paraardhës.
Mjeku, gjatë gjithë jetës së tij, është student i rregullt në Amfiteatrin e Mjekësisë!
Fillimi i Shek. XXI po favorizon plejadën e mjekëve, duke i informuar dhe i trainuar vazhdimisht drejt një profesionalizmi të vërtetë në shërbim të pacientit, duke u ndihmuar nga sukseset e Bio-teknologjisë dhe AI.
Sot, mjekësia është në “luftë” mes idealizmit profesional dhe komercialitetit mjekësor…!
***
Epilogu
Zhvillimi dhe riprodhimi i një kombi varet nga mirëshëndeti i popullatës. Në këtë strategji kombëtare për një Komb, rolin kryesor e luan Mjeku.
Në Pandeminë Covid 19, OBSH, Qeveritë, instucionet dhe, sistemet shëndetësore në rafsh global, u dorëzuan para coronavirusit.
Në këtë fushë betejë MJEKET ishin në ballë të luftës me coronavirusin, duke sakrifikuar dhe Jetën!
Mjekët u quajtën “Heronj”!
Mjekësia, sa kënaqësi të jep si profesion, po aq vuajtje mbart tek mjeku dhe, këto vuajtje janë të përditëshme dhe të përvitëshme, gjatë gjithë jetës së mjekut në bashkëjetesë me mjekësinë. Të përkujdesesh për të sëmurin do të thotë të vuash!
Që të jeshë mjek dhe, të mbijetosh si i tillë, duhet të ndërtosh një “fortesë” rreth ndjenjave të tua për t’u rezistuar gjithë mësymjeve të përfshirjes emocionale, vuajtjeve dhe dhimbjeve të transmetuara nga pacienti. Kjo varet nga tipi i mjekut (“i ftohtë” apo “i ndjeshëm”) veçanërisht, në disa specialitete në mjekësi, si p.sh reanimacioni, kirurgjia, pediatria etj.
Mjekësia nuk është profesion i lehtë në jetën e mjekut!
Mjekët janë qënie të brishta njerëzore. Mjeku, si ç’do qënie njerëzore, nuk është i imunizuar nga gabimet, nga vuajtjet apo nga dhimbjet e pacientit, nga frika e vdekjes… Mjeku qëndron pranë shtratit të sëmurit për netë të tëra pa gjumë, ndoshta, pa i parë fëmijët e tij për ditë të tëra. Gjithmonë është në ankth për të sëmurin, që ka lënë në spital. Shpesh, dhe në raste gëzimi familjar, pas telefonatës, çohet menjëherë nga tavolina, duke i lënë njerëzit e familjes dhe miqtë e ftuar… Që të jesh mjek dhe të kesh familje do të thotë që, dhe familja është në “urgjencë”. Situata vështirësohet në familje kur mjeku nuk kuptohet për profesionin e tij nga pjesëtarët e familjes. Krizë familjare!
Kjo situatë e rëndon mjaft gjëndjen psikologjike të mjekut në ushtrimin e profesionit! Fatkeqësisht, jo, rrallë herë, familja shkatërrohet
E. Segal (klasicist amerikan i shekullit të XX) tek romani “Mjekët” citon:
“Në SHBA, shkalla e vetëvrasjes ndër mjekët është tetë herë më e madhe se mesatarja kombëtare. Përqindja e varësisë ndaj drogës është njëqind herë më e madhe se mesatarja. Divorcet zenë shifrën më të lartë”
Mjeku, krahas problemeve të tija personale e familjare, duhet të përballojë dhe të mbartë në vetvehte problemet e sistemit shëndetësor dhe problemet e shoqërisë në aspektin mjekësor, psikologjik, kulturor e ekonomiko-social të vendit ku punon.
Për mjekun është “Infarct Miocardi” dhe, për shoqërinë është “Asfiksi”, kur roli i mjekut nuk vlerësohet dhe nuk motivohet nga institucionet përkatëse qeveritare të një vendi! Aq më keq, kur imazhi i mjekut shantazhohet dhe diskretitohet në media me të padrejtë…?!

4. Mjekësia dhe Mjeshtëria e Artit
Mjekësia është Art?
Po. Mjekësia është Art!
“Mjekësia është Arti i shërimit” Hipokrati, shek. V p.e.s.
Populli thotë: “Kirurg duarartë”, “Mjeku të shëron me fjalë”.
Në Mjekësi: “Arti i lindjes dhe i mirërritjes së fëmijës”.
Hyrje
Historikisht ka ekzistuar një lidhje natyrale midis Mjekësisë dhe Artit.
Që në lashtësinë greke dhe në Rilindjen romake pamja fizike e trupit të njeriut kishte një ndjeshm ëri dhe pasqyrim artistik tek artistët e kohës.
Bukuria fizike e njeriut tërhoqi vëmëndjen e njerëzimit që, në fillimet e tij.Artistët e Rilindjes (shek. XV-të) si: Leonardo da Vinçi, Mikelanxhelo etj, bukurinë fizike të njeriut e vlerësonin me raportet anatomike të trupit të njeriut.
Pyetjes, se “cili ishte kriteri për vlerësimin e Bukurisë”, Orakulli i Delfinit iu përgjigj: “Kush është më i drejtë, ai është dhe më i bukur”.
Në vazhdim të këtij konteksti, tema e bukurisë shfaqet dendur në luftën e Trojës të shkruar nga Homeri. Sofisti Gorgia shprehej:
“Bukuria, e pa përshkueshme e Helenës, e shfaqëson praktikisht vetë Helenën për të gjitha të këqijat e shkaktuara prej saj. Menelau, me t’u pushtuar Troja, do t’i lëshohej së shoqes besëshkelëse për ta vrarë, mirëpo, krahu me armën në dorë ngriu, sapo ai pa bukurinë dhe gjirin e zhveshur të Helenës”.
Marrëdhëniet shoqërore midis mjekëve dhe artistëve, historikisht kanë qenë të veçanta. Bisedat e tyre në tavolina kafeneshë apo, në takime, kishin një sharm inteligjence. Mirënjohja dhe respekti reciprok midis tyre ishte tepër i ndjeshëm e njerëzor.
Janë sinjifikative portretet e mjekëve të pikturuara nga mjeshtrat e pikturës botërore.
Rembrant, në vitin 1632, i kushton një pikturë Dr. Tulp, gjatë zhvillimit të mësimit të anatomisë në trupin e kufomës me studentët e mjekësisë.
Francisco Goya, në vitin 1820 i ka kushtuar një pikturë mjekut Dr. Arrieta: “Në shenjë mirënjohje mikut tim Arrieta për përkushtimin dhe kujdesin, që ai tregoi për të më shpëtuar jetën, gjatë sëmundjes akute dhe të rrezikshme”.
V.Van Gogh, 1880 në diçiturën e pikturës me Dr. Felix Rey shkruan: “Në shenjë mirënjohje për trajtimin aq dashamirës…”.
Lidhjen natyrale midis Mjekësisë dhe Artit e gjejmë në mjaft vepra klasike të artit, me subjekte në fushën e Psikologjisë e Psikoanalizës si në: tragjedi, drama, filma, apo në pikturë etj…
I gjejmë në tragjeditë e Shekspirit, Don Kishoti i Servantes, Idioti i Dostojevskit, Komedia e Molierit, romanet e Stendalit, filmat e Hollivudit apo, në teatrin modern me psikodramën.
Ndër shekuj, marrëdhënia e Psikiatrisë me Artin ka qenë mjaft evidente. Gjurmët e saj i gjejmë në mjaft vepra klasike të artit, sepse Mjekësia analizon dhe trajton pjesën subjektive e të padukshmen tek individi.
Psihiatria pagëzohet shpesh herë me termin “Kura e bisedës”. I dukshëm është roli aktoresk i psikoanalistit në fushën e Psikoanalizës. Psikoanaliza është një “trupë teatrale” me dy aktorë: pacienti, që luan rolin e vet dhe mjeku psikoanalist, që luan rolin psikologjik. Psikoanaliza, që të funksionojë duhet që, mjeku dhe pacienti të jenë në harmoni dhe në ritëm të njejtë!
Diskutim
Eshtë një “simbiozë”, një lidhje e brendshme midis Mjekësisë dhe Artit me një emërues të përbashkët që është “Mjeshtëria artistike”.
Autoritetet shkencore sot e konsiderojnë Mjekësinë, jo vetëm si Shkencë por, edhe si Art. “Arti i Mjekësisë”!
Mjeshtëria artistike
Fjala “Art” rrjedh nga gjuha latine “Artis-Ars”, që do të thotë “aftësi artizanale, njohuri teknike”. Njerëzit, që kishin këto aftësi për një punë të caktuar, quheshin zanatçinj. Në Europë, deri në periudhën e Rilindjes, nuk ka patur dallim të qartë në mes të zanatçiut: atij, që merresh me mjekësinë dhe, atij, që merresh me punë artistike. Zanatet brenda fushës së Mjekësisë grupoheshin me zanatçinjtë, p.sh. farmacistët ishin në një grup me shitësit e erëzave e parfumeve…
Kirurgët ishin në një grup me berberët dhe parukierët. Kirurgu do të dallohej nga berberi vetëm nga veshja. Ata, të veshur me fustan të gjatë dhe me kapele katrore në kokë, quheshin Berberë-Kirurgë dhe, ata me veshje të shkurtër, quheshin berberë. Mjekët kirurgë jepnin vetëm këshilla kirurgjikale, ndërsa operacionet kryheshin nga berberët. Në vitin 1745 u bë ndarja juridike midis kirurgut dhe berberit.
Në periudhën e Iluminizmit dhe, në veçanti, në atë të Romantizmit (Shek.XIX-të), u bë përkufizimi profesional i fjalës «Art dhe artist». Në këtë periudhë të Rilindjes, pikasin pikturat dhe skulpturat e Leonardo da Vinçi (babai i Anatomisë topografike), Mikelanxhelo, Rafaello etj.
Vetëm, në shek. XVI-të, puna e mjekut u njoh si profesion më vete. U bë dallimi midis midis punës së Mjekut dhe punës së Artistit!
***
Në Mjekësi kemi një ndërthurrje të mjeshtërisë artistike.
Mjekësia, në përgjithësi, përmban gjithë përbërësit e mjeshtërisë artistike! Mjekësia nuk mund të ekzistojë pa intuitën, pa imagjinatën, pa fantazinë, pa përfytyrimin e pa kreativitetin, të cilat janë elemente të mirëfillta të Artit. Mjeku dhe artisti e bazon punën e tij tek vëzhgimi dhe tek mjeshtëria teknike dhe estetike.
Personeli mjekësor në ushtrimin e profesionit ka nevojë për elementet e Artit: Shkathtësinë dhe saktësinë e violinistit, veshin e dirigjentit, mendimin e shkrimtarit, mprehtësinë dhe ndjeshmërinë e poetit, impulsivitetin e aktorit, aftësinë në dallimin e ngjyrave të piktorit, perceptimin e formave të skulptorit. Artisti në krijimtarinë e tij artistike ka nevojë për elementet e Mjekësisë.
Në vizitën mjekësor “Instrumentet” bazë të diagnozës janë shqisat njerëzore të personelit mjekësor: sytë, veshët, hunda, goja, duart. Mjeku, me anë të shqisave realizon me mjeshtëri teknikat tek pacienti: inspeksion, palpacion, perkusion, auskultacion, ashtu si piktori apo skulptori, që realizojnë një vepër artistike.
Episod mjekësor. Prof. Ankogu u shpjegon studentëve të mjekësisë lendën e propedeutikës pranë shtratit të sëmurit:
“Perkusioni. Kur ne trokasim mbi mushkëritë e pacientit me majat e gishtave dhe dëgjojmë një tingull të thellë, mbytës, kjo tregon për praninë e një lëngu apo infeksioni në mushkëri.
Auskultacioni. Kur dëgjojmë me stetoskop zemrën dhe dëgjojmë një jehonë zhurme mbi një arterie kryesore, kjo tregon për një enë të ngushtuar apo për një bllokim të pjesshëm të arteries.
Kur gjatë frymëmarrjes së pacientit dëgjojmë rale,”fishkëlluese”, ”krepitante” apo “të thella”, këto na tregojnë për mos funksionimin normal të bronkeve, kurse, kur ne dëgjojmë një ekofoni, kjo na tregon për çarje të pleurës, që mbështjell mushkëritë.”
Në disa nënspecialitete të Mjekësisë, mjeshtëria artistike del në plan të parë, p.sh. në kirurgji, neurokirurgji, kirurgjinë plastike, ORL, ortopedi, stomatologji, kirurgji e dermatologjinë estetike, si dhe, në ndonjë fushë tjetër. Artistikisht, në ditët e sotme, ajo gjen aplikim dhe në transplantin e qelizave e organeve…
***
Ku ndahet puna e mjekut dhe puna e artistit?
Midis Mjekësisë dhe Artit ka dallim thelbësor.
Puna në Mjekësi duket si Art i mirëfilltë, por thelbi i saj mbetet gjithmonë shkencor.
Mjeku nuk ka përpara një objekt, por një qenie njerëzore!
Mjeku,gjatë ushtrimit të profesionit: kupton, vepron dhe ndjen dhe nuk drejtohet nga emocionet e çastit, por vë në funksion trurin, mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Mjeku, vëzhgimet, impresionet dhe konstatimet i hedh në planin e tij terapeutik. Mjeku, planin terapeutik ndaj pacientit, detyrimisht ia nënshtron arsyes, ndërgjegjes, moralit dhe verifikimit të rreptë shkencor.
Kirurgjia plastike korrigjuese dhe rindërtuese e fytyrës konsiderohet tejet e vështirë, sepse këtu përfshihen dijet e kirurgut, specializimi adekuat, talenti, guximi, logjika në komunikim me subjektin, koha e ndërhyrjes, përgjegjësia, në krahasim me skulptorin apo piktorin, të cilëve u duhet vetëm talenti dhe koha në dispozicion për të kryer veprën e tyre, që zgjat ndoshta edhe me vite.
Artisti, para veprës artistike, drejtohet nga emocionet e çastit (muza, frymëzimi) dhe vë në funksion shpirtin e mendjen. Artisti, përfytyrimin, fantazinë e intuitën i hedh në veprën e tij artistike: kompozime, poezi, pikturë, skulpturë, romane etj.Puna e artistit krijohet mbi idenë e së bukurës e dominuar nga ana estetike, ku vëzhgimi, shqisat dhe emocionet e tij janë të dorës së parë.
Piktori bën kombinimin e ngjyrave për të marrë një ngjyrë të caktuar dhe, kështu, arrihet efekti artistik. Mos kombinimi i duhur i ngjyrave në një pikturë, ndikon vetëm në ngarkesën emocionale të pikturës. Piktori mund ta ribëjë përsëri pikturën…
Artistikupton, vepron, por nuk e ndjen veprën artistike. Buza e piktorit apo e skulptorit në vepër, krijon imagjinatën tek shikuesi, kurse kirurgu plastik realizon funksionin e saj biologjik. natyral.
P.sh. Goja dhe buzët e Mona Lisës së Leonardo Da Vinçit të krijojnë ndjesinë e imagjinatës, por u mungon funksioni i vërtetë biologjik: tingulli i zërit, ndjenja mishtore (puthja) etj.
Mjekët diferencohen ndërmjet tyre nga interpretimi i imazhit dhe veprimi realist ndaj pacientit.
Artistët diferencohen ndërmjet tyre nga mënyra e perceptimit dhe realizimit të veprës artistike.
Përjetësia!
Puna e gjallë artistike e mjekut e ka jetën të shkurtër, sepse humbet sëbashku me jetën e pacientit. Mund të ngelen vetëm disa fototë pacientitndoshta, sëbashku me mjekun kurues…
Puna artistike e artistitsi:skulptura, piktura, muzika, mbeten ndërshekuj të “gjalla”, të admiruara nga brezat e ardhshëm edhe pas vdekjes së artistit. P.sh.Leonardo Da Vinçi dhe Giuseppe Verdi janë larguar prej shumë kohësh nga kjo jetë por, piktura e famshme Mona Lisa dhe opera Nabucco janë në përjetësi…
Augusto Guzzo (filozof italian, shek. XX-të) citon:
“Shkenca dhe Arti nuk e kundërshtojnë dhe nuk e pengojnë njera tjetrën… Pa Shkencë nuk ka Art dhe, pa Art nuk ka Shkencë”!
Konkluzion
1. Mjekësia e frymëzon Artin me subjektin.
2. Arti e ndihmon Mjekësinë me mjeshtërinë artistike.
3. Mjeku artist është privilegj për pacientin!
Informacion plus:
1. You Tube, Andrea Gudha: Mjekësia dhe mjeshtëria e Artit
2. You Tube, Andrea Gudha: La Medecine et la maitrise de l’Art
3. You Tube, Andrea Gudha: Mjekë artistë shqiptarë
4. You Tube Andrea Gudha Médecins artistes albanais.
5. Tempujt e mjekësisë moderne (shek. XIX – XX-të)
Në vend të hyrjes
“Ndërmjet kalorësve të parë modern, që vranë këta dragonj të padukshëm me shpata po të padukshme, ishte Lui Pastëri, fitoret e shumta të të cilit përfshijnë vaksinat për të frenuar antraksin te bagëtitë, tërbimin te njerëzit, pa përmendur procesin e sterilizimit të qumështit.
Francezët, prirja e të cilëve ndaj alkoolit kishte rritur së tepërmi cirrozat në mëlçi, u habitën nga zbulimi i Pastërit që fermentimi, i cili krijonte verën dhe birrën, shkaktohej, në të vërtetë, nga qelizat mikroskopike beninje të majasë. Kësisoj shohim se mikrobet ndonjëherë mund t’i shërbejnë njerëzimit.
Gjithsesi, kufijtë e luftës u përcaktuan. Mikrobet ishin armiku…të shkathëta, tinëzare, të pamëshirëshme dhe të afta të maskoheshin në forma të pafundme. Shkencëtarët e mjekësisë ishin djemtë e mirë, mbi kuaj të bardhë si Leukocitet, me sytë mikroskopikë që këqyrnin atë botë gjoja të padukshme për të zbuluar gjurmë të armikut. Do të lypsej një Homer, apo të paktën ”Shoqëruesi i Mjekësisë i Oksfordit” për t’u dhënë hakun e duhur shumë heronjëve të kësaj beteje të pafund.
Le të përmendim Sër Xhozef Listerin, anglezin e frymëzuar nga Pastëri, i cili kuptoi për herë të parë çka sot është e qartë për të gjithë që, dhomat e operacionit duhet të jenë pa mikrobe. Është po aq i pavdekshëm sa Pastëri për arritjen madhështore të zbulimit të Listerinës, që shkakton erën e keqe në frymëmarrje (jo të përshtatshme për puthje). Pastaj vjen Erlihu me plumbin magjik kundër Sifilizit, ose Xhonas Salku, që e bëri zap Poliomielitin…”. (E. Segal).
***
Kontributi i shkencëtarëve të shek. XIX – XX –të në Mjekësi është i lidhur me zbulimin e të pa njohurave në organizmin e njeriut, që ekzistonin për shekuj me radhë. Me zbulimin e teknikave dhe metodave origjinale dhe, me të mirat, që patën sjellë ato në praktikën mjekësore, ata, me argumenta teorike dhe praktike, bën revolucion në Mjekësinë e kohës përballë teorive mjekësore shumëshekullore të “betonuara” në qarqet akademike dhe në rrethet mjekësore.
Për ata, shkenca nuk përbënte një mjet për ego apo për ambicie personale profesionale vetëm për dije, apo për t’u pasuruar, por ishte një kontribut i vyer për krijimin e vlerave shkencore, shpirtërore dhe materiale në të mirën e shëndetit të njerëzimit.
Kushtet e punës së tyre ishin më se të zakonshme, veçanërisht në shekullin e XIX-të. Punonin ditë e natë me idealizëm, pasion, vullnet, sakrifica dhe , deri në vetmohim në punën e tyre kërkimore-shkencore: në laboratore të thjeshtë në bodrume apo në baranka të pajisur me një mikroskop të thjeshtë, llambë vajguri e alkooli, sobë tharëse, pipeta, epruveta, shishe, si dhe krimbat e mëndafshit, qentë, lepujt, pulat etj.
Në këto kushte pune shumë të vështira dhe primitive, të pa imagjinueshme me komoditetin dhe me tekonologjinë që, mjekët apo shkencëtarët punojnë në ditët e sotme, ata arritën të bënin epokë me disa nga zbulimet më të mëdha në historinë botërore të mjekësisë, duke hedhur themelet e mjekësisë moderne.
Me zbulimet e tyre shkencore, jo vetëm që u shpëtuan miliona jetë njerëzish, por ata krijuan bazat e progresit të mëtejshëm të mjekësisë moderne të sofistikuar në shekullin e XXI-të: Imazheria, Bio-teknologjia e Inxhinjeria gjenetike.
Përshembull, nëqoftëse, nuk ishte zbuluar Penicilinanga Flemingu në 28 shtator 1928, nuk do të mund të zhvillohej industria farmaceutike me gjeneratën e antibiotikëve të rinj.
Nëqoftëse, nuk ishin zbuluar rrezet X nga Röntgen në 8 Nëntor 1895, nuk do të mund të zbulohej ADN-ja nga Crick,Watson në 28 shkurt 1953.
Nëqoftëse, nuk ishte zbuluar struktura spirale e ADN-së nga Crick e Watson në 28 shkurt 1953, nuk do të mund të zhvillohej me hapa galopante Bio-teknologjia dhe inxhinjeria gjenetike në shekullin e XXI-të.
***
- Louis Pasteur ( 1822 – 1895) kimist dhe mikrobiolog francez “Babai i Mikrobiologjisë”
“Fati ndihmon dhe favorizon vetëm mëndjet e përgatitura” L. Pasteur
Louis Pasteur (Pastër) ka lindur më 27 dhjetor 1822 në qytetin e vogël Dol në një familje të varfër parisiene. Ai ishte fëmija i tretë i Jean-Joseph Pasteur dhe Jeanne-Etiennette Roqui. Babai i tij ishte lëkurëpunues. Familja u transferua në Marnoz më 1826 dhe, më pas, në Arbois më 1827.
Prirjet e Pastër-it në fëmijëri ishin për vizatim: pikturonte portrete, peisazhe. Shokët dhe banorët e thërrisnin “piktor” .
Në vjeshtën e vitit 1842 arriti në Paris. Liceun Sen-Lui e kreu shkëlqyeshëm dhe në fund të vitit 1843 u pranua në Shkollën Normale. Në vitin 1847 u bë Doktor i Shkencave me dy teza në fizikë dhe në kimi.
Pasi shërbeu për pak kohë si profesor i fizikës në Dijon Lycée, më 1848 ai u bë profesor i kimisë në Universitetin e Strasburgut, ku u miqësua me Marie Lauren, vajza e rektorit të universitetit. Ata u martuan dhe, së bashku, kishin pesë fëmijë: vetëm dy prej të cilëve mbijetuan deri në moshën e rritur, tre të tjerët vdiqën nga tifoja.
Marie Lauren, bashkëshortja besnike ishte asistentja e tij e përjetshme në punën e tij kërkimore – shkencore, por, dhe një grua familjare e kujdesëshme, veçanërisht për shëndetin e Pastër.
Në vitin 1854 Pastër u bë profesor i kimisë, si dhe, Dekan i Fakultetit të Shkencave në Lille.
Pasioni dhe ëndrra e tij ishte kimia dhe puna në laborator. Ëndrra e tij u realizua, duke patur fat që, të punonte nën drejtimin e profesor Balarit (p.s Balari ishte një nga shkencëtarët e njohur të saj kohe, zbuluesi i elementit kimik Brom).
Pastër filloi karrierën me një zbulim në fushën e kimisë, sipas së cilës: “s‘ka fermetim pa mikroorganizma”. Ai përgatiti terrenin e hyrjes së kimisë në botën e qenieve mikroskopike.
Pastër kaloi nga rruga e kimistit në rrugën e fiziologut, kur Akademia e Shkencave në vitin 1860 i dha çmimin për Fiziologjinë eksperimentale.
Në vitin 1868, në moshën 46 vjeçare, Pastër pësoi një goditje të rëndë në tru, që paralizoi anën e majtë të trupit të tij, por ai u shërua dhe, vazhdoi punën e tij në kërkimet shkencore me vullnet të hekurt.
Lui Pastër bëri revolucion të thellë në mjekësi.
Veprimtaria e tij në shkencë është e lidhur me zbulimin e teknikave dhe metodave origjinale në eksplorimin e një bote biologjike të panjohur deri atëherë: botën e mikrobeve, duke vënë në dukje rëndësinë e tyre të madhe në planin teorik dhe praktik në Mjekësi.
Ai, me eksperimentet e tij në fushën e bakteriologjisë dhe me artikujt e botuar, u bë një nga personazhet më të debatuar në qarqet mjekësore të Parisit.
Në këto zbulime shkencore, Pastër gjente vështirësi me mjekët në ambientet spitalore, sepse, sipas tyre, Pastër nuk ishte mjek, por ishte kimist, dhe, nuk ishte kompetent në mjekësi…
Pastëri shpiku një teknikë shumë të thjeshtë bakteriologjike për sterilizimin e mjediseve mikrobike për t’iu shmangur ndotjes mikrobike.
Teknikat e asepsisë dhe metodat dizinfektuese e metoda pasterizuese, bënë të mundur parandalimin e infeksioneve kirurgjikale dhe të sëmundjeve ngjitëse.
Kushtet e përgatitjes së serumeve, të vaksinave dhe të konservimit të lëndëve ushqimore etj. e kanë burimin e tyre tek zbulimet e mëdha të Pastërit.
Lindi shkenca e bakteriologjisë, e cila qysh prej tri shekujsh ishte kufizuar në metodën e vëzhgimit. Ai është renditur ndër tre më të mirët në fushën e bakteriologjisë bashkë me Ferdinand Cohn dhe Robert Koch dhe, Pastër njihet gjerësisht si “babai i mikrobiologjisë“.
Pastëri u hodh në fushën e kërkimit të shkaktarëve të sëmundjeve ngjitëse
Pas vitit 1870, Pastëri iu kthye vendosmërisht sëmundjeve ngjitëse, duke i konceptuar ato si sëmundje, që shkaktohen nga penetrimi i mikrobeve infektive në organizëm. Por, këtu Pastëri, si gjithnjë, u ndesh me rutinën mjekësore, duke patur kundërshtarë të fortë dijetarët e njohur Virhov e Helmohlc.
Në vitin 1872 Pastër u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave-Paris.
Pastër para akademikëve u shpreh: “Vullneti, puna, dhe suksesi mbushin ekzistencën e njeriut”.
Ndërsa, akademikët e përshëndetën me fjalët simbolike: “Natyra nuk është aristokrate. Ajo kërkon punë dhe përpjekje nga njerëzit. Ajo duart i do me kallo”
Teoria mikrobike e sëmundjeve infektive gjeti rezistencë të madhe edhe nga Akademia e Parisit. Polemikat, që u zhvilluan në Akademi qenë mjaft të ashpra dhe u ngjanin polemikave, që ishin zhvilluar në shekullin e XVII-të lidhur me zbulimin e qarkullimit të gjakut nga Wiliam Harvei dhe, në shekullin XIX-të lidhur me formulimin e teorisë së evolucionit nga Çarl Darvini.
Shumë shkencëtarë nuk kishin rënë dakord me të për këto eksperimente por, që të bindeshin shkencëtarët, Lui Pasteri bëri eksperimentet para auditorit dhe doli fitimtar. Pas kësaj të gjithë u pajtuan me eksperimentin e Lui Pasterit.
Pastëri zotëronte një art dhe mjeshtëri të veçantë për t’i tërhequr njerëzit në idetë e tij novatore. Pastëri, shpesh herë, përdorte në formë bindjeje demonstrime publike të eksperimenteve të tij.
Nga viti 1876 Pastër iu përkushtua tërësisht çështjeve mjekësore të njeriut.
Më 28 janar 1881, Pastëri paraqiti në Akademinë e Shkencave të Parisit kumtesën e tij të famshme mbi vaksinën kundër plasjes. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për Pastërin me kundërshtarët e tij në Akademinë e Shkencave në Paris, veçanërisht me një nga shkencëtarët më dinjitoz të kohës, siç ishte mikrobiologu gjerman Robert Koch.
Më 1 Mars 1881, Pastëri vendosi të njoftonte në Akademinë e Shkencave rezultatet e përdorimit të vaksinës kundër tërbimit.
Shënim: Eshtë mjaft simbolike fotografia: Vaksinimi tek djaloshi 14 vjeçar Jozef Meister për tërbimin. Pastër qëndron në sfond në këmbë me shikim të menduar, të frikësuar, drejt djaloshit Jozef dhe, mjeku pediatër Granshe, që i aplikon vaksinën kundër tërbimit.
Luftë të ashpër bëri Pastër për të bindur akademikët lidhur me mundësinë e përgatitjes dhe të përdorimit të vaksinës së tij kundër tërbimit.
Kërkimet e tij në këtë fushë përfunduan me përgatitjen e vaksinës antirabike, e cila u përdor me sukses tek njerëzit.
Përdorimi i vaksinës kundër tërbimitvulosi përfundimisht lavdinë e Pastërit. Akademia e Shkencave vendosi njëzëri për të krijuar një institucion në Paris, që të prodhojë vaksinën kundër tërbimit.
Për ngritjen e institucionit shkencor, Pastër dhuroi tokën, që ishte prona e tij private, kurse Bashkia e Parisit ndërtoi godinën e institucionin me fondet e saj.
Më 14 nëntor 1888 u bë inagurimi solemn i Institutit, i “tempulli” të ri të shkencës në rrugën Dyto-Paris. Lui Pastër u caktua drejtor i Institutit.
Pastëri, shëndetlig gjatë gjithë jetës dhe i “lodhur nga jeta”, nuk pati mundësi që të punonte për shumë kohë në këtë laborator modern.
Në vitin 1894 Pastër pësoi goditje në tru dhe dëmtime në veshka, me azotemi të lartë, që e dëmtuan rëndë shëndetin e tij.
Në pamundësi shëndetësore Pastër u tërhoq nga puna në laborator.
Ai, nga dritarja e shtëpisë së tij, e cila ishte përballë me Institutin, shikonte me ngazëllim lëvizjet e shumta të shkencëtarëve të ardhshëm nga e gjithë bota, që kualifikoheshin dhe specializoheshin në këtë Institut…
Luis Pastër vdiq në prill të vitit 1895, në moshën 73-vjeçare.
Shteti francez e nderoi Luis Pastër me një varrim shtetëror në Katedralen “Notre Dame” . Më vonë, trupi i ballcamosur i Luis Pastër u rivendos në “Institutin” origjinal, afër “Institutit Pasteur”, që sot shërben dhe si muze.
“Instituti Pasteur” sot është një qendër e rendësishme shkencore dhe pikë reference ndërkombëtare në fushën e bakteriologjisë.
2. Wilhelm Conrad Röntgen ( 1845 – 1923 ) fizikant gjerman. Röntgen vlerësuar me Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1901
Wilhelm Conrad Röntgen lindi më 27 mars 1845 në Lennep, Gjermani, fëmija i vetëm i Friedrich Conrad Röntgen, një tregtar dhe prodhues pëlhurash, dhe i Charlotte Constanze Frowein.
Në vitin 1848, në moshën 3 vjeçare, ai u zhvendos me prindërit e tij në Holandë, ku jetonte familja e nënës së tij.
Në vitin 1862, Röntgen u regjistrua në Shkollën Teknike të Utrechtit, ku ndoqi kurse për gati dy vjet, por në vitin 1865, ai u përjashtua padrejtësisht nga Shkolla Teknike kur u akuzua padrejtësisht se kishte vizatuar një karikaturë të njërit prej mësuesve, e cila në fakt ishte vizatuar nga dikush tjetër.
Pa një diplomë të shkollës së mesme, Röntgen mund të ndiqte universitetin në Holandë vetëm si visitor (nuk kishte shtetësi hollandeze).
Në vitin 1865 ai u transferua në Zvicër dhe kaloi provimin e pranimit në Shkollën Politeknike Federale në Cyrih ( Zurich ).
Në Cyrih, në vitin 1866, Röntgen u njoh me Anna Bertha Ludwig në kafenenë e babait të Annës. Pas 6 vjetësh u martuan në Apeldoorn , Holandë, më 7 korrik 1872. (Vonesa e martesës ishte për shkak se Anna ishte 6 vjet më e madhe se Wilhelm dhe babai i tij nuk e miratonte moshën ose prejardhjen e saj nga një shtresë e ulët).
Ata, për 47 vjet qëndruan sëbashku, deri në vdekjen e saj në moshën 80 vjeç. Ata rritën një fëmijë, Josephine Bertha Ludwig, të cilën e adoptuan kur ishte 6 vjeç pas vdekjes së babait të fëmijës, që ishte vëllai i vetëm i Annës.
Nga viti 1874 – 1888, Röntgen ishte Profesor i Fizikës në Universitetin e Strasburgut.
Në vitin 1888, ai rifitoi shtetësinë gjermane (pasi ishte pa shtetësi për 40 vjet) dhe mori Kryesinë e Fizikës në Universitetin e Würzburgut.
Në 1900 ai u nderua me “karrigen e fizikës” në Universitetin e Mynihut dhe u emërua drejtor i një instituti të fizikës në Mynih, me kërkesë të veçantë të qeverisë Bavareze.
8 Nëntor 1895, zbulimi i rrezeve X
Ishte fillimi i muaji nëntor i vitit 1895, kur Röntgen eksperimentonte dhe hetonte eksperimente pa pushim për efektet e jashtme të kalimit të një shkarkimi elektrik përmes llojeve të ndryshme të pajisjeve të tubave të vakumit – aparatura nga Heinrich Hertz , Johann Hittorf , William Crookes , Nikola Tesla dhe Philipp Lenard .
Në fund të pasdites së 8 nëntorit 1895, dita e prëmte, Röntgen ishte i vendosur ta testonte idenë e tij. Ditë dimri, gjithçka ishte zbardhur nga dëbora.
Meqenëse 8 nëntori ishte e premte, ai shfrytëzoi fundjavën për të përsëritur eksperimentet e tij dhe bëri shënimet e tij të para. Hetonte me këmbëngulje dhe me shumë kuriozitet shumë veti të rrezeve të reja, që ai i quajti përkohësisht “rrezet X”, duke përdorur përcaktimin matematik (“X”) për diçka të panjohur.
Në javët në vijim, ai hante dhe flinte në laboratorin e tij. Në një moment, ndërsa po hetonte aftësinë e materialeve të ndryshme për të ndaluar rrezet, Röntgen solli një copë të vogël plumbi në pozicion, ndërsa në dhomën e errët po ndodhte një shkarkim i pa ndeshur, deri më tani, për të. U shfaq diçka e panjohur “si një kometë në universin e mjekësisë”.
Röntgen-it, në mënyrë të çuditshme, para syve ju shfaq, si një “fantazmë”, skeleti i trupit të tij, që dridhej në ekranin e platinocianidit të bariumit.
Ky ishte imazhi i parë radiografik në historinë e mjekësisë: skeleti i trupit të Röntgen.
Röntgen, pas këtij fenomeni, nuk mund të qëndronte më në laborator. Jashtë ishte një ditë e keqe dimri, ftohtë dhe me shi të dendur. U drejtua për në shtëpinë e tij i menduar. Hapi derën e shtëpisë, pa bërë zhurmë. Ana ishte në gjumë. Röntgen i lodhur u shtri në divanin e sallonit. Gjumi nuk e zinte. Para syve i dilte “fantazma” e skeletit të trupi të tij. Në mendje i vinin shumë pikpyetje…
Të nesërmen në mëngjes, duke pirë kafen sëbashku me Anën, Röntgen tregon ngjarjen, që i kish ndodhur në laborator, duke punuar me rrezet X.
Në fillim, Ana shtangu nga tregimi i ngjarjes “fantazma” e skeletit të tij. Ju duk ngjarje e çuditëshme, e pa besueshme. Gati sa t’i binte filxhani i kafes nga dora. E mblodhi vehten. Ajo, gjithmonë, kishte besim në eksperimentet shkencore, që bënte Röntgen.
Anna e pa në sy Röntgen, dhe, me zërin e saj të qetë melodioz dhe inkurajues, i thotë: “ekpserimentin e rrezeve X do ta provojmë në dorën time”.
Röntgen, rreth gjashtë javë pas zbulimit të tij, bëri një fotografi – një radiografi – dorës së gruas së tij, Anna Bertha, duke përdorur rreze X.
Kur ai imobilizoi për disa momente dorën e gruas së tij në rrugën e rrezeve mbi një pllakë fotografike, ai vëzhgoi pas zhvillimit të pllakës një imazh të dorës së gruas së tij, që tregonte hijet e hedhura nga kockat e dorës së saj dhe, atë të një unaze, që ajo mbante, të rrethuar nga penumbra e mishit, e cila ishte më e përshkueshme nga rrezet dhe, për këtë arsye hidhte një hije më të zbehtë.
Kur Ana Bertha pa skeletin e dorës së saj dhe unazën, ajo thirri: “E kam parë vdekjen time”!
Ky ishte “röntgenogrami” i parë në historinë e mjekësisë botërore. Eshtë fotografia simbolike e fillimit të Radiologjisë.
Më vonë, Röntgen bëri një fotografi më të mirë të dorës së mikut të tij Albert von Kölliker në një leksion publik.
Një vit më pas, rezultatet e para të rëntgenologjisë u paraqitën në 49 libra dhe në mbi 1.200 artikuj në revista shkencore.
Rrezet X filluan të zbatohen në të gjitha fushat e mjekësisë, duke përfshirë edhe urologjinë, në diagnostikimin e gurëve në veshka.
Analiza dhe botimet e Röntgen-it rreth zbulimit të një lloji të ri rrezatimi, shkaktuan një entuziazëm të madh midis fizikantëve. Kjo e shtyu Henri Becquerel- in të kërkonte lidhje me fosforeshencën , duke çuar në zbulimin e radioaktivitetit spontan në vitin 1896.
Marie dhe Pierre Curie u magjepsën gjithashtu nga puna me rrezet X, por pasi dëgjuan për gjetjet e Becquerel-it, ata iu rikthyen izolimit dhe identifikimit të izotopeve radioaktive, duke çuar në njohjen se rrezatimi gjenerohej në nivelin atomik.
Në vitin 1901 Röntgen u vlerësua me Çmimin e parë Nobel në Fizikë:
“Në njohje të shërbimeve të jashtëzakonshme që, ai ka ofruar me zbulimin e rrezeve të jashtëzakonshme, që më pas u emëruan sipas tij”.
Röntgen e dhuroi shpërblimin monetar të çmimit zyrtar për universitetin e tij. Ai refuzoi të regjistronte ndonjë patentë në lidhje me zbulimin e tij për arsye etike. Në të njëjtën mënyrë do të bënte disa vite më vonë edhe Marie e Pierre Curie.
Röntgen, nuk ka kërkuar që, rrezet të kenë emrin e tij megjithatë, gjermanët, por dhe në ambientet mjekësore, rrezet X i emërtojnë si “rrezet rëntgen” dhe, për nder të tij, është quajtur kështu njësia e matjes së ekspozimit të rrezatimit, e themeluar në vitin 1928.
Me inflacionin pas Luftës së Parë Botërore, Röntgen falimentoi financiarisht.
I vetëm, tepër modest për lavdinë e tij, vitet e fundit të jetës i kaloi në shtëpinë e tij në fshat në Weilheim.
Wilhelm Conrad Röntgen vdiq nga kanceri kolorektal më 10 shkurt 1923 në Mynih, në moshën 77 vjeç.
Në Remscheid-Lennep, 40 kilometra në lindje të vendlindjes së Röntgen në Düsseldorf , ndodhet Deutsches Röntgen-Museum.
Dita Botërore e Radiografisë më 8 nëntor të çdo viti, që përkon me përvjetorin e zbulimit të Röntgen-it, është një ngjarje vjetore, që promovon rolin e imazherisë mjekësore në kujdesin shëndetësor modern.
3. Aleksandër Fleming (1881 – 1955), mjek, mikrobiolog. Çmimi Nobel në Mjekësi për zbulimin e antibiotikut të parë- Penicilina.
Etydë mjekësore
“Një temë të re studimi shkencëtari e zbulon vetëm por, është vështirë të përfundohet me sukses çfarëdo pune shkencore pa bashkëpunimin e të tjerëve” A. Fleming.
Aleksandër Fleming lindi më 6 gusht 1881 në fermën Lochfield, Skoci, në një familje fermerësh. Babai i tij Hju Fleming kishte katër fëmijë të mbijetuar nga martesa e tij e parë. Hju Fleming, pas vdekjes të gruas së parë, ai ishte në moshën 60 vjeç në kohën e martesës së tij të dytë me Greja Mertonin. Aleksandër Fleming ishte fëmija i tretë nga katër fëmijët e fermerit Hju nga martesa e dytë. Bashkëshortja e tij e dytë Greja, grua dhe një nënë e mrekullueshme, mundi të bashkonte fëmijët e saj me fëmijët e gruas të parë të Hjusë në një familje të vetme të lumtur, në harmoni me 8 fëmijët e tyre.
Flemingët, fëmijëve u kishin dhënë liri të plotë. Aleksandri, gjithë kohën e lirë pas mësimeve, e kalonte sëbashku me vëllezërit e tij, duke u endur luginave dhe ranishteve të mbushura me shqope, me gjueti, me peshkim, me qethjen e dhënve… Jeta në këtë fermë të madhe, të rrethuar nga të tëra anët prej natyrës së egër, i jepnin mëndjes kureshtare të Aleksandrit një ushqim të përditshëm. Natyra, mësuesi i parë dhe më i mirë për njerëzimin, zhvillonte tek Aleksandri aftësinë e të vrojtuarit.
Aleksandri në moshën 12 vjeç mbaroi shkollën e Daruellit, qytet i famshëm për muzeun, për monumentin e poetit Robert Bërns, për panairin e djathrave… Aleksandri, në moshën 13 vjeç banonte sëbashku me të vëllanë Tomas (mjek okulist) në Çelsi, lagje ku banonin shumë piktorë të dëgjuar.
Aleksandri hyri në punë në shoqërinë e udhëtimeve “Ameriken Llajn”, ku punoi 5 vjet për të ndihmuar familjen e madhe Fleminger financiarisht, pasi babai kishte vdekur. I vëllai i tij Tomas, duke parë aftësitë e Akeksandrit, e këshilloi dhe e inkurajoi atë, që të hynte në shkollën mjekësore.
***
Aleksandri në vitin 1901, në moshën 20 vjeç u regjistrua në shkollën mjekësore pranë spitalit Sent-Meri. Studentët, pasi fitonin përgatitjen teorike, lejoheshin të punonin në repartet e ndryshme të spitalit, duke filluar nga urgjenca.
Reparti i bakteriologjisë, ishte reparti më i mirë në spital, fal emrit të shefit të repartit Dr. Allmrot Rajti, shkencëtar i njohur në fushën e bakteriologjisë (zbuluesi i autovaksinës). Emri i Dr. Rajtit qëndronte nëpër tekstet mësimore në shkollat mjekësore, krahas emrave të shkencëtarëve më të famshëm: Pastërit, Kohut.
Dr. Rajti dashuronte poezinë. Ai dinte përmendësh pothuajse të gjitha veprat e Shekspirit, Dantes, Gëtes. Gjithashtu, Dr. Rajt ishte një qitës i mirë dhe ëndërronte të gjallëronte veprimtarinë e klubit të qitësve të spitalit Sent-Merit.
Flemingu, sapo mori diplomën në shkollën mjekësore Sent-Meri, një nga shokët e tij, Dr. Frimeni, që punonte në laborator, duke njohur tipin dhe pasionet e Flemingut, i propozoi që të punonte në laboratorin e Dr. Rajtit, të cilit i kishte folur më parë për aftësitë e Aleksandrit në qitje.
Dr. Rajti u bind që ta pranonte Aleksandrin të punonte në laborator si asistent i tij.
Në periudhën, mes viteve 1876 dhe 1880, Pastëri në Francë dhe Kohu në Gjermani hapën përpara mjekëve fusha të reja për kërkimet shkencore.
Jemi në epokën e mikrobeve dhe bakterieve, seroterapisë, autovaksinat, vaksinat, imuniteti, fagocitoza, teoria “qelizore”, teoria “humorale”, asepsia, antiseptikët, malarja, tërbimi, tuberkulozi, sifilizi, transfuzioni i gjakut, sulfamidet, protozoli…
Jemi në kohën kur, burimet e sëmundjeve infektive pjesërisht ishin përcaktuar, por duheshin gjetur mënyrat e luftës kundër shkaktarëve të tyre.
Laboratori i Dr. Rajti në spitalin Sent-Meri qe i pajisur në mënyrë primitive: termostat, autoklav, pjata petri, epruveta, tuba xhami, mikroskop, shishe, lavaman por, në këtë laborator të thjeshtë, “zienin” ide shkencore, si në një “Bibliotekë”.
Në laborator, ekipi i Dr. Rajti punonin ditë e natë: në pavione me të sëmurët dhe në laborator. Gjaku i të sëmurëve të shtruar në spital, materjalet e mbjella dhe vrojtimet para mikroskopit analizoheshin nga ekipi në laborator me kureshtje të madhe, me diskutime të shumta, deri tek diagnoza dhe mjekimi (lidhja midis klinikës dhe laboratorit). Bënin dikutime të gjata me njeri tjetrin, duke pirë çaj, për teoritë ekzistuese dhe për zbulimet e reja në mjekësi.
Dr. Rajti “Plaku” kishte krijuar marrëdhënie shoqërore me kolektivin në punë, duke krijuar atmosferën e një lirie të këndëshme në ditët e gjata dhe të lodhshme në laborator. Dr. Rajti, duke ecur në laborator me duart nga mbrapa, kishte qejf të recitonte përmendësh vargje të gjata të poezive. Shpesh, pasi mbaronte vargjet, ai kthehej nga Flemingu dhe e pyeste: –Të kujt janë këto vargje?
Në laborator gjithmonë kishin vizitorë. Një nga miqtë e ngushtë të Dr. Rajt ishte Bernard Shou (1856-1950, shkrimtar nobelist), me të cilin bisedonin gjatë mbi letërsinë, rëndësinë relative të mjekësisë dhe filozofisë.
Shënim: Në vitin 1926, shkrimtari Bernard Shou merr Çmimin Nobel, por ai refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar, duke thënë: “Unë mund t’a fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mëndje për të shpikur Çmimin Nobel.
Dr. Rajti e çmonte Flemingun për punën e tij pa të meta, për pa gabueshmërinë e gjykimeve të tij, për përqëndrimin dhe vrojtimin skrupullos para mikroskopit, për bisedën e qetë me kolegët, për heshtjen, dëgjonte dhe fliste pak, për personalitetin dhe për njohuritë e tij enciklopedike për jetën.
Flemingu në laboratorin e Dr. Rajtit mësoi shumë gjëra. Për të qe një fat i madh që mësoi në shkollën e një shkencëtari të tillë si Dr. Rajti, por, dhe Rajti pati fat që, pranë tij, punonte Flemingu, asistent besnik ndaj tij, studiues i palodhur e tip shkencëtari.
Flemingu, krahas punës të pandërprerë në laborator, në vitin 1908 mori një diplomë me medalje të artë në bakteriologji të Universitetit të Londrës dhe u bë lektor në Sent-Meri. Në të njejtën kohë ai mori pjesë në konkursin për titullin e anëtarit të Kolegjit Mbretëror të Kirurgjisë dhe e fitoi.
Në konkursin e Fakultetit Sent-Meri, ai paraqiti punimin me titull “Infeksionet mikrobike” dhe, me të fitoi medaljen e artë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914 -1918) Flemingu, i graduar si kapiten, shërbeu në Korpusin e Ushtrisë Mbretërore Mjekësore. Ai, dhe shumë nga kolegët e tij, kanë punuar në spitalet e fushëbetejave në Frontin Perëndimor në Francë. Dr. Rajti, sëbashku me Flemingun ngritën një laborator dhe një qendër shkencore në Bulonjë të Francës. Për Flemingun fushëbeteja ishte një përvojë e jashtëzakonëshme jetësore por, dhe, mjekësore në trajtimin e plagëve të hapura dhe të infektuara, gangrenat, frakturat, etj, duke menduar se, shumë nga vdekjet e ushtarëve qenë shkaktuar nga plagët e infektuara.
***
Në vitin1915, Flemingu, mori leje gjatë kohës së luftës, dhe u martua me Sara Marion, lindur në Irlandë (Sara ishte binjake me motrën e saj Elizabeta). Sara, (të gjithë e thërrisnin Sarina) ishte kryeinfermiere. Sara kishte një klinikë private në qendër të Londrës.
Kur Flemingu u kthye në Bulonjë – Francë, ai u fliste shokëve të tij të laboratorit për “gruan” e tij, por shokët nuk e besonin, kujtonin se tallej. Shokët, që të bindeshin, i kërkuan Flemingut fotografinë e gruas…
Flemingu, sa i guximshëm ishte në sport, në fushëbeteja të luftës, në diskutime shkencore me kolegët dhe, para mikroskopit me kolonitë e mikrobeve, po aq i turpshëm ishte në marrëdhënie me femrat, nuk guxonte që t’u shprehte ndjenjat e veta.
Kur Flemingu u njoh me Sarën, Sarës iu desh t’i jepte zemrën atij, sepse Flemingu tregohej shumë i turpshëm.
Shumë vite më vonë, kur Sara ishte e sëmurë rëndë në shtrat, në prag të vdekjes, një shoqe i thotë:
-Jo, jo, ju nuk mund të vdisni… Ç’do të ndodhë me burrin tuaj pa ty?
Sara ju përgjigj:
– Asgjë. Ai do të martohet edhe një herë, por, gruas së tij të ardhme do t’i duhet ta bëjë vetë propozimin –
Sara, një bjonde fytyrëbardhë e faqekuqe, me sy të kaltër dhe me një fytyrë të qeshur, kishte një gjallëri të jashtëzakonshme, me shpirtmirësi, e gëzuar me jetën bashkëshortore me Flemingun.
Tek Flemingu ajo dallonte njeriun e thjeshtë me karakter dhe gjenialitetin e fshehur brenda tij. Ajo e respektonte, e dëgjonte me vëmendje dhe dëshironte gjithmonë ta ndihmonte në punën e tij shkencore.
Për këtë gjë, ajo shiti klinikën e saj private dhe ia mbushi mëndjen Flemingut që t’i linte vizitat mjekësore me të sëmurët dhe të merrej vetëm me punë shkencore në laborator.
Me një pjesë të parave nga shitja e klinikës së saj, ata blenë një shtëpi të vogël, të vjetër në fshat me një peisazh të mrekullueshëm, me lumin që rridhte anash, ku Flemingu notonte dhe peshkonte. Në kopështin e shtëpisë mbollën pemë, perime, lule dhe, në anë të kopshtit Flemingu ngriti një barankë, që e kishte si një laborator të vogël për punët e tija.
Në vitin 1924 Sara lindi një djalë, që i vunë emrin Robert. Fëmija i tyre i vetëm, Robert Fleming (1924–2015) vazhdoi shkollën mjekësore Sent-Meri dhe u bë mjek i përgjithshëm.
Në vitin 1918, pas luftës, Flemingu u kthye në Spitalin Sent-Meri.
Sara, Flemingun (Aleku, e thërriste ajo shkurtimisht) e shikonte shumë rrallë, pasi, ai të gjitha mbrëmjet i kalonte në laborator. Ajo, duke njohur gjenialitetin e Flemingut në thellësi, asnjëherë nuk e mërziste atë, apo t’i ankohej për mungesat e tij në familje, përkundrazi, me fytyrën e saj të qeshur e inkurajonte për punë të suksesshme shkencore.
Flemingu bashkohej me Sarën dhe me djalin në fshat ditën e shtunë dhe të diel. Familjarisht krijonin një atmosferë të gëzueshme, duke organizuar shpesh festa me shokë e miq dhe festa për djalin me fëmijët e fshatit.
Ditët e tjera të javës Flemingu i kalonte ditë e natë në laborator para mikroskopit me lamat e gjakut të pacientëve dhe me pjatat e petrit të mbjella për mikrobe.
Në vitin 1921 Dr. Rajti e emëroi Flemingun ndihmës të tij.
Emërimi i tij solli xhelozi dhe mërzitje tek kolegët më të vjetër në laborator, jo për Flemingun, sesa, ata e kishin me shefin e tyre Dr. Rajtin. Në këtë familje shkencëtarësh, dikur, aq të bashkuar dhe miqësor, pasionet njerëzore sollën përçarje. Flemingu, me heshtjen e tij dashamirëse, përpiqej të pajtonte grupet armiqësore pa shkaktuar pakënaqësi tek Dr. Rajti dhe, pa prekur kolegët.
***
Flemingu në punën e tij kërkimore-shkencore, gjeniun dhe idhullin shkencor kishte Luis Pastër. Flemingu, kur ishte në Paris, kryente gjithmonë pelegrinazhe në të gjitha vëndet ku ishte i gjallë Pastëri, sidomos, në Institutin Pastër qëndronte gjatë…Flemingu, gjithmonë sillte në mëndje se si Pastëri, në vitin 1877, vuri re një lloj myku të kulturave të tij, që zhdukte bacilin e plasjes: “Pastër vrojtonte fenomenet dhe kuptonte se, çfarë rëndësie kishin. Çdo eksperiment i Pastërit ishte i sigurt dhe vlente sa 100 eksperimente”.
Flemingu në punën kërkimore-shkencore ishte tepër i pasionuar dhe i përqëndruar tek kulturat që hulumtonte, këmbëngulës, vrojtues me shumë durim për gjithçka që, i dukesh e çuditshme, ose e jashtzakonshme. Dhe, Flemingu parandjente se, ndonjë farë peniciline do të mund të përdorej në të ardhmen në luftën kundër sëmundjeve infektive. Flemingu kishte rendiment të lartë në punë: atë proces laboratorik, që, të tjerët e bënin për 12-16 orë, Flemingu e realizonte për 4 orë me produktivitet të lartë.
Laboratori, ku punonte Flemingu ishte i ngushtë, i errët. Në pamje të jashtme dukej ambient i çrregullt me kultura bakteriesh të mbjella në pjatat e petrit. Flemingu i ruante pjatat dhe epruvetat nga dy-tri javë, para se t’i zhdukte, studionte me vëmendje dhe i kontrollonte mos kishte ndodhur në to ndonjë fenomen interesant, i papritur. Ai thoshte: – Nga një gjë e çuditshme mund të dalë diçka shumë interesante.
Historia e mëvonshme tregoi se Flemingu kishte të drejtë me metodën e tij të punës në laborator. Flemingu kishte aftësinë vrojtuese të një natyralisti të vërtetë dhe një aftësi të madhe përgjithësimi shkencor, që e lejonte të nxirrte konkluzione në bazë të fenomeve të vrojtuara. Këto cilësi janë karakteristike vetëm për një njeri që ka talent për punë shkencore.
Flemingu, me eksperimentet e shumta “in vitro” e “in vivo” në pjatat e petrit, në epruveta, me eksperimentet në minj dhe në lepuj, vrojtoi një fenomen interesant, të çuditshëm dhe emocionues. Gjithçka nga sekrecionet, apo nga indet e trupit të njeriut si: mukusi i hundës, pikat e lotit, sekrecionet nga hapsira e gojës, qumështi i grave, thonjtë, flokët, kishin aftësi të shkrinin dhe të vrisnin me efikasitetin më të madh bakteriet jo patogjene, por dhe disa patogjene.
Deri më tani, Flemingu ngelesh në hipotezën e tij për fenomenin e çuditshëm, që kishte vrojtuar. Pas shumë eksperimentesh me këmbëngulje dhe me besim në vetvete. Flemingu vërtetoi se, sekrecionet e trupit të njeriut kishin vetitë e enzimave (fermenteve natyrore), që kishin veti baktericide për mbrojtjen delikate të trupit të njeriut; sikur luanin rolin e një antiseptiku të dorës së parë në mbrojtje të qelizës së trupit të njeriut nga hyrja e mikrobeve nga jashtë.
Si duhej quajtur lënda e gjetur nga Flemingu?
Në vitin 1922, fenomeni i çuditshëm u shqyrtua me ekipin në laborator, në “Bibliotekë”, në orën e çajit. Dr. Rajti “Plaku”, i dashuruar pas formimit të fjalëve me rrënjë greke, e pagëzoi “Lizozimë”. Flemingu bëri një zbulim shumë të madh për kohën, por, ai, me thjeshtësinë dhe modestinë e tij karakteristike, kurrë nuk e përdorte fjalën “zbulim”, sepse i dukesh fjalë e madhe para zbulimeve të bëra nga “Tempujt” e mjekësisë deri më tani. Ai gjithmonë thoshte: “Vrojtimet e mia”.
Penicilina
“Kur u zgjova, vetëm pas agimit më 28 shtator 1928, unë nuk isha i sigurt se do të revolucionarizoja botën mjekësore, duke zbuluar antibiotikun e parë në botë, apo bakter vrasës“.
Deri në vitin 1927, Flemingu ishte i njohur në rrethet shkencore si një studiues brilant me punën e tij të mëparshme me Lizozimën dhe me shtamet e staphylokokut. Në vitin 1928. u zgjodh Profesor i Bakteriologjisë në Universitetin e Londrës.
Më 3 shtator 1928, Flemingu, pasi kaloi pushimet në fshat me familjen në muajin gusht, me zi priste që të kthehej në laborator. Ai parandjente se, diçka interesante do të gjente në pjatat e petrit! Para se të nisej për pushime, ai inokuloi stafilokokët në pjata kulture dhe i la ato në një stol, në një cep të laboratorit të tij.
Flemingu, si gjithmonë me syrin e vrojtuesit,duke vrojtuar me kujdes pjatat e shumta në tavolinën e çrregulltë, vuri re diçka interesante: një kulturë ishte e kontaminuar me një kërpudhë dhe, se si kolonitë e stafilokokëve, që rrethonin kërpudhën, ishin shkatërruar ndërsa, kolonitë e tjera të stafilokokëve më larg ishin normale.
Flemingu, disa spore të kërpudhës i mbolli në një pjatë me agar dhe i la ato të rriten për katër-pesë ditë në temperaturën e dhomës. Flemingu priste me padurim se, çfarë do të ndodhte me to?
Pas pak kohe u shfaq një myk.
Flemingu e mbolli po atë agar me bakterie të ndryshme. Myku ishte vdekjeprurës për streptokokët, stafilokokët, për bakteriet e difterisë, por, mbi bakterin e tifos nuk vepronte.
Flemingu u thellua më tej në studimin shkencor të mykut. Ai e rriti lëndën e nxjerr nga myku në një enë të madhe me bujon.
Sipërfaqja e lëngut u mbulua me një shtresë të trashë si pambuk.
Flemingu e vazhdoi më tej studimin me pikpyetje të shumta në mëndjen e tij: –Në se,ky lëng, ka vetitë baktericide të mykut?
Flemingut, zbulimi i mykut i dukej shumë interesant. Ndërsa lizozima, e zbuluar prej tij, kishte efekt kryesisht kundër mikrobeve të padëmshme.
Myku nxirrte një lëndë “notatum Penicillium”, që ndërpriste rritjen e mikrobeve patogjene të disa sëmundjeve nga më të rrezikshmet e kohës.
Ky “lëng myk”, i quajtur substancë, liroi Penicilinë më 7 mars të vitit 1929. Flemingu ishte i bindur se kishte bërë një zbulim me rëndësi për shëndetin e njerëzimit. Tani, ai ëndërronte që, këtë lëndë aktive, ta nxirrte të pastër. Por, ai mendonte se, këtë proces nuk mund ta bënte ai vet. Këtë proces mund ta bënin vetëm kimistët profesionistë dhe me prirje shkencëtari dhe, jo mjekë.
Flemingu publikoi zbulimin e tij në vitin 1929, në British Journal of Experimental të Patologjisë.
Flemingu, gjatë kësaj kohe, përgatiti artikuj në revista shkencore, kumtesa për “Penicilinën” në konferenca dhe në kongrese por, ai pritej ftohtë nga auditori, pa entusiazëm. Kjo gjë e mërziste shumë, pasi, në vetveten e tij kishte bindje të plotë për dobinë e kësaj lënde.
Flemingu me durim vazhdonte me mjekët e spitalit Sent –Meri, eksperimentet për përdorimin lokal të Penicilinës në plagët e infektuara në kirurgji dhe në gjinekologji.
Pas vitit 1931, për Flemingun gjithçka ndryshoi në jetën profesionale.
U inagurua godina e re në spitalin Sent-Meri: Instituti i Kërkimeve Shkencore të Patologjisë dhe Shkolla Mjekësore . Tani Flemingu punonte në laboratorin e ri në kushte moderne, por, tavolina e tij e punës dukej si më parë, e “çrregullt”.
Endrra e Flemingut për hobet e tij ndaj sportit, u realizua. Në spitalin Sent – Meri sporti vlerësohej shumë. Në spital u krijuan pesë ekipe për futboll regbi, të cilat u dalluan duke fituar disa herë kupën e spitaleve. Ndërtesa e re e Shkollës mjekësore kishte edhe pishinë. Sent-Meri fitoi kupën e spitaleve në not dhe në vaterpolo. Po, kështu, klubi i qitësve ishte në lartësinë e duhur. Bëheshin gara midis studentëve dhe pedagogëve. Flemingu dilte fitues për skuadrën e pedagogëve.
Flemingu përpiqej me këmbëngulje, vit pas viti, për të gjetur një kimist, që do të arrinte të prodhonte Penicilinë të pastër.
Shkencëtarëve kimistë në Angli, Francë, Flemingu u ofronte lëndën e parë “Penicilinium”, i inkurajonte ata pa asnjë lloj interesi vetjak, vetëm, të nxirrnin Penicilinën aktive të pastër në të mirë të njerëzimit!
Kudo ku shkonte, Flemingu mbante në xhep xhama (lama) me mykun e Penicilinumit, si një gjë të çmuar dhe, ja u tregonte të tjerëve me urtësi, sikur, kërkonte ndihmë për nxjerrjen e penicilinës së pastër.
Në një darkë, në tavolinë, pranë kishte një zonjë.
Flemingu nxjerr nga xhepi xhamin me mykun e penicilinës dhe i drejtohet zonjës: – E shikon këtë? Këtu është e ardhmja e shëndetit të njerëzimit.
Zonja e pa në sy Flemingun, dhe, e habitur i thotë: – Ky është vetëm një xham i pistë …!
Në gusht të vitit 1939 Flemingu me Sarën shkuan në Nju-Jork, të ftuar në Kongresin e III-të Ndërkombëtar të Mikrobiologjisë. Flemingu ishte i lumtur kur mori vesh aty se, puna e tij, e kryer me aq kujdes në spitalin e vogël Sent-Meri ishte bërë e njohur përtej oqeanit dhe u kishte ngjallur interes shkencëtarëve. Mbrëmjet i kalonin me shkencëtarët amerikanë në sallonin e duhanit me gotën e birrës përpara. Bisedat rrotulloheshin rreth punës shkencore, për luftën (Lufta e Dytë Botërore), për plagosjet, për infeksionet.
***
Dr. Flori, profesor në universitetin e Oksfordit, nëpërmjet literaturës u njoh me punën e Flemingut mbi Lizozimën. Lizozima ju duk temë interesante për studim të mëtejshëm.
Dr. Çejni, që drejtonte sektorin e Biokimisë në universitetin e Oksfordit, ju duk mjaft interesante kumtesa e Flemingut për penicilinën, që ishte mbajtur në vitin 1929. Dr. Çejni, nga Flemingu mësoi se “ekziston një lëndë, që ka cilësi antibakteriale, shumë premtuese”.
Në vitin 1939 Çejni e filloi studimin e Penicilinës. U ngrit grupi i punës së Oksfordit me shkencëtarë të rinj: Dr. Florin, Dr. Çejni dhe bashkëpunëtorë të tjerë shkencorë.
Shkencëtarët e Oksfordit, pas një pune të gjatë këmbëngulëse me eksperimente të shumta, më në fund arritën të veçonin në formë të koncentruar, të qëndrueshme dhe, pjesërisht të pastruar lëndën e mrekullueshme, që kishte cilësi të habitshme: vriste mikrobet pa dëmtuar qelizat e organizmit.
Erdhi çasti i provës vendimtare në vitin 1940 me tri grupe minjsh të infektuar. Flori, Çejni dhe bashkëpunëtorët e tjerë flinin në laborator dhe çdo tre orë zgjoheshin nga zilja e sahatit. Pas 16 orëve ngjau çudia: minjtë e pa mjekuar ngordhën, kurse minjtë e mjekuar shpëtuan.
Për Flemingun, njoftimi i parë i grupit të Oksfordit nga Dr. Flori dhe Dr. Çejni të botuar në ‘LANCET”, ishte e papritura më e gëzueshme në jetën e vet.
Më në fund, pas 10 vjetë pritje, ëndërra e Flemingut u bë realitet!
Flemingu nuk i njihte dhe, nuk qe takuar asnjëherë më parë me Florin dhe Çejnin. Flemingu shkoi në Oksford që të takohej me Florin dhe me Çejnin. Çejni u çudit shumë kur dëgjoi se Flemingu po vinte.
Ai tha: – O Zot! Mendova se kishte vdekur.
Flemingu me mirësinë e tij i tha Çejnit: –Ju arritët të përpunoni lëndën time. Ja, me të tillë shkencëtarë – kimistë ëndërroja të punoja në vitin 1929.
Në vitin 1941 penicilina u injektua tek të sëmurët me një përmirësim të menjëhershëm të gjëndjes shëndetësore. Dr. Flori, i entusiazmuar nga suksesi i penicilinës, interesohej pranë qeverisë britanike për prodhimin industrial të ilaçit çudibërës. Por, përgjigja ishte negative. Ishte koha e Luftës së Dytë Botërore.
Shkencëtarët e Oksfordit shkuan pothuajse, në të gjitha ndërmarrjet e mëdha kimike në Angli, Spanjë, Francë dhe në SHBA, por, merrnin përgjigje pezmatuese. Drejtuesit e ndërmarrjeve kimike dhe farmaceutike gjykonin se, nuk kishin fitim.
Në SHBA shkencëtarët e Oksfordit me dr. Florin në krye u kërkonin bizesmenëve amerikanë, vetëm që, të organizohej prodhimi i penicilinës për të mirën e njerëzimit. Ata nuk kërkonin që, të ruanin patentën për zbulimin e tyre, por, vetëm t’u jepej mundësia financiare për vazhdimin e studimeve të tyre klinike.
Gjatë viteve 1940-1942 për Aleksandër Flemingun pothuajse nuk flitej. Punimet e tij shkencore qenë harruar. Shkencëtarët botonin njoftime mbi zbulime që, ata i quanin me sinqeritet si të tyret, ndërsa këto fakte shkencore ishin përshkruar më përpara nga Flemingu.
Gazeta “Tajms”, si kryeartikull “Penicilinium” fliste për shpresat e mëdha që kishte ngjallur Penicilina, e cila ishte 100 herë më e fuqishme se sulfamidet, por, fatkeqësisht, në kryeartikull nuk përmëndej as emri i Flemingut si zbuluesi i parë i saj dhe, as grupi i shkencëtarëve të Oksfordit, që nxorrën Penicilinën e pastër aktive. Dr. Rajti “Plaku”, i indinjuar nga kryeartikulli, i dërgon një letër “Tajms”: –Sër, në kryartikullin tuaj të djeshëm për penicilinën, ju nuk ia dhatë degën e palmës atij që i takon, atij që bëri këtë zbulim, që punon në laboratorin tonë të kërkimeve shkencore, profesor Aleksandër Fleming “Palmam qui meruit ferat”. Aleksandër Fleming e zbuloi i pari penicilinën dhe i pari, që parashikoi se, kjo lëndë mund të gjejë përdorim të gjerë në mjekësi.
Letra e Dr. Rajtit drejtuar “Tajms” pati ndikim tepër pozitiv në shtypin e kohës dhe në rrethet shkencore mbi të vërtetën shkencore të zbulimit të Penicilinës.
Flemingu i heshtur u bë favorit i gazetarëve dhe publikut. U mbyt nga lumi i letrave, telefonata pafund, intervista, ftesa nga gazetarë dhe njerëz të shquar nga të gjitha vëndet e botës.
Flemingu modest dhe origjinal, bashkëbiseduesve gjithmonë u kujtonte meritat e Dr. Florit dhe Dr. Çejnit në këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Në gusht të vitit 1942, Flemingu provoi vet aplikimin e Penicilinës tek një i afërm i tij, i shtruar në Sent-Meri në gjëndje të rëndë me mening.
I kërkoi Dr. Florit në Oksford, që t’i dërgonte pak penicilinë të pastër. Dr. Flori, bujar, i dërgoi penicilinë të pastër, por me kusht, që ky rast të futej në numrin e vrojtimeve të grupit të Oksfordit.
Pas aplikimit të Penicilinës, i sëmuri doli nga gjëndja e rëndë.
Në ambientet e spitalit Sent-Meri ndjehej triumfi i Flemingut në shkencë.
Më 25 shtator 1942 u organizua një mbledhje në Portlend Haus, ku morrën pjesë: Flemingu, grupi i shkencëtarëve të Oksfordit dhe përfaqësues nga ndërmarrjet kimike dhe farmaceutike, ku do të përcaktoheshin standardet e prodhimit të Penicilinës dhe të preparateve të Penicilinës: aplikim lokal me pomada, tableta dhe inxheksion i.m dhe i.v.
Në treg kishin dalë kremëra të ndryshëm me penicilinë, pika për sy, tableta dhe kremra kozmetike. Uzinat perfeksionuan teknologjinë e prodhimit të penicilinës dhe prodhimin e saj në sasi të madhe, që u vu në dispozicion të të plagosurve në luftë dhe të shruarve në spital.
Në vitin 1943 Flemingu u zgjodh anëtar i Shoqërisë Mbretërore, shoqëria më e vjetër dhe më e nderuar e Britanisë së Madhe, e themeluar në vitin 1660. Njutoni kishte qenë president i shoqërisë për disa vite. Dr. Rajti ishte anëtar i kësaj shoqërie. Për shkencëtarin, që bëhej anëtar i kësaj shoqërie, do të thoshte, që anëtari të bëhej i denjë për nderin më të madh, që mund t’i bënin kolegët.
Me këtë rast miqtë e Flemingut në spitalin Sent-Meri, profesorët dhe kolegët me në krye shefin Dr. Rajtin, i organizuan një ceremoni, duke i dhuruar një pjatë të argjentë. Në shenjë falenderimi dhe mirënjohje, Flemingu tha:
– Në jetën time kam pasur disa gëzime të vogla që më kanëe gëzuar, por duhet të pranoj ndershmërisht se, sot është dita më e shënuar e jetës sime, sepse ju, mësuesi im, i respektuar (Dr. Rajti), ju, shokët dhe studentët e mi jeni mbledhur këtu që të më nderoni–
Autoritet qeveritare lejuan përdorimin e Penicilinës për mjekimin e popullsisë civile. Pjesa teatrale e Bernard Shout “Dilema e mjekut” u bë realitet.
Publiciteti i firmave farmaceutike dhe i reklamave në gazeta, që e paraqesnin penicilinën si ilaç magjik për të gjitha sëmundjet, Flemingun e shqetësonin: -Unë kurrë nuk kam thënë se, Penicilina mund të shërojë çdo sëmundje. Këtë e kanë thënë gazetat… Ajo ka efekt të çuditshëm vetëm për disa sëmundje, ndërsa, për disa sëmundje është krejt e paefektshme-
Më 25 tetor 1945, Flemingu mori një telegram, me anë të të cilit i njoftohej se, atij, Florit dhe Çejnit u ishte dhënë çmimi Nobel në mjekësi.
Në vitin 1945 Flemingu erdhi në Francë, i ftuar nga qeveria franceze. Me një pritje solemne në Akademinë Mjekësore, ai ndjeu vlerësim të jashtëzakonshëm.
Prof. Robert Debre (“babai” i pediatrisë moderne franceze) kujton:
“Te Flemingu të habiste kujdesi i madh në dhënien e gjykimeve, ai donte të mbështetej gjithmonë në fakte…”.
Pritje solemene Flemingut ju organizuan në Itali, Danimarkë dhe Norvegji.
Flemingu ngeli njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm dhe pas lavdisë. Kur vinin vizitorë të huaj në Institut për ta uruar, ata habiteshin:
–Si? Ky është Flemingu i lavdishëm?
Flemingu ishte i lumtur që mundi ta kalonte provimin më të vështirë të jetës së tij-Lavdinë, midis periudhës së jetës nga laboratori dhe spitali i vogël Sent-Meri deri tek akademitë dhe shoqëritë shkencore botërore… Flemingu ishte mishërimi i njeriut të pastër, të ndershëm dhe të sinqertë, pa asgjë artificiale.
Mbrëmjet i kalonte tek klubi i Çelsit. Pinte një gotë birrë dhe kënaqej me bisedat me artistët. Klubi i piktorëve në Çelsi ishte vetëm për njerëzit e artit. Në klub hynin dhe disa anëtarë nderi, midis të cilëve ishte dhe Flemingu. Flemingut iu lutën që të pikturonte një tablo, në mënyrë që të përligjej pranimi i tij në klubin e artistëve. Flemingu, në fshat, me penela, me ngjyrat dhe kanavacën, pikturoi një lopë nga ferma e tij. Por, piktura nuk i ngjante fare lopës…
Miqtë e tij artistë, pasi panë pikturën, i thanë Flemingut:
– Faleminderit! Kjo është një mrekulli, tamam, këtë deshëm.
Piktorët hapën një ekspozitë, ku ishte dhe piktura e lopës së Flemingut.
Pranë pikturës, Flemingu dëgjon dy zonja të moshuara në moshë, që flisnin me njera tjetrën, duke parë pikturën e lopës:
– Më duket se është lopë, por nuk e dalloj dot mirë se, çfarë është?…
E moshuara tjetër i thotë: –Ky, art i ri, me sa duket ka ndonjë kuptim, por, unë nuk mund ta kap se, çfarë kuptimi ka?
Flemingu e ndjeu veten ngushtë. Në sallën e ekspozitës pa një shokun e tij dhe i thotë: – Të lutem, bleje tablon e pikturës sime dhe, lekët e saj do të t’i jap unë.
Kështu u bë. Në klubin e artistëve u mor vesh ky humor…
Flemingu u zgjodh anëtar i klubit për gjithë jetën. Ai i mjekonte falas anëtarët e klubit, ose, i ndihmonte kur kishin probleme, që të shtroheshin në spitalin Sent-Meri.
Flemingu, kënaqësinë e vërtetë “bio” e ndjente kur ishte në familje. Sara, me gjithë lavdinë e Flemingut, mbeti po aq e thjeshtë dhe besnike ndaj shokëve dhe miqve të vjetër të Flemingut.
***
Më 1 tetor 1946 në spitalin Sent-Meri, në kabinetin e Flemingut u paraqit për specializim në fushën e bakteriologjisë mjekja e re greke Amalia Kucuris-Vureka.
Amalia në fillim u gjend e ndrojtur para emrave të mëdhenj të shkencës si Dr. Rajti dhe Flemingu “Nobelist”. Dr. Rajti i përgjante me portetet parahistorike greke, kurse Flemingu “Nobelist”, me hije të rëndë, fliste pak, me zë të ulët, pa i hapur buzët, duke mbajtur cigaren në anë të gojës.
Në vitin 1947 Dr. Rajti vdiq, mësuesi i jashtzakonshëm i Flemingut.
Flemingu ishte profesor i bakteriologjisë dhe u emërua drejtor i Institutit.
Ngarkesa në punë ju shtua. Ai, krahas punës shkencore në laborator, duhej të qëndronte në zyrë dhe të merrej me anën administrative të Institutit.
Falë tipit të tij serioz, të ndershëm dhe të qetë, në mes kolegësh kishte harmoni dhe bashkëpunim në punë. Shpesh organizonin festa dëfrimi dhe sportive. Profesori, gjithmonë ishte i prirur për t’i ndihmuar, i inkurajonte dhe gëzohej me sukseset e tyre në punën shkencore.
Kënaqësinë e kishte kur dilte nga zyra dhe zbriste shkallët për në laborator. Gjithmonë kolegët i pyeste:
–Vrojtuat ndonjë gjë interesante në mikroskop?
E shprehte gëzimin në fytyrë, kur i thoshnin:- Po.
Kur kolegët donin të botonin ndonjë artikull shkencor në revista, profesori u thoshte që, emrin e tij ta vendosnin pas emrit të tyre se, po ta vendosnin të parin, redaksia e revistës mund të linte vetëm emrin e tij dhe emrat e tjerë nuk i vendoste, duke i zëvendësuar me etj.
Interes të veçantë tregonte profesori për ecurinë shkencore të Amalisë, specializantes greke. Ai gëzohej në heshtje, pa e shprehur, për ecurinë shkencore të saj dhe, që, ajo, gëzonte respektin e kolegëve, si e vetmja femër mjeke, që punonte në laborator.
Amalia, me mirësjelljen e saj, u bë mysafire e shpeshtë në shtëpinë e Flemingëve, në Çelsi. Sara e pëlqente Amalinë për sjelljen, e papërtuar, vishesh thjeshtë dhe pastër. Në punët e shtëpisë e ndihmonte Sarën, veçanërisht në darkat që shtronin për miqtë. Në tregun e fshatarëve dilnin sëbashku dhe kujdesoheshin që, të blenin ato gjëra, që i pëlqenin Alekut. Nganjëherë, Amalia shërbente si përkthyese në mes të Flemingëve dhe mysafirëve të shumtë të huaj. Amalia fliste tri gjuhë dhe Flemingut kjo i dukej e jashtzakonshme, por, krenohej për specializanten e tij.
Një ditë në shtëpinë e Flemingëve në Çelsi kishte ardhur një gazetar i huaj për të intervistuar Aleksandrin. Amalia shërbente si përkthyese. Në fund të intervistës, gazetari i kërkoi një fotografi Aleksandrit për gazetën.
Amalia përfitoi nga momenti dhe, ju lut profesorit që t’i jepte dhe asaj një fotografi. Aleksandri bëri sikur nuk e dëgjoi. Sara, bujare në shpirt, i thotë Aleksandrit:
– Alek, jepi dhe doktoreshë Amalisë një fotografi.
Amalia e falenderoi profesorin me përulësi për fotografinë.
***
Në vitin 1948 Flemingu u nis përsëri për në SHBA, ku ishte ftuar për leksione me studentët: fjalime të thjeshta dhe bindëse për auditorin.
Në SHBA ndjeu gëzim dhe zemërim. Vuri re se, familja e antibiotikëve rritej gjithnjë e më shumë bazuar tek prodhimi primar i Penicilinës.
Kur Fleming mësoi për patentimin e metodës së prodhimit të penicilinës në Shtetet e Bashkuara nga Robert D. Coghill dhe Andrew J. Moyer në vitin 1944, ai u tërbua nga zemërimi dhe komentoi:
–E gjeta penicilinë dhe e kam dhënë falas për të mirën e njerëzimit. Pse duhet të bëhet një monopol fitimprurës i prodhuesve në një vend tjetër?
Flemingu, kur u kthye në Londër e gjeti të shoqen, Sarën në gjëndje të rëndë shëndetësore. Flemingu ishte shumë i dëshpëruar që, nuk mund ta ndihmonte dot shoqen e tij të jetës për gjatë 34 vjetëve në familje dhe në shkencën e zbulimit të Penicilinës. Flemingu ishte i ndërgjegjshëm për disfatën me njeriun më të ngushtë të jetës:
–Më e tmerrshmja është se Penicilina nuk mund t’i ndihmojë asaj, nuk ka vlerë për Sarën!
Sara vdiq në nëntor të vitit 1948.
***
Flemingu, në moshën 67 vjeçare, mbeti krejt vetëm, dukej si një plak i mjerë, me ato duar që i dridheshin. Roberti, djali i tij ishte bërë mjek.
Në laborator qëndronte më gjatë dhe mbrëmjet i kalonte në klubin e Çelsit të artistëve, duke luajtur bilardo dhe me gotën e birrës.
Tani, e vetmja gjë që, i jepte zemër Flemingut dhe, që e mbante aktiv, ishte puna në laborator dhe në Institut. Vajtja e Dr. Amalisë në laborator i shtonte energjitë për punë të mëtejshme shkencore.
Prof. Flemingu e ftonte nganjëherë doktoreshën e re greke që ta shoqëronte në ndonjë mbrëmje në akademi, apo, në ndonjë ceremoni solemne.
Amalia e nderonte me mirësjelljen dhe kulturën e saj.
Flemingu, pasi qe kthyer nga një udhëtim, për herë të parë e ftoi Amalinë të kalonte të shtunën dhe të dielën në shtëpinë e tij në fshat.
Amalia u njoh me të papriturat e punës së Flemingut në fshat: punishten e kishte kthyer në laborator të mobiluar me dollape dhe rafte të vjetër, në tavolinë kishte aparate të shtrenjta si dhuratë, si dhe, aparaturat e bëra vet, blloqe shënimesh, kallama peshkimi, galloshe dhe çizme për të ecur në livadh gjatë punës në fermë. Në fund të kopshtit kishte ngritur një punishte, ku, në ditët me shi bënte punë të ndryshme me sharra elektrike dhe me vegla të tjera pune.
Amalisë i pëlqeu shtëpia e qetë dhe e rehatshme, natyra, lulet, pemët dhe riviera e lumit.
Më në fund Amalia e mbaroi periudhën e specializimit dhe u kthye në Athinë, ku u caktua drejtuese e laboratorit në spitalin e Athinës.
Pas largimit të specializantes së vet greke, Flemingu dukej si i hutuar.
Nga Athina, Amalia i dërgoi një letër prof. Flemingut, ku i shkruan për emërimin e saj si drejtuese laboratori në spitalin e Athinës, duke e falenderuar profesorin e saj. Flemingu e lexoi letrën e Amalisë dhe me kujtimet më të mira i dërgoi letër, ku, e uroi për emërimin e saj në laborator dhe, mëtej i shkruan: –Dhe, këtu, karrigen e ke bosh në laborator…!
Gjatë kësaj kohe, duke punuar në Sent-Meri e njftojnë se, nga një grup i gjërë studentësh Aleksandër Flemingu u zgjodh rektor i Universitetit të Edinburgut në Skoci (posti i rektorit ishte post nderi, pa u shkëputur nga puna e tij shkencore në laboratorin Sent-Meri).
Flemingu u kënaq shumë që, e zgjodhën me shumicën dërmuese të votave si rektor. Në fjalën e tij në auditorin e universitetit të Edinburgut thotë:
– Në studimin e çdo problemi, hapat e parë shkencëtari i bën vetëm. Ndërsa, përpunimi i mëtejshëm kryhet bashkë me të tjerët. N.q.s. në spitalin Sent –Meri me Flemingun do të kishte punuar dhe një grup kimistësh, penicilina e pastër do të ishte nxjerrë shumë vjetë më parë, sesa, kur arriti ta bënte grupi i shkencëtarëve nga Oksfordi.
Flemingu u caktua anëtar i një komisoni të UNESKO-s, që merrej me organizimin e konferencave mjekësore ndërkombëtare.
Në tetor 1952 në Athinë u organizua një konferencë ku, do të merrte pjesë dhe Flemingu. U nis për në Athinë me dëshirë. Në aeroport u prit nga Amalia me një buqetë të bukur me lule dhe me miqtë e saj. Universiteti i Athinës ngarkoi Dr. Amalinë që, të organizonte gjithçka me rastin e vajtjes së Flemingut: takimet, leksionet, mbledhjet, vizitat, eskursionet.
Amalia ishte e lumtur që, mund t’i shërbente si shoqëruese dhe si përkthyese Flemingut. Flemingu, me shpirtin e tij, sa sportiv e, po aq dhe artistik, i shijonte vëndet e bukura me histori hyjnore në Athinë, vizitat në ishullin Rodos dhe këngët e bukura nën tingujt e orkestrës me buzukun e famshëm grek.
Amalia, dëgjonte me këshëri bisedat e Flemingut me kolegët dhe, si grua e zgjuar, ishte mjaft komplementare për tipin e Flemingut me të tjerët. Flemingu ishte mjaft i shoqërueshëm dhe i këndshëm kur takonte bashkëbisedues, që kishin interesa të përbashkëta për shkencën.
Nuk reagonte kur bisedat ishin pa kuptim dhe me fjalë të pista.
Greqia, që në mëngjesin e parë, e magjepsi Flemingun: – Kur u zgjova dhe hodha sytë nga dritarja e dhomës, përpara meje ngrihej Akropoli madhështor… diçka e paharrueshme.
Greqia ushtroi tek ai një forcë të madhe tërheqëse, fal dhe njohurive të tij për mitologjinë greke, por, dhe nga tregimet që, Amalia i kishte treguar më parë për bukuritë e Greqisë, apo, nga vargjet e recituara me pasion nga Dr. Rajti.
Flemingu ndjeu një ngrohtësi dhe një mikpritje të përzemërt në Greqi, të cilën nuk e kishte ndjerë gjatë gjithë udhëtimeve të tij në botë.
Në Athinë u zgjodh anëtar i Akademisë së Athinës dhe, i organizuan një ceremoni solemne: ju dha qytetar nderi i Athinës.
Në Greqi e mbuluan me nderime. Në këtë vizitë të mrekullueshme disa ditore Flemingu e ndjeu, e çmoi dhe e vlerësoi shumë kujdesin e veçantë të Dr. Amalisë.
Natën e fundit, Flemingu dhe Amalia hëngrën darkën bashkë për të fundit herë. Në darkën e fundit, Flemingu i ndrojtur dhe i turpshëm, me zë të ulët, ju drejtua Amalisë:
– Ju pyeta nëse, pranoni të martoheni me mua?…
Ajo e vështroi i habitur profesorin dhe nuk i besonte veshëve.
Në moment, ju përgjigj, duke vendosur dorën e saj me butësi mbi dorën e profesorit: –Po.
Më 9 prill 1953 u bë martesa në Bashkinë e Çelsit. Miqtë e Flemingut e aprovuan martesën e tij me doktoreshën Amalia Kucuris-Vureka, e cila kishte karakter të fortë, sinqeriteti dhe shpirtmirësie, me mjaft mend dhe njohuri.
Udhëtimet e Flemingut, tani, sëbashku me Amalinë, vazhdonin me sukses si në Kubë, Nju-Jork, Francë, Greqi. Gjatë udhëtimeve jashtë vendit, Amalia, që rrinte gjithë kohën pranë tij, vuri re se, jashtë Anglisë, Flemingu ishte më pak i turpshëm se zakonisht, më i lirshëm në diskutime me kolegët…
***
Në janar të vitit 1955 Flemingu u largua nga posti i drejtuesit të Institutit, por vazhdoi punën, si zakonisht për ditë në laboratorin Sent-Meri. Tani, artikujt flisnin për një punë të përbashkët të nënshkruar nga Aleksandër e Amalia Fleming.
Të premte, në mëngjesin e datës 11 mars 1955, Flemingu, duke dalë nga banja në shtëpi, kishte shtrëngime në gjoks, u zbeh në fytyrë dhe, befas, ra në tokë me fytyrë përpara. Amalia e tronditur kërkoi menjëherë ndihmën mjekësore, por Flemingu refuzoi me këmbëngulje.
Aleksandër Flemingu, më 11 mars 1955 vdiq papritur, nga një atak në zemër, pa asnjë ndihmë mjekësore! Aleksandër Flemingu vdiq në moshën 74 vjeçare, ashtu si jetoi: me modesti, me trimëri dhe në heshtje.
Aleksandër Flemingun e varrosën në katedralen e Shën-Pavlit me një ceremoni madhështore.
Dr. Amalia Kucuris-Vureka vdiq në vitin 1986.
Pas vdekjes, emri i Aleksandër Fleming zuri vënd nderi në mbarë botën: në institucione shkencore, në rrugë, apo, aty ku Flemingu kishte shkelur. Laboratori në Spitalin St Mary, ku Flemingu zbuloi penicilinën, është Muzeu Fleming. Në Londër, sheshe dhe rrugë mbajnë emrin e Aleksandër Fleming. Në Athinë , një shesh i vogël në qendër të qytetit dhe numër rrugësh mbajnë emrin e Flemingut dhe bustin e tij, ose të gruas së tij të dytë greke, Amalias.
Epilogu
Aleksandër Flemingu bëri përmbysje në mjekësinë botërore moderne në mesin e shekullit të XX-të, duke u renditur ndër tempujt e mjekësisë botërore.
Zbulimi i Flemingut për Penicilinën, kishte krijuar një industri të madhe farmaceutike, duke prezantuar epokën e antibiotikëve të dobishëm, që kanë shpëtuar dhe, ende, po shpëtojnë miliona njerëz në mbarë botën.
Kompanitë e mëdha farmaceutike lulëzuan me fitime kolosale…
Aleksandër Flemingu, nga viti 1921 deri në vdekjen e tij në vitin 1955, zotëronte vetëm një shtëpi fshati të quajtur “The Dhoon” në Barton Mills, Suffolk!
Referenca
Mbështetur, kryesisht, tek libri “Alexandre Fleming” shkruar nga André Maurois, shkrimtar francez (1885 – 1967).
4. Francis Crick (1916-2004) shkencëtarë britanikë. Çmimit Nobel në Mjekësi për identifikimin e strukturës së ADN-së
Francis Crick lindi më 8 qershor 1916, në Northampton të Anglisë, fëmija i parë i Harry Crick dhe Annie Elizabeth Wilkins.
Crick u arsimua në Shkollën Gramatikore Northampton dhe Shkollën Mill Hill në Londër. Ai studioi fizikë në University College në Londër, mori një diplomë B.Sc. në vitin 1937 dhe filloi kërkimet për një doktoraturë nën drejtimin e Prof. EN da C. Andrade, por kjo u ndërpre nga shpërthimi i luftës në vitin 1939.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Crick punoi si shkencëtar, kryesisht në lidhje me minat magnetike dhe akustike.
Në vitin 1947 filloi studimet në biologji. Në vitin 1949 ai u bashkua me Njësinë e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore të kryesuar nga MF Perutz. Kjo Njësi, që nga vitin 1962, u emërtua Laboratori i Biologjisë Molekulare të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Kembrixh.
Ai u bë student kërkimor për herë të dytë në vitin 1950, duke u pranuar si anëtar i Kolegjit Caius, Kembrixh, dhe mori një doktoraturë në vitin 1954 me një tezë të titulluar “Difraksioni i rrezeve X: polipeptidet dhe proteinat”.
Në vitin 1947, Crick filloi të studjojë biologjinë dhe u bë pjesë e rëndësishëm në ekipin e shkencëtarëve fizikantë në kërkime në biologji.
Sipas Crick, përvoja e të mësuarit të fizikës i kishte mësuar atij diçka të rëndësishme: paturpësinë dhe bindjen dhe, se, që nga fizika, që tashmë ishte një sukses, përparime të mëdha duhet, gjithashtu, të jenë të mundura dhe në shkencat e tjera, të tilla, si biologjia-.
Për pjesën më të mirë të dy viteve, Crickka punuar për vetitë fizike të citoplazmës në Laboratorin Strangeways Kembrixh, i kryesuar nga Honor Bridget Fell.
Crick i kushtonte një rëndësi teorike biologjisë molekulare dhe ka luajtur një rol vendimtar në hulumtimin në lidhje me zbulimin e kodit gjenetik.
Ai është i njohur për përdorimin e termit ” dogmë qëndrore “për të përmbledhur një ide, që bën rrjedhjen e informacionit në qelizat: nga ADN-ja për te ARN-ja.
Francis Crick dhe Maurice Wilkins i Kolegjit Mbretëror ishin miq personal, të cilët kanë ndikuar në ngjarjet e mëvonshme shkencore dhe në miqësinë e ngushtë midis Crick dhe James Watson.
1951-1953: Struktura e ADN-së
Në vitin 1951, Crick ka punuar me James D. Watson në Laboratorin Cavendish në Universitetin e Kembrixhit , Angli. Në vitin 1951, Crick, së bashku me William Cochran dhe Vladimir Vand, ndihmoi në zhvillimin e një teorie matematike për shpërbërjen e rrezeve X nga një molekulë spirale.
Një ndikim në karrierën e Crick ishte miqësia e tij, që filloi në vitin 1951, me JD Watson (biolog molekular, gjenetist dhe zoolog amerikan), e cila çoi në vitin 1953 në propozimin e strukturës me dy helika për ADN-në dhe skemën e replikimit.
Kur James Watson arriti në Kembrixh, Crick ishte një 35-vjeçar student i diplomuar (për shkak të punës së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe Watson ishte vetëm 23 vjeç, por ai tashmë kishte një Ph.D .
Zbulimi u bë në 28 shkurt 1953
Teoria spirale do të ishte e dobishme për të kuptuar strukturën e ADN-së.
Watson dhe Crick, sëbashku, kanë zhvilluar një model për një strukturë spirale të ADN-së. Në vitin 1953, Watson dhe Crick botojnë një një punim akademik në revistën “Nature”, duke propozuar strukturën e dyfishtë spirale të molekulës së ADN-së, duke u bazuar në kërkimin e Rosalind Franklin* dhe Raymond Gosling, ku theksojnë:
– Ajo, prandaj duket se rend e saktë, baza është kodi, që mbart informacionin gjenetik.
Në prill 1953 Sydney Brenner, Jack Dunitz , Dorothy Hodgkin , Leslie Orgel dhe Beryl M. Oughton ishin nga njerëzit e parë, që shohin modelin e strukturës së ADN-së të ndërtuar nga Crick dhe Watson në kohën që, ata ishin duke punuar në Universitetin e Oxfordit në Departamentin e Kimisë.
Watson dhe Crick , të ënjten, 14 maj 1953 mbajtën një fjalim në Gaj Hospital Medical School në Londër, i cili u botua të prëmten 15 maj 1953 me titull “Pse, ju jeni më afër Sekretit të Jetës“.
Me këtë zbulim, ata “deshifruan librin e jetës”, atë, që ekziston te çdo organizëm i gjallë.
Pas zbulimit të modelit spirale të dyfishtë të ADN-së , interesat e Crickut shpejt u kthyen për të zbuluar implikimet e strukturës biologjike.
Crick dhe Watson më pas sugjeruan një teori të përgjithshme për strukturën e viruseve të vegjël.
Nga viti 1958, Crick mundi të listonte në mënyrë të rregullt të gjitha tiparet kryesore të procesit të sintezës së proteinave mbi Informacionin gjenetik.
Në vitin 1962, Crick,Watson dhe Mauric Wilkins u është dhënë bashkërisht çmimi Nobël në Mjekësi.
Hulumtimi i tij më vonë u përqëndrua në teorinë neurobiologjike dhe në përpjekjet për të çuar përpara studimin shkencor të ndërgjegjes njerëzore.
Crick herë pas here shprehu pikëpamjet e tij mbi eugjenikën, zakonisht në letra private. Ai njëherë u shpreh:
–Në një afat të gjatë kohor është e pashmangshme, që shoqëria të mos shqetësohet për karakterin e ardhshëm të brezave … Unë do të jem i habitur në qoftë se, për 100 apo 200 vitet e ardhshëm, shoqëria nuk do të ketë sensin e mendimit, që ata do të duhet të përpiqen për të përmirësuar gjeneratat e ardhshme në një masë ose në një mënyrë tjetër-.
Gjatë kohës së mbetur të karrierës së tij, ai mbajti postin e drejtuesit të Kërkimit dhe Profesor i dalluar Kieckhefer në Institutin Salk për Studime Biologjike në La Jolla, Kaliforni . Ai mbeti në këtë post deri në vdekjen e tij.
Crick vdiq nga kanceri i zorrës së trashë më 28 korrik 2004 në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Trupi i tij u dogj dhe hiri u shpërnda në Oqeanin Paqësor.
***
Të enjten, më 06.11.2025 James Watson, njëri nga tre fituesit e Çmimit Nobel për zbulimin e strukturës së ADN-së, vdiq në moshën 97-vjeçare, në një qendër kujdesi në East Northport, Long Island, New York, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Shënim: *Rosalind Franklin (1920 –1958) ishte një kimiste angleze dhe kristalografe me rreze X. Franklin njihet më së miri për punën e saj në imazhet e difraksionit me rreze X të ADN-së gjatë kohës që ishte në King’s College London, e cila çoi në zbulimin e spirales së dyfishtë të ADN-së, për të cilën Francis Crick , James Watson dhe Maurice Wilkins ndanë Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962.
Rosalind Franklin, vdiq në vitin 1958 në moshën 37-vjeçare.
Watson sugjeroi që, Franklin do të kishte fituar idealisht një Çmim Nobel në Kimi së bashku me Wilkins, por kjo nuk ishte e mundur sepse, rregulli para vitit 1974, diktonte që, një çmim Nobel nuk mund të jepej pas vdekjes, përveç, nëse nominimi ishte bërë për një kandidat, që ishte gjallë në atë kohë para 1 shkurtit të vitit të dhënies së çmimit.
Fatkeqësisht, Franklin vdiq disa vjet para vitit 1962, kur zbulimi i strukturës së ADN-së u njoh nga komiteti i Nobelit
Crick, Watson, Wilkins, Franklin etj, i lanë njerëzimit “ADN”, pasurinë më të madhe të ekzistencës së Qenies njerëzore dhe Riprodhimin.
6. Ndodh edhe kështu!…
- Në restorant
Morali dhe ligji
Ankogu (mjek pediatër) dhe Beneti (mjek kirurg, zezak) ishin të dy mjekë në spitalin universitar të kryeqytetit. Pas një dite të lodhshme pune lanë takim për të drekuar në restorantin afër spitalit.
Pasi këmbyen përshëndetjet, u ulën, porositën menunë dhe, duke drekuar, i thoshin njëri-tjetrit se, sa të lodhur dukeshin dhe mendonin se, sa vjet jetë do t’u shkurtonte ky orar pune.
Pranë tyre ndodhej një tavolinë e madhe me njerëz të zhurmshëm e gazmorë, që kishin festë familjare.
Në krye të tavolinës ishte një burrë rrumbullak e tullac, që po tregonte anekdota me zë të lartë, duke u vënë në qendër, jovetëm të tavolinës por dhe të gjithë restorantit.
Pastaj trashaluqi bëri një propozim befasues:
– Kush vë bast se mund ta shkojë poshtë të tërë roston me një të gëlltitur?.
– Nuk ka mundësi, Karlo, – foli një nga të afërmit meshkuj. As një kalë nuk e ha dot.
Karlo me krenari thotë:
– Vë një qind dollar bast që, mund ta gëlltis roston e viçit përnjëherësh.
Pati duartrokitje dhe thirrje inkurajuese nga çdo tryezë e restorantit, përveç asaj të mjekëve.
Për një çast turma heshti dhe tensioni u rrit…as pak, burri ndodhej në prag të vdekjes. Gryka e tij qe bllokuar krejt nga rostoja dhe, nuk po mbushej dot me frymë. Sakaq, fytyra po i merrte ngjyrë blu.
Të dy mjekët, Ankogu dhe Beneti (mjeku zezak) reaguan instinktivisht, duke shkuar menjëherë për ndihmë tek burri i asfiksuar.
Beneti i tha Ankogut: – Manovra Hajmlik!
Beneti dhe Ankogu me shpejtësi kryen manovrën Hajmlik për të liruar rrugët e frymëmarrjes, duke përdorur duart dhe krahët për të aplikuar një seri presionesh të shpejta dhe të thella në zonën e barkut të burrit të asfiksuar.
Ankogu filloi të aplikonte teknikën standard për heqjen e një trupi të huaj nga ku pengohet futja e ajrit në mushkëri. Nuk pati sukses, pasi vendkalimi i ajrit (trakea) ishte e bllokuar keq.
Beneti, si kirurg, e dinte lëvizjen e rradhës, duke i thënë Ankogut: – Trakeotomi!.
Beneti rrëmbeu një thikë bifteku të një tryeze afër, u ul në gjunjë dhe, e nguli majën e thikës në fund të grykës së viktimës. Nga çarja shpërtheu gjaku.…
Beneti me shpejtësi rrëmbeu stilolapsin nga xhepi i bluzës së kamarierit, e theu në dy copa, hoqi rezervën e bojës dhe, cilindrin e jashtëm në formë tubi e futi menjëherë te prerja, për ta mbajtur hapur kalimin e ajrit.
Ngjyra e fytyrës së viktimës, po merrte ngjyrë rozë…
Karlo shpëtoi nga vdekja.
Të afërmit e Karlos (të viktimës) të shqetësuar, njoftuan urgjencën mjekësore dhe shpërthyen të tërbuar me thirrje histerike:
-Zezaku e vret, i nguli thikën. Ndihmë. Policia!
Papritmas, restoranti, krahas ekipit të urgjencës mjekësore, u mbush me policë.
Ata e fiksuan me një herë “skenën e krimit”: -Një zezak me thikë në dorë dhe me duar të gjakosur, që po qëndronte mbi një të bardhë, të cilit i rridhte gjak nga qafa.
Ekipi mjekësor e mori burrin e asfiksuar dhe u drejtua për në spital, kurse policët u vërsulën egërsisht mbi mjekët, që ishin duke ndihmuar burrin e asfiksuar.
Familjarët qenë ankuar në stacionin e policisë për Ankogun dhe Benetin.
Ngjarja në restorant u trajtua si vepër penale për Benetin (mjeku zezak), që po realizonte trakeotominë ndaj burrit të asfiksuar dhe për Ankogun, që ndihmonte Benetin.
Beneti (mjeku zezak) duhej të paraqitej në prokurori katër herë në muaj, çdo të hënë, kurse Ankogu një herë në muaj, pasi akuza ndaj tij ishte më e lehtë.
Konsultë me avokatin:
Avokati: – A, ua bëre të qartë se ishe mjek?
Beneti: – Bërtita me sa më hanin mushkëritë. Ishte çështje për jetë a vdekje. Nuk kishte kohë t’u tregoja diplomën, veçse, u thashë se, jam mjek dhe zbatova “Betimin e Hipokratit”.
Avokati: – Pacienti e kërkoi apo e refuzoi ndihmën?
Beneti: -…ai njeri qe gati i vdekur. Sikur ne të mos kishim qenë aty, ai do të kish vdekur në vend.
Avokati: – A ndodhej ndokush nga familjarët?
Beneti: – Po, besoj se po. Ku dreqin do të dalësh?
Gjyqi ndaj Benetit dhe Ankogut vazhdoi seancë e pas seance…
Avokati u interesua pranë ekipit mjekësor ku punonte Beneti dhe Ankogu.
Nga ekipi mjekësor i spitalit ai mori dëshminë që, lavdëronin Benetin dhe Ankogun për ndihmën mjekësore shumë të shpejtë dhe të saktë shkencërisht, që i kishin dhënë viktimës në restorant, duke i shpëtuar jetën.
Avokati takoi familjarët e viktimës, të cilët, në dëshminë e tyre, shprehën falenderimet për të dy mjekët, që u kishin shpëtuar jetën kryefamiljarit të tyre.
Avokati i pyeti se, ku mund ta takonte dhe Karlon, “viktimën”. Familjarët i treguan restorantin ku Karlo drekonte zakonisht.
Avokati takoi Karlon në restorant, i cili ishte duke drekuar me gotën e verës përpara. Avokati, dhe nga Karlo mori dëshminë, që ai gëzonte shëndet të plotë dhe, që u ishte mirënjohës mjekëve, që i kishin shpëtuar jetën.
Avokati kishte prova të mjaftueshme dhe ishte i ndërgjegjshëm për pafajësinë e mjekëve. Në mbrojtjen e mjekëve ai citonte gjithmonë ligjet dhe “Betimin e Hipokratit” por, gjyqet ndaj mjekëve vazhdonin pa fund.
Në seancën e fundit të gjyqit avokati citoi përgjigjen nga Bibla:
– Ekziston diçka, që quhet “Ligji i Samaritanit të Mirë”. Që nga vitet 1950 shumica e shteteve kanë miratuar një lloj legjislacioni, i cili i lejon mjekët të ndërhyjnë në raste urgjente pa rrezikuar të akuzohen për veprim të ndaluar.
Shënim: Shprehja “samaritan i mirë” e ka origjinën nga një histori, që tha Jezusi për të treguar se, një njeri i mirë i ndihmon të tjerët me dhembshuri, pavarësisht nga kombësia apo prejardhja.
Gjyqi ndaj Benetit dhe Ankogut vazhdoi 4 vjet, seancë pas seance. Më në fund, Beneti dhe Ankogu u shpallën të pafajshëm.
Fatkeqësisht, Benetit iu ndërpre në mes pasioni i tij për kirurgjinë. Tani, ai nuk mund të punonte më si mjek kirurg dhe, as si mjek i përgjithshëm.
Beneti kishte tremor në duar, ra në depresion të thellë, u mbyll në shtëpi dhe u shkëput nga jeta profesionale dhe shoqërore…
(Shënim: Përshtatur nga “Mjekët” me autor Erik Segal).
***
2.Ndodh edhe kështu…!
Instiktet njerëzore!
Ngjarje midis dy kolegësh mjekë, shokë të ngushtë për mbi 30 vjet. Të dy ishin mjekë të njohur, me reputacion në ambientet mjekësore dhe në opinionin publik.
Kafen e mëngjesit, gjithmonë e pinin sëbashku në një kafene në anë të një lulishteje të mbushur me trëndafila me ngjyra të shumëllojshëm.
Me shtimin e famës, shtohej egoja, xhelozija dhe zilija përbrenda tyre për njeri tjetrin.
Ditën e prëmte të javës të dy mjekët do të konkuronin para Padishahut se, kush do të ishte mjeku personal i Padishahut.
Një ditë më parë të konkurimit, të dy mjekët u takuan si zakonisht për të pirë kafen e mëngjesit tek kafja afër lulishtes me trëndafila.
Njeri nga të dy mjekët, mjeku me veshje ngjyrë rozë, kishte përgatitur një helm jeshil, aq të fuqishëm, sa mund të vdiste në vend një elefant dhe, ia hodhi tek kafja mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu.
Mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, pasi e kapërdiu helmin, menjëherë pas tij, piu kundërhelmin, një ilaç me ngjyrë blu. Nga buzëqeshja, në fytyrën e mjekut kuptohej se, nuk kishte ndodhur asgjë e keqe.
Mjeku me veshje ngjyrë rozë u çua i pari nga tavolina, duke u justifikuar se kishte një konsultë mjekësore. Ai, “me veshë të ngritur”, nga momenti në moment, priste të dëgjonte lajmin për vdekjen e mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu.
Tani ishte radha e mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu që, ta shtynte mjekun tjetër drejt duhmave të vdekjes.
Mëngjesin e ditës tjetër mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, u drejtua për tek kafja. Ballë për ballë i doli mjeku me veshje ngjyrë rozë.
Mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, me lëvizje të ngadalta, këputi një trëndafil ngjyrë rozë nga lulishtja dhe, duke e afruar tek buzët, pëshpëriti brenda tij disa vargje, që askush nuk ua mori vesh përmbajtjen.
Më pas, ia zgjati këtë trëndafil për t’i marrë erë mjekut me veshje ngjyrë rozë.
Mjeku me veshje ngjyrë rozë u shqetësua aq shumë nga fuqia e mistershme e vargjeve, që pëshpëriti kolegu i tij, sa që, ra i vdekur në vend nga frika, sapo e afroi te hundët trëndafilin, që përveç aromës nuk kishte asgjë tjetër.
(Shënim: Përshtatur nga “Unë jam e kuqja” Orhan Pamuk, Nobel në Letërsi 2006).
Copyright: Andrea Gudha.