Prof. Dr. Isak Shema: Takime dhe biseda mbresëlënëse me Kadarenë
Ismail Kadare, gjeniu i letërsisë shqipe dhe botërore, ndërroi jetë më 1 korrik 2024. Kombi shqiptar dhe bota mbarë i dha lamtumirën e fundit krijuesit të opusit letrar me vlerë të lartë artistike të jashtëzakonshëm. Veprat e tij letrare në gjuhën shqipe, të përkthyera në shumë gjuhë të huaja, kanë vlerë të lartë artistikë, Është ky thesar i paparë për lexuesit dhe studiuesit e mbarë botës.
Kadare është poet, prozator, dramaturg, eseist, publicist dhe autor i shkrimeve të ndryshme diskursive. Me krijimtarinë letrare origjinale ndjeshëm e ka pasuruar letërsinë shqipe dhe atë botërore. Proza e Ismail Kadaresë me prosede modern është trashëgimi e përhershme, që ka pasuruar letërsinë e sotme shqipe, të dy shekujve letrarë.
Ismail Kadare shquhet ndër shkrimtarët prijetarë të letërsisë bashkëkohore shqiptare, i cili në opusin e pasur poetik trajtoi tema dhe motive të llojllojshme, të pranishme edhe më parë në poezinë shqipe, por shumë prej tyre të patrajtuara deri atëherë. Vlerësojmë se në aspektin e përmbajtjes, të mënyrës së trajtimit të tyre, pra të origjinalitetit krijues, por dhe në shumë dimensione të tjera artistike, sjell risi ndër më të ndryshme. Si e tillë, e realizuar me mjeshtri artistike, me veçoritë artistike dhe gjuhësore, me vizionin dhe invencionin krijues, me imagjinatën dhe me pasionin krijimtari, me imazhin poetik, me novatorizmin karakteristik për kohën, veçanërisht gjatë viteve `60, kur ai shquhet së bashku edhe me disa poetë bashkëkohës më të talentuar, por edhe të brezave të mëpastajmë të letërsisë shqiptare, e pasuron poezinë dhe artin letrar në tërësi, duke i dhënë asaj fizionominë e letërsisë së zhvilluar të shekullit XX dhe XXI.
Vlerësimet kritike për Kadarenë dhe veprën e tij janë mbresëlënëse
“Vepra e Kadaresë është një nga veprat më origjinale dhe më të shquara të këtij shekulli” (Eric Faye). “Kadare mundi titanët ndërkombëtarë të letërsisë me çmimin “Booker”: Roth, Grass, Updike, Lessing, Mc Ewan, Spark dhe Garcia Marquez, të cilët janë titanët e letërsisë moderne. Çmimin e parë ndërkombëtar Njeriu i Librit “International Booker Prize 2005” e fitoi gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare”(The Guardian).
Shkrimtari Kadare është fitues i shumë çmimeve, shpërblimeve, mirënjohjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mirënjohjet ndërkombëtare:
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë; Prix mondial Cino Del Duca, Francë, 1992; Çmimi “Bokaçio” Itali,1997; Herder Prize, Gjermani, 1998; Ovid Prize, Rumani, 2003; Çmimi Man Booker International, Britani, 2005; Princi i Asturias për Letërsinë, Spanjë, 2009; Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010; Çmimi Jeruzalem, Izrael, 2015; Commandeur de la Légion d’Honneur (C. LH), Francë, 2016;Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017; Çmimi “Nonino”. Itali, 2018; Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018; Çmimi Park Kyong-ni, Korea e Jugut, 2019; Neustadt International Prize, SHBA, 2020; Prozart, Maqedoni e Veriut, 2020.
Leximi, studimi dhe përurimi i veprave të Ismail Kadaresë
Ismail Kadarenë e kam njohur më parë si shkrimtar nga leximi i disa poezive të para, të shkëputura nga përmbledhjet e para poetike, siç janë “Frymëzime djaloshare”, (1954) dhe “Ëndërrime” (1957). Më vonë, gjatë viteve të studimeve në Fakultetin Filozofik , në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe (1960-1964) kam lexuar poezitë e përmbledhjes “Shekulli im” (1961) dhe romanet e para “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” (1963). Veprat e tjera “Përse mendohen këto male”, 1964, “Vjersha dhe poema të zgjedhura”, 1966, “Qyteti i jugut”, 1967, “Dasma”, 1968, “Motive me diell”, 1968 dhe “Kështjella”, 1970 i kam lexuar gjatë gjatëviteve të mëvonshme.
Fragment në dorëshkrimi i punimit tim kushtuar letërsisë shqipe, 1967
Me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri në vitin 1970, me ftesën e dërguar nga Univiversiteti Shtetëror i Tiranës, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Historisë, (nënshkruar nga drejtori, Prof. Androkli Kostallari). Kam qëndruar që nga 06.08- 10.09.1970, në Tiranë dhe jam takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë. Bisedonim për krijimtarinë letrare, për procesin e mësimit-studimit të letërsisë së sotme shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe veçanërisht për programin e parë mësimor të letërsisë bashkëkohorë shqipe, të cilin e kisha hartuar si mësimdhënës i letërsisë. Ky ishte program integral i tërë letërsisë shqipe për studimet universitare, për studentët e vitit të katërt të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Në program përfshihej letërsia e krijuar në Kosovë, në Shqipëri, në viset e tjera shqiptare dhe në diasporë. Kjo është qasja unike e atëhershme për studimet universitare të letërsisë shqipe , që ka vazhduar dhe realizohet edhe sot. Vepra e Kadaresë lexohej edhe studiohej në studimet themelore, të magjistraturës dhe të doktoratës. Ishte figura qendrore e letërsisë bashkëkohore.
Pas këtij takim janë lexuar veprat e tjera si “Autobiografi e popullit ne vargje dhe shënime të tjera”, 1971, “Kronikë në gur”, 1971 , “Dimri i vetmisë se madhe”, 1973. etj.
Leximi, studimi, botimi i punimeve, shënimi i përvjetorëve në konferenca shkencore dhe kongrese ndërkombëtare, botimi i dy librave kushtuar veprimtarisë së tij: “Ismail Kadare fitues i Çmimit Letrar Ndërkombëtar Njeriu i Librit 2005”, (Onufri, Tiranë, 2006) dhe “Arti letrar i Ismail Kadaresë”, (Dituria 2015, Prishtin, 2020, si edhe përurimi i veprave , ka vazhduar vite me radhë. Në librin tim të ri “Kultura letrare, krijimi, leximi, studimi i letërsisë dhe përurimi i veprave letrare dhe shkencore”, një pjesë e konsiderueshme të këtij botimi ka zënë studimi i veprës së Kadaresë.
Takimet dhe bisedat mbresëlënëse me Ismail Kadarenë
Për takimet me Lasgush Poradecin por edhe me shkrimtarë të tjerë të shquar të letërsisë shqipe, kam shkruar në dorëshkrimin “Kujtimet e mia me shkrimtarët”. Për takimet dhe bisedat mbresëlënëse me Ismail Kadarenë si edhe me shkrimtaren, Helena Kadare, në këtë vështrim përmbledhës, të ilustruar me tekste të veçanta dhe me ilustrime përkatëse, evokohen kujtime sipas një kronologjie që nga viti 1970 në Tiranë deri më 6 qershor 2023 në Prishtinë .
Takimi i parë me Kadarenë në vitin 1970, gjatë vizitës studimore në Shqipëri me ftesën e Instituti i Gjuhësisë dhe i Historisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës (06.08.1970 -10.09.1970) më ka lënë mbresa të pashlyeshme. Takimet e tjera radhiten njëri pas tjetrit, në Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës (04.03.1972-25.03.1973), Universiteti Shtetëror i Tiranës (12.06.1979-22.06.1979) Me ftesë të Univeristetit Shtetëror të Tiranës në Shqipëri kam qenë shumë herë për qëllime studimi dhe për pjesëmarrje në seminare dhe kongrese shkencore dhe disa herë jemi takuar me Ismail Kadarenë:
BASHKË ME ISMAIL KADARENË NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË LIBRIT-EDINBURGH, 2006
Festivali tradicional Ndërkombëtar i Librit 2006 është mbajtur në Edinburgh të Skocisë (Mbretëria e Bashkuar) që nga 12 deri më 28 gusht 2006, në Charlotte Square Gardens. Drejtoria e festivalit ka organizuar me sukses të madh këtë manifestim kulturor dhe shkencor të librit.
Është shquar me aktivitetin e saj të gjithanshëm dhe me aftësinë e organizimit të këtij manifestimi botëror të kulturë drejtoresha e Festivalit tradicional të Edinburgut.
Veprimtaritë e Festivalit kanë qenë të shumta. Në të njëjtën kohë çdo ditë që nga ora 9 dhe deri në orën 21 janë zhvilluar shumë programe: programe për të rritur, manifestime për fëmijë, prezantime të shkrimtarëve dhe të veprave të tyre, programe për teatrin, diskutime dhe debate, veprimtari pune (worshops), ekspozita të librit, librari për shitjen e librave etj Janë ftuar personalitete të shquara të jetës artistike dhe shkencore: shkrimtarë, artistë, studiues të letërsisë dhe të arteve, filozofë, historianë, regjisorë, gazetarë, botues etj.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është ftuar si krijues me famë botërore, fitues i pare i Çmimit Ndërkombëtar Njeriu i Librit 2005. Me emblemën e këtij çmimi janë botuar në gjuhën angleze shumë vepra të këtij autori, të cilat janë pritur me interesim të madh nga lexuesit dhe studiuesit e ndryshëm nga mbarë bota dhe sidomos nga Anglia. Janë ftuar edhe autorët e shumë veprave të spikatura të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç janë Harold Pinter, Seamus Heaney, Simon Schama, P.D. James, Alexander McCall Smith, Doris Lessing, Irvine Wellsh, Steve Jones, Arnold Wesker, Sarah Waters, James Robertson, Anthony Kenny, Shirley Hughes, Ali Smith dhe shumë të tjerë.
I ftuar nga Drejtoria e Festivalit, me ftesë të veçantë, kam marrë pjesë në disa veprimtari të rëndësishme që nga 19 – 25 gusht 2006. Më 19 gusht me sponsorim të The Herald dhe të Sunday Herald është organizuar sesioni Takoni autorin, në të cilin është prezantuar krijimtaria letrare e Ismail Kadaresë.
…“Njëra nga ngjarjet më të rëndësishme dhe të veçanta në verë. Ismail Kadare është njëri që i takon një elite të vogël të autorëve të gjallë. Vitin e kaluar ai fiton çmimin “Man Booker International Prize” për veprat e tij që zbulojnë zymtësinë e Shqipërisë, mitet e vjetra të saj dhe enigmat e diktaturës, shpirtin e njeriut. Ai udhëton nga Shqipëria qëllimisht në këtë festival, paraqitja e tij e parë këtu i shoqëruar nga përkthyesi i tij David Bellos. Mos humbisni këtë rast”.
Ismail Kadare- fitues i Çmimit “The Man Booker International Prize 2005”, Kadare u prit përzemërsisht dhe me duartrokitje të qindra pjesëmarrësve. Në sallë nuk kishin mbetur vende të lira, edhe pse për hyrje bëhej pagesa 7 futna angleze.
Pas prezantimit të shkrimtarit nga drejtoresha e Festivalit, për krijimtarinë e autorit foli David Bellos. Ai po ashtu në dialogun e zhvilluar autorit ia shtronte pyetjet anglisht, ndërsa Kadare fliste frëngjisht. Përkthimi në gjuhën angleze ishte i plotë. Publiku tregonte interesim të madh për të njohur më mirë autorin dhe veprën e tij, pra edhe kandidatin e sivjetmë për Çmimin Nobel 2006 për letërsi. Kadare dha përgjigjet e duhura edhe për disa pyetje të publikut.
Përmbajtja e fjalës së tij ishte interesante dhe koncize. Si edhe në intervistat e mëparshme të shkrimtarit, apo në fjalën e mbajtur në Edinburgh më 27 qershor 2005, në ceremoninë e organizuar me rastin e fitimit të Çmimit Ndërkombëtar Njeriu i Librit 2005, Kadare me elokuencë paraqiti para auditorit të Festivalit ecurinë autentike të krijimtarisë së vet letrare, tematikën e trajtuar, aspekte të mjeshtërisë artistike-letrare, vështirësitë gjatë rrugës së gjatë gati gjysmë shekullore të krijimtarisë letrare, disa nga pikëpamjet kryesore për letërsinë, për metodën letrare (pra edhe për metodën e realizmit socialist), ngjashëm me idetë e shfaqura në librat “Ftesë në studio”, “Dialog me Alain Bosquet”, “Kohë barbare” etj.
Për romanin “Prilli i thyer” shkrimtari dha sqarime plotësuese, posaçërisht lidhur me dukurinë e gjakmarrjes te shqiptarët dhe si është trajtuar kjo temë në roman. Ai foli për praninë e këtij fenomeni edhe në vende të tjera. Çështja e Kosovës po ashtu u përfshi në përgjigjet e shkrimtarit. Takimi me lexuesit pas përfundimit të bisedës me shkrimtarin ka qenë mjaft interesant. Kadare jepte autografet dhe komunikonte me lexuesit dhe me shkrimtarët eminentë, pjesëmarrës të këtij programi.
Veprat e Kadaresë në gjuhën angleze kërkoheshin nga shumë njerëz të moshave të ndryshme dhe po ashtu te vendeve të ndryshme të botës. Shitja e librave: “The palace of dreams”, “The Koncert”, “The File on H”, “The Successor”, “Spring Flowers, Spring Frost Three elegies for Kosovo” etj., realizohej në librarinë, ku është paraparë takimi me shkrimtarin, dhe në ekspozitën e madhe të librit. Shfaqja e fragmenteve të filmave gjatë prezantimit të veprave të autorëve të ndryshëm, me të cilat ilustrohej përmbajta, gërshetimi i metodave të komunikimit me publikun dhe veçanërisht qasja artistike dhe dinamike në rrëfimet e veçanta, zgjonte edhe më shumë kërshërinë dhe interesimin e publikut.
Metoda interaktive e komunikimit, e përdorur me rastin e prezantimit të programeve, dhe sidomos i atyre të letërsisë, krijonte atmosferën shumë të favorshme për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme të Festivalit.
Aftësia kreative e organizimit, rregullimi i ambienteve shumë të përshtatshme, orari i përshtatshëm i shfaqjes së programeve, organizimi i pritjeve dhe i koktejeve, sponsorimet e shumta dhe vetë koncepti i përgjithshëm i organizimit të kësaj feste të madhe të librit dhe të kulturës në përgjithësi, që ka karakter ndërkombëtar, ku komunikohej në gjuhë të ndryshme, ku njiheshin njerëzit e meridianëve të ndryshme, ku prezantoheshim arritjet më larta në arte, në fushën e kulturës, pra edhe në lëmin e veprimtarisë botuese, organizimi i ekspozitave dhe të shitjes së librit, dhe të gjitha së bashku e bënë Festivalin si një ngjarje shumë të rëndësishme për qytetin e bukur të Edinburgut, që ka aq shumë monumente kulturore dhe historike, por edhe për mbarë botën.
Ismail Kadare është fituesi i çmimit Rexhai Surroi për roman për vitin 2009. Juria e nderoi Kadarenë me këtë çmim për romanin e tij të botuar këtë vit “Darka e gabuar”. 22 12. 2009.
ISMAIL KADARE NDEROHET NGA KOLEGJI AAB ME ÇMIMIN “ALI PODRIMJA” Shtator 2014.
ISMAIL KADARE NDEROHET ME ÇMIMIN SHKENCOR NDËRKOMBËTAR “ALEKSANDËR STIPÇEVIQ” PËR VITIN 2020 NGA KOLEGJI ILIRIA.
***