Carla Bruni rikthehet me një këngë të re pas 4 vitesh heshtje

Carla Bruni ka njoftuar publikimin e diskut të saj të pestë, të titulluar ‘French Touch’, që do të dalë në 6 tetor. Albumi që vjen pas katër vite heshtjeje, do të jetë një përmbledhje me këngë në gjuhën angleze, ndërsa atij i paraprin publikimi i këngës ‘Enjoy the Silence’, një version intim i suksesit të Depeche Mode i 1990.

Që në rininë e saj Carla Bruni ka kënduar këngë romantike, pop, të lidhura me persona, momente dhe vende, të cilat ish dama e parë e Francës thotë se ‘ishin dashuri me shikim të parë, ose siç thonë francezët coup de foudre’.

Bruni, e cila është edhe aktore, e ka nxjerrë albumin e saj të parë “Quelqu’un m’a dit (Someone Told Me) në 2002.
Pas atij disku ajo publikoi edhe 3 të tjerë, “No Promises” (2007), një album që përmbante këngë me tekste të poetëve të mëdhenj anglezë, “Comme si de rien n’était” (As If Nothing Happened) në 2008 dhe “Little French Songs” në 2013.