Albspirit

Media/News/Publishing

EKSKLUZIVE: Si u bastis Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nga Policia shqiptare? Arrestime, dhunë, fyerje….

Sot, me 15.9.1998, Brigada 131 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e vet të përgjegjësisë  korri suksese të mëdha luftarake.

Sipas informatave të marra nga Komanda e kësaj Brigade, dje, gjatë tërë ditës, në regjionin e Gjeravicës pati luftime të ashpra, ndërmjet njësive tona çlirimtare dhe atyre okupatore serbe. Njësiti antiterrorist i Brigadës 131 të UÇK-së, që kishte për detyrë sigurimin e familjeve të strehuara të këtij regjioni, u ndesh me forcat çetnike serbe, të cilat tentonin të fusnin nën rrethim popullsinë civile dhe, siç e kanë zakon, ta masakronin atë. Komandanti i njësisë antiterroriste deklaroi se, njësia e tij befasoi forcat armiqësore me një sulm të furishëm, arriti t’i shpartallojë ato dhe tu vihet në ndjekje grupeve të tyre, të cilat i kishte kapur paniku. Gjatë operacionit të ndjekjes së çetnikëve, forcat tona sulmuan edhe bazën e tyre në Bjeshkët e Bogiqit. Gjatë këtyre luftimeve u vranë tre oficerë dhe 40 ushtarë, u plagosën disa dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë okupatore dhe u konfiskua një sasi e konsiderueshme e armatimit dhe pajisjeve ushtarake.

Po nga Brigada e 131 e UÇK-së njoftohemi se sot, njësia pararojë e kësaj brigade gjatë një kontrolli rutinor të këtij regjioni, gjeti nëntë uniforma ushtarake serbe, të cilat ishin lënë nga dezertorët e tyre që po braktisin armatën serbe secilën ditë e më shumë.

(…)

Ishte 16 shtatori. Kishte kaluar ora 22.30. Shumica e ushtarakëve përgatiteshin për pushimin e natës. Në largësi si zakonisht dëgjoheshin krisma automatiku. Ato vinin nga pjesë të ndryshme të qytetit. Dikush filloi të trokasë me forcë në derën e oborrit.

– Policia shqiptare, hapni derën, dëgjohej urdhri nga ana tjetër e derës!

Toni i cili në ato çaste ishte duke u ngjitur shkallëve për të shkuar në katin e parë, kur ndëgjoi zhurmën dhe urdhrin e policisë, u kthye prapa dhe doli për të hapur derën e oborrit. Nga pragu i shtëpisë vërejti dhjetëra njerëz të maskuar e të armatosur që kishin hypur mbi mure. Tytat e pushkëve i kishin drejtuar nga ai. Kur ai hapi derën, dy policë të gjatë dhe të fuqishëm e vunë atë për toke duke e mbajtur me forcë nga të dy duart.

– Keni armë këtu ore shkërdhatë Kosove, e pyeti atë njëri nga policët e maskuar?

– Po, …jo, u pëgjigj Toni duke u hamendur dhe duke mos ditur se çfarë duhej të thoshte. Nuk e di unë, duhet të pyesni të tjerët!

Në mjedisin e mbi 30 policëve ishin edhe disa persona të pamaskuar e që ishin të veshur me kostume. Ishin po ata persona që ditëve të fundit vëreheshin shumë shpesh nëpër kafenetë e kësaj lagjeje. Shumë shpejt shumica e tyre u fut në objekt. Njëri që dukej se ishte shefi i tyre, kërkoi të bisedojë me përgjegjësin e objektit. Drejtori dhe disa punëtorë të Drejtorisë Informative ndodheshin në kuzhinë, ku edhe u fut një numër i madh policësh. Serembi pas pyetjes së policisë se kush ishte përgjegjësi i objektit, pa dashje bëri me dorë në drejtim të drejtorit, të cilit më pasë iu vërsulën policët e maskuar.

– Keni armë ju këtu, e pyeti atë një nga të maskuarit?

– Po, u përgjegj ai shkurt duke i shkuar buza në gaz.

– Edhe qeshesh kokëderr, iu vërsul një polic duke ngritur lart kondakun e pushkës dhe duke u përgatitur që ta godiste.

Në atë moment, në kuzhinë hyri një polic tjetër i veshur me kostum. Nuk ishte shumë i gjatë, por ishte i plotë. Ishte rreth 50 vjeç dhe kishte flokë kaçurrela. Ishte shefi i brigadës së anti-krimit për Tiranën.

– Këta paskan me të vërtetë armë, iu drejtua atij polici i maskuar, duke lëshuar ngadalë pushkën që e kishte përgatitur të godiste kosovarin.

– Ore zotëri, nuk kemi armë, por unë këtu kam një armë të vetme të cilën e kemi për të siguruar objektin, reagoi drejtori.

– Vetëm një thua?! Po edhe ajo nuk u duhet. E dini ju se është e ndaluar mbajtja e armëve pa leje në Shqipëri? Me ligj vetëm deputetët e Parlamentit dhe forcat e rendit kanë të drejtë të kenë armë.

– Po e di, por e di gjithashtu se këtu në Shqipëri çdo shtëpi ka të paktën një pushkë automatike, kallashnikov.

– Ore, mend më shet zotërote? Mendon se kam ardhur këtu që të pyes për mendim tënd për Shqipërinë? Më jep pra armën, urdhëroi më në fund ai duke ua bërë me kokë dy policëve të maskuar që ta kapin drejtorin.

Drejtori i shoqëruar prej të dy policëve u fut në zyrë dhe prapa perdes së dritares mori pushkën automatike. U kthye prapa në drejtim të derës, nxori një çelës për të hapur një dollap ku kishte mbyllur karikatorin me 30 fishekë. Që të dyja ua dorëzoi policëve.

Policët tashmë ishin përhapur nëpër tërë objektin. Ata kërkonin që të gjithë ushtarakët kosovarë të zbrisnin në përdhese, në kuzhinë. Të gjithë kontrolloheshin për armë. Drejtori, gjysmë fshehurazi, shfrytëzoj rastin dhe mori telefonin. Telefonoi në zyrën e kryeministrit kosovar, por askush nuk përgjigjej në telefon. Më pas morri në telefon Përfaqësinë e Republikës së Kosovë në Tiranë. Ishte Bujari që u përgjegj. Edhe ai ishte ushtarak dhe kishte disa vite me radhë që punonte në recepsionin e Përfaqësisë. Ndërsa drejtori i tregonte atij për kontrollin, dikush nga policët e pa dhe me thikë këputi telin për të pamundësuar vazhdimin e bisedës.

– Kryesorja është që dikush u njoftua dhe ka shpresë që të reagojnë pa u bërë vonë, tha drejtori vetë me vete.

Policët u ndanë në grupe dhe filluan të bastisin tërë shtëpinë. Diku rreth 7-8 policë të maskuar së bashku me shefin e tyre kontrollonin dhomën ku ishte dokumentacioni dhe kompjuterët e Drejtorisë Informative. Sipas pyetjeve që ata bënin shihej se në bazë të informatave që kishin, mendonin që kjo ishte një zyrë e policisë sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe se aty bëheshin përgatitje për rrëzimin e Partisë Socialiste nga pushteti. VIJON – SHQIPTARI.EU

Please follow and like us: