“INTERESIMI” I SHTETIT PËR KULTURËN E BANORËVE TË “MËHALLËS” DHE ATYRE QË NA RRETHONIN!
Ahmet Xhavit Delvina
Një ditë kishin thirrur gratë e lagjes tek biblioteka “Carnavon” për një mbledhje shumë të rëndësishme (mos shko po deshe). Aty kishte vajtur edhe nëna jonë, meqënëse u vonua nja 2 – 3 orë kur erdhi e pyeta se ç’u bëre kaq gjatë?
– Xhavit, më thotë, isha keq për gjumë e lodhur dhe fjeta pak.
– Çfarë flet kështu përçart, mos u tall, – i them.
– Isha tek biblioteka e lagjes, më thotë, ishte ngrohtë se kishte masivitet të madh, erdhi një goxha “profesor” dhe na foli për madhështinë e romanit “Çapajev”. Ky ishte Aleks Çaçi dhe na tha ta blejmë të gjithë pa përjashtim. Dhe vendosëm ta blejmë me Gjylen e Galip Bej Toptanit, plakë mbi 90 vjeçe dhe ju hapën sytë, tha profesori. E shkreta nënë, nuk u mërzit kurrë nga ajo jetë e rëndomtë, kur uleshim për të ngrënë, shtirej sikur i mungonte oreksi, sidomos në rastet kur gjella ishte e pakët me synimin që ta hanim ne fëmijët.
Nëna jonë nuk pa asnjë ditë të bukur që pas vitit 1944 derisa një ditë u shua duke fjetur si qengj. Ishte njeri shumë interesant. Kur u martua me babanë tonë kishte mbi 20 vite diferencë, por ky fakt nuk u bë asnjëherë pengesë për mbarvajtjen e jetës që vijuan.
Babai ynë ishte tip sportiv, por me peshë trupore gjithnjë mbi 100 kg. Admironte mundjen greko-romane të cilën e shprehte me fjalën frënge “Lyt Greko – Roman”; gjithashtu shumë kënaqësi kishte për notin me distanca të gjata dhe merrej gjithnjë me të me programe të sakta, kur kish mundësi organizonte notim Sarandë – Ishulli i Korfuzit, po kështu admironte dhe ecjen sportive të kombinuar me shëtitje të gjata. Ndërsa nëna ishte me peshën e një femre shumë elegante dhe thoshte gjithnjë me të qeshur që ruajmë me fanatizëm raportin: 3 – Nekiu dhe 1 – unë. Këto dy diferenca, moshë – peshë u përdorën tërë jetën nga të dy si burim humori e gjithnjë me sinqeritet dhe dashuri absolute.
Babai gjithmonë qeshte kur tregonte: – Epo në tërë këto “suare” (ballo) që vemi, asnjëherë nuk kërceva dot me madamën time. Po pse? – e pyeste ndonjë shok i tij shqiptar apo edhe i huaj, dhe ai përgjigjej: – Se nuk më lë barku, ai është me përmasa më të mëdha se gjatësia e krahëve apo duarve të mia, kështu që e kemi humbur këtë të drejtë. “Bela tjetër” ndërmjet tyre sepse së paku kështu mund të mendohej nga të tjerët, ishte dhe dizniveli kulturor dhe arsimor ndërmjet tyre pasi – babai erdhi në Shqipëri në 1913 – 1914 me gradën “Doktor në Drejtësi”, i lindur, i rritur dhe i shkolluar në Stamboll. Nëna e lindur dhe e rritur në Dishnicë – Korçë dhe arsimuar në kolegjin femëror në Korçë. Por edhe kjo anë nuk ndikoi fare në jetën e tyre “mondane” për arsye se natyra iu kishte krijuar të dyve cilësi të atilla që këtë diferencë arsimimi dhe kulture, ta shndërronin jo vetëm në burim shakaje dhe humori ndërmjet tyre, por edhe habisnin apo të bënin dhe shumë kurioz njerëzit e afërm apo edhe miqtë e ngushtë se si ata do t’i zgjidhnin rrjedhojat e kësaj diference kur të paraqiteshin në shoqërinë e re, sepse natyrisht me atë shoqëri të nivelit të pallatit mbretëror, apo në shoqërinë e festimeve nëpër legatat e huaja, si edhe në shoqërinë e intelektualëve të kohës, duhej një parapërgatitje e konsiderueshme që të mos stonoje karshi të tjerave sepse, duhej të dije të kërceje në mënyrë klasike, të flisje apo të diskutoje për pikturë, skulpturë, art, letërsi e deri politikë e mitologji, edhe deri tek gjërat e vogla, të dije të ushqeheshe në ato ambjente etj.
Këto si gjithnjë vlerësoheshin në Shqipëri, por ja që ajo këtyre situatave që mendohej se do t’i kishte të rënda e të vështira, ia doli me shumë “Sykse” siç shprehej vet. Ja po përshkruaj një rast paksa të veçantë. Sapo u martuan ata u nisën për dy muaj nëpër Europë për të bërë muajin e mjaltit. Sado që nëna jonë ishte “soilere”, si nga gjyshi Alo Bej Dishnica, apo edhe nga e ëma Hymajun (e motra e Aqif Pash Elbasanit), por që në fund të fundit ishte e atij niveli që përfaqësonin gratë shqiptare, që konsideroheshin nga të gjithë ndën nivelet e grave perëndimore, ato ishin në nivel “primitiv e anadollak”, jo si gratë klasike si psh, Donna Maja Jaccomoni, Mbretëresha Geraldinë etj, por kjo është jeta! Nënën tonë “rreziku” e destinoi që në momente të caktuara të bashkëjetonte me to, ose të bëhej pjesë e asaj shoqërie si këtu brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj, ajo duhej të ishte e barabartë me to dhe jo të stononte për keq. Mamaja thoshte që fillimi ishte mjaft i rëndë për tu adoptuar, por me kurajo u kalua çdo gjë.
Babai ia dalloi këtë ndrojtje apo edhe frikën që e pushtoi nga ky hall dhe e siguroi se do ta kalonin me siguri këtë situatë. Ai vetëm në këtë aspekt të përpunimit të saj u gabua sepse, ai mendonte se ajo do t’i bashkëngjitej atij në aspektin studimor dhe pas disa vitesh edhe ajo do të bëhej një “savane” auto – didakte dhe do të ecte e vetme në atë shoqëri të quajtur “Shoqëri Mondane Shqiptare”, por ja që ajo këtë kulturë nuk e mori nga librat që mendonte babai, por e mori nga aftësia e saj, ajo jo vetëm që nuk stonoi ndonjëherë por u bë lezeti i asaj shoqërie.
Dhe ja erdhi dita për tu nisur në “Turneun e Mjaltit” Europian. Mbërritën në portin e Durrësit dhe kur po hipnin në anije, babai me zë të dëgjueshëm tha: “Destur”, nëna e dëgjoi dhe e pyeti se cilin thirre ashtu? Ai iu përgjigj se thirra “shpresën” që do të të plotësojë dëshirat e tua për tu bërë “Zonjë e madhe”.
– Po ku është ajo që thirre, nuk po e shoh – i thotë nëna.
– S’ka gjë – i thotë babai, do ta njohësh më vonë se e ke pas si “ëngjëll mbrojtës”.
Udhëtimi shkoi mirë, anije, taksi, tren e drejt e në Paris. Unë u pataksa – thoshte ajo nga bukuritë e Parisit, po ecnim me një taksi për shëtitje fillimisht, ndërkohë Nekiu i foli frengjisht shoferit, unë s’mora vesh gjë dhe vajtëm e ndaluam në një godinë shumë të bukur, e pyeta se ç’është këtu? – Hoteli që do rrijmë? Jo – më tha, këtu për 3 – 4 orë ti nuk ke për ta njohur më veten, kaq të bukur do të të bëjnë sa edhe vetë “françeskat” do të ta kenë zili. Hymë brenda, një mrekulli e vërtetë ishte dhe Nekiu foli diçka me një person të caktuar për të pritur klientët. Ata sigurisht folën frëngjisht dhe unë sërish nuk mora vesh gjë, por na e bëri me dorë dhe na uli në një ambjent pritjeje me një arkitekturë të brëndshme dhe mobilim fantastik sa nuk mund ta përshkruaj atë lluks – thoshte nëna. Pas pak vjen një zonjë grua e shoqëruar nga dy burra dhe më propozojnë që t’i shoqëroj. Më vonë e mora vesh se ai ambjent ishte Shtëpia e Modës “Zhan Pattu”, kështu më kujtohet se i thonin, thoshte nëna – dhe më çuan përpara një komisioni, dikush më prekte flokët, dikush lëkurën e fytyrës, dikush më merrte masa për rroba, po kështu edhe për këpucë dhe më në fund më çuan në një tip banje ku ishin dy gra të cilat më lanë e më bën masazhe të ndryshme nëpër trup, pastaj më çuan në përmanent ku më oksigjenuan flokët me një ngjyrë të verdhë shumë të bukur, më bënë manikyr e pedikyr, më veshën me rroba të modeleve të fundit, si edhe me këpucë fringo, çantë dore dhe më vunë edhe beretë në kokë me një karficë f ine shumë të shtrenjtë. E tërë kjo zgjati 3 – orë. Pastaj më kaluan nëpër ca korridore tërë pasqyra e fotografi, piktura me panorama shumë të bukura dhe drejt e përpara Nekiut që po më priste. Shoqërueset e pyetën Nekiun se si dukesha dhe ai i përgjigjet: “Ekselent”, iu dha bakshish dhe na çuan në arkë për të paguar. Po aty nga holli i kësaj mrekullie me emrin që thamë “Zhan Pattu”, mori në telefon kushëririn e tij Iliaz Bej Vrioni – Ministër Fuqiplotë në Paris dhe prej aty vamë në një bar-kafe aty pranë. Pas nja 30 – minutash erdhi vetura e Legatës sonë, na mori dhe vamë drejt e në Hotel “Continental” ku na priste vetë Iliaz Beu. Pasi u takuam ai gjithë xhentilesë na ftoi për një pritje mirseardhjeje në një sallë të veçantë dhe pastaj zbritëm në restorant. Pasi u ulëm në një ambjent përrallor mund të them se ai me mirësjelljen e tij karakteristike, më dha në dorë një libër të kuq e të trashë dmth me shumë fletë që paskësh qënë “menyja” dhe mu drejtua me fjalët: Të lutem ke nderin të zgjedhësh për të gjithë. Unë menjëherë me një “Mersi” të “shtirur” dhe pa u ndrojtur fare, fillova gjoja t’i shoh me vëmendje dhe të lexoj, pasi shfletova shumë faqe të menysë, në të vërtetë unë po tallesha sepse nuk dija të lexoja asgjë dhe e menduar thellë ngrita kokën dhe pashë Iljaz Beun që po më vërente i gatshëm për të marrë zgjedhjen time gjithë buzëqeshje, por ama edhe unë me të njëjtën mënyrë iu drejtova Iljaz Beut: – Të lutem o kushëri shumë i nderuar, ju jetoni prej shumë kohësh në Paris dhe mbi të gjitha jeni aristokrat i vërtetë, unë një vajzë e re dhe pa përvojë e që vij për herë të parë këtu, nuk mund të kem kurrën e kurrës guston tuaj që me siguri është gustoja më e mirë, të lutem më krijo edhe mua mundësinë nëpërmjet meritave tuaja të larta të shijoj edhe unë kuzhinën e mirënjohur frënge që e kam lexuar vetëm ndër libra dhe nuk e kam parë kurrë me sy.
Ai i “shkreti” u befasua nga kjo “Grand Considerazion” e imja për të, duke u përgjigjur menjëherë që nuk e meritonte atë mbivlerësim, megjithatë shumë i impresionuar ai bëri porosinë për të tre bashkë, pasi mori edhe miratimin e Nekiut që ishte dakort me guston e tij. E vija re Nekiun me shumë marifet që buzëqeshte nga “finesa” ime. Filluan kamarierët të furnizonin tavolinën tonë e çfarë nuk prunë, mirëpo më lindi një problem i dytë jo më pak i rëndësishëm se i pari, nuk dija t’i përdorja ato “instrumenta” që ishin vendosur në tavolinë. Nuk kisha parë ndonjëherë as në Korçë e jo më Dishnicë në tavolinë për të ngrënë pajisje të tilla si shtiza, cfurqe etj. dhe unë jo pa qëllim po vonohesha ca për të filluar së ngrëni duke u marrë me çantën dhe gjoja duke fiksuar shikimin përreth sa të fillonin ata që dinin t’i përdornin këto pajisje dhe kështu e realizova qëllimin. I imitoja me përpikmëri dhe pa asnjë gabim, “Soitari” i vërtetë “tamam si karagjoze”, dreka kaloi me “Sykse” dhe ai kushëriri “matuf” aristokrat nuk m’i kuptoi fare hallet e mia. Në darkë më thotë Iljaz Beu: “Ëngjëlli im i vogël” (kështu më thërriste) Iljaz Beu, të kam përgatitur një surprizë shumë të këndshme dhe mendoj që do të jetë ilaç për të të shëruar shpirtin, këtë ta them se më dukesh tip melankolike. A mund të ma thoni tani se jam shumë kurioze se çfarë gjëje të mirë nuk pres më nga ju sepse jeni njeriu i mrekullirave. Ai më përgjigjet që duhet të presim deri në darkë për të mos humbur lezetin. Vamë në hotel e pushuam dhe në të ngrysur vjen vetura në hotel bashkë me Iljaz Beun brenda, merr në telefon dhe ne zbresim menjëherë poshtë, hipim në veturë dhe drejt e në Operën e Parisit dhe biles në llozhën më të shtrenjtë. Në tavolinën e llozhës përveç monocles dhe dylbive me kordon të artë, ishte edhe programi i shfaqjes ku shkruhej: “Carmen” e Bizet, ishte një trup italiane me tenor i parë Beniamino Gigli. Iljaz Beu po më vërente me shumë kujdes e me buzëqeshje, unë sapo e vura re kërceva përpjetë ua, ua… dhe iu hodha në qafë dhe e përqafova fort, ai u mallëngjye shumë dhe ndërkohë u ulën dritat në skenë gati për të filluar shfaqja.
Imagjinoni sikletin tim pa parë e dëgjuar ndonjëher opera. Unë Asimeja nga Dishnica që veç gramafonit me “gjymkë” të madhe me pllaka me këngë greke e korçare, nuk kisha dëgjuar gjë tjetër dhe tani si të rrinja 2 – 3 orë të dëgjoja “pëllitjet” e atyre, apo karnavaleve që nuk pushuan asnjëherë, ndërsa mua mu enjt koka, ata të dy të prekur sa nuk qanin. Pika emocioneve, e lëre pastaj kur hyri në rol Beniamino Gigli u ngrit në këmbë e tërë platea dhe llozhat dhe unë si “soitare” së bashku me ta që duartrokisnim në mënyrë frenetike pa pushim, luanin kokat karshi njëri-tjetrit bashkë me mua në shenjë pohimi dhe lumturie. “Çfarë emocionesh” dhe kur filloi Beniamino Gigli e të më kujtonte “pëllitjet” e kalit të Kaloshinës “Nallçes”. Kështu që teatrin e luajta unë e jo ata në skenë për 3 orë rresht. Nuk kisha më asnjë dëshirë jo veç për të dëgjuar, por as për të ndejtur në atë ambjent që isha e detyruar të buzëqeshja, të mallëngjehesha, të mbaja shikimin e fiksuar aty në skenë etj. Të tëra këto veprime i bëra në perfeksion sepse kopjoja një çift budallenjsh që ishin përbri nesh në drejtim të skenës që gati nuk vdiqën nga emocionet e shfaqjes së bashku me mua. Kur mbaroi shfaqja Iljaz Beu mbeti shumë i emocionuar nga spektakli, por njëkohësisht i bëri shumë përshtypje kultura ime muzikore si dhe sentimentalizmi im, i cili gjithnjë përputhej me momentin e shfaqjes, një mrekulli që s’para gjendej ndër gratë shqiptare. Atëherë Iljaz Beu iu drejtua tim shoqi duke i thënë se kjo çupa jonë do të të kuptoj shumë mirë për gjithë jetën, të lumtë për zgjedhjen që ke bërë. Soi-soj është e s’ka tjetër. Nekiu pohon me kokë, unë e lumturuar që mbaroi sikleti dhe ikëm nga ajo opera e “mallkuar” drejt e në hotel. Pas darkës më thotë Nekiu në bisedë se, e di që për një moment ma mbushe mëndjen edhe mua si Iljaz Beut që ti e ndjeje atë lloj muzike, e po thashë që të një kallëpi jemi, aristokratë hesapi, muzikë klasike për ne njerëzit klasikë ishte. Qeshëm bashkarisht dhe ramë të flejmë të lodhur që të dy sepse opera na “ngacmoi ndjenjat”.
Të nesërmen Iljaz Beu na mori sërish dhe na çoi në Luvër e në Versajë, u mahnitëm nga pikturat, skulpturat dhe çdo gjë tjetër të atyre ambjenteve. Kur u ndamë na dhuroi një pikturë të një piktori “batalist” të njohur francez, Marshallin Marat hipur në kalë në pozicion me dy këmbët e para të ngritura lart, përpara një turme me luftëtarë të Napoleonit. Këtë dhuratë që Nekiu e çmonte dhe e pëlqente shumë, na e përvetësoi prej sekuestrimit që iu bënë plaçkave të shtëpisë tonë krimineli sadist komunist Mihal Bisha.
Pasi u larguam nga Parisi sërish taksi, tren, anije mbërritëm në Londër, edhe aty shëtitje e vizita në Hait – Park, Sahati i Londrës, muzeume, Tamizi etj. Pas një jave u nisëm për në Zvicër, aty nuk lamë mal e teleferik pa hipur, shëtitëm nëpër Alpet e Zvicrës kudo, vizituam me shumë dhimbje edhe varrezat e skiatorëve që kishin rënë aksidentalisht nëpër ato male të larta, plot djemë e vajza të rinj, ishte për të ardhur keq. Edhe këtu muzeume, parqe, panorama shumë piktoreske pamë, aq sa i them Nekiut që “edhe mua më lindi dëshira për të pikturuar”.
Pas Zvicrës u nisëm për në Itali, vizituam Venecian, Torinon, Milanon, Bolonjën, Gjenovën, Romën dhe në Napoli ku vajtëm për të parë pranë edhe vullkanin, dhe së fundi në Bari ku më tërhoqi bari “Vecchio” sepse kur po shëtisnim vura re në një shtëpi të vogël gjysmë të rrënuar një grua që mbante dy fëmijë në “piqi” (midis këmbëve) dhe po iu kontrollonte kokën për parazitë, aty mu duk sikur erdhëm në Shqipëri.
Pastaj nga Bari në anije dhe më në fund arritëm në Durrës, prej aty me taksi angazhe me mikun e Esatit si shofer Qazim Plasën, arritëm në Tiranë pas plot dy muaj shëtitje nëpër Evropë. Një herë në dy vjet e bënim këtë turne por ama pas këtij turneu nuk kisha më siklet për asgjë sepse tashmë isha bërë “grua me kulturë”. Ishte e mjaftueshme kjo eksperiencë, ia kisha marrë dorën kësaj pune, kisha kaluar një shkollë të vërtetë edhe nëpër suaretë e organizuara nëpër Pallatet Mbretërore, Legata të huaja dhe ceremoni shtetërore. Nekiu më thoshte se je mjeshtre e vërtetë për të maskuar mungesën e dijes të trashëguar nga Dishnica. Ke origjinalitetin tënd shumë të rafinuar psh. të vija re kur u ndodhe përpara veprave dhe pikturave të Mjeshtrave të Mëdhenj Botërorë, u paraqite me një entuziazëm të madh, si edhe me efekte të dukshme, ai që të shihte me siguri krijonte respekt për ty. Aferim, Aferim! E shtirura është në natyrën e shqiptarit dhe fillonte qeshte dhe në fund më thoshte se, kam idenë që lodhesh më shumë duke luajtur teatër me njerëzit për të fshehur mungesat që ke përkarshi shoqërisë së re, se sa t’i vihesh një pune studimore sistematike dhe të shpëtosh njëherë e mirë nga këto preokupacione. Megjithëse këtë këshillë që po të jap, mua personalisht nuk më leverdis sepse humbas kuriozitetin për të parë se si do ta luash rolin e ri në një ambjent të ri. Tamam e ke, unë pikërisht për të mos humbur ti kuriozitetin që të jep, njëkohësisht dhe kënaqësi, unë nuk “studjoj” sepse nuk dua të ta heq ty këtë kënaqësi, prandaj sakrifikohem për ty, për hir të dashurisë së madhe që kam për ty dhe pastaj ia plasnim së qeshurës bashkë. Mirë, mirë e ke, thoshte Nekiu, se po t’i mbledhësh shkollat e dy motrave të tua dhe të dy vëllezërve (1 vëlla tjetër më i vogli Alo, ra dëshmor në Aushvic), nuk besoj se bëhet një shkollë e “mesme”.
Këto “karagjozllëqe” ajo i ka përdorur deri vonë sepse e tillë natyrë ishte. Ja të tregoj një rast tjetër që më kënaqi kur po më tregonte për një shaka që kishte bërë kur punonte shitëse në “Reciprok”. I vjen një ditë kushërira e saj Deni (gruaja e Vedat Kokonës) dhe i drejtohet me një tufë fjalësh në italisht rrjedhshëm dhe me shpejtësi sepse ajo e dinte se Asimeja e “thante” italishten. Kështu që edhe ajo në këtë rast fatkeq, mirësisht ra në “kurthin” e lojrave të saj dhe nuk arriti të merrte vesh se Asimeja nuk dinte as edhe një fjalë “talançe”, por edhe Asimeja nuk e mori vesh se çfarë kërkonte ajo me tërë ato fjalë. Atëherë Asimeja ia bën me sy Denit se në banak ndodhej një fshatar dhe shkelja e syrit në atë mënyrë donte të thoshte: “Ruaju nga ky person”. Pas pak fshatari largohet dhe Asimeja i thotë Denit se ta bëra me sy se si dihet kush ishte ai person, se nganjëherë për t’u maskuar si nuk vishen ata, prandaj t’i lëmë dyshimet se kaloi kjo punë, si e kishe hallin dhe çfarë deshe? Ajo e shkreta 1000 herë i kërkoi “Pardon” dhe i tha se donte 0.5 litra vaj ulliri për një ilaç për Vedatin, atëherë Asimeja i jep vajin dhe ndahen me dashuri. Kur iku Deni, Asimeja thotë me vete: – O janë këto budallaçka sepse jetuam një jetë bashkë dhe nuk e morën vesh asnjëherë që unë veç “korçarçes” nuk di gjuhë tjetër, ose jam unë shumë e mënçur apo e djallëzuar që nuk ju a kam dhënë asnjëherë mundësinë të marrin vesh se çfarë gjuhe të huaj di. Ja hodha. Ja hodha edhe këtë rradhë “Madamave – kushërira”, por tani e prapa kam vendosur të studjoj se s’bën, nuk kalohet jeta “enjorante” dhe tallej me veten.
Ky ishte humori i gjithë jetës së saj, edhe në çastet më të vështira kështu bënte. Më kujtohet ishte fillimi i vitit 1949 dhe kishim mbetur në shtëpi pa asnjë lek, dmth pa bukë. Esati nuk na dha më borxh sepse në defterin që mbante “llogaren” ndaj nesh, kishte mbetur një debit i jonë prej 7000 lekësh (të vjetra), të cilin po e vononim për shlyerje sepse buxheti familjar varej nga shitja e xhevahireve, shitje e cila në ato momente ishte bllokuar. Kështu si përherë mua dhe Asimes na binte barra për ta zgjidhur këtë problem, sepse ne të dy ishim caktuar për ekonominë familjare. Kjo kishte arsyet e veta sepse babai ishte i sëmurur rëndë, Sherifi nuk kishte mundësi të “shkëputej” nga bibloteka, ndërsa motra ishte shumë e vogël për t’i ngarkuar kësi hallesh. Pasi biseduam me njëri-tjetrin, ne të dy “protagonistët” kryesorë vendosëm të shesim një palë galloshe të bardha që ia kishin dhuruar dikur nënës dhe menjëherë dolëm në pazar të ri për t’i shitur. 6 a 7 orë me to në dorë duke i ekspozuar, unë edhe me zë biles për të gjetur ndonjë klient por më kot, nuk po afrohej njeri. Ishte dimër i fortë dhe i kërkoj nënës leje për 5 minuta sa të shkoja në tualetin publik tek markata, por kur u ktheva tek “zonja e Parisit” e shoh atë me duar përpjetë dhe po bënte sikur kërcente dhe këndonte me zë të ulët: ding… digi… di… di… di çi do”, kur erdha përpara saj me pyeti: Hëëë – ku i kam ato flamë galloshe? Unë ngrita shpatullat dhe ajo gjithë krenari më tregon 9000 – lekët (të vjetra) që i kishte shitur. Të them të drejtën u lumturuam sepse familja kishte mbi 20 orë pa bukë. Me shumë zor dhe ndërmjetësi blemë 3 kg patate se s’para gjendeshin dhe drejt e në shtëpi. I ziem menjëherë dhe i hëngrëm të pestë gjithë uri e babëzi sepse racionin e bukës së misrit e kishim ngrënë që në mëngjez herët sapo ishte hapur furra e bukës, me qepë apo presh të freskët. Prandaj atë natë fjetëm të ngopur dhe të lumtur, por e keqja ishte se pas kësaj nate vinte tjetra dhe s’kishim më galloshe, ky ishte një nga problemet jetike që na preokuponte ne njerëzve që jetonim me nder. Diktatura bënte punën e vet me ritëm konstant dhe priste sa të vdisnim me rradhë ne kundërshtarët e saj. Ja kjo qe nëna jonë e paharruar, punëtore e sakrificës dhe gjithmonë e qeshur dhe shpresëdhënëse. Më kujtohet që ajo na thoshte gjithmonë me shaka se mua nuk më humbet kollaj shpirti sepse kam lindur shtatanike dhe jam sy bardhë, edhe kur të vdes si trup, unë nuk do të rri dot pa ju parë dhe më beso se do të vij, po si? – do të thoni ju. Kur të shikoni ndonjë flutur që rrotullohet rreth ndonjë llambe të ndezur natën dhe vjen e ju godet në ballë, mos e vrisni se jam unë – “Parol d’onor” – thoshte dhe qeshte. Dhe për çudi pasi ndërroi jetë, ajo mua më është bërë fiksasion që të mos e gjuaj atë flutur se kush e di! Ky qe dhe fundi i Madam Cimit.
* * *
Që ditët e para që hyri qeveria komuniste u duk menjëherë paaftësia e tyre për të qeverisur vendin, urdhërat që duheshin zbatuar në bazë, si ato të organeve qëndrore apo lokale, në më të shumtën e rasteve ishin verbale ose me copa letre dore të shkruara keq apo siç thuhet në gjuhën popullore “letra bakalli”. Ndërsa interpretimi i tyre praktik nga njësitë më të vogla administrative në terren, bëhej sipas gjykimit operativ të punonjësve revolucionarë të këshillit të zonës. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me grupe apo njësi të marra në dispozicion nga “Divizioni i Mbrojtjes së Popullit” bashkëpunonte si një trup i vetëm me këto këshilla administrative të bazës, për luftën “Blic” ndaj reaksionit që mendohej që e kishte marrë veten apo ishte “ringjallur” pas vdekjes. Arrestimet, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, shpronësimet, sekuestrimet dhe internimet zbatoheshin me shumë zell dhe pa asnjë mëshirë. Fushatat e vazhdueshme të shoqëruara me raprezalje për të grabitur mallrat e tregtarëve, apo floririn e shtresave të pasura të popullit, si edhe sekuestrimin e fabrikave, punishteve, apo mjeteve të transportit ishin problemet aktuale të ditës të asaj kohe. Kjo gjendje anarshie, frike, varfërie, si edhe mungesa e sigurisë ishin karakteristikat e asaj periudhe të trishtueshme. Falë “UNRRAS” (që do ta sqarojmë më poshtë se çfarë përfaqësonte), që për disa kohë e zbuti këtë varfëri të tejskajshme duke e furnizuar popullin me ushqime nëpërmjet “nozullimeve” apo mensave të asistencës sociale, por për fat të keq shumë shpejt u ndërprenë për shkak të qëndrimit aventuresk që mbajti qeveria komuniste ndaj Anglo – Amerikanëve, me qëllim për t’u shkëputur nga bota perëndimore dhe për t’u lidhur përfundimisht pas “qerres” Jugosllave, drejt perspektivës për t’u bërë Republikë e 7-të e saj.
Fill pas kësaj periudhe hyri metodologjia komuniste e triskëtimit e cila përfshiu bukën, ushqimet, veshmbathjet, drutë për ngrohje etj, u racionua çdo gjë për frymë në kufijtë më minimal që mund të mendohej. Imagjinoni sa kohë e rëndë ishte dhe megjithatë me detyrim shtetëror ky realitet i kësaj jete të varfër e mizerabël, duhej paraqitur me entuziazëm të vazhdueshëm për inat të “hasmit”, dmth për inat të “armikut të jashtëm e të brendshëm”. Ishte detyrë për të gjithë popullin të këndoheshin këngë entuziaste revolucionare kudo, në punë, aksion, mbledhje, mitingje e kudo ku jetonim. Më kujtohet psh një nga ato këngët absurde të rradhës:
– Përpara shok puntorë, – Rindërtojmë Shqipërinë.
– S’jemi më skllevër, – por jemi në fuqi.
– Se sot pushteti asht i joni – para puntori.
– Sot punojmë për vete, – për shtëpiat tona.
– Forcojmë pushtetin, – që ne na mbron. etj… etj.
Babai i “shkretë” kur shihte këto skena thoshte si është e mundur?
Këtu ka një kontradiksion ndërmjet nivelit faktik të jetës që po shohim e po jetojmë ne, edhe këtij entuziazmi popullor kaq të madh që demonstron një “mbingopje kënaqësie”. Unë nuk po kuptoj diçka këtu, por më duket absurde t’i këndosh varfërisë që po shohim e po jetojmë, me të kundërtën dmth me nota entuziaste, nuk e di për zotin e nuk po kuptoj gjë fare, nuk jam nihilist por të keqen po e shoh, nuk e di. Nuk ka mundësi të jetë hipokrizi kjo sjellje gjithëpopullore, se me ç’po shoh kjo është masive e jo individuale, apo e disa grupeve çudi, çudi! Bakallëm, Bakallëm (të shohim). Jam shumë kurioz të pyes vet e të bisedoj me ndonjë njeri të thjeshtë nga këta entuziastët, por kam frikë se mos e keqkuptojnë, ka ardhur zaman i keq. Ja sot po ecja në rrugë në punën time, nja dy burra që m’u dukën goxha burra, afër meje i dëgjova që po i thonin njëri-tjetrit: – Ja shikoje atë burrë (për mua e kishin), sa i shnosh osht, ene me kapele si “oturak” në kokë (isha me kapele republike), tamam si burgjez po më duket, i përgjigjet tjetri: po mër po ashtu gja, po ene nuk më duket asi soi, mu ma shumë po më duket si me qenë ndonji furxhi a pastiçier ose ene kuzhinier, se vetëm ata sot ngopen duke hongër e janë kaq të shnosh. Atëherë mua nuk mu durua më dhe mora guximin pa i njohur, ju afrova sepse e dëgjova se tërë muhabetin që bënë për mua e kishin, i pyeta se përse interesoheshin për personin tim dhe se çfarë interesi paraqisja unë për ta? Apo kishin ndonjë shkak tjetër?
Menjëherë mu drejtua njëri prej tyre dhe më thotë: – Pash Zotin mos ma merr për keq që dum me e dit, a je burgjez tina?
Atëhere i pyeta edhe unë: – Më falni por a mund të më thoni se çfarë do të thotë Burgjez?
– Heuu, ja bëri tjetri, pse as ti nuk e ditke alomet burri se ç’osht ky llaf?
– Derisa po ju pyes dmth nuk e di.
– Ja pra po ta them – tha njëri prej tyre. – Burgjezë janë tregtarët që kan pare, ashtu ene bejlerët e agallarët që kan pi e jon ushqy me gjakun e popullit, pranaj janë të këqinj ene të shnosh, si po më gja tina. A na shef no të varfnit apo puntorët sesa të holl e të shkatarrum jemi? Ata na kan lon njishtu, ata burgjezët e “mutit”.
– Jo. Jo, i thashë, – unë nuk jam marrë kurrë me tregti.
– Heu, tha ai që kishte më shumë muhabet, – po si atëherna je vesh kaq i bukur e je kaq i shnosh? Çfar zanati bo sot apo ke pas bo dje?
– Përpara ose dje, siç thoni ju, kam qen gjykatës, i thashë.
– Heuu, – më tha, – po… po… po si nuk të kan rras mrena, a e ke dredh sot apo ke pas ndonjë mik të fortë. Tundi kokën dhe i tha shokut: – Hec ore hec e t’hikim se po na shofin me kët dreq burgjezi e po na rrasin ene no mrena si miq të tij, ene ta dini që jena tu bo gabim të madh që po shoqnojm këtena, do të na qujn me zhugrafi (biografi) të keqe.
Atëherë mu drejtua prap nji tjetër prej tyre, na fal, na fal ore vlla, tina s’je për ne, më përshëndetën dhe u larguan. U çudita shumë nga ky “conversazion” (bisedë) dhe thashë me vete se ç’është ky transformim kaq i shpejtë i njeriut drejt së keqes? Nuk e kuptoj dhe nuk e kuptoj dot këtë realitet të ri. “I shkreti” baba me këtë natyrë vazhdoi derisa ndërroi jetë, nuk u përshtat dhe nuk u përshtat kurrë me jetën e “re” apo me “Njeriun e Ri” të Partisë apo me “Veprën monumentale” të saj.
Ja dhe një tjetër rast që tregon për mostjetërsimin e tij. Ishte viti 1946, vjen një ditë në shtëpinë tonë gjithë nervozitet një komshie e re por krejt e panjohur për ne. Ajo kishte hyrë në shtëpinë e të shkretit Seifi Vllamasit pas dëbimit të tij, atë e kishin burgosur dhe familjen ia kishin internuar. Ardhja e saj tek ne shpjegohej se ne fëmijët e atëhershëm, në grup kishim bërë një prapsi të rëndë kalamajsh në bodrumin e apartamentit të saj, pra ajo erdhi me qëllim proteste. Ajo pasi i ra disa herë me forcë dhe në mënyrë të zgjatur ziles së derës së jashtme, filloi ta godasë edhe me grushta portën e llustruar, biles edhe me një tufë çelsash që i mbante në dorë. Babai u çudit nga ky rast i rrallë apo unikal për apartamentet tona, prandaj nga kurioziteti më tepër, ai e hapi vet, i çuditur dhe shumë kurioz për të parë se kush ishte, hapi derën dhe sheh këtë grua të panjohur dhe e pyet:
– Çfarë urdhëroni zonjë?
Ajo e revoltuar i përgjigjet: – E para unë nuk jam zonjë, por jam shoqe, por ti nuk e meriton të më thërrasësh as shoqe ashtu siç jam, por nuk të lejoj as të më ofendosh duke më thirrur zonjë, turp të kesh. Nuk kam rënë aq poshtë sa të më thërrasësh: “Zonjë”.
Babai po me habi të madhe i përgjigjet: – Po shoqe e kuj je? Se nuk po të njoh.
Ndërkohë ajo me deklamim të forte i përgjigjet: – Jam e motra e Vojo Kushit.
Atëherë babai edhe më i habitur thotë: – Më fal po këtë emër sllav apo serb, nuk e kam dëgjuar ndonjëherë, ç’është ky? Ndonjë doktor i shquar apo ndonjë shkrimtar, poet, apo ndonjë shkenctar? Sinqerisht ju a them se nuk e kam dëgjuar kurrë këtë emër.
Atëhere ajo i përgjigjet se fëmijët e tu janë të mbrapsht dhe më kanë bërë një dëm të madh, por nuk paskan patur faj ata sepse paskan patur një baba tutkun si ty.
Babai kur dëgjoi këto fjalë fyese prej saj u nxeh jashtëmase dhe mendoi me vete se si ka mundësi të më vij në shtëpin time një e panjohur dhe të më ofendojë mua dhe fëmijët e mi me një fjalor rrugaçësh. Kjo është e patolerueshme dhe iu drejtua asaj: – A e di ti që unë kam të drejtën legjitime të të hedh në gjyq për ofendim të rënd? Si guxon ti të më ofendosh pa më njohur? Je e papërgjegjshme? Apo ke zbritur sot nga mali?
Ajo menjëherë ia ktheu pyetjen babait: – Pse nuk të pëlqejnë ty njerëzit e malit?
– Nuk më pëlqen sjellja e tyre kur bëjnë veprime kështu si ty.
– Atëherë ta shofim, i thotë ajo, – se kush je ti e kush jam unë.
– Ashtu, i thotë babai, – edhe po më kërcënon?
Atëherë ai jashtë edukatës së tij i mbylli derën e shtëpisë me forcë e nervozitet duke lënë motrën e “Heroit” – Jashtë! Euu., sa punë e ndërhyrje na u deshën më vonë për të mbyllur këtë të quajtur “skandal” sepse mori ngjyra politike. Megjithëse kishin kaluar vite nga kjo ndodhi, atij kur i kujtohej kjo çështje qeshte me emrin Vojo – Vojo dhe thoshte se nuk ka shqiptar me këtë emër veçse ndonjë serb. Lëre pa këtë lloj kopuku e paskan bërë edhe “Hero” si Skëndërbenë, çudi… çudi! Çfarë nuk po ndodhin. Nuk e di këta komunistët a dinë ndopak histori? Ç’presin nga Serbët? Pu… pu… ç’bëhet! Shoqëria e fundit për babain sidomos për atë periudhë plot trazira dhe shqetësime, mund të them pa frikë se shoqëria më e shkëlqyer dhe unikale qe ajo që i grupoi në 4 – ndërtesat e bardha të italianëve pas Drejtorisë së Policis – Tiranës, ata burra me familjet e tyre të nderuara deri në Nëntor të vitit 1944, – Vit i Hatasë së Madhe.
Vizitat e ndërsjellta ndërmjet komshinjve nuk rreshtën deri në ditët e fundit të atij viti të mallkuar. Kënaqësi e madhe intelektuale ishte kur ata bashkoheshin me njëri – tjetrin për disa orë, aty bisedohej për çështje ushtarake, drejtësi, letërsi, art, gjeografi, astronomi e çdo gjë tjetër të kësaj bote. Kjo ndejtje disa orëshe bashkë i shplodhte nga telashet dhe punët e ditës të cilat i rëndonin shumë edhe situatat e luftës që ishin prezent në çdo çast. Si të mos kujtonim me nostalgji e keqardhje biles deri vonë sa ishin gjallë, atë bashkim rastësor e të mrekullueshëm komshillëku i cili mbështetej kryesisht në ngjashmëri pikpamjesh, edukate, niveli kulturor, intelektual, virtytesh etj.etj. Në këtë grup shoqëror bënin pjesë tamam baballarët e kombit apo më mirë kollona vertebrale e vendit sepse ishin njerëzit më të ditur, më të ndershëm e më të respektuar, prandaj edhe pas kaq vitesh edhe historia sot mburret me ta. Me shumë respekt kujtoj disa prej tyre: Koloneli i Xhandarmarisë Hysni Peja, Gjenerali Ushtrisë Preng Previzi, N\ Koloneli – Policisë Shyqyri Borshi, intelektualët: Ejup & Seit Kazazi, Bahri Omari, Ing. Andon Kozmaçi, Ing. Maraçi, Rexhep Mitrovica, Xhevat Korça, Kol Kamsi, Vangjel Koca, Ali & Fuat Asllani, Seifi Vllamasi, Malo Kodra, Lola Gjoka, Koço Tasi, Rrok Kiçi, Dhimitër Pashko, Hamdi Kazazi, Xhelal Shashka, Qazim Neki Libohova, etj. Megjithë atë shoqëri të mrekullueshme që kishin me njëri – tjetrin, edhe në atë situatë të rëndë lufte që ju rrezikonte edhe kokat e tyre, prap se prap e gjenin kohën të merreshin edhe me ne fëmijët, sepse ishin të ndërgjegjshëm se ju ishte penguar edukimi dhe programi që ata duhet të zhvillonin me ne për të ardhmen tonë. Shumë e spikatur apo shtëpi shumë romantike ishte ambjenti ku banonte inxhinieri kadastral Qimon Cukali, ishte një shtëpi e vjetër tiranase në rrugën e “Dibrës” ku jetonte me të motrën “Madmazelin”, mësuese e frengjishtes, dhe bashkë me ta kishin edhe një shërbëtore gjatë gjithë jetës në familjen e tyre, e cila respektohej në shkallën më të lartë. Fatkeqsisht të dy ishin beqar dhe e mbajtën njëri – tjetrin deri ditën që u shuan njëri pas tjetrit. Qimoni ishte tipi më i lartë i “klasikut antik francez”, po kështu edhe e motra “madmazeli”. Kur hyje në atë shtëpi, aty gjeje një botë krejt tjetër nga ajo që jetonim. Ata të dy ishin amatorë të zjarrtë të artit në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë admironin artin muzikor klasik të cilën prej vitesh ja u kishte futur në gjak i ati Dr. Cukali, duke angazhuar për ta pedagogë të shquar, literaturë dhe vizita mësimore në Francë, Greqi, Gjermani, Itali, etj. “Pianinua” për madmazelin dhe violina për Qimonin, ishin veglat që përbënin një mini – orkestër apo një duet shumë të aftë, për të mos thënë virtuoz e cila me orkestrimet e saj tërhiqte në shtëpinë e tyre shumë miq të shquar të asaj kohe, intelektualët më të spikatur të kohës, diplomatë të akredituar në Tiranë, njerëz të pasur me vesh muzikor, aristokratë etj. Pjesët që luheshin ishin kryesisht muzikë dhome nga Vivaldi, pjesë nga Bet’hoven, Moxart, List, Shopen etj. Muzikë speciale kishte edhe për ne fëmijët. Këto koncerte në pranverë ose në mbrëmje vere, apo edhe në vjeshtë në kohë të thatë e të mirë, luheshin edhe nëpër oborre me shumllojshmëri lulesh të bukura apo gjelbërime fantastike të realizuara me gjeometri të saktë sipas vilave lluksoze që dispononin. Në këto ambjente kishe kënaqësi të dëgjoje edhe cicërimat e kanarinave që ishin me shumicë. Si ambjente të tilla preferoheshin sidomos vila e Gjeneral Mirdaçit, i cili edhe ai hynte në trio me klarinet ose “OBO”, vila e Diplomatit Xhemal Frashërit, vila e Zef Kadaresë, etj. Nuk mungonin në këto takime muzikale edhe miq profesionist të muzikës si instrumentistë apo dhe këngëtarë të njohur si psh. Kristaq Antoniu, Zini Berati, Tefta Tashko, Marie Kraja (Paluca) dhe e paharruara Merita Sokoli. Imagjinoni se çfarë kualiteti i lartë koncertal zhvillohej.
Këto kujtime që po rrëfej i takojnë kohës deri në shtator të vitit 1944. Por pas këtij viti të mallkuar për të gjithë eh… eh, të tërë këta “spektatorë” që vizitonin këto ambjente, në përqindjen më të madhe u shfarosën, u ekzekutuan me pushkatim dhe me varje nga regjimi komunist. Këta spektatorë “qyqarë” të këtyre mini-koncerteve, si psh ing. gjeolog polaku Zymer, Gjeneral Mirdaçi, Ing. Zyma, Doktor Enver Sazani etj. nuk mund të imagjinonin dot se ishin planifikuar për t’u asgjesuar sepse, jeta e punës së tyre nuk kishte fare lidhje me luftën për “çlirim”, po kështu e pësuan edhe pjesa tjetër e këtyre “spektatorëve” me mendime perëndimore nëpër burgje, internime, si mos më keq mbetën “gjallë e për gazep” siç thotë populli, psh Ibrahim Biçaku, Andon Frashëri, Alfred Ashiku, ing. Lega etj, ndërsa shpëtuan vetëm ata që u arratisën si, Nuredin Bej Vlora, Ali Bej Këlcyra, etj. Më bie ndërmend kur kujtonte babai se Qimoni kishte krijuar dhe një vepër të tërë operistike shumë të mirë me tre akte dhe me subjekt folklorik kombëtar si “Nusja e shitur” e kompozitorit çek Bedrich Smetana, gjithashtu edhe disa soneta shumë të bukura e me vlera të larta artistike, por që nuk u mor vesh se ku përfunduan e u grabitën nga këta apo u asgjesuan. Qimonin pas vitit 1944 e mbajtën ca kohë si inxhinier – kadastre në Ministrinë e Bujqësisë, pastaj e mori Filarmonia Shqiptare si violinist profesionist nga më kryesorët në Orkestrën Simfonike të saj.
Kështu pak e nga pak me forma që vetëm ai sistem komunist i kupton, u shfaros e ashtuquajtura “mbeturina e së kaluarës”. Unë si person edhe sot nuk di akoma se si t’i vlerësoj ata njerëz. Që ishin të ditur nuk diskutohet, që ishin patriotë me atdhedashuri të dukshme dhe kjo nuk diskutohet, që ishin të pasur po edhe kjo dihet, që e kishin treguar veten si trima dhe kjo njihej nga historitë e tyre, pra këta duhet ta njihnin me rrënjë se ç’ishte komunizmi. Ata të “ngratë” deri në fund të Tetorit 1944, pas atyre koncerteve që përshkrova më lart, diskutonin me zjarr për Antropologji, Psiko – Analizë, Antarktidën, Kantin, etj, duke shijuar limonata natyrale të ftohta, parfe, akullore me reçel, pasta në akull të ftohura nëpër “Bussiera”, të ulur nëpër kolltuqe të thurura me thupra shumë të bukura e të ngjyrosura, dhe në prezencë të ndonjë qeni salloni “Bulldok” rrace të zgjedhur. Shërbimi ishte gjithë delikatesë dhe fines, gjithashtu edhe me nuanca aristokrate, shërbente edhe vet zonja e shtëpisë sipas rastit ose ndonjë kamarjere e re dhe e bukur. Së paku ne sa herë që shkonim në këto ambjente nuk i dëgjuam të flisnin ndonjëherë për politikë apo për hallet që lindnin nga politika. Ata e dinin më mirë nga të gjithë për raprezaljet që bënë bolshevikët në Rusi. Ata flisnin shpesh për aristokracinë Ruse se si u masakrua, edhe për ndonjë që arriti të largohej nga Rusia, se si kishte përfunduar si instrumentist i thjeshtë nëpër kazinotë e natës në Paris dhe e quanin veten fatlum që kishin shpëtuar kokën nga “Drapri dhe Çekani” i tyre. Ky qe një gabim fatal i tyre, ishte një nënvleftësim i situatës, një indiferentizëm i theksuar sikur kishin “bëktisur” nga çdo gjë shqiptare. Nuk ju lejohej këtyre burrave të shtetit me vlera të larta shtetërore dhe të pakorruptuar në mënyrë absolute, të bënin gabime filloreje të tilla vetvrasëse, si për veten e tyre edhe për familjet, pa folur pastaj për fatet e kombit.
Po tregoj një rast shumë interesant se si u lidhën shumë burra të tillë në një “marri kolektive” të thurur nga një “kuadër” partizan me pseudonimin “Piciruku”, ata vendosën të mos largoheshin nga Shqipëria sepse u bindën nga ky tip. Këto mardhënie me këtë njeri lehtësuan maksimalisht që terrori komunist të mbërrinte kufijtë më të lartë ndaj tyre në të gjitha pikpamjet. Kjo konfidencë absurde me të dhe krejtësisht e panevojshme, krijoi për të “kuqtë” lehtësira të mëdha për arrestimin e tyre në kohën e duhur. Kush ishte i ashtuquajturi “Piciruku”? Emrin e tij nuk e mësuam kurrë. Ja si u fut ai person ndërmjet këtyre njerëzve. Në të 4 pallatet tona të bardha të italianëve secili apartament kishte në dispozicion nga dy bodrume të cilat në të vërtetë ishin dhoma shumë të mira, të ajrosura e me dritë. Për bamirësi disa nga këta zotërinj të apartamenteve, ua kishin dhënë për të banuar disa familjeve shumë të varfëra dhe me halle të shkaktuara nga situata e luftës, ndonjë familje me jetimë dhe me fukarallëk, etj.
Kishte të tillë psh që ju ishin dhënë në bazë të rekomandimeve miqësore si psh një dhomë (bodrum) ja kishim dhënë ne për banim njëfar Zefi, beqar, në bazë të rekomandimit të italianit Teo – Toi i cili kishte banuar në apartamentin tonë para nesh, po kështu bamirësa ishin edhe familjet e tjera si psh Seifi Vllamasi, Hamdi Kazazi, Malo Kodra etj. Të them të drejtën këta na kishin lënë përshtypje të mirë dhe i ndihmonim me lloj – lloj gjërash, ushqime, veshje, para etj. Dua të përmend disa prej tyre psh Llambrinia me burrë të vdekur e me djalë të vogël, Mehmeti me ngjyrë e me një tufë fëmijësh, Mitka me grua e 3 fëmijë, Luixhi, Italian që më vonë punoi tek ne si guzhinier, etj. Bashkëjetonim për bukuri. Por lufta me bombardimet dhe përpjekjet luftarake rreth shtëpive tona, na diktoi nevojën për të qenë më të sigurt dhe të shkonim nëpër këto bodrume sepse u krijua situatë e vërtetë lufte, binin edhe sirenat e alarmit në rang qyteti. Ata që kuptonin nga këto rreziqe thonin se në këto bodrume të cilat ishin nën kuotën zero, as edhe shpërthimet e bombardimeve Anglo – Amerikane nuk do mund të na dëmtonin. Rreziku për zonën tonë ishte i padiskutueshëm, ajo konsiderohej si zonë strategjike sepse përreth nesh ishin ato pallate që në atë kohë quheshin “pallatet e aviacionit” ku për bela, ishte vendosur një administratë e tërë ushtarake e ushtrisë gjermane si “Felt Gendarmaria”, Gestapo dhe Komandatura të cilat, në mënyrë të dukshme mbroheshin nga kondra – ajrorët e tanke në gadishmëri të përhershme.
Gjithashtu përbri nesh tek pallati Italian që në atë kohë quhej pallati i “Mottës” në oborrin e saj shumë të madh që sot janë pallatet “Agimi”, ishte vendosur një repart i motorizuar me mjete ushtarake të dukshme si rimokjator me zinxhirë, kamiona, etj, ndërsa përballë pallateve tona ishte fushë e pastër ku përfshihej edhe kompleksi sportiv i “Shallvares” sot fusha e parkut “Rinia”, dhe në fund ishte Hotel “Dajti” i cili ishte shndërruar në Spital Ushtarak Gjerman. Kështu që të gjitha këto objekte filluan të ngacmoheshin shpesh si nga aviacioni Anglo – Amerikan ashtu edhe nga partizanët tanë, të cilët në këto kohra të fundit filluan të gjallëroheshin sepse kishte ardhur një situatë e re, që vinte era përgatitje për tërheqje të ushtrisë gjermane. Në pamje të jashtme gjithmonë në formacione “guerile”, “partizanët tanë trima” krahas luftës civile që ishte dhe qëllimi kryesor i asaj lufte për të marrë pushtetin, godisnin autokollonat gjermane në tërheqje që bombardoheshin nga aviacioni dhe vrisnin ndonjë ushtar të çoroditur ose të plagosur në anë të rrugëve si në Krrabë, Myshqeta, etj.
Këto raste përbëjnë aksionet më të rëndësishme të asaj lufte të mallkuar. Nuk po më kujtohet se kujt nga këto familje të varfra të bodrumeve, i përkiste ky “Piciruku” duke e paraqitur atë si të afërmin e tyre. Ky ishte një djalë afër 30 vjeç, i zbehtë në fytyrë dhe zeshkan, thoshte se kishte mbaruar gjimnazin dhe ishte efektiv i Shtabit të një prej brigadave që vepronin përreth Tiranës, por që vuante nga një sëmundje e rëndë për të cilën mjekët partizanë së bashku me profesorin partizan, italianin Pietro Locci, i rekomandonin që ai duhej tu nënshtrohej analizave të specializuara, kudo qoftë në spital apo privat me shtrim të detyruar. Ndërsa ai shprehej se ishte i kënaqur edhe me mjekimet ambulatore që po bënte sepse po ndjente “përmirësime të dukshme”, por kjo mënyrë mjekimi kishte një të keqe se ai ishte i detyruar të lëvizte çdo ditë dhe ndjente lodhje, prandaj për humanizëm, ata të ngratët e besuan dhe e ndihmonin me çdo mënyrë deri edhe me veturën e tyre, e cila lëvizte pa probleme sepse këta ishin funksionarët e lartë të shtetit të asaj kohe. Po në të vërtetë si qëndronte puna e tij dhe cili qe misioni i tij i vërtetë? Ata që e kishin dërguar “Picirukun” tek ne, e njihnin mirë njerzillëkun, karakterin, ndershmërinë si edhe mendimet e atij kolektivi burrash shteti dhe ishin të bindur që këta, pavarësisht se kishin të bënin me një kundërshtar politik, por në kushtet që ai ndodhej i “sëmurë” si njeri në radhë të parë pastaj si i sëmurë, ata do ta ndihmonin me tërë mundësitë që kishin dhe në fakt kështu ndodhi plotësisht.
Pikëpamjet e tij nuk iu interesonin këtyre sepse ata përkrahnin lirinë e mendimit dhe kjo natyrisht për ta ishte e drejtë e njeriut. Ardhja e tij më vonë u kuptua që ishte djallëzore dhe e qëllimshme. Ai nëpërmjet bisedave të vazhdueshme që bënte me ta shprehte gjoja “mendimin e partizanëve për qeverisjen e tyre” si edhe platformën që do të ndiqej pas ardhjes së tyre në pushtet, mendimet e tij që “shprehnin realisht” programin e së ardhmes, karakterizoheshin nga një frymë tejet “Demokratike Perëndimore”. Ky qe dhe kurthi që donin të ngrinin apo paramendimi i komunistëve për ta, që të krijonin bindjen se edhe komunistët nuk janë ashtu siç thuhet, por janë njerëz të ekuilibruar, mbështeten në drejtësi dhe në ligje demokratike, janë me mendime të përparuara dhe çdo veprim gjykimi për të analizuar punën e tyre, do të bëhej gjithnjë duke peshuar realisht kontributin e gjithësecilit. Gjykimi sigurisht do të bëhej nga gjykatat e formuara me personelin e vjetër sepse i çmonin vlerat e tyre profesionale në të gjitha pikpamjet dhe mendohej që do të përjashtohej vetëm ndonjë gjyqtar ushtarak që ishte udhëhequr në gjykim nga mendime politike. Ai ishte shumë i rafinuar, mbështeste si bazë gjykimi Kodin – Francez të quajtur Kodi “Napolonian”. Këtë ai e bënte se e dinte që ata e kishin përzemër këtë Kod dhe e kishin në përdorim në tërë jetën gjyqsore që “merhumët” ndiqnin në atë kohë. Ja psh disa nga bisedat që ai bënte me këta njerëz!
Këto biseda i kam përforcuar dhe fiksuar në kujtesën time me saktësi i ndihmuar më vonë kur u rritëm edhe nga bisedat që bënin herë pas herë prindërit tanë për atë kohë, ja psh ai i thoshte Shyqyri Borshit se ti nuk ke pse shqetësohesh, vërtet ke qenë Zv. Kuestor por ke mbuluar gjithnjë sektorin e Policisë Publike për çështje penale si psh vrasje për motive të dobta, hakmarrje, vjedhje, grabitje dmth çështje ordinere. Ti në këtë rast i ke shërbyer shoqërisë më së miri, e për këtë të jesh i bindur se çdo qeveri që do të vijë, e majtë apo e djathtë, këto faje dhe vepra penale të tilla do ti dënojë se ndryshe do të nxisë krimin. “Hë pra, bravo, ashtu ashtë” – thoshte i ndjeri Shyqyri Borshi. Me këto forma të rafinuara të bisedave ai bindi edhe të tjerë si psh Beqir Valterin, atij i thoshte se ti veçanërisht do të jesh “heroi” i kohës sonë të re dhe ty ky vlerësim të është mohuar padrejtësisht. Pavarësisht se këtu në Shqipërinë tonë, sot ka shumë politikanë “filo-italianë” që e kanë lënë në heshtje heroizmin tënd, për të bindur opinionin konservator shqiptar se ti ke patur të drejtë atëherë të “attentoje” Mbretin Zog, sepse ai ishte pengesë e zhvillimit shqiptar e prandaj e lanë në heshtje këtë akt – heroik tëndin, dhe për çudi me këto forma bisede ai arriti ti ndërroj mendjen Beqirit për tu “arratisur” nga Shqipëria. Ja vlen të kujtoj edhe një rast të veçant me daiun e babait tonë Fejzi Bej Alizotin i cili kishte ardhur për vizitë tek ne dhe e zuri alarmi ajror, dhe ai natyrisht bashkë me ne të gjithë, zbriti në ambjentin “strehim” dhe pas pak sigurisht krahas kondra – ajrorëve gjermanë filloi muhabeti “Tip”, biles më kujtohet që po në të njëjtat kushte me Fejzi Beun, i ndodhi një herë edhe Gjeneral Mirdaçit po në strehimin tonë. – Së pari po kujtoj Fejzi Beun: Biseda në “strehim” vërtitej gjithmonë rreth asaj që ç’do të ndodh pasi të hyjnë komunistët. Ai ndërhyri duke thënë pa as më të voglin preokupim se unë jam krenar për punën që kam bër këtu në Shqipërin time. Për aq kohë sa unë personalisht kam drejtuar sektorët ekonomik apo Ministrinë e Financave Shqiptare, “Bilanshet” e mia shtetërore që kam mbyllur, kan qenë ngahera pozitiv dhe nuk kanë njohur ndonjëherë humbje, pa folur pastaj që korrupsioni apo dallaveret nuk kanë ekzistuar kurrë, dhe këtë ju a them në mënyrë absolute – Bujrum – dhe bëni revizion. Prandaj mua më takon të kërkoj me insistim rivlersim për punën që kam bërë e jo të mendoj apo të kem frikë për ndonjë ballafaqim vlersues, lëre pastaj të më hedhin poshtë punën. Por edhe në rast se do të vijnë komunistët në fuqi, të vetëm pa opozitë, besoj se edhe ata do të kenë nevojë për një specialist të kalibrit tim, së paku për aspektet e anës shkencore të planifikimit perspektiv të zhvillimit ekonomik kombëtar, lëre pastaj për organizimin e sektorit të kontabilitetit dhe ju jap fjalën se unë nuk do të kursehem për asgjë. Po kështu fliste edhe Gjeneral Mirdaçi: Unë nuk kam luftuar kurrë kundër “komunistëve partizanë” sepse kam qenë gjithmonë vetëm specialist dhe instruktor teorik në strukturat përgatitore për kuadër – oficer, dmth ushtarakë të aftë për të mbrojtur Shqipërinë nga ndonjë agresion i jashtëm ushtarak. Si thoni ju? Kam bërë gabim që kam punuar me shumë zell dhe përkushtim për mbrojtjen kombëtare të këtij vendi? Pra unë pres vlersim të punës time dhe jo dënim dhe nuk kam pse të mendoj keq. Keni plotësisht të drejtë – ndërhynte “Piciruku” në bisedë gjith hipokrizi me paramendimin që t’ju përforconte bindjen atyre “fatkeqve” të së ardhmes se kur të vinin ata në fuqi do të mbretëronte rregulli, disiplina dhe ekuilibri gjithmonë, thoshte “Piciruku”, në rast se ne të Nacional – Çlirimtares do të kemi maxhorancën parlamentare ndaj nacionalistëve, pra gjoja nënkuptonte një pluralizëm të pastër.
Po kështu fliste dhe Bahri Omari, autoriteti më i padiskutueshëm i strehimit apo bodrumit, shumë optimist sepse kishte djalin e madh komunist në mal dhe mbi të gjitha ishte dhe kunati i Enver Hoxhës, Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, biles “Piciruku” kur fliste Bahriu, mbante drejtqëndrim. Ata të “shkretët” apo viktimat e së ardhmes duke u bazuar në punën e tyre të ndershme dhe brënda ligjeve, njëkohësisht kishin mbështetur shpresën edhe në aleancën Anglo – Amerikane që ishte një lidhje e sigurtë për tu besuar, por jo më pak e nënvleftësonin dhe perspektivën komuniste sepse ishin të sigurtë që ajo ishte një ideologji shterpe dhe nuk do të fitonte kurrë në Shqipëri. Rrinin të qetë dhe numëronin ditët e fundit të luftës, duke mos e ditur se ato ishin edhe ditët e fundit të jetës së tyre, kështu që vazhdonin të qetë bisedat “kordiale” me “Picirukun”. Konfidenca dhe miqësia me të u rritën së tepërmi sepse kishin nevojë për kurajo pasi ishin të moshuar në përgjithësi dhe emigracioni politik ishte i vështirë, jo i sigurt për atë situatë lufte që jetonim. Ata “Picirukun” e deshën shumë, tamam si fëmijën e tyre sepse jetuan së bashku rreth tre muaj, biles dhe mjetet apo bodygardët e tyre i përdorën që “Piciruku” të kryente “nevojat mjeksore” pa vështirësi, sepse ishte shtetrrethim në orare të caktuara dhe i rrezikohej jeta birit të tyre.
Pra kjo qe situata që u krijua për këta njerëz në ato momente delikate për ta. “Propaganda e shkëlqyer” e “Picirukut” apo edhe sjellja e tij “korrekte” i gaboi plotësisht ata dhe nuk u larguan nga Shqipëria sepse ju rriti shpresat për mirë. Pra ai ja arriti qëllimit të tij të mbrapsht dhe ja erdhi dita e “çlirimit”, më 14 – 15 – 16-17 nëntor 1944, menjëherë dhe në mënyrë të rrufeshme u rrethuan apartamentet dhe hynë partizanët. Ata sapo hynë kërkuan “Picirukun”, i cili iu paraqit në mënyrë ushtarake Komandantit partizan Sulo Stares dhe komisarit Irakli, mos gaboj ishte Irakli Vakëfliu sepse më vonë më lidhi puna me të. Menjëherë filluan arrestimet me histeri dhe brutalitet, të gjitha veprimet e arrestimit u kryen nën drejtimin dhe urdhërat e prera të “birit e të sëmurit Piciruk”.
Imagjinoni se çfarë zhgënjimi pësuan këta burra të ngratë. Partizanët “trima” së bashku me “Picirukun” filluan t’i godasin ata me qytat e pushkëve dhe t’i marrin me shqelma duke i pështyrë në sy të familjarëve që kishin jetuar përreth tre muajsh së bashku dhe ishin interesuar për të tamam si për birin e tyre. I grumbulluan në fund të korridorit të bodrumeve dhe i lidhën me tel (Ø 3m/m) zingato që përdorej për tharjen e rrobave në mungesë të prangave, shtrëngimi u bë me një pincë të vjetër nën britmat e atyre që ju dhembnin nga shtrëngimi me përdredhje pa asnjë kriter njerzor. I hypën në një kamion nën kërcënimin e armëve dhe i nisën. Pa kaluar një vit, të gjithë banorët e strehimeve kaluan në “gjygjet tip” Bedri Spahiu – Koçi Xoxe dhe u ekzekutuan. “Picirukun” nuk e morëm vesh asnjëherë se kush ishte, se si përfundoi edhe ai në jetën e mëtejshme. A u asgjësua edhe ai dhe kur si shokët e tij nga mekanizmi i sigurtë auto – vrasës? Kush e di, psh më vonë ne e morëm vesh për kriminelin Andrea Mema që arrestoi babanë, e torturoi, e grabiti, ose më shqip i shkatërroi jetën atij edhe ne, që e kishin helmuar po vetë komunistët e tij, dhe sipas një artikulli që e kishte shkruar e shoqja e tij pas vitit 1991, asgjesimi i tij ishte bërë në atë kohë kur ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shijakut. Mendoj se ai vdiq, u vra apo ngordhi si qen nga Sigurimi sepse ai personalisht njihej me shumë gjëra sidomos me grabitjet e arit që më vonë paraqisnin rrezikshmëri për situatat e reja. Prandaj edhe unë në emër të atyre burrave që përmenda më lart, i uroj edhe “Picirukut” fatin e Andrea Memës me shokë.
Këto qenë praktikat që përdorën komunistët për të ardhur në pushtet pasi përfunduan Luftën Civile. Por pati edhe nga ata shokë e miq të atij “komshillëku” të artë të apartamenteve të bardha që sigurisht i përkisnin asaj elite të shquar, që jo vetëm nuk u mashtruan nga ajo propagandë famëkeqe komuniste, pa marrë parasysh anën shëndetsore apo edhe moshën për ato vështirësi që i prisnin, por gjetën forca edhe vullnet për të luftuar komunizmin direkt në fushën e betejës, këtu në vend apo në Shqipërinë e tyre edhe pas Luftës II Botërore, pavarësisht nga çmimi që ata paguan si me kokat e tyre apo me konseguencat e tmerrshme që pësuan familjet e tyre të cilët ose vdiqën të torturuar, ose në mizerje, nëpër kampet e punës, burgje e internime. Pati edhe nga ata si Preng Previzi që me disa burra nga Shullazi i Laçit, dolën malit me armë në dorë kundër atij sistemi brutal e tradhëtar, apo si Ejup & Seit Kazazi që u vranë duke luftuar se udhëhoqën rezistencën anti – komuniste në Epopenë e pashkruar dhe analizuar të Postribës. Pati edhe nga ata që u larguan nga Shqipëria me mendimin patriotik për tu riorganizuar, dhe menjëherë të fillonin një luftë të re me të vërtetë çlirimtare, me ndihmën e Perëndimorëve, luftë e cila nuk u realizua për shkaqe tashmë të njohura nga të gjithë. Ky qe fundi i këtij grupi intelektualësh që përbënin një pjesë të tabanit të këtij vendi që me shumë sakrifica apo tradita patriotike, kishin arritur të drejtonin këtë vend në zhvillim dhe në rrugë të drejtë.
Fill pas asgjësimit të kësaj kategorie njerëzish, sllavo – komunizmi i zëvendësoi këta, për të drejtuar shtetin shqiptar me punëtorë e fshatarë të rëndomtë dhe padyshim injorantë. Por fatkeqsisht pati edhe nga klasat e përmbysura, sepse natyrshëm klasa pa fundërrina nuk ka, që ndërruan lëkurë dhe ideale dhe u ngritën kundër vetes, hyrja e tyre në shërbim të komunizmit, e grryu edhe më tepër atë shoqëri fisnike dhe nuk thotë kot populli që “pyll pa derra nuk ka”. Pas daljes së babait nga burgu, atë e vizitonin shpesh shokët apo kolegët e tij në “Rezidencën e tij të re” mu në breg të Lanës ku gjithnjë ndiheshin erërat “aromatike” të kanaleve të ujrave të zeza që derdheshin në Lanë. Ai gjithnjë i priste duke qeshur tek dera e dhomës me të vetmin qëllim, për ti këshilluar që të kishin gjithnjë kujdes dhe të zbatonin disa rregulla shumë të domosdoshme në rast se donin të dilnin të pa – aksidentuar nga ajo shtëpi tërësisht e amortizuar. Këshillat e babait për ta ishin që ata të kishin shumë kujdes kur të ecnin në dysheme, që të mos ju hynte këmba në ndonjë hapsirë të krijuar nga thyerja e dërrasave të saj në atë moment nga pesha. Pastaj i sistemonte nëpër vende të veçanta ose të “privilegjuara” të dhomës. Ato vende të “rekomanduara” ishin më të sigurta nga ndonjë rrezik që mund të ndodhte nga rënia e ndonjë zone suvaje të mureve e cila ishte e “mufatur” që më parë në muret prej qerpiçi.
Po kështu ekzistonte edhe mundësia e rënies së ndonjë kontigjenti pluhuri nga tavani me dërrasa të hapura e me bark, në rast se bëhej ndonjë “eskursion” i vrullshëm i minjve nën çati. Ata vinin që ta qetësonin sado pak babain tonë, mikun dhe shokun, apo kolegun e tyre të jetës e të karrierës së gjatë, për shkatërrimin që pësoi familja dhe ai si person. Ata në këto vizita mundoheshin të krijonin ambjent të këndshëm, të kujtonin aspekte të ndryshme që ju kishin lënë mbresa gjatë jetës së gjatë të punës që pas vitit 1912 e në vazhdim, për sakrificat që kishin bërë, për trimëritë që kishin treguar gjatë disa aksioneve specifike të hetuesive të ndryshme etj. etj, ndërkohë nuk rrinin pa marrë në analizë edhe kohën e re që po jetonin e cila ishte në antitezë të plotë me të kaluarën e punës së tyre, zhgënjimi ishte i madh për këta idealist të çdo gjëje. Por sidoqoftë, ju thoshte babai kolegëve të tij, sepse disa prej tyre ishin në moshë më të re, ju prap se prap merreni me ndonjë gjë të ndershme dhe e them me bindje se edhe tani në këto kohra anormale, ju i shërbeni diçka drejtësisë së sotme. Kjo është pozitive sepse nuk e kaloni kohën kot si unë dhe besoj se edhe ju e keni këtë bindje që me pak mund, po hidhni baza të reja për një sistem juridik të ri më të mirë pas gjithë këtij tërmeti që ra! Kam marrë vesh se disa prej jush ju kanë ngarkuar të përpiloni tekste dhe të jeni mësuesit e parë të kurseve për gjyqtarët revolucionarë dhe njëkohësisht të bëni tekste sepse thonë se në të ardhmen do të hapet Instituti i Lartë i Drejtësisë. “Bereqaversën”, diçka do të bëhet me një sy, po me një sy por ama pak të shkolluar dhe jo si prokurori im Shaziman Baholli i cili edhe pse ishte shërbyes në Ministrinë e Drejtësisë u bë prokuror. Kam marrë vesh se disa prej jush ju kanë mbajtur edhe si Këshilltarë – juridik në shërbime Ministrore, “bereqaversën”, këto janë sektor të rëndësisë së veçantë dhe ishalla kontributi juaj do të vlersohet nga këta xhahila të shkallës sipërore, por prap mendoj se do ta keni të zorshme të bëni diçka, është kohë e keqe, kohë e farës komuniste. Megjithatë me ç’po shoh, shumë prej jush paskan ndryshuar shumë, karriera që po bëni sot tregon shumë mirë se e keni koefiçientin e përshtatshmërisë të lartë dhe nuk e di se si do t’ja bëjnë Nikua me Fuatin, (Niko Cico dhe Fuat Fico), ishalla i mbajnë edhe ata për të mirë të vëndit. Më çuditi fakti sidomos përsa i takon Andrea Nathanailit, aktualisht Kryetar i Gjykatës së Lartë, për mua bëri disa veprime që në këto rrethana nuk i bën kushdo duke u treguar trim i vërtetë, ja mua më dënuan katër vite burg dhe ai pa pyetur fare prishi vendimin e shkallës së parë, më çoi në rigjykim dhe u dënova me kohën e paraburgimit. Dhe fillonin të qeshnin të gjithë bashkë. Babai vazhdonte, ja psh mua më ra në qafë si shumë ai edepsëzi Manol Konomi, më ndoqi me ligësi në çdo hap për keq, akoma edhe sot nuk e kuptoj që pse xhanëm? U soll kështu dhe mbajti qëndrim të padrejtë, as e njoh me imtësi e as më njeh, as avokat nuk më la të punoj sot, tani më prenë edhe pensionin dhe nuk po kuptoj se ç’po bëhet. Nuk e di por këto ditë del një vendim absurd që thotë: Të gjithë funksionarëve të lartë të pushteteve anti-popullore, u pritet e drejta e pensionit. Mua me vendim gjykate mu kthyen të drejtat civile, unë kam paguar gjatë gjithë jetës time të punës kuotat e siguracionit, atëherë me ç’të drejtë më penalizojnë mua dhe më lenë pa asnjë lek? Duan që unë të vdes? Çdo gjë ma vodhën, më sëmurën, punë nuk më japin, pension jo, ç’të bëhem unë? Zhan – Val – Zhan? Nuk e di, nuk e di. Sa për Manolin, ke plotësisht të drejtë Neki, ndërhyn shoku miku apo kolegu Irakli Noçka, edhe mua më sillet si shok e mik por ama e di mirë që po të vijë puna që t’ja dojë interesi i tij edhe mua më shet për kurgjë, biles ka borxhë të më ndjek si “hijenë”, ky është në fakt Ministri ynë, kafshë me fytyrë njeriu, po po. Kaluan kohë dhe Irakliu sa herë vinte të takonte babanë, e gjente shumë të mërzitur dhe të shqetësuar, prandaj ai vendosi të bëj diçka që ai të shtynte ato ditë monotone dhe i thotë: Do të të bie një material që ma ka dhënë Lefter Goga por është tepër sekret, ku Manol Konomi bën autokritikë pas një goditje që i bënë në Komitetin Qëndror, me këtë autokritikë të tijën ti do të shohësh se ku arrin shkalla e hipokrizisë së tij, është shumë ordiner. Të lutem, i thotë babai, ma thuaj ti, nuk dua të lexoj qoftë edhe një rresht për të, sepse kam një urrejtje specifike për atë specie, dmth për çdo gram peshë të trupit të tij. Atëherë Noçka fillon të tregoj: ngrihet Manoli dhe merr fjalën pas vërejtjeve që i ishin bërë në adresë të tij dhe thotë në mbledhjen e Pleniumit të Komitetit Qëndror: Më besoni shokë se për fat të keq timin, unë vuaj nga një sëmundje e cila më ka “induktuar” në qënien time një ndjenjë të theksuar inferioriteti dhe frike, nuk e kam të re këtë të keqe, kjo më ndodh në mënyrë të pavullnetshme, është patologjike. Pikërisht kjo më ka penguar në masë të konsiderueshme të realizoj ashtu si i ka hije një komunisti, detyrat që më ka ngarkuar Partia ime, unë e ndjej që nuk e kam justifikuar besimin e Partisë, prandaj pranoj çdo masë apo dënim nga Partia ime. Por pavarësisht nga ky realitet i imi, e theksoj edhe njëherë dhe po qe nevoja edhe njëqind herë, se jam dhe do të mbetem deri në vdekje ushtar besnik i Partisë dhe urdhrave të saj. Shumë nga kritikat që mu bënë mua në këtë Plenium i pranoj me zemër të hapur dhe ju siguroj se ato janë të paqëllimshme dhe rrjedhojnë nga ato difekte patologjike që përmenda më lart, por ama nuk jam dakort me ato diskutime që aludojnë se unë nuk kam qenë dakort dhe nuk kam firmosur për çështjen e gjykimit dhe të dënimit të grupit të terroristëve që hodhën bombën në oborrin e Ambasadës Sovjetike. Insistoj edhe një herë dhe i them Partisë se nuk jam dakort as me mënyrën, as edhe me formën që u diskutua kjo çështje. Ne këtu në këtë Plenium e dimë shumë mirë të gjithë, se Legjislacioni që e kemi bërë ne vetë dhe që është e do të jetë në fuqi përjetësisht thotë: “Kur grupe terroriste kryejnë krime të rënda dhe kapen në flagrancë, ato i kalojnë për gjykim Gjykatës së Lartë Ushtarake, e cila jep vendim të formës së prerë. Ky vendim nuk ka pse kalon në Dikasterin tonë të Drejtësisë, neve në këtë rast përjashtohemi plotësisht. Dua të ritheksoj se specifika e këtij krimi qëndron në kufijt më të lartë të rrezikshmërisë shoqërore, po ashtu edhe atë shtetërore, prandaj po të varej nga unë personalisht kjo çështje apo dënim i tyre, ju garantoj se do të ishte me vdekje dhe në litar biles, ashtu si kam vepruar edhe në shumë e shumë raste të tjera analoge. Vdekja dhe vetëm vdekja duhet të jetë gjithmonë dënimi për këto krime dhe nuk duhet të hezitojmë asnjëherë për të zhdukur këta terroristë nga faqja e dheut, se po i toleruam sado pak ata, do të rrezikojmë fitoret tona të arritura me gjak e sakrifica. Pra lutja për falje jete kundër vendimit të Gjykatës së Lartë Ushtarake bëhet vetëm e vetëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Kaq kisha për të thënë dhe “Të rrojë Partia dhe shoku Enver”!
Masakrimi i të gjithë atyre njerëzve pa më të voglin faj, për më tepër që u mor vesh nga të gjithë se ishte vetëm një “lojë” e Sigurimit të Shtetit, nuk e shqetësoi fare Manolin. Mjafton që të mos cënoheshin interesat e tij dhe të familjes Konomi, si dhe karriera shumë e dëshiruar nga ai. Ky është Manol Konomi, arsyet që e shkarkuan si Ministër ishin vetëm manovrat e zakonshme që bënte Enveri “Ynë” me shokët e tij. Por sidoqoftë Enveri, Manolin dhe “Manolët” i duheshin dhe prandaj atë e sistemoi në një vend shumë të lartë e të privilegjuar si “Këshilltar Juridik” i Presidentit të Republikës. Ky vend i lejonte të argumentonte “shkencërisht” krimet që miratonte Presidenti pa nivel Haxhi Lleshi. Po mor po, i tha babai Noçkës, e di se çfarë delenxhiu është, e pashë se si u soll me mua për çështjen e Dr. Çupishtit nga Vlora, a e mban mënd besoj o Irakli? Por “Bakallëm”, jeta është e gjatë dhe në një formë a në një tjetër edhe ai do të japë llogari në këtë botë, por një gjë më bën çudi me këta njerëz, kanë parë edhe botë po si nuk e zbuti as Franca këtë lloj egërsire? Çudi! Si Manoli ka edhe të tjerë, por më çudit ky brez, pse i pakët të duket ty krimineli Frederik Nosi ç’punoi për Lef Nosin që e rriti, apo Bilbil Klosin ç’pallavra shet për drejtësi, si është e mundur që këta nuk përfituan asgjë nga “Perëndimi” ku studiuan joo. Hallall e ka Niko Çeta që sillet mbrapsht me njerëzit sepse atij injoranca i dikton të kundërtën. Aman ju lutem të mos i diskutojmë më këto plehra të shoqërisë se na hipën gjaku në kokë. I linin këto biseda të mërzitshme dhe fillonin biseda të tjera si psh problemin e Antarktidës, apo ndryshimet natyrore që po ndodhnin, mbi popullimin botëror etj., etj. Kontakti me shokët e vjetër sikur e ngushëllonte diçka babanë sepse nuk i dukej vetja i braktisur. Kujtesë: UNRRA – United Nations Relief and Rehabilitation Administration. – Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim. U krijua më 9 Nëntor 1943 në Uashington nga përfaqësuesit e 44 shteteve që përbënin atëherë Kombet e Bashkuara.