Ismet Hajrullahu: Kur historia vidhet…
Sot, po shohim se si politika dhe institucionet ‘vajtojnë’ me lot krokodili për humbjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ky vajtim është i vonuar dhe hipokrit, sepse pikërisht vetë ne e kemi legalizuar këtë humbje. Vendime të pamenduara e kanë lënë Kosovën të duket si një vend pa trashëgimi të lashtë, duke ua dhënë fqinjëve të drejtën të interpretojnë historinë tonë sipas interesave të tyre. Në vend që trashëgimia të mbrohej si pasuri e përbashkët e popullit të Kosovës, ajo u kategorizua sipas logjikës së të tjerëve, duke e dobësuar identitetin tonë kombëtar. Kishat dhe manastiret ortodokse u legalizuan si serbe, duke harruar se Kosova ka qenë për shekuj me radhë një vend me traditë ortodokse, e cila nuk lidhet vetëm me serbët.
Ky veprim i dha Serbisë monopolin e përvetësimit kulturor mbi një pjesë të madhe e të rëndësishme të historisë sonë dhe e paraqiti trashëgiminë tonë arkitekturore si të huaj. Në të njëjtën kohë, xhamitë e periudhës osmane, të ndërtuara dhe përdorura nga shqiptarët për pesë shekuj, sot trajtohen si trashëgimi turke. Ky kategorizim u mohon shqiptarëve pronësinë mbi një pjesë të madhe të arkitekturës dhe ndërtimit të tyre, duke i lënë pa rrënjë të dukshme në historinë e vendit.
Nëse një popull nuk ka trashëgimi të pranuar,atëherë lehtësisht paraqitet si ardhacak, si dikush që nuk ka lidhje të thella me tokën ku jeton. Me këtë logjikë dhe kategorizim ne paraqitemi si ardhacakë ne trojet tona. Serbia dhe Turqia kanë përdorur taktika e manovra nga më të ndryshmet për të mohuar autoktoninë tonë,duke pretenduar se serbët dhe turqit janë këtu, që kur ka lindur njerëzimi, ndërsa shqiptarët u shfaqën vetëm në fund të shekullit XX.
Organizata turke TIKA e trajton Kosovën si pjesë të trashëgimisë osmane. dhe madje guxon të thotë se ‘shqiptarizimi’ ndodhi vetëm pas viteve ’90 dhe sidomos, pas luftës së UÇK-së. Kjo është një narrativë shumë e rrezikshme, sepse na paraqet si jo autoktonë e të ardhur vonë në këto hapësira.. Në fakt, dëshmitë historike dhe ato arkeologjike tregojnë qartë vazhdimësinë e popullsisë ilire dhe më pas shqiptare. Por kur politika jonë nuk e mbron këtë trashëgimi, atëherë hapet rruga që të tjerët ta interpretojnë sipas interesave të tyre…
Klasa politike e djeshme dhe e sotme mbart përgjegjësinë morale dhe juridike për këtë gjendje…
Në vend që të mbrohej trashëgimia jonë e lashtë, ajo u la të kategorizohej sipas interesave të fqinjëve dhe fuqive të huaja. Kështu, Kosova u paraqit si një vend pa rrënjë të forta kulturore, duke dobësuar identitetin e saj kombëtar. Trashëgimia e Kosovës nuk është as serbe e as turke ,ajo është e Kosovës dhe i përket popullit të saj. Ajo përfshin shtresat ilire, bizantine, mesjetare, osmane dhe moderne. Vetëm duke e mbrojtur si të tillë, mund të kundërshtojmë narrativën e ardhacakëve dhe të forcojmë identitetin tonë kombëtar. Ky është një detyrim moral dhe historik, sepse pa trashëgimi të mbrojtur, Kosova rrezikon të mbetet një vend i zhveshur nga historia dhe identiteti i vet. Nëse nuk e rimarrim në dorë narrativën tonë,të tjerët do ta shkruajnë për ne, dhe ajo nuk do të jetë kurrë në favorin tonë. Prandaj, mbrojtja e trashëgimisë nuk ka të bëje vëtem çështje të kulturës, por përbën në thelb çështjen tonë ekzistenciale si identitet dhe si komb.