Ilir Meta si President i pakicës, si rifillim i tranzicionit dhe ekzekutor i ‘ndërkombëtarit si arbitër’
Alfred Lela
Ilir Meta është disa orë larg konfirmimit si President i Shqipërisë, si zëvendësues i Bujar Nishanit, në një Republikë që, sa më shumë është larguar prej zgjedhjeve të para pluraliste dhe Big Bangut të rënies së komunizmit, aq më shumë i ka banalizuar presidencialet dhe veten.
Ilir Meta do të jetë sot i pari President i pakicës, dhe me pakicë nuk kuptoj këtu mazhorancën parlamentare, por opinionin publik. Ai nuk shënon kësisoj, atë që Edi Rama bërtet lart e poshtë, deri në gërdi, në koncertin monoton solo ‘nuk po votojmë sot për Shqipërinë e katër viteve, por për atë të dekadës që vjen’. Aq më pak shënon ai fundin e tranzicionit politik: në të kundërt, fillimin e një tranzicioni të ri, spiralja e të cilit e shenjon Shqipërinë, përfundimisht, si republikë bananesh.
Ilir Meta nuk ‘vret’ vetëm Republikën sot, por edhe Edi Ramën, edhe ndërkombëtarët, përfshirë këtu edhe të vetmin ndërkombëtar për të cilin kam ende stimë (sepse përfaqëson atdheun tim të dytë, Amerikën), ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Si kështu? Sepse të parit i heq këngën e dytë të koncertit solo e monoton: Vetingun. Me Ilir Metën në Presidencë, ai nuk certifikon vetingun, por antivetingun. Të dy ata mund të takohen tani, njëri me kamën e vetingut, e tjetri me ‘bllokun e zi të korrupsionit’ në dorë.
Zotit Lu dhe amerikanëve (të mi) u ndërpritet kryqëzata e Reformës në Drejtësi. Ajo shndërrohet në një objektiv për t’u mbërritur dhe në një platformë subjektive. Me Metën në presidencë, Reforma në Drejtësi qesharakëzohet dhe duket si gjueti shtrigash ndaj opozitës që është jashtë parlamentit dhe institucioneve.
Ilir Meta, don apo nuk don ai, duan apo nuk duan ndërkombëtarët, se Edi Rama me të tijtë duan që ç’ke me të- a iu kujtohet 21 janari?!, ka syrin dhe namin e një politikani të korruptuar. Ai e ka fituar pafajësinë në gjykatën (e korruptuar!?) të së djeshmes, por ende jo në atë të opinionit publik.
Biem kështu në paradoksin e një Republike që kërkon të reformojë gjyqësorin, pushtetin e tretë, ndërkohë që në pushtet të parë (legjislativ) dhe të dytë (ekzekutiv) monton të pathyeshmit dhe të pagjykueshmit apo, për të kujtuar shprehjen e Donald Lu, si revokim i filmit të njohur amerikan, ‘Të paprekshmit’ (The Untouchables).
Për kë bëhet reforma tani?