Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: ALBANI… JETOJ PËR TË QENË I LIRË

Një jetë e shpalosur nëpërmjet librit “Lutja”

Libri “Lutja” dhe shkrime të tjera, një përmbledhje e krijimtarisë dhe e botës shpirtërore e intelektuale të Alban Shehut, më bëri të takohesha me një të ri që, edhe pse koha ka kaluar, do të mbetet gjithmonë i ri në mendim, në shpirt dhe mbi të gjitha në dashurinë e tij për lirinë. Është një libër që përcjell emocion, por njëkohësisht jep ide, ngre pyetje dhe shfaq mendime të lira mbi jetën, njeriun dhe shoqërinë. Në faqet e tij ndjehet një zemër rinore që shkruan me qartësi mendimi dhe me shpresën se një ditë liria do të mbretërojë në jetën e çdo njeriu.

Albani i dashur, u mallëngjeva me Ju. Gjatë leximit pata ndjesinë e çuditshme sikur të kisha njohur prej kohësh, sikur të kisha bashkëbiseduar me Ju dhe të kisha jetuar një pjesë të jetës suaj. Faqe pas faqeje, ju afrohesha gjithnjë e më shumë, jo vetëm si lexues, por si njeri që kërkon të kuptojë një botë të veçantë shpirtërore.

Libri nis rrëfimin me parathënien e shkruar nga i mirënjohuri Xhevdet Shehu, babai i Albanit, i cili i drejtohet të birit me fjalët e bukura: “Rruga dritë, Marathonomaku im!” Dhe kjo shprehje duket sikur përmbledh në pak fjalë gjithë rrugëtimin e Albanit. Që në moshën 11-vjeçare ai shfaqte ide të pjekura, një inteligjencë të veçantë dhe një zgjuarsi që, siç shkruhet edhe në libër, vinte nga një trashëgimi familjare e kultivuar brez pas brezi. Mendimet e para, temat e thjeshta të një fëmije që kërkonte të kuptonte botën, pas dhjetë vitesh u bënë pjesë e një libri. Kështu nisën rrugën shkrimet dhe esetë e Alban Shehut, për të ardhur më pas te libri “Lutja”, një botim që nuk është thjesht një përmbledhje krijimesh, por një dokument i rrallë i rritjes shpirtërore, intelektuale dhe krijuese të një njeriu.

“Lutja” – një dialog me jetën

Pjesa e parë e librit nis me “Lutjen” e Alban Shehut, një rrëfim i veçantë mbi kohën, njeriun dhe marrëdhënien e tij me botën. Në mendimin e Albanit, lutja dhe falënderimi mund t’i ofrojnë njeriut qetësi shpirtërore. Por ai nuk ndalet vetëm te vetja. Ai e zhvendos vëmendjen te tjetri, te nevojtari, te njeriu që ka nevojë për një fjalë, një dorë, një shpresë. Në këtë këndvështrim, lutja nuk është vetëm një akt personal. Ajo shndërrohet në një mënyrë për ta parë botën përtej vetes.

Albani na fton të mos e konsumojmë të gjithë kohën dhe energjinë tonë vetëm në kërkim të vetvetes. Ai sugjeron edhe pushimin, qetësinë, reflektimin, por mbi të gjitha një lutje më të madhe për të tjerët. Në këtë pjesë të librit gjejmë edhe poezinë e Mary Elizabeth Frye, të cilën Albani e kishte nënvizuar me kujdes. Ajo bëhet një tjetër dritare për të kuptuar botën e tij të brendshme dhe marrëdhënien e tij me jetën, kujtesën dhe përjetësinë.

81 reagime që zbuluan Albanin

Një vend të konsiderueshëm në libër zënë 81 reagime të botimit të “Lutjes” në gazetën Dita.

Këto reagime janë shumë më tepër se komente mbi një shkrim. Ato janë një pasqyrë e mënyrës se si të tjerët e perceptuan Albanin pasi u njohën me mendimin e tij. Nëpërmjet tyre, miqtë, shokët dhe familjarët e familjes Shehu e njohën më nga afër Albanin, mendimet, konceptet, vizionin, shpirtin dhe botën e tij. Për të u shkrua se kishte mendim filozofik, erudicion të brendshëm, ishte emblemë e altruizmit, leksion për sallat universitare, mendje e jashtëzakonshme, rrëfim epik, i zgjuar dhe brilant në ide e mendime, i ndjeshëm, me moral të bukur dhe fisnik. Në “Lutje” ndihet drita e një shpirti të madh, që dinte të shprehte me mjeshtëri atë që shumë njerëz e ndiejnë, por nuk arrijnë ta thonë. Ky ishte Albani tek “Lutja”.

Fëmijëria – vendi ku nisi gjithçka

Pjesa e dytë e librit nis me një intermexo, ku me shumë kulturë dhe ndjeshmëri paraqiten episode nga fëmijëria e Albanit. Janë tetë fragmente që flasin shumë për një botë fëmijërore që po rritej brenda tij. Në libër është fiksuar edhe kopertina e librit “Çiltërsi fëmijësh”, me krijime të zgjedhura të nxënësve të shkollës 8-vjeçare “Jeronim de Rada”, botuar në vitin 2002. Aty shpalosen pesë ese të Albanit, të shkruara kur ishte në klasën e pestë dhe të ruajtura me kujdes nga mësuesja Sofika Konomi (Çobani). Është emocionuese të shohësh se si një fëmijë nis të ndërtojë me fjalë botën e tij. Dhe natyrshëm vjen një tjetër hap: bota e përrallave. “Qerosi dhe Kuçedra” është një prej krijimeve që dëshmon imagjinatën e tij të jashtëzakonshme. Një përrallë e krijuar nga mendja e një nxënësi shembullor, por mbi të gjitha nga një fëmijë që kishte filluar të ndërtonte universin e vet krijues.

Nga nxënësi te mendimtari i ri

Në pjesën e tretë të librit vendosen hartime të shkollës së mesme, ese dhe referate. Janë shkrime të thjeshta në dukje, por me një përmbajtje të thellë në mendime. Shprehje të tilla si: “E ndjej që ëndrrat e fëmijërisë po largohen…” apo përfytyrimi për Herkulin në fushën e betejës, motivi patriotik “ma mirë me dekë, me u shue nën hije t’Flamurit tonë”, mendimet për Kosovën si gjak i pandarë dhe betimi për të, dëshmojnë se brenda këtij të riu po formohej një botë e pasur kulturore dhe atdhetare.

Më tej vijnë referatet për letërsinë dhe kulturën: për romanin “Odin Mondvalsen” të Kasëm Trebeshinës, për nervin patriotik në poezinë e Lasgush Poradecit, për tregimin “Gjaku” të Ernest Koliqit, për “E madhe është gjëma e mëkatit” të Mitrush Kutelit, për “Shkretëtirën e Tartarëve”, si edhe trajtime mbi televizorin, shoqërinë dhe problemet e rinisë. Një vend të veçantë zë eseja “Rinia e humbur”, ku Albani përpiqet të kuptojë një problem social të kohës së tij. Më tej shfaqen edhe mesazhe të Albanit në komunikimin me prindërit, një CV e pasur, diplomat për gjuhët e huaja që zotëronte dhe materiale të shkruara me dorën e tij. Në këtë pjesë gjenden edhe punime në fushën e fizikës dhe astronomisë, fusha që duket se e tërhoqën veçanërisht dhe ku ai kishte një përkushtim të veçantë. Pra, libri nuk na tregon vetëm shkrimtarin e vogël apo eseistin e ri. Na tregon një mendje që kërkonte të kuptonte botën në shumë drejtime.

Vizatimi – një tjetër gjuhë e Albanit

Pjesa e katërt i kushtohet vizatimit. Albani shprehej: “E kam të lindur.”Dhe vërtet, vizatimet e tij dëshmojnë një prirje të natyrshme për ta shprehur mendimin edhe përmes figurës. Botimet e vizatimeve në revistën “Fatosi”, në rubrikën e piktorëve të vegjël, si dhe 27 skica e vizatime të ndryshme, na japin një tjetër dimension të botës së tij. Në to duket fëmija, por njëkohësisht duket edhe mendimtari i ri. Sepse Albani nuk e kërkonte vetëm fjalën për të shprehur atë që ndiente. Ai përdorte edhe figurën, ngjyrën, vijën, imagjinatën. Fotot e jetës së tij, të vendosura në libër, e plotësojnë këtë mozaik dhe na afrojnë edhe më shumë me njeriun që fshihet pas shkrimeve.

“Liria është më e çmuar se gjithçka”

Por në qendër të gjithë këtij universi qëndron një fjalë: LIRIA. Albani është shprehur: “Liria është më e çmuar se gjithçka, unë jetoj për të qenë i lirë.” Kjo nuk është thjesht një fjali. Është një filozofi jete. Ai shpesh shtronte pyetjen: Përse jetojmë?Dhe përpiqej të gjente një përgjigje përtej shpjegimeve të zakonshme.

Njeriu mund të jetojë për paranë, suksesin, pushtetin, zhvillimin personal, kënaqësinë, paqen, dashurinë, përkushtimin, dëshirën për të lënë një gjurmë. Por Albani i shihte këto jo si qëllime të shkëputura, por si pjesë të një tërësie më të madhe. Në thelb, ai kërkonte kuptimin e jetës. Njeriu kërkon kuptimin e tij, lufton për ta gjetur dhe, pasi e gjen, jeton për ta mbajtur. Pikërisht këtu ai e vendos lirinë.

Liria është mundësia për të kërkuar, gjetur dhe mbajtur arsyen personale të jetës. Mungesa e lirisë, sipas këtij mendimi, e tjetërson njeriun. E ndrydh, e kufizon dhe e detyron të përshtatet me një realitet të imponuar. Por edhe liria absolute, siç e mendon Albani, është një koncept i pamundur për t’u realizuar në jetën njerëzore. Njeriu është qenie e dëshirave, e nevojave, e kërkimit dhe e përpjekjes. Prandaj liria nuk është thjesht mungesa e kufijve.

Liria është mundësia për të qenë vetvetja.Është e drejta për të kërkuar kuptimin e ekzistencës dhe për të mos u tjetërsuar në një qenie që jeton vetëm sipas dëshirave apo kufizimeve të të tjerëve. Në këtë kuptim, shkrimi i Albanit për lirinë nuk është vetëm një ese. Është një testament i mendimit të tij. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ai nuk i kishte vendosur datë. Sepse liria nuk ka datë.Liria është e pranishme në çdo kohë.

“Jam i lirë dhe do të vazhdoj të jetoj për këtë”

Në një prej pjesëve më të fuqishme të mendimit të tij, Albani shprehet se është i bekuar që ka një nivel të pranueshëm lirie, edhe pse shpesh do të dëshironte më shumë nga disa aspekte të jetës. Ai kërkon ekuilibrin mes mundësisë dhe dëshirës, mes qëllimit të jetës dhe realizimit të tij, mes arsyes për të jetuar dhe lirisë për ta ruajtur atë pa u tjetërsuar. Dhe pastaj vjen deklarata e tij e fuqishme: “Jam i lirë dhe do të vazhdoj të jetoj për këtë, duke qenë vetvetja.”

Këto fjalë janë ndoshta edhe çelësi për të kuptuar gjithë librin. Sepse Albani kërkoi të ishte vetvetja. Të mendonte vetë. Të pyeste vetë. Të shkruante vetë. Të vizatonte vetë. Të kërkonte vetë. Dhe mbi të gjitha, të ishte i lirë.

Një jetë që vazhdon nëpërmjet fjalës

Libri mbyllet me një epilog të shkruar nga prof. Bardhosh Gaçe, Dëfrim Cani dhe Jorgo Qirko, duke i dhënë kësaj vepre një përmbyllje të denjë. Por për mua, libri nuk mbyllet në faqen e fundit. Ai vazhdon. Vazhdon në fëmijërinë e Albanit, në esetë e tij, në referatet, në vizatimet, në mendimet filozofike, në pyetjet që shtroi dhe në përgjigjet që kërkoi. Unë e përjetova gjatë leximit të “Lutjes” një udhëtim të gjatë me Albanin. Mësova nga bota e tij fëmijërore. Mësova nga bota e tij rinore. Mësova nga mendimet e tij të pjekura. Shpesh u përlota. Ndjeva një boshllëk të madh për faktin që nuk e kemi pranë për të biseduar me të, për të dëgjuar mendimet dhe gjykimet e tij, për t’i bërë një pyetje e për të pritur përgjigjen e tij.

Por pastaj kuptova diçka tjetër: Albani është ende këtu. Është në gërma. Është në çdo fjalë. Është në esetë e tij. Është në referatet. Është në vizatimet. Është në fotografitë e tij. Është në kujtimet e familjes. Është në emocionin që përcjell ky libër. Dhe është mbi të gjitha në atë fjalë që duket sikur përmbledh gjithë jetën e tij: LIRI.

Një dritare e hapur drejt jetës

Përgëzoj familjen Shehu për këtë risi dhe për këtë mënyrë kaq të veçantë të përshkrimit të jetës së Albanit. Ky libër nuk është thjesht një botim kujtimi. Është një përpjekje për të ruajtur dhe për t’u treguar të tjerëve botën e një fëmije që u rrit me etjen për dije, të një të riu që kërkoi kuptimin e jetës dhe të një mendimtari që e vendosi lirinë në qendër të ekzistencës. Familja ka bërë diçka të çmuar: ka mbledhur copëza të jetës së Albanit dhe i ka kthyer në një tërësi të gjallë.

Ka hapur një dritare drejt botës së tij. Dhe nga ajo dritare duket një horizont i pastër. Një horizont ku nuk ka mure. Ku mendimi nuk prangoset. Ku fjala nuk hesht. Ku njeriu kërkon të jetë vetvetja. Ku liria nuk është thjesht një fjalë, por një mënyrë të jetuari.

Albani jeton

Jeton në kujtesën e familjes. Jeton në kujtesën e miqve. Jeton në faqet e këtij libri. Dhe sa herë që dikush hap “Lutjen”, ai rikthehet të flasë. Na pyet. Na bën të mendojmë. Na kujton se jeta është kërkim. Se mendimi është liri. Se kujtesa është përgjegjësi. Dhe se njeriu, për të qenë vërtet njeri, duhet të ketë guximin të jetë vetvetja. “Liria është më e çmuar se gjithçka.” Kjo është fjalia që mbetet. Kjo është fjala që nuk plaket. Kjo është trashëgimia shpirtërore e Albanit. Dhe ndoshta kjo është edhe përgjigjja e tij më e bukur për pyetjen: Përse jetojmë? Për të qenë të lirë.