Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një monument për Dëshmorët e Fekenit
Monumenti më i qëndrueshëm për Dëshmorët e Fekenit nuk është vetëm ai prej guri apo bronzi, por libri i shkruar nga shokët për shokët e tyre. Autorët, Rushan Dosti dhe Agron Zerani, me përkushtim dhe mall, sollën para lexuesit, në 45-vjetorin e rënies së 11 dëshmorëve të Fekenit, një vepër që i kthen ata në kujtesë të gjallë kombëtare.
Ngjarja lidhet me stërvitjen dimërore të zhvilluar në malin e Fekenit, në shkurt të vitit 1981, ku studentët ushtarakë përgatiteshin në kushte të vështira terreni e moti, sipas programit mësimor të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Më 6 shkurt 1981, një ortek masiv dëbore ndërpreu tragjikisht jetën e 3 pedagogëve dhe 8 studentëve.
Misioni i librit është i dyfishtë: të ndriçojë historinë e secilit dëshmor dhe t’i bashkojë ata sërish, ashtu siç ishin në çastin kur orteku i shkëputi nga detyra, nga shokët dhe nga familjet, për t’i bërë martirë të përjetshëm të Atdheut. Për shumë vite, për këtë ngjarje u fol pak, përtej ceremonive ushtarake të nderimit. Pas viteve ’90, figura e tyre u rikthye në vëmendje me më shumë dinjitet. Ishin kuadrot dhe studentët e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha” që nisën përkujtimet sistematike, duke e ngritur sakrificën e tyre në piedestalin e heroizmit.
Fillimisht përkujtimet zhvilloheshin në malin e Fekenit, pranë vendit të rënies, ku vendosej një pllakatë dhe tufa me lule. Me kalimin e viteve, për shkak të vështirësive të terrenit, u ngrit një monument në hyrje të shkollës. Në vitet e fundit, me nismën e Agron Zeranait dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, u vendos një tjetër monument pranë liqenit të Farkës.
Libri sjell kujtime, mbresa, dokumente dhe shkrime të miqve, shokëve e familjarëve. Ai nuk është thjesht përkujtim, por një akt përgjegjësie morale ndaj një skuadre dëshmorësh që nuk duhet harruar. Tetë prej tyre ishin vetëm 23 vjeç; tre pedagogët rreth 30 vjeç. Ata donin jetën, familjet, ushtrinë, por ëndrrat e tyre mbetën në dëborën e Meçekut.
Në këtë kuptim, dëshmorët nuk duhen kujtuar vetëm në një datë përvjetori. Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ata bënë detyrën e tyre; neve na takon të bëjmë detyrën ndaj tyre.
Në ortekun e 6 shkurtit 1981 ranë: Çlirim Halim Pulaj – shef i Planëzimit; Dushan Fejzi Shametaj – komandant batalioni; Nikollaq Naun Bero – pedagog; Studentët: Besnik Selfo Shehu, Ilir Stefan Gramatiko, Bujar Masar Aga, Aleko Thimio Gjoni, Pëllumb Hysni Rrapo, Qemal Qazim Lika, Bilbil Zoto Pashaj dhe Nexhip Dervish Çopa.
Orteku la të plagosur rëndë Luan Muçën nga Peshkopia, i cili më pas u nda nga jeta, si dhe Përparim Veliun nga Saranda, që jeton i paralizuar.
Disa prej dëshmorëve prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, në Berat e Fier, ndërsa të tjerë ende në varreza publike. Në bazë të ligjit për Statusin e Dëshmorit, ata duhet të sistemohen në varrezat e dëshmorëve, çka mbetet një detyrim institucional dhe moral.
Emrat e tyre janë përjetësuar në hapësira publike: Sheshi “Pëllumb Hysni Rrapo” në Poshnje, Rruga “Dëshmorët e Fekenit” në Tiranë, Sheshi “Nexhip Dervish Çopa” në Golem dhe Shkolla “Qemal Qazim Lika” në Selbë.
Libri për “Dëshmorët e Fekenit” është një monument në letër. Ai e mban të hapur historinë e tyre, si një amanet që vjen nga dëbora e Meçekut. Autorët theksojnë se kjo është vetëm fillimi i një pune më të gjerë për të nderuar gjakun e dëshmorëve, pa dallim kohe apo epoke.
Sepse dëshmorët janë institucioni më i shenjtë i Atdheut. Ata janë krenaria jonë kombëtare. Dhe për sa kohë jeton kujtesa, ata nuk vdesin.