Anita Runaj: Dashuria…
Dashuria. Ky koncept dhe ndjenjë e vjetër sa vetë jeta. Pse dashurojmë, pse lind nevoja për dashuri? Sipas Biblës, Zoti e krijoi Evën si bashkëudhëtare të Adamit edhe të ishte me të kur askush nuk ishte aty (me plot kuptimin e fjalës). Janë të shumta mendimet që ka ndryshuar mbi termin ‘dashuri’ përgjatë rrjedhës së kohës. Për disa ka qenë dashuri për atdheun, për disa dashuri për pushtetin, për paranë, për vetveten. Dhe asnjë nga këto forma të dashurisë nuk është e gabuar, pasi çdokush ka idenë e vet përsa i përket këtij koncepti. Por le të qëndrojmë tek dashuria e një individi kundrejt një tjetri. Pikëpamjet ndryshojnë nga individi në individ. Për disa dashuria është eros, për disa të tjerë është: “Sundimtari i Valenit kundron bukurinë e Virgjëreshës së Tuluzit”1… pra bukuria, për disa të tjerë është dëshirë për të “posesuar” diçka që gjithkush e do. Për disa është përfitim material, siç thotë edhe nëna e Marias tek vepra e Balzakut: “Shkëlqyeshëm, por çfarë do t’i jepni vajzës sime”? 2
Pra, dashuria konceptohet ndryshe nga çdokush.
Por kush mund të fliste më mirë për dashurinë dhe për ndjenjat sesa Flober dhe Balzak, të cilët ndryshe nga shkrimtarë të tjerë, e përshkruajnë dhe e gjejnë dashurinë tek çdo klasë sociale, tek njerëzit më të rëndomtë ndoshta, kjo për syrin e pastërvitur me gjeninë e tyre (aty qëndron edhe një nga bukuritë e shumta të stilit të tyre). E ndonjëherë këto nuk mund të jenë histori konvencionale dashurie, por është pikërisht kjo ajo ç’ka i veçon nga shkrimtarët e tjerë, dhe jo veç të periudhës së tyre, dhe bën që historitë e tyre të jenë të prekshme për lexuesin e sidomos për shoqërinë e sotme.
Më lejoni t’iu tregoj se çfarë dua të them me këtë.
Tek historia e shkurtër e Honoré de Balzak ‘’Virgjëresha e Tuluzit’’ tregohet historia e shkurtër e një vajze 16-vjeçare (‘’e pastër’’, ‘’e padjallëzuar’’), e cila jo vetëm që nuk është përballur asnjëherë më dashurinë, por as termin ‘’DASHURI’’ nuk e di dhe nuk arrin dot ta konceptojë.
Kjo për shkak te fiksimit të nënës së saj me pastërtinë, por që në fakt është duke ruajtur si ‘çobani dashin e kurbanit’, e më në fund kur arrin momenti për të përfituar nga ‘investimi’ që ka bërë, nuk humbet kohë ta sakrifikojë për përfitime monetare e materiale. “Edhe prifti tha që prindi ka detyrime ndaj fëmijës së tij, deri kur ai të arrijë moshën e logjikës dhe natyrisht, vajza ime është shumë e logjikshme”!3
Por a është kjo dashuria prindërore, mëmësore; a quhet kjo dashuri kur interesi për të përfituar diçka për vetveten prevalon ndaj dashurisë dhe deri diku, ndaj detyrimit që prindi ka për fëmijën e vetë, që t’i sigurojë një jetesë sa më të mirë pasi ky fëmijë nuk erdhi në jetë nga dëshira e tij, por për shkak të një raporti dukshëm veç trupor, kafshëror midis dy adultësh. Me fjalinë pararendëse nga ana e nënës së Marias, ajo jo veç e sakrifikon atë për hir të përfitimeve vetjake, por e flak sikur të ishte hiçgjësëndi.
E kur ky sundimtar i Velenit kënaqet nga frytet që i ka sjell ky investim, nga ‘’…gonxhja e pafajshme, nga eksitimi që i japin sisat e mëdha dhe vithet e mrekullueshme që lodrojnë poshtë fustanit’’4, kush mund ta quajë këtë dashuri?! Tani le të dalim tek shoqëria shqiptare…
Një histori e shkruajtur në mes të shekullit të XVII-të, do të thoni ju si është revalente në periudhën në të cilën po jetojmë, në këtë shekull. Sa rezonon ajo me dashurinë sot dhe për më tepër me shoqërinë shqiptare. A ndryshon koncepti i dashurisë në epoka të ndryshme? Dhe më e rëndësishmja, a ka shoqëria shqiptare një ide mbi dashurinë apo mos ndoshta ka ngelur ende tek instiktet primitive të kryerjes së aktit seksual, të përmbushjes së kënaqësive trupore, të riprodhimit, të idealizimit e romanticizimit ndonjëherë, të përfitimeve materiale dhe i kanë harruar kënaqësitë shpirtërore.
Le t’i marrim gjërat me rradhë:
Një shoqëri nuk formohet brenda një dekade apo një gjenerate. Zhvillimi i vërtetë i shoqërive është një privilegj mjaft i madh, të cilin për fat të keq ne nuk e kemi. Sepse të zhvillohesh si shoqëri do të thotë si fillim të kesh kulturë (në sensin më të gjerë të saj). Pa kulturë nuk ka zhvillim, ka thjeshtë injorancë, të cilën të themi të drejtën, ne si popull e kemi me bollëk!
Por si mund të ndryshojë qasja jonë ndaj dashurisë kur ne nuk e kemi këtë kulturë?!
Ku dashuria është ndarë në dy kahe: ose ka ngelur në formën më arkaike të saj ose ka degjeneruar komplet, në llumin me të cilin po përballemi përditë(e kjo po për faj të shoqërisë, të asaj se çfarë na serviret në mediat socale, në televizion dhe ne që e ‘hamë sapunin për djadhë’ dhe duam s’duam bjemë në atë grackë, shpeshherë me vetëdije por edhe pse me vetëdije ne nuk mendojmë ose me saktë akoma, nuk analizojmë e seleksionojmë dicka që të ketë vlerë për ne sepse nuk e dimë realisht se cila është ai informacion me vlerë).
Po të ishim duke folur për vende e kultura të tjera, ka probleme edhe aty AMA ka edhe ndryshim dhe evoluim. Por në Shqipëri kemi ngelur ende në mesjetë…
Ashtu sikurse tregon Balzak në këtë vepër, ti sheh një person dhe e konsideron thjesht si ‘objekt’ të bukur që përpiqesh ta shtiesh në dorë, me sende e të mira materiale dhe ai person bie pre e kësaj përpjekjeje, herë me dashje e të tjera herë padashje. Pse do të thoni ju?
Sepse është një shprehje që thotë: ‘trungu kalbet nga rrënja’. Në këtë rast kemi të bëjmë me prindër të paaftë (dalim përsëri tek shoqëria e pakulturuar) që të rrisin individë që të dijnë vlerën e partnerit/partneres. Të dyja gjinitë janë të mësuara me ide arkaike të ngulitura në kokë mbi atë se çfarë presin nga partnerët e vet. Ideja e shoqërisë shqiptare mbi dashurinë është kjo: ‘interes i pastër material’. Dhe seksual për disa, deri diku… por jo sentimental. Në momentin që mbaron interesi aty mbaron edhe dashuria.
Këtu po citoj një pjesë (mjaft të hidhur, por edhe kaq reale të shoqërisë shqiptare ndër vite) të shkeputur nga një film mjaft i arrirë i kinemasë shqiptare “Edhe ashtu edhe kështu” 5, e interpretuar nga aktori Agim Bajko dhe Mirush Kabashi, e cila vazhdon si më tej:
“Martesa me lakmi të pasurisë është tregti,
Martesa me lakmi të bukurisë është aventurë, ndërsa
Martesa me lakmi pozite është robëri”.
Por, po për të ardhmen, a mundet të ndryshojë kjo? Unë mendoj që JO, sepse brezi i ri vazhdon të bëjë të njëjtat gabime të brezave të mëparshëm, e në një shoqëri si e jona, ku prindi ‘shet’ fëmijën në një martesë materialiste, në vend që ta edukojë, edhe fëmija është mëse dakort pasi këtë edukatë ka marrë, edhe partneri tjetër e kërkon këtë lloj ‘dashurie’. Dhe pas këtyre përfitimeve, duke qenë se nuk është dashuri (e pastër, sentimentale, që buron nga shpirti), përveç gjithçkaje tjetër, edhe seksi shdërrohet në detyrim për të dy partnerët, jo më si diçka që lidh dy shpirtra së bashku, por si diçka që duhet bërë si kusht i ‘kontratës’ që i lidh së bashku, e shumicën e kohës edhe kjo ndalon.
Kur një shoqëri rritet në mënyrë të atillë që ta formojë mardhënien me partnerin për interes, atëherë ajo as nuk duhet të ekzistojë, sepse dashuria, qoftë për partnerin, për një të njohur, për artin, për vendin,etj, duhet të jetë e pastër dhe jo e bazuar tek interesi dhe përfitimi.
Ku e gjej unë ngjashmërinë midis kësaj historie të shkurtër dashurie dhe midis dashurisë në shoqërinë tonë?
Të paktën, që prej shekullit të XVII-të në Francë dhe kudo tjetër në botë kanë ndryshuar mendimet dhe qasjet ndaj dashurisë dhe të së dashuruarit por në Shqipëri as kanë për të ndryshuar ndonjëherë sepse kjo lloj kulture është e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë. Dhe një shoqëri për aq kohë sa nuk përjeton dashurinë pa interes, dashurinë e vërtetë (në gjithë dimensionin e saj) është më mirë të mos ekzistojë si e tillë!
‘‘Virgjëresha e Tuluzit’’ është një histori, midis të shumtave, dhe ne normalisht nuk mund ta marrim atë si shembullin e vetëm të dashurisë në botë pasi nëse do të ishte kështu, do të ‘humbisnim’ në nihilizëm. Arsyeja përse unë zgjodha që ta lidh këtë histori me realitetin shqiptar është sepse është vet realiteti i popullit shqiptar të shekullit të XXI, i hedhur në letër dhe i përjetuar pothuajse katër shekuj më parë!
Balzaku ka krijuar kryevepra të tilla si “Xha Gorioi” dhe “Evgjeni Grande” dhe për mendimin tim, ti i dashur lexues, shembull më të mirë të të dashuruarit dhe dashurisë nuk mund të gjendesh sesa aty, tek Evgjenia..
Ajo dashuron SEPSE dashuron!
Dhe shprehje më të goditur për të mbyllur këtë shkrim mbi dashurinë sesa: “Nuk ka një përgjigje se përse e do një person. Paradoksi është se në momentin që ti mund t’i përgjigjesh asaj pyetje, në qoftë se ke arsye që e do dikë, ajo nuk është dashuri, nuk ka”. Slavoj Zizek 6.
Referenca
- “Sundimtari i Valenit kundron bukurinë e Virgjëreshës së Tuluzit” – HONORE DE BALZAK ‘’Virgjëresha e Tuluzit’’, Tirane 2009, faqe 12.
- “Shkëlqyeshëm, por çfarë do t’i jepni vajzës sime”?’ – HONORE DE BALZAK ‘’Virgjëresha e Tuluzit’’. Tirane 2009, faqe 15.
- “Edhe prifti tha që prindi ka detyrime ndaj fëmijës së tij, deri kur ai të arrijë moshën e logjikës dhe natyrisht, vajza ime është shumë e logjikshme”! – HONORE DE BALZAK ‘’Virgjëresha e Tuluzit’’, Tiranë 2009, faqe 16.
- …gonxhja e pafajshme, nga eksitimi që i japin sisat e mëdha dhe vithet e mrekullueshme që lodrojnë poshtë fustanit’’ -HONORE DE BALZAK ‘’Virgjëresha e Tuluzit’’; Tiranë 2009; faqe 18.
- “Edhe ashtu edhe kështu”, 1989; Skenari dhe regjia Bujar Kapexhiu, me aktorët Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Agim Bajko, etj, Kinostudio “Shqipëria e re”.
- Slavoj Zizek, 21 Mars 1949, filozof slloven, aktualisht studiues në Departamentin e Filozofisë të Universitetit të Ljubljanës, drejtor ndërkombëtar i Institutit ‘Birkbeck’ për Shkencat Humane të Universitetit të Londrës.