Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Durrazzo-t dhe libri i tyre “Libro d’Ore”

Në vitin 1847, familja Durazzo do t’i dhuronte bibliotekës së Gjenovas “Biblioteca Civica Berio” një kodik ‘miniato’ mjaft të bukur dhe të rrallë, i cili kishte qenë pronë e Marcello Durazzo-s. Në fakt kodiku që quhej “Libro d’Ore” ose “Uffiziolo Durazzo” i shkruar në pergamen ‘purpureo’ dhe me ‘crisografia’, ishte i jashtëzakonshëm dhe me vlera pikturale të mrekullueshme. Sipas specialistëve, ky kodik ishte pikturuar në fillim të shekullit XV nga një artist me origjinë nga Parma, Francesco Marmitta. Në një portret që cilësohet «Parmigianino», dhe që ruhet sot në National Gallery, e viteve 1523-1524, personi i pikturuar, ky fisnik, që mund të ishte një dishepull i Erazmit, mban në dorën e majtë pikërisht “Libro d’Ore”, çka konsiderohet se ai është dhe koleksionisti i parë i këtij kodiku. Pas një qëndrimi në Parma, kodiku më pas ka shkuar në Portugali përmes Jacopo-s, birit të dytë të mjeshtrit Francesco Marmitta. Dihet gjithashtu se kodiku është gjendur në Gjenova në shekullin e XVIII, në fillim në duart e tregëtarit të pasur Bacigalupo.

Historiani Luigi Cibrario, e ka cilësuar Libro d’Ore Durazzo me këto fjalë: “Marchese Marcello Durazzo ha un uffiziolo di Madonna in pergamena violata e in lettera d’oro miniato con tuta grazia e bellezza ch’io lo tengo per uno de’codici piu prezziosi in questo genere”. Me bojë ari. “Markezi Durazzo ka një ‘uffiziolo’ të Madonës në pergamen në ngjyrë violet, me gërma ‘miniato’, me një hijeshi e bukuri që për mua është një nga kodikët më të çmuar të këtij lloji…“. Në vitin 2008, Francesco Cosimo Panini Editore, nën drejtimin e Andrea de Marchi, ka realizuar në kolanën “Biblioteka e Pamundur” botimin e parë në faksimile të shkruar nga kaligrafisti i njohur bolonjez (profesor i gramatikës) Pietro Antonio Sallando, duke treguar hiret e këtij kodiku të jashtëzakonshëm dhe plot figura të habitshme, me psallme e lutje nga kishtare (Uffici), që i ndeshim në “Trecento” dhe “Quatrocento” veçanërisht në Francë apo në Vendet e Ulëta: “Libro d’Ore Durazzo. Porpora, oro e rubini per un capolavoro miniato”. Libri, me 240 faqe, me riprodhimin e 45 miniaturave, që siç i cilëson kritika, kemi të bëjmë me “një kryevepër të miniaturës italiane të Rinascimento-s”, u botua vetëm në 980 kopje me një distribucion botëror.

Në Gjenova sot ka dhe një bibliotekë të rrallë që quhet “Biblioteca Durazzo”, e cila konsiderohet si një nga bibliotekat e pasura private të Italisë dhe padyshim meritë për këtë kanë disa nga figurat e kësaj familje, duke veçuar ambasadorin Giacomo Durazzo, (për të cilin Angela Duarazzo ka botuar një libër mjaft interesant dhe me shumë fakte) i cili e shkriu pasurinë e tij me koleksionet dhe librat e rrallë, stampat, gravurat e rralla, pjesët muzikore. Për këtë kodik është shkruar edhe nga Laura Malfatto, “La storia recente del libri d’ore Durazzo”, si dhe Laura Nuvoloni, “Pietro Antonio Sallanda e la scritura del Libro d’Ore Durazzo” etj. Lexuesi i sotëm në ato mijra volume, veçanërisht të shekujve të mëparshëm mund të gjejë botime që nuk janë në bibliotekat e tjera. Bëhet fjalë për libra që janë klasifikuar në kategori të ndryshme si: Manoscrito, Scriptorium, Rinascimento, Italia medioevale e umanistica, Medioevo latino, etj. Midis tyre gjen 299 dorëshkrime, 448 «incunaboli» pra midis 1450-1501, 616 vepra të 1500-ës, 126 ‘bodoniane’ (të kohës së tipografit italian Giambattista Bodoni, 1740-1813), 169 «cominiane», etj, të cilat janë mbledhur në antikerët dhe librarët në tregjet europiane të fundit të shekullit XVII. Biblioteka Durazzo u krijua nën konsulencën e paleografit të njohur italian Dino Puncuh, i cili është njëkohësisht dhe president i Shoqatës Ligure Storia Patria. Ajo tashmë është ndarë në seksione të ndryshme si Storica (1414 tituj), Belle Lettere (1041), Scienze e Arti (710), Teologia (607), Diritto, Scienze Naturali, Fisica, Matematica e Medicina. “Biblioteca Durazzo”.