Arben Iliazi: “Gurët që flasin”, libri-guidë i Luan Ramës për Çamërinë
Shkrimtari i mirënjohur, studiuesi, diplomati dhe kineasti Luan Rama po përgatit një libër-guidë “turistike” për gërmadhat e shtëpive të çamëve që janë ende në këmbë në Çamëri. “Gjithçka hyjnore është njerëzore”, më tha gjatë bisedës së fundit. Qindra gërmadha dergjen në qytezat e dikurshme çame, ku sot mbretërojnë vetëm murana dhe harqe të portave prej guri. Ato gërmadha janë objekte historike dhe nuk mund të shkëputen nga konteksti i krimit dhe i gjenocidit që ka ndodhur. Dëshmitë prej guri dinë të flasin. Ata janë gurët tanë biblikë dhe bota nuk arrin të shkojë t’i shohë deri aty ku janë. Si mund të vdesim kështu kaq larg pa gurët tanë?
Gërmadhat flasin për mizorinë dhe marrëzinë e spastrimit etnik, si tempuj të kujtesës”.
Luan Rama, me libra dhe botime të shumta, ka dhënë një kontribut të pazëvëndësueshëm në historinë shpirtërore mes dy popujve, shqiptarë e grekë, duke e konsideruar miqësinë e vjetër të tyre si një trashëgimi botërore, që ka një gjenezë e një kontekst historik, ka mënyrën e vet pëkkr të qenë e pashembullt dhe e papërsëritshme. Dhe kjo nuk është një shprehje poetike, por një qëndrim human dhe njerëzor i një shkrimtari të formatit evropian, në botën e historisë, të armatosur me norma universale. Gjithmonë në shkrimet, reportazhet dhe analizat e tij, L. Rama është kujdesur për të promovuar një filozofi tjetër të historisë, duke theksuar se nga qeveritë greke u duhet kërkuar të paktën falje shqiptarëve të Çamërisë, që u masakruan dhe pësuan spastrimin etnik nga ushtria greke në qershor 1944 dhe në mars te vitit 1945, duke iu kthyer rrjedhës kohore dhe duke zbatuar parimet universale të drejtësisë .
“Pardoni, – shkruante filozofi Paul Ricoeur, i cili është marrë gjërësisht mbi këtë çështje, mbi pardonin për krimet dhe kujtesën, – është një përgjigje për dhimbjen e pashmangëshme të kujtesës, pasi kujtesa ka si funksion ruajtjen e plagëve dhe të padrejtësive të së kaluarës. Në këtë kuptim, kujtesa dhe pardoni lejojnë të kuptohet krimi ndaj atyre që kanë vdekur”.
Kështu ju do t’i shërbeni një kauze paqedashëse, një kauze ripajtimi.
Ndërsa shteti shqiptar, nën frymën e së Drejtës, Kushtetutës së vendit, ligjeve ndërkombëtare dhe parimit të reciprocitetit, të mbyllë ciklin e turpshëm të heshtjes dhe inferioritetit diplomatik për këtë çështje kombëtare, duke avancuar në kërkimin e së drejtës dhe përparimin e arsyes historike.
Shekulli i ri nuk e pranon arrogancën dhe paragjykimet mbi epërsinë , thotë Luani. Unë jam me Sokratin dhe njerëzit e kohës së tij. Historia duhet gjykuar sipas atij kallëpi që e quajmë arsye dhe jo sipas vullnetit për të sunduar, në vazhdën e asimilimit të imponuar. Gabimi historik që rëndon mbi Çamërinë duhet të ndreqet, pasi ka mjaft hapësirë për bashkëjetësë dhe zgjerim të miqësive të vjetra. Unë e dua Greqinë, historinë dhe kulturën greke. Adhuroj Homerin, Sofokliun, Platonin, dua shumë shkrimtarët e mëdhenj grekë si Kazanzaqis, poetët si Ricos e Elitis, kompozitorët e mëdhenj si Teodoraqis, Haxhidhakis, Vangjelis, kineastët e aktoret si Kakojanis, Teo Angelopoulos, Melina Mërkuri e Irena Papa etj, si dhe koralet e bukura bizantine greke. I dua grekët me të cilët ka dëshirë të kuvendoj, të pij një uzo apo të udhëtoj në det. Dua Greqinë e arvanitasve dhe çamëve, që kontribuan në historinë e saj, Greqinë ku jetojnë mëse 1 milionë shqiptarë, ku shumica mjerisht kanë qenë të detyruar të ndërrojnë emrat e tyre. Libra të mi janë botuar në Athinë dhe në Selanik në gjuhën greke. Po kështu dhe tregime e shkrime për dashurinë mes shqiptarëve dhe grekëve.
Në këtë libër-guidë do të kuptoni sensin e vërtetë të historisë, historinë e vërtetë shqiptaro – greke e shekullit XIX-XX e deri më sot. Historia nuk mund të zhbëhet dhe as të jetë monedhë e presioneve politike ndaj fqinjit. Ky libër nuk do të jetë i vetmi. Arkivat shqiptare, greke, britanike, të OKB-së etj, ruajnë fotografi dhe dëshmi të atyre që i shpëtuan kosës së urrejtjes dhe barbarisë së Zervës etj. Arkivat britanike janë tashmë të hapura por ata që ishin dëshmitarë okularë nuk janë më.
Çamët nuk kërkojnë sot as ndryshime kufijsh e as bashkime. Ata kërkojnë shtëpitë dhe gurët e tyre. Dhe këtë qeveria shqiptare duhet ta kuptojë mirë, ndryshe shqiptarët e Çamërisë nuk do ua falin, as shqiptarët e të gjitha trevave, flamuri ynë nuk do t’ua falë. Tokat shqiptare nuk janë plaçka tregu që të bëhet pazar për këtë apo atë interes. Ato janë histori, trashëgimi, kulturë, kontribut i përbashkët me fqinjët në luftrat për pavarësi, janë plagë, varre, fytyra dhe jetë fëmijësh. Fëmijët e djeshëm kërkojnë sot të drejtën e tyre. Ne nuk harrojmë!