Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

 

Në parkun që e mbuluan fletët,
Të dy ne ecnim qetësisht!
Pas shijes së saj ka shtruar vjeshta,
Qilim të verdhë, natyrisht!

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë,
Iu fanit një muzg i vonë!
Ky park që e kanë mbuluar fletët,
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon…

Nga vagabondët me cigare,
Ti mos u tremb, e dashur, kot!
Imazhin tënd dinosaurët,
Shekuj më parë s’e shtypën dot!

Që ti të vije kaq e bukur,
Me ato flokë, me atë hap!
Toka të egrën klimë zbuti,
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht!

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe,
Të ndodhte ndryshe s’ kish se si!
U desh të zhdukeshin përbindëshat,
Që te kjo botë të vije ti….

Please follow and like us: