Kina: SHBA të ruajë marrëveshjen bërthamore me Iranin

Kina i kërkoi sot SHBA-së të ruajë marrëveshjen për programin bërthamor iranian, ndërkohë që presidenti amerikan, Donald Trump do të shprehet në mesditë për fatin e kësaj marrëveshjeje të arritur në vitin 2015.

“Ne mendojmë se kjo marrëveshje është e rëndësishme për të siguruar mospërhapjen e armëve bërthamore si dhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ne shpresojmë që të gjitha palët do të vazhdojnë ta ruajnë dhe ta zbatojnë këtë marrëveshje”, deklaroi para shtypit zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Hua Chunying.

Zëdhënësi theksoi se zyrtari më i lartë i diplomacisë kineze, Yang Jiechi, kishte përmendur këtë çështje gjatë një bisede telefonike të zhvilluar dje me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Përkrah Gjermanisë, SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë, Kina është një prej gjashtë fuqive që kanë nënshkruar në 2015 me Iranin një marrëveshje destinuar për të penguar Teheranin të pajiset me armë bërthamore.

Presidenti amerikan mund të refuzojë sot certifikimin e faktit që Irani respekton angazhimet e tij përsa i përket pikave të traktatit, pavarësisht garantimit lidhur me këtë çështje nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore.