Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Prej At Gjergj Fishtës “28 Nandor 1913”

.                                                                                               

At Fishta FLAMURIN E SHQIPNISE 8 m. e vuni ne kompanjelin e Fretenve.

Përvjetori i ngritjes së Flamurit të Pamvarsisë në vend qi me kenë ditë gëzimi për poetin asht ditë vaji e ankimi. Dasitë e anmiqsitë në mes të vetë jetës politike shqyptare e të krahinave të ndryshme, të shitunit e shumë Shqyptarve propagandës së huej e deri luftat vëllaznore janë historia e atij viti.

Nji notë karakteristike malinkonije prandej e rrëmben Zanën e Fishtës, e cila ankon, mjerohet, brigon, nxitë e shpreson, për me mujtë me trandë e me prekë zemrën e Shqyptarve, tue i drejtue nga atdhédashunija e vertetë. Kanga kjé botue së pari në “H.D.” Dhetor 1913, në rasë të përvjetorit Flamurit.

 Komenti: At Viktor VOLAJ O.F.M

  1. Oj Zanë, t’ këndojm…t’ vajtojm, deshta me thanun;

Pse sod ditë kanget s’ asht për mue e tye.

Po ç’ gzim kjo ditë né mundet me na dhanun,

Kur, qé, mbas nji motmoti q’ i u pëlqye

Evropës Shqyptarin zot n’ shpi t’ vet me e lanun

E kuj, posë Hyut, m ’ketë jetë mos me i shërbye,

Shqyptari i dám prap me vetvedi gjindet

E shk’ asht ma zi, prej vedit edhe s’ bindet?….

2. E ku kjo punë kisht’ ndodhë posë se n’ Shqypni,

Qi ‘i popull, s’ parit dalun prej robnimit,

Për nji motmot të rrijë ai n’ anarki

E t’bahet prralla e gazi i rruzullimit,

Ké i zoti s’ asht ai sod m’ u vue m’ hulli,

Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerzimit:

“Un ktu sundoj! M ’ketë shkamb mue m’ vuni Zoti

E kndej nuk luej, pa u shuemun stina e moti”!?

3. Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe

E me ‘i orrl duem qi Shqyptarija e mjera

T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’bubuqe

Nji drandofille e njomë, kur kthen prendvera….

Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe

E zhytnje n’Dri t’mos t’a zhvillojë kurr era.

Flamri Kombtar nuk ka shka ban ndër né,

Po kjé se dashtuni nuk kem’ p’ r Atdhé

4. E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;

Me gjasë, s’çan kryet Shqyptari për komb t’ vet,

As për njatë gjuhë t’ ambël qi i la i Pari,

As pse Shqypnija n’ vedi u ba sod shtet;

Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu ndër né po shitet p’r zallotë…

5. A thue mos fola keq?… Po lypi t’ falun;

Përse ktu vetë me fye nuk due kurrkendin.

E pse asht mirë fjalen n’zemer t’fryt m’e ndalun,

Por njai, qi të liruem me e pasë s’ do vendin,

A prej se s’ mundet vetë m’ shkamb t’ naltë me dalun,

A prej se tjervet s’ don m’ u a lshuemun rendin

A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskarjota!,

E pra, ksi nipash ka ‘dhe shum Kastriota…

6. E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,

Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,

M’ visar t’ Atdheut me t’ huejë shkojn tue tregtue

(Kush ndyt mbas Frankut rrejtë, kush mbas Stërlinët

Kush pse Dinari tepër i asht lakmue),

E Atdhén prej s’huejësh me e qitun duen bashtinët,

Thue edhe per ta ndokuj do t’i hijë çuda,

Kur thom, se nuk janë tjeter, veç se Juda?…

7. Po, Juda janë, e gjinde janë trathtarë,

Porsi njata, qi n’mend prej s’huejësh mahitun,

Varzat e djelmt, – e para uzdajë shqyptare –

Me ndjesi t’ hueja n’ shkollë i çojn me i rritun,

Tue lanë mbas doret t’amblën gjuhë amtare,

Pa t’ cillën kombi s’ mundet n’ dritë me u qitun;

E me çakrrija t’mbetna shkret mbas tregut,

E lanë me u rrejtë nipnin e Skanderbegut.

8. O Skanderbeg Kastrjota! O rrfé mizore!

Serbjani i mnishëm, po ké votra pshtetun,

Nipavet t’vet u flet m’ lahutë zatore,

Sa forcë e anmikut pit nën shpatë t’ ka mbetun:

Por nipat t’u n’ Shqypni sod ndër msojtore,

(Ku gjuha shqype hin si fmij i gjetun….)

As emni, ndoshta, nuk e dijn si t’ quhet;

Pse tjerë fatosa aty me zanë u duhet.

9. Veç po, njat’ emën t’and t’bekuem, t’madhnueshem, 

 Si t’ huejë, si nipa t’u, dijm me t’a quejtun,

Kur ndonji lash dobijet fort t’ ngatrrueshëm

Me té duem me zhgatrrue, e kur me vuejtun

Duem ndonji kundërshtim, qi n’vend t’naltueshëm

S’na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:

Nën emën t’and, po, t’gjith atëherë na strukmi,

Kur atdhetarë n’sy t’kombit duem qi t’dukmi.

10. Ah! Jo; kangë gzimit sod, moj Zanë, nuk due!           

 Sod un due qi kah fjalët e mija t’dalin,

 Si rrkajë Vullkanit t’shkojn tue gurgullue:

 T’shkojn tue  therun, si thika qi thér djalin

 E vetëm ambël m’prehen t’nanës pushue:

T’ bumbullojn, po, si rrféja, qi trandë malin;

Pse tepër keq Shqypnija e ngratë ka ngelun,

Tepër pa nderë pse nami i saj asht shkelun.

11. Oh vaj! Oh kob! Oh marré e turp per né!

Sot sheklli mbarë prir synin prej Shqyptarvet,

Me pa si përkujdesmi për Atdhé;

E si u dishmojm me punë na kundershtarvet

Se jemi t’ zott me u lidhë me bésë e fé

Edhe vetë me sundue vendin e t’ Parvet:

E na, harû e si polipa deti,

Veç hapim syt me shkye ndoi ‘i send per veti!…

12. Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashë Zotin!

Pa ju kurr s’mundet n’dritë me dalë Shqypnija:

A thue, pra, n’ terr po e lini m’e shkue motin,

Tash qi dërgoi t’bardhë fatin Perendija

Flamur me ngrehun n’ vedi? E Gjergj Kastriotin

E t’ Parët, a thue, kshtu do t’ korisë nipnija,

Ké shoq me shoq enè s’kem’ ra na n’fije?

Ké vémë fitimin para çdo Shqypnije?

13. Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret

Shqypnin e mjerë, – ketë Atmè t’uej t’ Bekueme

E cilla sod, përvujtë si vashë kunoret,

S’parit po hin ndër fise t’qytetnueme,

A thue pse tepër t’ ngushta i ka tërthoret

M’e lanë me dnesë prap nën kambë t’ huej t’ poshtnueme?

Ma e vogël se Rusija pat kenë Sparta,

Por nami i saj asht shkrue me shkrola t’arta.

14. Ah! Ktu, Shqyptarë, po, ktu, e m’ vorr t’ Kastrjotit

 Për rreth Flamurit t’onë t’gjith t’bahmi ‘i vlla,

 Edhe t’ apim shoshojt besën e Zotit

 Se për Atdhé na kem’ m’u orvatë pa da.

 Tue shkri për té të gjitha ditt e motit:

 Se para t’ gjith në vorr na kem’ me u kja,

 Se e lamë Shqypnin me e shkelë prap themra e huej.

 Posë Zotit n’ qiellë, s’ do t’ i sherbejm mâ kuej.

                     Botue 1913.

Shënim F. Radovani:

Origjinali asht në librin Lirika të At Gj. Fishtës në 1913.