Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Natasha Lako, kthim tek rreptësia e transhendencës

Lexova në profilin e Natasha Lakos poezinë “Kërkohet një tjetër univers”, shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe me një arkitekturë mjeshtërore, një induktim përsiatës për të mos maskuar ankthin tonë ekzistencial, krizën shpirtërore dhe tjetërsimin, që përparon në terren të boshatisur, dhe që ka tronditur mbarë shoqërinë. Njeriu po kalon përmes ndryshimeve të përmenduara, që ia kanë asgjësuar pasionet, besimin, harmoninë psikologjike.

Njerëzimi është një çerdhe e pamasë dhe e përkryer, por poezia e Natasha Lakos është, gjithsesi, e kundërta e një universi personal, ku forca e e autoritetit i ka kthyer të gjithë thjesht në makina të mirëfillta, ku asgjë nuk krijohet dhe “njerëzit ngrohin frymën me fatin e tyre”. Pavdekësia individuale është një pandehmë e bukur dhe ndjellëse. Aristoteli thoshte se vetëm individualja është reale.

Fotografitë e mbivendosura në këtë krijim nuk mund të na japin një njeri që ecën, që mendon dhe ndien. Por një realitet përmbledhës, ku përfshihet një sistem i tërë, një filozofi, jo vetëm një qëndrim i thjeshtë, kthimi i zjarrtë te Pakoha, nëpërmjet kërkimit të një universi tjetër, si shpëtim i vetëm. A e çorienton ky arsyetim idenë e përgjegjësisë njerëzore? Poetja është dalluar gjithmonë për një frymëzim që kërkon rrugët e tij, ku takimi me tjetrin, në njëfarë mënyre, është përbërës i qënies, komunikim në qendër të universit personal.

N. Lako takohet me çastin krijues pikërisht kur lind ky realizim i epërm i universit në realitetet jopersonale, te shëmbëllimi i njeriut që fundoset në konformizëm dhe, për të mos qënë i përgjegjshëm, u dorëzohet ideve të përgjithshme, apo shprehive të ndjenjave, për të mos u përballur me faktet dhe njerëzit.

Poetja Natasha Lako, në rrafshin e përpjekjes njerëzore për të humanizuar njeriun që ai t’i përkasë vetëm vetvetes, është një mjeshtre për të paraqitur në mënyrë të përkryer një realitet, i cili, para së gjithash, nuk është objektiv, por kthim tek rreptësia e dyfishtë e transhendencës dhe e mishërimit, drejt prirjeve kohore.

Poetja shpesh përcakton kufij për spiritualitetin e saj dhe, nga ana tjetër, aty shihet një denduri rebelimesh të pazakonta, kur cenohet boshti qëndror i universit personal, kur format e përthyera të shoqërisë përdhosen nga spektakli banal, kur zvetnimi social pengon hapjen dhe ngritjen e shoqërisë në një shkallë universale më të lartë.

Përmes vargjeve “Si t’ia bëj unë me diamantet e syve/ në këtë botë që po vjen”, N. Lako na rrëfen “misterin” që ende nuk ka përfunduar së shkoqituri, atë çka është e përhershme nga ajo çka ndryshon në kohë. Na thotë se edhe gruaja është person dhe se rezervat e femërores, pasuritë shpirëtërore të saj, duhet të integrohen në marrëdhënie me botën dhe bota duhet integruar në marrëdhënie me to.

KËRKOHET URGJENTISHT NJË UNIVERS TJETËR

Kërkohet urgjentisht një univers tjetër,

thoshin shirat, ndërrohen edhe çadrat një nga një,

njerëzit ngrohin frymën me fatin e tyre.

Edhe një çadër e vogël, m’i ngatërron mendimet,

dhe lejlekët e vegjël, që këmbehen gjithnjë.

Si t’ia bëj unë me diamantet e syve,

në këtë botë që po vjen.

Disa nga vëllimet poetike të N. Lakos:

Natasha Lako është një nga zërat më të shquar në poezinë shqipe, me disa vepra të botuara si:

“Marsi brenda nesh”, “E para fjalë e botës”, “Yllësia e fjalëve”, “Këmisha e pranverës”, “Natyrë e qetë”, “Thesi me pëllumba”, “Këmbë e duar”, “Kundërpërfytyrimi”, “Lëkura e ujit”, etj.