Mehmetali Rexhepi: DASHURIA, DET I JETËS
Nazmije XHAFERI – HASANI: “DASHURI E PASHTERSHME”, Printing press, Prishtinë, 2025
Libri i autores Nazmije XHAFERI – HASANI: “DASHURI E PASHTERSHME” është strukturuar në tetë cikle poezish: “Frymim kuq e zi”, “Lulëkuqet e lirisë”, “Kur e çiltër t’jetëdashuria”, “Melodia e shtëpisë”, “Kur thuprat bashkohen”, “Misionarët e dritës”, “Mbretëria eplanetit” dhe “Të ndryshme”.
Te secili cikël nga tetë sitsh të librit “DASHURI E PASHTERSHME” hasim qasje ku e ku më të theksuar motivesh, që zgjerojnë hapësirën tematike të motivimeve poetike. Mirëpo, ngjyrat e kuqja dhe e zeza, qoftë kur duken apo nuk shihen janë lajtmotivi përshkues i tërësisë poetike të këtij vëllimi. Pohimin e këtillë e përtrollisin simbolet e identitetit etnik dhe etik, si plisi që njëkohësisht shënon përkatësinë e autoktonisë. Simbolika e të kuqes dhe e së zezës, po u thelluam në nëntekstin e reflektimit poetik të ideve, të porosive dhe të ngërthesave estetike, e kuqja dhe e zeza karakterizojnë përmasën e fatit tragjik të lirisë së etnisë shqiptare.
Motivet e këtij përcaktimi tematik përkitazi ruajtjes së At Dheut, në ciklin e parë, fare pakëz na japin hapësira për shfaqje reflektimesh të nëntekstit. Këtu porosia për lexuesin është e drejtpërdrejtë. Ngjyra e gjakut të derdhur me shekuj në këtë poezi vjen si fat ekzistencial, si vetëdije e rrënjosur e vijimësisë ilire – arbërore – shqiptare në Siujdhesën Ilirike. Çfarë është e zeza? E zeza ngërthehet e zbërthehet në “golgotën shqiptare”. Ajo është prodhimtare e shumësisë së përbërësve të së keqes, që madje ia nxinte dukjen tokës së njomur me ngjyrën e gjakut. Brenda këtyre dy simbolikeve jetike afatgjata epike, tragjike dhe heroike u gjakua liria dhe, moria e poetëve, edhe autorja e këtij vëllimi poetik, kishin motivime të mjaftueshme ti thërrisnin forcimit të karakterit etik dhe etnik, cilësive të pashmangshme të trimërisë, të besëlidhjeve si akte përbashkuese përballë pushtuesve.
Kuptim – shtrirjen e kësaj mendësie ekzistenciale e ndjenë pashmangshëm poetët shqiptarë të gjithë brezave. Dje dhe sot në kohën moderne, nuk kishte si t’i shmangej as poetesha Nazmije XHAFERI – HAHASANI në librin e saj “DASHURI E PASHTERSHME”. Autorja e frymëzuar nga Rilindja Shqiptare risjell në faqet e librit të saj toponimet e qëndresës çudibërëse të Krujës, vijimësinë e të se cilës e përjetoi në bashkëkohësi në Prekazin legjendar me gjithë dramën, heroizmin dhe gjëmën e flijimit unikët të Jasharajve, pasojat gjenocidale dhe bëmat e ngritura në legjendën moderne të UÇK-s.
Cikli i parë i kësaj tematike përmasën e ngjyrave kuq e zi e shtrinë brenda dhe jashtë historisë së pashkruar, atëbotë e tkurrjes së çdo shprehje që i përngjasonte lirisë deri në atë masë: “Pa guxuar as ëndrrat t’i rrëfej”.
Kjo ishte përmasa e zezë e ngufatjes mbi trojet etnike dhe, varg-thurja poetes ia kërkon përmbushjen e të shprehurit etik dhe etnik në letrën e bardhë. Autorja duke hedhur në letër ca nga ndodhitë madhore për shpëtimin e At Dheut, fragmente nga tërësia e së dhimbshmes dhe, bëmat e bujshme gjithandej ku çelin “lulëkuqet”, ndjehet e çliruar shpirtërisht. Meqë shtroi këtu në disa poezi, fjalë-përbërja lulëkuqe na sjell në mend shprehjen e qëmtuar e të shtrirë dendur në simbolikën e poezisë së poetit Beqir Musliu “lul-kuqet e gjakut”. Andaj, Nazmije XHAFERI-HASANI varg-thurjes i jep kahen e kryerjes së një misioni poetik, etik, etnik, ekzistencial dhe simbolik për përmasat e së kuqes dhe të së zezës. Por, në realitetin Ballkanik gjithçka është tektonike, sizmikë dhe paqe relative. Ajo gjakon poezinë që: “Përthan plagët e trungut të gjymtuar”*
Poezitë e ciklit të dytë “Lulëkuqet e lirisë” trajtojnë të njëjtën frymëmarrje tematike, por tashmë të bartur mbi shëmbëlltyrat që mëtonin vetëdijesimin e penguar me gjithfarë mënyrash e mynxyrash. Popujve që u kanoset ekzistenca kulturore shtetërore historinë e shndërrojnë në mit. Një këso mendësie nuk i shpëtoi as autores sonë: “Apostull i lirisë e qytetërimit,
I gjithkohshmi trim.
Nder i arbrit – i oxhakut të Kastriotit;
Si ti fisnik tjetër, nuk lind”! *
Poetesha XHAFERI – HASANI sikur ndjen një borxh të thellë që vargjet t’i përçojnë dashuri të gjithanshme për të tashmen dhe për brezat… Ajo mbjell dashuri në poezi aq sa mund të bartte gjuha dhe mjetet e qëmtuara prej kërkimeve të saj në fushën e pa skaj të figuracionit artistik e stilistik. Ajo e ka matur fjalën e vet në peshoren e qëmtimeve poetike dhe, nuk është futur labirinteve të fjalës. Nuk ka hyrë aty ku nuk dilet. Pse? E di që fjala ka bukuri të pakufishme…
Në shtjellimin e saj është mjaftuar me aq sa mund të thellohej. Si duket kësaj poeteshe i përshtatet pohimi i poetit frëng Alfred de Musset: “Gota ime është e vogël, por unë pi prej gotës sime”. Borxhin e saj moral kundruall brezave i duket se do ta lajë, duke shtjelluar fjalësin poetik për kurbanet e lirisë, si: Hasan Ali Remnikut, simbolit konkret të qëndresës Adem Demaçit, njërit nga strategët e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve Agim Ramadanit, guerilasve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dëshmores së njomë, bukuroshes Antigonë Fazliut.
Në këtë anames të atmosferës epike nuk di pse është vendosur poezia “Bilbilit të Kosovës”? Ndoshta poezia e tillë përkushtuar zërit magjeps të Nexhmije Pagarushës, një ikonë të këngës shqipe, do të duhej renditur në ciklet ku mbizotërojnë timbret e poezisë lirike?
Cikli i tretë “Kur e çiltër t’jetë dashuria” dhe i katërti “Melodia e shtëpisë” i përshkon kryesisht lirika familjare. Kjo lirikë shfaqet përmes artikulimit të ritmeve të rrahjes së hovshme të zemrës, duke rikthyer ngjyrën e mallëngjimit krejtësisht të natyrshëm për bashkëshortin, personazhin lirik të jetës bashkëshortore, që ia kishte rrëmbyer e pashmangshmja e jetës – vdekja në amshimin e pasosur. Kontekstit të një lirike të kulluar i japin shtytje për artikulime të thella dhe të këndshme vargjet e këtillë, të cilët pikëllimin e ngrehin në nivel të mirëfilltë të përjetimit artistik:
“Vallë,
Kaq e paarritshme është lumturia sa,
Të rendim pas saj,
Si pas ëndrrës së bukur,
Që nuk duam të na humb”?*
Vargje përsiatjesh kësisoj për lumturinë afatshkurtër dhe dhimbjen e përhershme të dashurisë së këputur në lumturinë e saj, i sjellin këtij vëllimi poezish kulturën e një lirike me rrjedhje të kulluar dhe, udhërrëfema për sprovat djegëse të jetës. Sprova e dashurisë së sinqertë në poezinë “Kur e Çiltër t’jetë dashuria” sjell porosi e përkufizime të përvojës, se vetëm dashuria që ka në thelbin e saj çiltërsinë:
“Fal buzëqeshje, buzëqeshje merr,
Shkëlqimi i syve errësirën bjerr”.
—–
*Nazmije XHAFERI – HASANI: “DASHURI E PASHTERSHME”, Printing Press, Prishtinë, 2025; f. 44.
*Po aty; f. 53 ;
*Po aty; f. 70
——
Duke lexuar vëmendshëm poezinë e vëllimit poetik që kemi në dorë, autorja XHAFERI- HASANI shpërfaq botën e saj femërore si vashë e dashuruar, si grua besnike, si nënë dhe si gjyshe nipash e mbesash. Le të nënvizojmë dyvargëshin e poezisë “Kaltërsisë së qiellit i ngjan”:
“Dashuria ime asnjëherë zbeh’ tjetërkujt si falet
Edhe po ti kem shtatë jetë”.
Shfaqja e rrënjosur si besnikëri e kësisoj që varg qëmtuesja XHAFERI e ngre në një shkallë të lartë parimësie, për mendësinë e sotme të botës feministe do të tingëllonte si diçka paradoksale! Madje poezia në qenien e saj është paradoksale e thonë estetët…
Pa dyshim s’kishte si të mos zërë shkas dukuria e mërgimit te kjo autore varg-thurjesh. Brenga e një lirike të këtillë familjare është e thellë, ngaqë këtu shpërfaqen motivet e shqetësimit amnor, si plagë e kahershme apo si fat i mungesës së bijve e të bijave, i varfërimit të trurit kombëtar në qytetërimin Euro – Atlantik. Këto motivime marrin shtrirje të valëzuara emocionale të trishta për bijtë mërgimtarë, të cilët i çelën si lule agimet djaloshare dhe, i ngrysën muzgjet mërgimtare:
“Vjeshtë e dimër m’është bërë jeta
Ëndërr e gëzim grirë”.*
Në ciklin e pestë “Kur thuprat bashkohen”, autorja busullën e ndjeshmërisë së vargjeve të saj mëton ta drejtojë kahes së ngërthesave etike, ndonëse notat moralizuese nuk i duron poezia e mirëfilltë. Mirëpo, e veçuar artistikisht është poezia “E qelqtë ishte zemra ime”. Pohimi, i veçuar, ka parasysh gjetjen qëmtuese të autores, që në këtë poezi përdori mjete shprehëse të pëlqyera, me të cilat ngre idenë artistike për sedrën e pastër njerëzore dhe vetëkritike, nëpërmjet një figurshmërie, do të thosha, e standardit të duhur të pasjes së vlerave njerëzore të përtrollitura në vargjet e shkruara. Mbase një thurje e kënaqshme, e apostrofuar këtu, do të duhej t’ia shtonte autores kërkesën për hedhje vargjesh jo dosido në letrat e bukurshkrimit. Kështu shohim se poetja Nazmije në kërkimet e saj pas gjetjes të së bukurës në varg, ia del mbanë sidomos kur ngulë këmbë për t’ia kapur bukurisë thesaret e fshehura që gjenden në përvojën shteruese të shkrim-ndërtimit. Vetëm me përqendrim e durim krijues mund të funksionalizojë artikulim të metaforës së urtisë poetike, sikurse në katërvargëshin e vjershës “Fjala”:
“Del, sapo hap derë
Edhe merr dhenë.
Po deshe të të bëj nder,
Me mjaltë ushqeje që pa lerë”.
Në tri ciklet përmbyllëse të librit “Misionarët e dritës”, “Mbretëria e planetit” dhe “Të ndryshme”, hasim aty-këtu shprehje që nuk sjellin ndonjë risi poetike-stilistike. Në përgjithësi poezitë e këtyre cikleve i përshkon nota e fisme e njerëzores, e madhërishmja e detit, kontrastet e natyrës që evoluon, magjepsë, josh dhe tmerron.
Poezia në vëllimin poetik “DASHURI E PASHTERSHME” mëton thadrimin, pra shtrohet si mision i vetëdijes njerëzore për kultivimin e dashurisë si themeltare e njerëzimit, e paqes dhe miqësisë kundruall armiqësisë dhe synimeve për zhbërje të njeriut prej njeriut, ngasë: “E paqen e kemi vënë në zgrip tekzistencës”! Si akt përmbylljeje i qasjes sime librit me poezi të autores Nazmije XHAFERI – HASANI, që tashmë po sprovohet me zejen e ndërlikuar të shkrimit artistik, lë të më lejohet të nxjerrë konstatimin nga këndi i shikimeve të mia. Poezia që kultivon kjo autore në këtë libër i përket traditës së poezisë shqipe, pa mëtime për të eksperimentuar risi stilistike dhe, identifikime me fizionominë e rrymave moderne e të postmodernes. Kjo autore shkruan thjesht e qartë në shqipen standarde. Te ky vëllim poezish vërehen përpjekjet për shmangien e klisheve dhe, hapje shtigjesh për një lirikë të mirëfilltë poetike. Kryesorja: në thjeshtësinë dhe qartësinë e stilit të saj vegjetojnë çiltërsia dhe ngrohtësia, dashuria si koncept i drejtpeshimit njerëzor, fryma atdhetare dhe vlerat e së njerëzishmes, të gjithë këta përbërës ushqejnë vargjet e saj. Kjo sado pak është një prehje në vrazhdësinë dhe dinamikën e jetës. Përgëzime për autoren dhe frytin e saj libror!
*Po aty; f. 83.
Gjilan, më 14 nëntor 2025.