Astrit Patozi: Bashkëqeverisja me Ramën nuk është opsion

Tani që mori fund ankthi i plotësimit të listës së PD dhe fushata mund të konsiderohet në kulmin e saj, po bëhen përherë e më të shpeshta lajmet që vijnë nga terreni se pas zgjedhjeve Shqipëria do të qeveriset nga një koalicion i madh. Për shkak se nuk i besoj shumë kësaj legjende, normalisht, nuk do ta kisha marrë fare mundimin ta merresha e aq më pak të shkruaja për të.
Por shqetësimi im ka të bëjë me faktin që kjo legjendë për fat të keq po rrëfehet më shumë në radhët e aktivistëve të Partisë Demokratike, të cilëve po u serviret gati si opsioni i vetëm, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në fushatën e garuesve të tjerë. Unë e di mirë që kjo nuk është as dëshirë dhe as shpikje e demokratëve të thjeshtë, të cilët kanë katër vjet, që ëndërrojnë dhe presin një gjë krejt tjetër.
Por po ashtu jam i bindur se kjo që po ndodh është krijesë e një tufe përtacësh dhe miopësh politikë, që mund të jenë drejtues lokalë apo qëndrorë të fushatës së opozitës, të cilët tek kjo formulë kanë gjetur zgjidhjen për të mos u lodhur shumë e për t’i rënë shkurt punës, që u takon të bëjnë deri më 25 qershor. Dhe sipas meje, kjo është mënyra më e keqe për të mos e ndezur kurrë fushatën e Partisë Demokratike, por për ta lenë atë në rënie të lirë, pasi shpjegimi i tyre qesharak është që sido të vejë rezultati, në pushtet do jemi gjithësesi.
Duke e konsideruar këtë si një problem shumë serioz, sot do të ftoja cdo anëtar dhe drejtues politik të cdo rangu të Partisë Demokratike që ta injorojë dhe refuzojë si të papranueshme këtë “fake news”, që shkon në favor të kundështarit tonë kryesor, Partisë Socialiste.
Le të mos gënjehen ata, gjithashtu, edhe nga artikulimi, sado elokuent, me gojë apo me shkrim, i ndonjë analisti apo filozofi, qofshin këta edhe frekuentues cadre, në 3 muajt e protestës së opozitës. Jam shumë i bindur që kjo është një pritshmëri e rreme dhe e sajuar keq, e cila u minon që në start objektivat e opozitës në këto zgjedhje.
Së pari, sepse asgjë e tillë nuk ka për ndodhur, për sa kohë që mungon dëshira nga të dy protagonistët, Lulzim Basha dhe Edi Rama, të cilët koalicionin e madh, e kanë gjënë e fundit që mendojnë sot. Pasi të dy kanë deklaruar edhe publikisht që mund t’ia dalin vetëm apo me aleatë më të vegjël të qeverisin normalisht, duke e vendosur të mundurin aty ku e ka vendin, në opozitë.
Por mbi të gjitha, se krijon përceptimn e gabuar, sikur marrëveshja politike që zhbllokoi krizën, nuk kishtë në themel parimet për shpëtimin e zgjedhjeve në Shqipëri, por ishte një pazar për të ndarë në tavolinë dhe që tani pushtetin.
Kjo legjendë do të kishte kuptim vetëm në një rastin që Partia Demokratike do t’i humbë zgjedhjet dhe Edi Rama do ta ftonte atë në qeveri, jo se nuk bën ndryshe, por thjesht dhe vetëm për të mbajtur larg vetes në opozitë kryesisht LSI-në dhe ndonjë forcë tjetër politike më të vogël, që mund të sigurojë prezencë në parlamentin e ardhshëm.
Por a ka arsye që dikush prej nesh ta mendojë këtë version fyes poshtërues si shpëtimtar për Partinë Demokratike? Sepse i bie, as më shumë e as më pak, por të pranosh që opozita e bashkuar sot, të zëvendësojë LSI-në, dhe të mbetet në mëshirën e Edi Ramës për të lëpirë ndonjë kockë pushteti. A ka kuptim që ky skenar (mbi të gjitha me probalitet shumë afër zeros) të konsiderohet si rimorkiator fushate për Partinë Demokratike?Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast JO.
Sepse unë mendoj që Partia Demokratike dhe blloku opozitar i bashkuar në siglën e saj ka vetëm një detyrim sot, të fitojë zgjedhjet dhe ta dërgoje Edi Ramën dhe qeverinë e tij të dështuar dhe të korruptuar aty ku i takon, në opozitë, madje të gjatë, që të ketë mundësi të shkundet tamam. Dhe ky nuk është asnjëherë mision i pamundur, të ketë nevojë patjetër për një dalje rezervë.
Për fat të mirë, dëshmitari dhe bashkautori i vetëm i palës sonë për marrëveshjen, Lulzim Basha, nuk e ka thënë kurrë dhe as e ka lënë të nënkuptohet ndonjëherë një gjë të tillë. Dhe kjo e bën të thjeshtë ekuacionin.
Anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike e kanë shumë më të lehtë të degjojnë kryetarin e tyre, i cili nuk ka asnjë arsye dhe asnjë interes, që t’i mashtrojë, sesa këdo tjetër, që për shkaqe rehatie, moskuptimi apo keqkuptimi, mund ta cmobilizojë me ose pa dashje aksionin politik të opozitës. Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë, duke e theksuar dhe përsëritur vazhdimisht se bashkëqeverisja me Partinë Socialiste nuk mund të jete dhe nuk është një opsion. Sepse ndryshe, i bie që të pranojmë se Republika e Re do të ketë kryeministër Edi Ramën. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse Partia Demokratike mund dhe duhet t’i fitojë zgjedhjet.