Dule: Jemi të painformuar për Kretën

Vangjel Dule dhe partia e tij duket se kanë qenë jashtë çdo sfere ndërmjetësimi për paketën shqiptaro-greke të diskutuar në Kretë mes ministrave Kotzias dhe Bushati. Kreu i PBDNJ-së që u pa në krye të protestave në Himarë e konfirmoi vetë padijeninë e tij  lidhur me çfarë është arritur mes dy qeverive. I pyetur nga Zëri i Amerikës për rezultatet e këtij takimi, Dule foli për rëndësinë që kanë marrëdhëniet shqiptaro-greke në kuadrin e sigurisë së rajonit, por gjithçka në parim.

“Gjithçka dijmë është ajo deklaratë që mund të cilësohet si hermetike mes dy ministrave, por  urimi i të gjithëve është që të zhbllokohet situata aktuale e marrëdhënieve midis dy vendeve sepse nuk përfaqëson vullnetin e të dy popujve. Shqipëria me Greqinë nuk janë vetëm dy vende fqinje me interesa të përbashkëta por përbëjnë edhe boshtin e zhvillimeve në të gjithë rajonin dhe Europen Juglimndore dhe rrjedhimisht kane rendesi të veçantë për çështjet e sigurisë”-theksoi kreu i PBDNJ-së.

Të njëjtin shqetësim si Dule për mungesë transparencë për takimin e Kretës artikoloi edhe opozita shqiptare PD-LSI dhe ajo greke e Nea Demokratia. Por si personi që kundërshtoi fort planin e qeverisë për planin urbanistik të Himarës, Dule thotë se ky plan prek të drejtat e minoritetit grek në Himarë.

“Ne jemi të mendimit se Greqia duhet të interesohet sistematikisht për fatin e minoritetit etnik grek. Qeveria me politikat që po ndjek ka një filozofi që synon në rrëmbimin e pronave nga pronarët e ligjshëm dhe vënien e tyre në shërbim të interesave të atyre që quhen investitorë strategjikë, që në shumë raste janë të dyshimita”-shtoi Dule. Një investigim i rrjetit BIRN për këtë çështje i përmendur edhe nga Zëri i Amerikës pretendon se investimet ‘strategjike’ në turizëm ngrihen mbi prona të kontestuara.