Sadik Bejko: Një letër e M. Camaj kundër Kadaresë
LEOPOLD KRECHENBACHER, prof. dr. universiteti në Gjermàni, anëtar i jurisë së Çmimit Herder, nga çmimet më të larta evropiane, i kërkon mendim M. Camajt se cili kandidat (në listë ishte Kadareja) shqiptar e meritonte këtë çmim. Leopold dhe Camaj, të dy si prof universitarë, njihen… deri familjarisht.
Letra- përgjgje e Camajt është e majit 1991.
Kjo letër tashmë e botuar nga “PRINC” Letërkëmbimi CAMAJ-PIPAJ, meriton një analizë speciale.
Po them vetëm kaq:
Zhgënjim.
Camaj nuk ndalet as para shpifjeve, ligësive cinike, mizerabilitetit të broçklluave vulgare për të poshtëruar një koleg shkrimtar, një bashkatdhetar para të huajve.
Kafareja e fitoi çmimin gjerman Harder. Anëtarët e jurisë i kumtuan autorit se nga bashkatdhetarët e tij u erdhën shumë letra të pista, të cilat ata nuk i morën në konsideratë.

Letër e Martin CAMAJ për PROF. DR. LEOPOLD KRETZENBACHER
Institut für Allgemeine und
Indogermanische Sprachwissenschaft
der Universität München
Martin Camaj
D-8000 München 22,
Geschw.-Scholl-Platz 1
20.5.91
Herrn Univ. Prof.
Dr. Leopold Kretzenbacher
A – 8403 LEBRING Steiermark
Instituti për gjuhësi indogjermane/indoevropiane
në Universitetin e Mynihut
Martin Camaj
20.5.91
Drejtuar Prof. Dr. Leopold Kretzenbacher
A – 8403 Lebring Steiermark
I nderuar dhe i dashur mik!
Letra juaj e datës 11 më ka gëzuar shumë. Pyes shpesh për ju miqtë e përbashkët tanët si Rudi Trofenik: Lavdi zotit, aleluja, aleluja tri herë! Që jeni mirë me shëndet! Unë nuk jam dhe aq mirë me shëndet. Ne, bashkëshortja dhe unë, vazhdojmë të jetojmë në Lenggries, vitet e fundit kemi qenë vazhdimisht në lëvizje, kryesisht në SHBA dhe Itali. Që prej verës së vitit 1990 kam dalë në pension (65!), mirëpo po punoj më shumë se më përpara. E tani, për pyetjen tuaj se, cili prej shqiptarëve do ta fitonte çmimin “Herder”.
Që prej një viti, jam në kontakt të vazhdueshëm me forcat opozitare apo intelektualët, të cilët po çojnë përpara demokratizimin në Shqipëri, pra, për herë të parë që prej 42 vitesh, po ndeshem me realitetin e vendit tim. Për kandidatin Ismail Kadare duhet të them, për fat të keq, gjëra negative. Mbi figurën e tij si njeri, politikan dhe autor është shkruar shumë në muajt e fundit brenda vendit, në Itali, më pak në Francë (në Austri vetëm fjalë të mira)! Ka patur edhe intervista të vetë Kadaresë dhe të tjerëve, dhe e gjithë kjo hedh një dritë të keqe mbi të. Për mendimin tim, duhen mbajtur parasysh dy aspekte:
a) Kadareja si politikan dhe njeri në raport me të tjerët;
b) Kadareja si autor.
Për pikën a) Politikisht: Tek opozitarët, në Shqipëri, Kadareja mbahet si besnik i linjës së Partisë Komuniste, së cilës dhe udhëheqësit të saj Enver Hoxha i ka shërbyer për mbi 35 vjet. Ai bënte pjesë ndër zyrtarët më të lartë, i integruar në familjen Hoxha (të dy nga Gjirokastra). Kadareja nuk e ka kritikuar asnjëherë sistemin apo ideologjinë dhe programin e partisë. Kritika e tij ka të bëjë vetëm me “modernizimin” e sistemit ekzistues. Për opozitën në vend është e papranueshme që Kadareja të cilësohet si disident. Ai kërkoi azil në Francë: 1. për të mos u gjendur midis dy zjarresh: të zgjidhte opozitën ose 2. të ishte i detyruar të deklaronte kundër shokëve të tij komunistë dhe klikës së privilegjuar.
Në tetor të vitit 1990, kur ai u vendos me familjen e tij në Paris, ishte nënkryetar i Frontit Popullor (kryetare ishte Nexhmija, e veja e Enver Hoxhës). Ithtarët e tij, shumica të rinj, ankohen tani se Kadareja i ka lënë në baltë, e akuzojnë se ka denoncuar kolegët e tij, autorët: dy prej tyre, të cilët janë liruar tani nga burgu (Kasem Trebeshina dhe Kapllan Kallushi) e konfirmojnë këtë; me të dy jam në kontakt.
Për pikën b) Për mua, Kadareja është një autor shqiptar, romancier i realizmit socialist. Në mënyrë të përsëritur u jam përgjigjur pyetjeve që janë shtruar lidhur me këtë: ai është një shkrimtar i talentuar, i cili në situata të caktuara ia ka arritur synimit me zgjuarsi. Ne mërgim do të bëntë mirë që, si shkrimtar, të trajtonte tema të tjera, të cilat nuk janë në përputhje me realizmin socialist. Temat, të cilat ka trajtuar në 15 romane, nuk janë më aktuale.
E di që është e vështirë që një autor komunist të bllokut të lindjes ta shikosh vetëm si autor e jo si politikan. Si albanolog, përgjegjës edhe për letërsinë moderne shqiptare, dëshiroj të shtoj se Kadareja është ngarkuar personalisht nga Enver Hoxha dhe aparati i tij të përpunojë figurën e tij, kultin e Hoxhës, dhe politikën e tij të jashtme në mënyrë letrare dhe ta paraqesë atë në një dritë të caktuar për vendet e huaja: Kështu lindën romanet mbi prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe më parë me Titistët. Veprat e tij u përkthyen me paratë e shtetit dhe u korrektuan në mënyrë të atillë që ndërmjet origjinalit në shqip dhe përkthimeve, veçanërisht në frëngjisht, ndryshimet janë të mëdha. Kadareja ka justifikuar izolimin dhe ksenofobinë e Shqipërisë me argumente historike. Ai ka paraqitur vendin si një fortesë të rrethuar nga armiq, duke e lidhur këtë me traditën e qëndresës shqiptare.
Në fushën shkencore, nuk ka patur asnjë njohje ndërkombëtare për arritje të vërteta. Institucionet e kërkimit kanë qenë mediokre, të kontrolluara nga ideologjia, dhe çdo punë e mirëfilltë është shtypur.
Në Kosovë, situata ka qenë e ndryshme. Figura si Eqerem Çabej, Ernest Koliqi dhe Zef Valentini kanë dhënë kontribut të madh. Veçanërisht Arshi Pipa, profesor në SHBA, ka qenë një zë i fuqishëm i kritikës dhe i rinovimit intelektual shqiptar.
Ai ka botuar në Columbia University Press, New York:
– The Politics of Language in Socialist Albania
– Albanian Stalinism
– The Albanian Socialistic Ralism
Prof. Arshi Pipa është redaktor i një reviste të re albanologjike shumëgjuhëshe ALBANICA, e cila cilësohet si udhërrëfyese për rinovimin intelektual shqiptar. Veprat e Pipës janë në anglisht dhe në dispozicion edhe për anëtarët e komisionit tuaj. Për mua si katolik do të ishte një kënaqësi e veçantë nëse ky shqiptar intelektual (ai shkruan dhe flet perfekt italisht, frëngjisht, anglisht dhe di mjaft mirë edhe gjermanisht) do të vlerësohej edhe në Evropë. Pipa vjen nga një familje intelektuale myslimane dhe është intelektuali i vetëm, i cili ka mbrojtur klerin katolik shqiptar në kohët e vështira dhe vazhdon ta bëjë këtë gjë edhe sot.
Po lexoj një klauzolë lidhur me çmimin “Herder”, sipas së cilës, ky çmim duhet t’i jepet vetëm një dijetari, i cili jeton në Shqipëri. Duhet bërë një përjashtim, pasi rreth gjysma e intelektualëve shqiptarë jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, madje edhe Kadareja.
Do të ishte një kontradiktë mendore, nëse ky çmim do t’i jepej një kandidati, e gjithë vepra e të cilit as nuk ka aluduar të kritikojë brutalitetin e regjimit komunist dhe heqjen e fesë me ligj.
Sikurse thashë në fillim, u gëzova që mora lajme nga ju. Do të ishte edhe më bukur nëse do të mund të takoheshim ndonjëherë.
Duke kujtuar kohët e vjetra, me përshëndetje miqësore,
I juaji
Martin Camaj.