Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Metafora e kujtesës në filmin e ri të Luan Ramës dhe Pandi Çeços

Për shkrimtarin dhe skenaristin e mirënjohur Luan Rama, kujtesa historike nuk është thjesht një arkiv i thatë ngjarjesh, por një lidhje jetike mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Nëpërmjet letërsisë, artit dhe diskursit kinematografik, ajo shpesh mishërohet nëpërmjet metaforave të fuqishme, që ndihmojnë në kuptimin e identitetit kolektiv. Duke shndërruar në forcë krijuese dhimbjen për humbjen e trojeve, L. Rama po krijon kësisoj një estetikë, që rri solide mes identitetit dhe antropologjisë dhe duket mjaft pjellore në vizionin modern të tolerancës dhe bashkëjetesës mes popujve.

Në filmin e ri “Më çoni në Qafë të Botës të shoh Çamërinë”, i cili shfaqet premierè të hënën, më 8 qershor 2026, në ambjentet e “Hotel Tirana Internacional”, transmetohet pikërisht kjo filozofi, duke montuar mbi korpusin historik dhe identitetin viziv, elemente artistike të parakrijuara, vegime profetike dhe kumte tingëlluese, me tipologji të gjera mekanizmash tekstorë dhe kinematografikë. Një film modal, referencial, konativ, interpelues, mesazhe që përcillen nëpërmjet narratorit homodiegjetik, pra të pranishëm në histori.

Brenda një sistemi motivimesh të forta dhe të plota, diskursi kinematografik i referohet mënyrës se si përdoret imazhi, zëri dhe narrativa për të ndërtuar kuptime, për të përcjellë mesazhe bashkëjetese ose për të ndikuar në opinionin publik. Mënyra se si ngjarjet tregohen përmes skenarit dhe nëntekstit, estetika pamore, përdorimi i ngjyrave, dritës, këndeve të kamerës dhe montazhit, krijojnë emocione specifike të padrejtësisë njerëzore. Konteksti historik, mënyra se si filmi reflekton, sfidon ose ndryshon normat kulturore dhe politike, përmes shenjave të veçuara dhe pasojave të tragjedisë, rrëfejnë për koherencë dhe objektivitet brenda një universi human.

Një film në palimpsest, ku gjurmët e së kaluarës vazhdojnë të bashkëjetojnë, ose shfaqen përmes së resë, një kujtesë për atdheun e padukshëm dhe të dukshëm njëkohësisht.

Një tekst me valenca estetike dhe semiotikë të lakmueshme, nga një kontekst i gjerë historik e kulturor, pasione që evokohon dhe krijohen, një komunikim shpirtëror me publikun nga një pikë simbolike: Qafa e Botës! Imazhe dhe fjalë që flasin vetë, efekte që vijnë nga sinkronizimi vizivo-verbal. Lidhje mes kohësisë së diskursit dhe efekteve pasionale, kontraktim i historive, aspekte intensive, mesazhe të drejtpërdrejta, konfrontim kohërash dhe reflektime drithëruese.

Filmi, produksion i Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” & Alket Veliu, me skenar të Luan Ramës dhe regji të Pandeli Çeços, ka shmangur ngarkesat ideologjike, drejt një qasjeje realiste dhe bashkëkohore.