Ambasada e SHBA në Kosovë: Zgjidhni ngërçin politik
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një reagimi zyrtar, ambasada thekson se qytetarët presin nga përfaqësuesit e tyre të përmbushin zotimin për të vepruar në interesi të vendit, duke paralajmëruar se zvarritja e procesit po i kushton Kosovës mundësi të rëndësishme.
“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.
Ambasada e SHBA-së ritheksoi se ngërçi i zgjatur politik po dëmton interesat e Kosovës dhe u bëri thirrje udhëheqësve që t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në interes të të gjithë qytetarëve.
”Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha më tej Ambasada.
Reagimi i ambasadës amerikane erdhi në të njëjtën ditë kur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa rezultat, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për zhvillimin e bisedimeve lidhur me postin e Presidentit. Kërkesa u miratua nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon më 7 gusht në orën 23:59.
Ndërkohë, Kurti deklaroi se nevojitet kohë shtesë për të arritur një dakordësi politike, duke theksuar se vetëm pas një marrëveshjeje për çështjen e Presidentit mund të procedohet me konstituimin e institucioneve të tjera.