Demokracia e rrënuar/ Nga kryetarët me dy mandate 1992 tek kryetarët e gjithëpushtetshëm 2017

Afrim Krasniqi

Ndryshimi drastik: kalimi nga partite horizontale të anëtarëve tek partitë vertikale të liderve politike. Kryetarë që kanë pushtet të pakufizuar. Krahasime midis 1992 dhe 2017 dhe shifra alarmante brenda partive politike: shumica absolute e pakënaqur me demokracinë brenda partive dhe që kërkojnë reformë të thellë me ligj, për të detyruar kryetarët të bëjnë zgjedhje dhe të heqin dorë nga drejtimi i personalizuar i tyre.

Instituti i Studimeve Politike, me mbështetjen e Swiss Agency for Development and Cooperation, Unversity of Fribour, dhe CeMI (Mali i Zi) ka realizuar një pyetësor kombëtar dhe studim mbi demokracinë e brendshme dhe nivelin e centralizimit / presidencializmit në partitë politike shqiptare (RRPP). Pjesë e pyetësorit kanë qenë mbi 220 kandidatë për deputetë, fitues ose humbës, në zgjedhjet parlamentare 2013, nga të gjitha partitë parlamentare. Në përfundim të projektit, ISP do të publikojë gjetjet kryesore dhe analizën interpretuese për secilën gjetje.

Pjesë e gjetjeve dhe e analizës janë disa elementë që kanë të bëjnë me debatin ditor në partitë tona politike. Konkretisht, tabela bashkëgjitur ilustron ndryshimin e kompetencave statusore dhe faktike të kryetarit të partisë, në dy partitë e mëdha, PS e PD midis viteve 1992 dhe 2017, pra në harkun kohor 25 vjecar. Të dhënat tregojnë dukshëm rritjen e kompetencave të kryetarëve, formalizimin e strukturave të tjera vendimmarrëse, sidomos kryesisë dhe Asamblesë/Këshillit, si dhe injorimin tërësor të detyrimeve statutore për mbledhjen e Asambleve/Këshillave, Aktivave dhe Konferencave Kombëtare.

Gjithashtu të dhënat tregojnë se shumica absolute e kandidatëve për deputetë/deputetëve 2013 nga partitë parlamentare mbështesin idenë e përcaktimit me ligj të praktikeve të zgjedhjeve brenda partive (86%), të vendimmarrjes brenda partive (67%) dhe të mënyrës sesi përzgjidhen deputetët (88%). Pjesë e rëndësishme e debatit të sotëm duhet të jetë edhe fakti se 43% janë relativisht të kënaqur me nivelin e demokracisë partiake, kurse 41% janë totalisht të pakënaqur, ndaj vetëm 3.4% që janë dukshëm të kënaqur.

Gjetjet që kanë të bëjnë me rolin përcaktues liderit qendror (49%) dhe lidershipit lokal (40%) për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë krijuan meritojnë debat, pasi me statutet e partive, përzgjedhja e deputetëve nuk është kompetencë e tyre, por e bazës së anëtarëve të partisë. Problematika të tjera, siç janë vlerësimet mbi identitetin politik, mbi transparencën e munguar financiare të partive politike, mbi praktikat e përjashtimeve ose të tolerimit të mendimit kritik, apo elementë mbi mënyrën sesi është zhvilluar fushata elektorale 2013, do të jenë pjesë organike e studimit, i cili do të publikohet së shpejti.

Projekti është rajonal dhe synon të shohë zhvillimet në partitë politike në secilin vend, për të evidentuar tiparet e përbashkëta dhe dallimet, si dhe për të tërhequr vëmendje në nevojën e madhe që Shqipëria e rajoni kanë për institucionalizimin e partive politike, për zgjerimin e demokracisë së brendshme dhe për kalimin nga liderit e fortë tek institucionet e forta e funksionale.