Dita e 70-të e protestës kundër qeverisë dhe klasës politike
Protesta qytetare në Tiranë vijoi edhe këtë të shtunë, duke shënuar ditën e 70-të të tubimeve kundër qeverisë.
Qytetarët kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej” dhe vazhduan marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Atje janë mbajtur fjalime nga organizatorët e protestës, por edhe nga qytetarë pjesëmarrës në tubim.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një tjetër kërkesë e tyre lidhet me anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Gjatë grumbullimit në shesh janë dëgjuar thirrje të ndryshme kundër qeverisë dhe kryeministrit, mes tyre: “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Edi Rama në burg”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.
Një banderolë gjigande ” Shqiptarët e bashkuar, pushteti i tmerruar” u shpalos sot në protestën e 70-të.