Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Prençi për temën e gjakmarrjes, në librin “Brenga e prokurorit”

Kastriot Kotoni


Ngjarjet e kohëve të fundit rikthyen cirkuidin e një plage të ringjallur në Shqipërinë e këtyre 34 vjetëve. I haruar ose i futur në zhguallin e trurit të shqiptarit, në honet e kujtesës, u shfaq fenomeni i gjakmarrjes i cili po i merr jetët njerëzore shqiptarëve, sikur të ishin qenie pa vlerë, pa asnjë lidhje me fisin, komunitetin dhe ndjesitë shoqërore, a thua se jemi në kohët homerike. Në librin e Ahmet Prençit me titull “BRENGA E PROKURORIT”, botimi i parë në vitin 2023 nga Shtëpia Botuese Mediaprint” pikërisht për këtë temë shkruhet. Duke i hyrë një analize të thellë tekstit dhe narracionit të këtij libri, shkruar me mjeshtëri nga autori, vlerësojmë në radhë të parë aktin intelektual të tij, për t’u marrë me tema kaq të mprehta që e godasin shoqërinë tonë dhe rikthejnë reminishencat e së kaluarës.

Dallon në këtë roman një platform të një skene të një krimi ordiner i veshur me petkun e gjakmarrjes. Martin Guri si çdo i ri që ka pasion punën e tij, fillon të ngjisë shkallët e jetës dhe të karrierës i bindur se jeta vlenë edhe për sakrificat e vlerat morale të njeriut, e se ajo duhet jetuar dhe për jetën duhet të sakrifikojnë të gjithë. Kujtimet të herë pas hershme që e ndërlidhin me përvojën e punës dhe me personazhe e karaktere të ndryshme, janë një cikël që ka trajektoren e fillesës dhe e mbarimit të jetës njerëzore, si një proces natyral dhe pozicioni i prokurorit është në fakt ndërlidhësi i kumtit për të zbuluar në fakt thelbin e qenies njerëzore që e shtyn drejt krimit të vrasjes, në kundërshtim edhe me thëniet e Zotit.
Në një nga faqet më emocionale dhe më të qëndërzuara e cila shfaq edhe talentin e shkrimtarit është dialogu me vrasësin e dy të rinjve 20-vjeçarë në kohën e diktaturës, (faqja 94). Autori me mjeshtëri stis një rëfim dhe vë në gojën e prokuror Sokolit, i cili ishte në hapat e para të karrierës dhe duhej të zbatonte ligjin. Ky ligj kërkonte të udhëhiqte togën e ekzekutimit.
– Ai ishte një vrasës dhe si i tillë duhej trajtuar. Potreti i të dënuarit nuk më shqitej nga mendja. Ai nga ana tjetër në qelinë e tij do të ishte duke medituar në rutinën e tij të përdishme. Atij do t’ia komunikoja unë vendimin mosfaljes së jetës, pak minuta para pushkatimit. Po sikur ai ta kishte mësuar këtë vendim?! Në përfytyrimin tim rrinte përballë fytyra e zbehtë e të dënuarit. Dukej sikur po më lutej, po përgjërohej që ta falnim. Dukej sikur thoshte: ”Po unë në burg jam, në burg për jetë. Këtu jam si një i vdekur. Më lini këtu, të vdes kur të më vijë nga Zoti”.
Nuk e kisha mendjen fare se çfarë tregonte ai. Më habiste ajo qetësi e frikshme që kishte. Një njeri do të shuhej, do të ekzekutohej, do të pushonte së jetuari në praninë time, para syve të mi. Ne do ta vrisnim atë njeri. Në një farë mënyre, ne do të bënim të njëjtën gjë për të cilën ai po ekzekutohej. Ai do ta kishte kryer atë nga instikti i brendshëm i revoltës së tij, ne do ta kryenim në bazë të dispozitave dhe të së drejtës që jepte ligji. Ne do ta bënim këtë me qetësi, me ftohtësi, me protokoll. Unë me disa njerëz me uniform policie dhe një mjek. Ata duket ishin mësuar për të kryer rituale të tilla të marrjes së jetës. Kjo po më ligështonte shumë. Iu afova krejt afër dhe e vështrova thellë në sytë e tij që ishndrisnin dhe nuk tregonin asnjë shenjë frike, trishtimi apo mëshire. Iu drejtova me një zë të butë, të dhembshur sa me zor arrita t’i thosha: – Të është refuzuar kërkesa për falje të jetës, – nuk më dukej si zëri im. Pasi më pa gjatë e me një vështrim therës, ashtu i qetë tha: “Prokuror e kam ba vedin me më dënue me vdekje. Kam vrarë dy djem të rinj 20-vjeçarë, çka nuk e meritoj të jetoj dhe unë. Fjala ime e fundit është të ma bëjnë hallall familjet e viktimave, që i lashë pa djem”. Tha këto fjalë, hodhi një vështrim rreth e rrotull e duke m’i ngulur sytë, vazhdoi: “Le të rrijë edhe baba jem pa djalë”. I vura dorën në sup, një gjest që tregonte dhimbjen time. “A mundesh prokuror, të më zgjidhësh e të shkoj n’atë botë i lirë, i pa lidhun?”
– Zgjidheni! – u thashë. – Zgjidheni menjëherë! I zgjidhën duart e nuk ia mbyllën sytë.- U dha urdhëri. -Zjarr! Drejtova shikimin drejt qiellit. Në fakt po i drejtohesha heshtur Zotit. Lutesha ta mëshironte atë djalë, e të na mëshironte edhe neve. – Ta tregova këtë tregim Martin sepse, ne jemi betuar për t’i shërbyer vendit dhe ligjit, në paanshmëri, duke ia lënë ndërgjegjen tonë për gjykim. Atij që na gjykon një ditë të gjithëve. Nuk jemi ne ata që bëjmë ligjet, por vetëm i zbatojmë dhe në këtë rast, duhet vetëm t’i zbatojmë drejt, me prova, me bindje dhe paanësi absolute,- përfundoi Sokoli.
Padyshim duhen shkruar edhe disa rreshta ku autori Ahmet Prençi na përshkruan me nota sa therrëse e prekëse, skenën kur prokuror Martin Gurit (pesonazhit kryesor të librit) i vritet shoku i tij i ngushtë nga dora e zezë e krimit. Një skenë dramatike e përshkruar me hollësi dhe vërtetësi si në asnjë roman apo tregim të këtij zhanri policor në letërsinë shqipe. Të dy shokë të një zyre, kishin fituar beteja me krimin dhe kishin ndarë së bashku gëzimet familjare. Një zile telefoni kishte dhënë lajmin e vrasjes së Artur Rrasës. Mbi shtatëdhjetë plumba kallashnikovi kishin përshkruar trupin e Turit. Martini nuk donte t’ia shikonte kurrsesi fytyrën pa jetë. Donte ta rruante në kujtesën e tij të gjallë e të fortë, siç ishte në jetë. Arturi tashmë ishte një hero. Një hero i vdekur. Në fakt më shumë se kurrë nevojiteshin heronj të gjallë. Heronjt e vdekur nuk i duhen askujt, mendoi, aq më pak Martini.
Siç do të vazhdojmë më tutje në komentin e këtij pasazhi inkoshienca e personazheve të ndërtuara nga Prençi, kanë ngarkesa emocionale të skajshme plotë dritëdhe duke u vënë përballë një tablloje me nota të errëta krimi marrin një inkadeshencë shpirtërore të paepur. Je midis turbulencave filozofike për jetë dhe vdekjen. Në shumë episode i mëshohet idesë se gjakmarrja dhe hakmarrja, nuk justifikohet në asnjë rrethanë nga asnjë individ edhe pse mund të kesh veshur mantelin e prokurorit edhe kur të vrasin kolegun, mikun e shokun apo të afërmin.
Krimet e Zambak Bojës, njeriut sterrë të jetës së Arjanës, nuk i ndahet e keqja si një mallkim. Mallkim dhe dramë familjare, nga e cila skena pasurohet me aktorë të tjerë nga shkrimtari Ahmet Prençi. Rritet nga njëri prind një fëmijë pa e ditur të vërtetën. Kjo pikë kulminante në këtë roman policesk, na fut në kurthet e psikoanalizës, ku etja e njeriut për identitet është e lashtë sa vetë jeta. Arjana, e shoqja e Zambakut, ka shpëtuar nga i shoqi, por nuk shpëton nga rrethanat e jetës. I biri pa babanë e tij në dyja rastet është i paplotësuar me ndjenjën e atësisë, e ëma sa më shumë i qëndron larg të vërtetës aq më shumë po humbet të birin e saj. Viti 1997 kur Marjan Boja ishte dhjetë vjeç, shërbeu si ikubatori kriminal i brezit të ri, shkruan Prençi. Kjo ngasje psikologjike e përshkrimit të portretit kriminal të personazhit kryesor, është ndoshta edhe nga mesazhet më të rëndësishme të këtij romani. Ja çfarë shkruan për këtë personazh shkrimtari Prençi. – Ishte rritur duke parë filma me luftë dhe vrasje. Këto episode i kishte parë edhe drejtpërdrejt rrugëve të vendit të tij, në lajme, në historira me shokët. Nuk kishte lexuar asnjë libër. i zhytur nëpër ekrane të ftohta , ishte një akull në ndjesi dhe emocione. Qeshte me njerëzit që tregonin emocion, tallej me ata që gëzonin apo qanin. “Njerëzit aktrojnë”. Ata janë si unë. Ata bëjnë sikur duan, bëjnë sikur u vjen keq, sikur dashurojnë. Ata janë si unë. Pa nerva dhe ndjenja. Njeriun e zgjon vetëm dhuna. A nuk është edhe seksi që të sjell në jetë, një dhunë midis dy palësh?” Ai kurrë nuk kishte menduar. Fuksiononte si robot ose një lodër e kurdisur, si dikur kur ishte fëmijë. Jeta i dukej kot ose kishte kuptim vetëm kur fliste dhe vepronte ai, vetëm kur hero ishte ai. Kishte ardhur momenti që të ishte hero dhe viktimë. Ai mbetej po ai. I ftohtë dhe i egër, si burri që ishte i martuar në letra.
Brenga e prokurorit fillon e shtjellohet në minutat e fundit të pretencës, me një mjeshtri shpotitëse tejet dramatike, të shkrimtarit Ahmet Prençi.
– Kur ishte drejt fundit, Martini ngriti kokën nga tufa e letrave që mbante në dorë dhe shëtiti vështrimin në sallë. U ndal me shikim tek Arjana. Fytyra e saj e lodhur i erdhi aq pranë. Iu kujtua çasti i parë i afrisë me të, në moshën e tij të adoleshencës. Ai moment kur kishte ndodhur vjedhja më e ëmbël biologjike, prej nga ishte ngjizur Marjan Boja. Një dalldi rinore e pamenduar e cila rishfaqej pas kaq vitesh në formën e saj hakmarrëse. Në mëndje i erdhi të nxirrte zë e të akuzonte edhe atë, Arjanën. I vinte të bërtiste: Unë akuzoj nënën e të pandehurit tim për abuzim ndaj meje. Ajo më përdhunoi, më abuzoi. Më vodhi përmes joshjes një grimcë biologjike që ngjiz trashëgimi, duke sjellë në jetë një mostër që unë e mohoj. Publikisht e akuzoj…
– Të nderuar anëtarë të trupit gjykues! Bazuar në provat e ekspozuara dhe analizën e thelluar që prezantuam më lart, i kërkoj kësaj trupe të nderuar gjykuese dënimin e të pandehurit Marjan Boja me burgim të përjetshëm. Ndaloi paksa, mori frymë thellë dhe shtoi: – Madje dhe më shumë… por ligji është ligj. Salla u trondit rrallë herë ishte dhënë një pretencë kaq e fortë. Kur drejtuesi i seancës do të njoftonte mbi vijimin e seancës, një klithmë histerike shpërtheu në mes të sallës doli nga dyshemeja.
-Jooo, jo. “Prokuror kriminel. Marjani është djali ynë… Joooo”!

– Sapo njoftuan që Arjana vdiq, rrugës për në spital.
Idea qëndrore e këtij libri është Hakmarrja e ligjit dhe vetëm e ligjit dhe jo e kanunit apo kodeve emocionale. Jetën ta ka dhënë Zoti apo natyra, ndaj duhet jetuar.
Figura e njeriut të drejtësisë dhe integriteti i tij moral dhe profesional, është metafora qëndrore e këtij romani. Dilema përpara ligjit dhe moralit u zgjidh, nëpërmjet një kulminacioni artistic. Një protretizim i pjesës psikologjike i këtyre njerëzve të ligjit, të cilëve shkrimtari me kundërvënien e portetizimit të njerëzve të krimit, krijon fabulën e romanit e “luftës së të mirës kundër së keqes” e cila është dhe mesazhi i kësaj vepre.