Paratë nuk ishin për reklamat, por për lajmet. Mos i shisni ato!

Mero Baze

Ndryshimi në ligjin e financimit të partive politike, që ka lidhje me reklamat në medien elektronike, nuk është bërë për të dëmtuar televizionet, por për të mos penalizuar partitë e varfëra. Parimi i ligjit mbështetet mbi frikën e partive opozitare, se shumica ka më shumë mundësi financiare për reklama dhe për këtë ka kërkuar që askush të mos paguajë reklamat, për të qenë të barabartë në këtë garë.

Natyrisht që kemi të bëjmë me një propozim shumë mekanik për të shpëtuar nga financimi i fushatës në televizone, pasi reklama televizive nuk është superioriteti i partive në fushatë.

Ankesat e televizioneve kryesore në këtë rast, nuk vijnë thjesht nga mungesa e parave në arkën e tyre, por nga fakti se atyre po u prishet një sistem pune mbështetur tek shitja e televizioneve për partitë në fushatë.

Më thjeshtë akoma, në varësi të faturës që PS, PD, LSI e pati të tjera prisnin për ‘TV Klan’, ‘Top Channel’ e televizonet e tjera, lejoheshin kasetat e prodhuara nga shtabet e partive për këto televizione.

Pra partitë nëpër TV nuk bënin propogandë me reklama. Me reklama ato blinin pjesën e lajmeve. Me faturën e reklamave ato blinin insertet shabllone që shfaqeshin në çdo ekran njësoj, dhe që dërgoheshin aty nga partitë, njësoj si reklamat.

Pra fenomeni më korruptiv në fushatë elektorale, ka qenë pikërisht kasetat e gatshme të prodhuara nga partitë dhe të transmetuara nga televizionet. Kjo bëhej për shkak të faturës së kripur që partitë paguanin për reklamën, që në fakt blinte pjesën tjetër të televizioneve, ose si të thuash, merrte televizionin me qira.

Heqja e pagesës për reklamat, mendoj se është një shans i mirë për televizionet t’i kthehen punës dhe të bëjnë vetë fushatën elektorale, duke ndjekur nga pas partitë, duke prodhuar vetë lajme për takimet e tyre dhe duke u treguar shqiptarëve të vërtetën e fushatave.

Kjo do t’i dobësojë pak financiarisht, por do t’i bëjë më të besueshëm dhe më popullorë në fushatë.

Tani atyre nuk ka kush u “pret bukën e gojës”, pasi nuk do marrin para për reklama. Le të provojnë të bëjnë punën e tyre, se ndoshta marrin fitimin nga shikueshmëria dhe nga stresi në të cilin do t’i fusin aktorët politikë në fushatë.

E vërteta është se gjatë fushatave të fundit elektorale, më “reklamë” kanë qenë kronikat e lajmeve, se reklamat e partive. Shpresoj të shpëtojmë nga lajmet që kanë qenë vërtet reklamë pa pagesë. Dhe po ashtu, të shpresojmë se do kthehen në lajme të cilat do ta bëjnë më të vërtetë fushatën.