Albspirit

Media/News/Publishing

Sami S. Shatri: PASAPORTA E NDERIT

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, një tregim interesant, për ju miqtë e mi!
Lexim të këndshëm!

***

Verën që shkoi, ishte për një vizitë në Kosovë shoku dhe miku im Nazi i cili nga viti 1997 jeton e punon në Gjermani.
Me Nazmiun kemi punuar në një kolektiv, në vitet 90-të në shkollën e Mesme Elektronike “Gjin Gazulli” në Prishtinë.
Ai mbante lëndën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ndërsa unë mbaja lëndë nga lëmia Elektroteknike.
Në kohën kur u formua Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosoves, Nazmiu ka qenë në listën e të kërkuarve nga UDB-ja, bashkë me shumë anëtarë tjerë që kishin pasë kryer Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ai në atë kohë kishte mbaruar Fakultetin në Beograd.
Në një natë të qetë të pranverës së vitit 1997, bashkë me dhëndrrin tim të ndjerë, Isuf Dreshaj (inxhinier i Elektroteknikës që punonte në të njëjtën shkollë) e kemi përcjellë Nazin dhe bashkëshorten e tij të nderuar, për në aeroport, për të udhëtuar për Slloveni e pastaj në Gjermani (Nazi ishte djalë i vetëm, pa vëllezër e motra), askush tjetër nuk e dinte për këtë udhëtim.
Kësaj radhe, kur erdhi Nazi nga Gjermania më telefonoi, dolëm për drekë në Gërmi, bashkë me një baxhanak të tij.
Në mes tjerash, Nazi tregoi një ngjarje interesante që e kishte përjetuar:
“Isha në një vizitë në Jerusalem me një ftesë nga një familje ku kishte qëndruar djali im disa herë për vizitë. Djali ishte njohur me një shok hebre në Gjermani gjatë studimeve.
Pas përfundimit të vizitës, miku izraelit më përcolli në aeroport. Ishim më shumë se 200 veta që udhëtonim për në shtetet europiane. Para hyrjes në aeroplan, si zakonisht i kryem kontrollat rutinore.
Në hyrje stjuardesa qëndronte te dera dhe secili në radhë tregonte pasaportën. Një femër rreth 35 vjeçe, kur kaloi kontrollin si ne, kur hapi pasaporten, kontrollorja e përshendeti me dorën lartë dhe me një gjendje gatitu me përkulje të vogël (përshendetje ushtarake).
Të gjithë e shikuam këtë skenë, ishte rast i veçantë nga ne të tjerët.
Kur u ulëm në aeroplan, gruaja kishte vendin para meje dhe vërejta që ishte shqiptare pasi që mbante në dorë një revistë shqip. I fola dhe mu përgjigj shqip, ishte pjesë e përsonelit diplomatik shqiptar në Tel-Aviv.
Në mes tjerash e pyeta se pse vetëm asaj nga ne të gjithë ju bë një nderim i veçantë. Foli me një buzëqeshje: ajo nuk më përshendeti mua, ajo përshëndeti dhe nderoi pasaporten shqiptare. Janë popull që nuk harrojnë!
Me thanë të drejtën i mora lakmi dhe më erdhi keq që nuk e posedoja edhe unë pasaporten e bekuar shqiptare, ishte kënaqësi ajo skenë e bukur, ndër ma të rrallat në jetën time.
Shumë shpejt do udhëtoj për Tiranë, ta shoh proceduren e marrjes së pasaportes shqiptare”.
Lum kush e ndjen vehten mirë që i takon këti Kombi kaq fisnik!
Ky ishte rrëfimi interesant dhe mbresëlënës i Nazit!