Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Publicistika e Agim Gjakovës

 

 

 

Në Muzeun Historik Kombëtar u përurua seria e veprave të zgjedhura të shkrimtarit Agim Gjakova. Merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, studiues nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në vëllimin e katërmbëdhjetë të Veprave të tij, si edhe në dy vëllime të tjera (i dymbëdhjeti dhe i trembëdhjeti), Gjakova ka përmbledhur prozën publicistike. I katërmbëdhjeti ngërthen mbi njëqind e ca artikuj, ese, intervista që të gjitha shkruar pas Luftës së fundit në Kosovë, shumica e të cilave botuar në shtypin e përditshëm ose periodik. Ndarë në tri krerë: 1. Mendësia shqiptare dhe realiteti i egër; 2. Në anëfletët e Kryeqytetit; 3. Përse kulturë; vëllimi ka rreth katërqind faqe lëndë të përzgjedhur. Afërmendsh, tematika e tyre sillet në problemet që nxori në pah paslufta, në përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë, si edhe në ato që shtroi dhe po shtron koha dita-ditës, pas shpalljes së Pavarësisë.

Brendia e tyre politike është filli që, të shumtën e herës, dallon si tegel i pakëputur, nga njëri shkrim, te tjetri. Gjithsesi, ia vlen të theksoj qysh në fillim se Agimi nuk e ka ngulur kunjin në asnjërën prej rrjedhave politike të ditës, duke i ruajtur shkrimet nga ngjyrimet e rastit. Në fokus të politikës së tij është Kombi.  Shqetësimet e tij janë ato të shqiptarëve kudo që ata jetojnë: në Shqipëri a në Kosovë, në trojet e tjera etnike a në diasporë. Ato i bien njëherësh dhe pa pra kambanës së madhe të çështjes sonë kombëtare. Nga ky këndvështrim, shkrimet e tij spikatin në lumin e madh të gazetarisë sonë bashkëkohëse, që rrjedh më shpesh turbull-turbull, më rrallë kthjellët.

Si publicist, Gjakova është i drejtpërdrejtë, larg tjerrjeve dredha-dredha; goditës i pakompromis, kur e do puna, ironizues i hidhët, në raste të tjera. Le të sjell rastin e diskutimeve për simbolikën e flamurit të Kosovës.

Asohere Agimi shkruante pa mëdyshje:“Ajo që ka dalë përpara tani, vjen në tehun e vështrimit – të jetosh me kozmopolitizmin…”, (…)“Kjo do të thotë se flamuri duhet të ketë atë simbolikë që nuk është e asnjë kombi, që është e të gjithëve dhe, po e them hapur, që është e askujt…(…) Pra, në një farë forme na duket sikur thuhet ‘Të jetojmë me serbizmin’, pasi refleksionet për një lloj kozmopolitizmi që po vazhdon t’i imponohet Kosovës, çojnë po në parathënien…”

Tashmë, çdokush prej nesh e di çka është parathënia. Në të mund të lexohet: dhunë etnike serbe ndaj shqiptarëve, luftë, gjakderdhje, djegie, shkatërrim, përdhunim, eksod, Milosheviç, banda kriminale të Arkanit…

Është mjaft interesant të vlerësohet ky moment diskutimi për flamurin e Kosovës edhe në kontekst me zhurmën që po shkaktojnë sot disa “të ditur” rreth flamurit tonë kombëtar me simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Është simbol bizantin, argumenton dikush. Me njërën kokë majtas e me tjetrën djathtas, ai nuk predikon bashkim, por të kundërtën, hidhet një tjetër. Shqiptarizma nuk mund të ekzistojë me dy koka, plotëson një i tretë. Është e qartë: janë qarqet antikombëtare që i fryjnë këtij lloj diskutimi, kurse “fjalimxhinjtë” – siç ironizon Gjakova në një shkrim – janë ata që i përhapin. Si përgjigje, do t’u sillja këtyre “të diturve “ këtë paragraf nga artikulli i Agim Gjakovës “Të jetosh me kozmopolitizmin.. – Përsiatje për vendosjen e flamurit”:“Në botën europiane, ku jeton edhe Kosova, do të ishte me shumë interes sikur (po e shtrojmë në mënyrë hipotetike) të kërkohej nga ndonjë komb të krijonte një flamur tjetër të ri, i cili nuk do të shprehte atë simbolikë që ka sot. Atëherë edhe simultanisht si do të reagojë qytetari i Kosovës?”

Mjaft të heqim nga ky paragraf emrat “Kosovë” dhe “qytetari kosovar”, tollovia do të ishte e qartë për secilin shqiptar që i djeg në shpirt cenimi i gjithçkaje që ka të bëjë me 1912-ën.

Jo rrallë, Gjakova thërret në shkrimet e tij mendimin politik të së kaluarës, çka historia jonë kombëtare tashmë e ka ngurtësuar në piedestal dhe koha i ka vënë vulën e vërtetësisë. Ridalja herë pas here e Faik Konicës a e Hasan Prishtinës në shkrimet e Gjakovës, ka jo vetëm domethënie simbolike, por, sidomos, kritike, lidhur me papërgjegjësitë e njw pjese tw klasës politike të sotme të të dy shteteve shqiptare, Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Sipas tij, koncepti i politikëbërjes sot po shpërdorohet gjithnjë e më shumë si burim përfitimesh pasurore.

Disa replika nga biseda e imagjinuar e Hasan Prishtinës me ca politikanë të sotëm, në esenë “Hasan Prishtina mes politikanëve sot”: “Cilat janë bëmat tuaja, more stërnipër?” – pyeti Hasani.“Ka nga të gjitha, allasojçe, o gjysh. Kemi bërë luftë e kemi përvetësuar merita, kemi ruajtur paqen e kemi marrë çmime… Nganjëherë nuk e kemi çarë kryet për kurrgjë e kemi dalë në breg “faqebardhë” kur ikën serbët. E… besa, do prej nesh janë ngi me pare…”

A nuk i ngjan allasojçia e Prishtinës kësaj të Tiranës, pas shembjes së regjimit komunist?

Replikë pas replike, pasi mëson se në ditët e sotme është harruar mirësjellja ndaj kundërshtarit dhe pasuria filozofike në debatin politik, Hasani shpreh pikëllimin, duke ironizuar thekshëm:“Po e shoh, po e shoh! Paskeni fituar talent të madh ju sot. Vaj, çfarë politike kemi bërë ne atëherë. Shumë të ngushtë, të kufizuar…”

Hidhet një nga këta, të sotmit:“Më falni që po jua pres fjalën. Shumë politikanë sot janë bërë talente për tërë llojet e përdorimit të shkathtësive e të dinakërive. Kanë bashkuar intrigën e huaj, dinakërinë greke e orientale, mendjemadhësinë kapadaiçe shqiptare…  Sot, kur dështon në politikë, fillon e merresh me hajni, e, kur nuk të ecë hajnia, fillon e merresh me politikë…”

Është përhapur një mendim sikur sot nuk duhen thënë hapur shumë gjëra që nuk ecin ndër ne, shqiptarët, çka do t’i bënte ndërkombëtarët të birrnin besimin ndaj aftësive tona shtetformuese. E shprehur me bindje a pa bindje, me dashje ose pa dashje, edhe ky mendim është produkt i makinës propagandistike antishqiptare. E them pa lëkundje, gazetarët tanë të rinj, le të marrin shembull nga gazetaria e Agim Gjakovës.

Pse t’i fshehim ato mendësi të ndërkallura me dhunë në ndërgjegjen tonë kombëtare, të cilat na kanë dëmtuar tej mase dhe vazhdojnë të na dëmtojnë sot e gjithë ditë? Për hir të ca të huajve imagjinarë? Po cilët qenkan këta të huaj që dashkan të heshtim, në fund të fundit? Përveçse te mendësitë e armiqve tanë historikë, unë nuk shoh tjetërkund dëshira të tilla.

Po sjell një copëz nga shkrimi me titull “Në margjinat e kryeqyteteve shqiptare: Prishtinë – Tiranë, Tiranë – Prishtinë”:“Është fakt dhe duhet të pranojmë se ndryshimet që pësoi mendësia shqiptare… në të dy pjesët, qenë të dallueshme. Në Shqipëri dobësohej përditë ndjenja kombëtare, në Kosovë ajo forcohej. Në Shqipëri zbërdhulej vlera e konceptit të bashkimit, madje deri atje sa në një pjesë të madhe fitoi tendenca kundër tij; në Kosovë intensifikohej dëshira për bashkim. Në Shqipëri u bëheshin koncesione dhe u lëshohej pé të huajve në çështjen e lirisë së Kosovës dhe statusit të saj; në Kosovë shprehej gatishmëria që për çdo rast rreziku të luftonim së bashku me vëllezërit… E të tjera kahe të kundërta.”

E them çiltazi se nuk shoh asgjë të keqe që këto çështje, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen tonë kombëtare, të trajtohen haptazi dhe pa rezerva. Të mos harrojmë se sot na janë shpifur edhe asisoj “analistësh” që rrugën ashtu të quajtur “Të Kombit” na e kundrojnë si shkatërrim të mjedisit dhe vënë kujën se qenka bërë hataja andej nga grykat mes Rrëshenit e Kalimashit.

Fraza e ngjeshur e Agim Gjakovës mëton mendim, kurse gjuha është e kuptueshme për të gjithë ata që flasin shqip, qofshin me shkolla të mëdha ose vetëm me shkrim e këndim, qofshin me gjuhë të huaja ose fanatikë të dialekteve a të së folmes së një treve të caktuar. Dëshiroj ta theksoj këtë dukuri të prozës publicistike të Agim Gjakovës, pasi sot është bërë e bezdisshme deri në padurim të lexosh në morinë e pafund të gazetave që botohen në gjuhën shqipe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi a në diasporë, shkrimet e përçudnuara gjuhësisht të ca çupave dhe djemve të sapodalë nga shkolla. Për fatin e tyre të keq, ata mëtojnë të jenë gazetarë me përçartje të pakuptueshme, mbushur plot fjalë të huaja të panevojshme, do të thosha helmuese. E them pa drojë: kujdesi i tij për gjuhën, edhe si publicist, është kontribut për ruajtjen e pastërtisë së shqipes, të cilën ca nga ca po e mbytin shkurret, hithrat, gjembat, po e nëpërkëmbin mendjemëdhenjtë, të paditurit, antishqiptarët.

 

tetor 2010

Please follow and like us: