Qyteti i Nju Jorkut lëviz akoma edhe më majtas
Të tre kandidatët e mbështetur nga kryebashkiaku Zohran Mamdani fituan – rritet fuqia socialiste brenda delegacionit të Nju Jorkut në Kongresin Amerikan
Nga Ruben Avxhiu
Në katër gara brenda Partisë Demokrate në Nju Jork, për të zgjedhur kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhjet për Kongresin Amerikan në nëntor, tre u fituan nga anëtarë të Socialistëve Demokratë (DSA) të mbështetur nga kryetari i Bashkisë, Zohran Mamdani.
Në garën në katërt, për të zëvendësuar Jerry Nadler, i cili po del në pension, Mamdani nuk pati ndonjë preferencë. Një nga kuriozitetet e kësaj gare të katër ishte humbja e nipit të Presidentit John Kennedy, një nga shanset e fundit për të zgjatur jetën e kësaj dinastie politike.
Jack Schlossberg, “i famshëm” më shumë në Instagram dhe rrjetet sociale, më shumë sesa në jetën publike, doli i treti (mes pesë konkurruesve, me vetëm 11%).
Në tre garat e tjera, revolucionarët e majtë u përplasën me udhëheqjen e Partisë Demokratë që preferonte kandidatë më të moderuar dhe me më shumë përvojë. Në dy prej tyre fitorja e Socialistëve Demokratë ishte më e pritshme. Ajo ku mendohej se DSA do nuk do të fitonte dot ishte garat për veriun e Manhattan-it, kur kryebashkiaku Mamdani kishte mbështetur një aktiviste 32-vjeçare Darializa Avila Chevalier e cila ishte vendosur në Nju Jork, pak vite më parë si studente. Përballë saj ishte kongresisti Adriano Espaillat, Kryetar i Kaukusit Hispanik në Kongresin Amerikan.
Espaillat gëzonte edhe mbështetjen e Partisë së Punëtorëve e cila deri vonë ka përfaqësuar të majtën socialiste njujorkeze. Për Punëtorët e Nju Jorkut, DSA ka tradhëtuar kauzën duke u futur në Partinë Demokrate. Mirëpo, kjo strategji ka dalë më e suksesshme. Duket se jep më shumë rezultate që ta marrësh një parti të madhe nga brenda sesa të presësh që një parti e vogël të bëhet e madhe.
Espaillat u mbështet edhe nga sindikatat e punëtorëve, edhe nga udhëheqësit e Partisë Demokrate në Kongres,nga Kaukusi i Zi, Nga Kaukusi i Progresistëve, si dhe nga guvernatorja demokrate e Nju Jorkut e figura të njohura të komunitetit domenikan që mbizotëron në zonën e tij kongresionale. Madje edhe vetë Mamdani nuk shkoi për fushatë në atë zonë, në ditët e fundit. Alexandria Octavia Cortez, kongresistja më e njohur që ka dalë nga DSA, gjithashtu nuk u përfshi në këtë garë.
E megjithatë, Darializa Avila Chevalier fitoi 49% me 46%. (Votat e tjera u ndanë mes kandidatëve të tjerë sipas listës më poshtë.)
Darializa Avila Chevalier 32,790 vota +49.4%
Adriano Espaillat* 30,464 +45.9%
Oscar J. Romero Jr. 2,340 +3.5%
Theo Bruce Chino-Tavarez 532 +0.8%
Të tjerë: 253 +0.4%
Sipas projektimeve të votës, sipas “The New York Times”, Espaillat fitoi 56% me 40% mes votuesve hispanikë dhe 47% me 45% mes votuesve afrikano-amerikanë. Mbështetja vendimtare për kandidaten e re ka ardhur nga liberalët e bardhë.
Fushata e kongresistit Espaillat u përpoq në ditët e fundit që ta paraqiste rivalen e tij të re si haitiane, duke u nisur nga konflikti etnik mes haitianëve dhe domenikanëve që ndajnë të njëtin ishull. Të dy, si Espaillat edhe Avila-Chevalier vijnë nga familje domenikane.
Po fituesi më i madh i mbrëmjes sipas të gjitha analizave ishte kryebashkiaku Mamdani, i cili provoi fatin kundër figurave kryesore të Partisë Demokrate, duke mbështetur kandidatë të panjohur dhe doli fitues.
“këto rezultatet treguan se fitorja ime nuk ishte fundi i një rruge, por fillimi i saj”, tha ai duke komentuar për fitoren e krahut socialist në Nju Jork. Të gjitha këto zona janë thellësisht demokrate dhe këta fitues besohet se do të bëhen kongresistë në zgjedhjet e nëntorit.
Në gara të tjera, fitorja e Ritchie Torres, një nga miqtë e njohur të shqiptaro-amerikanëve në Kongres, në Zonën e 15 të Nju Jorkut ishte e pastër dhe e sigurt me gati 72% të votave.